E diele, 04.05.2025, 05:51 PM (GMT+1)

Speciale

Vilhelme Vranari-Haxhiraj: Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia!

E shtune, 25.08.2012, 09:28 AM


Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia!

(Në kujtim të çiftit simbol dashurie dhe atdhetarie, Aurelia dhe Ajvaz Voka)

Nga Vilhelme Vranari-Haxhiraj

Titulli i këtij shkrimi,"Rrnoftë Shqipëria dhe na ndihmoftë Perëndia", që vjen nga kujtesa e kohës, së cilës dikush duhet t'ia heqë e t'ia fshijë pluhurin e harresës për të nxjerrë në dritë të vërtetën. Zbulimi i jetës sociale, politike apo kulturore individuale të shqiptarëve, mbështetet në një të vërtetë të madhe, në një realitet të pamohueshëm, mbi të cilat njohim të vërtetat historike të një kombi të lashtë sa vet njerëzimi. Theksoj se ky titull që është sa domethënës dhe po aq historik, që shërben si thirrje, e cila vjen deri sot si një bekim, u shkrua me shkronja të arta dhe u qëndis nga dora e një gruaje, me dhëmbshurinë e një nëne që lindi bijë dhe bija shqiptarë. Ajo nuk kishte lindur shqiptare. Në genet e saj nuk kishte gjak shqiptar, por ajo e deshi Shqipërinë sa deshi edhe tokën që e lindi.

Eh, fati i shqiptarit! Fat i paracaktuar nga hijet gjakpirse, skllavëruese e sunduese të të huajve, që për shekuj e robëruan këtë komb vital, duke i mohuar rrugën e lirisë dhe të zhvillimit. E ndanë dhe e përçanë, e bënë copa-copa mes shteteve fqinjë, duke e shndërruar si kurban për Bajram apo si flijimi për Pashkët. Eh, ç'mëkat dhe krim kanë ndjekur ndaj një kombi autokton! Dhe shqiptari, që më mirë pranon vdekjen me nder, se sa të jetë skllav në shtëpinë e tij, i huaj në truallin e vet, pa pronë në tokën mëmë në pragun e stërgjyshërve të të parëve pellazgo-iliro-trakë, mori rrugën e mërgimit.

Mërgimi, ah, mërgimi, kjo plagë e rëndë, e shkaktuar jo nga plumbi, por nga malli i zhuritur, për një gurë e për një dru, për gurgullimën e përroit e për një shpat mali, për flladin detar apo për murlanin, për diellin që ngroh shpirtin e atdhetarit, për një serenatë a një polifoni labe, për çiftelinë a cylën dyjare, për vatrën e tymin në oxhaqe, për brumin që vjen në magje, për drynët e ndryshkur që mbyllën sa e sa pragje, për vajzat dhe djemtë lastarë që ta bëjnë shpirtin behar. Eh, në kurbet për çfarë nuk ke mall?! Për atë të shtrenjtën tokën time, për një fjalë të ëmbël shqipe.

Sa dhembje dhe sa lotë janë shkaktuar nga koha? Sa baltë u hodh mbi shqiptarët e vërtetë? Të gjorët arbër! Kur menduan se fituan lirinë, shqiptarët kaluan në një sistem tjetër diktaturë komuniste, ku lufta e egër e klasave, me persekucionin e tmerrshëm e të pashoq që zbatoi, shkaktoi plagë të rënda e të pashërueshme që dhe sot kutërbojnë era krim makabër, kufomë dhe gangrenë. Ata që mundën t'i shpëtojnë ferrit komunist, morën arratinë. Por duhet guxim dhe kurajo për të folur për këta njerëz që ia kushtuan jetën kombit dhe atdhetarizmit, që koha  e egër të mos i varros dhe të mos i  fshijë e t'i marrë zvarrë. Kurrë nuk mund të ringjallen më mirë se tani, në këtë vit jubile, të 100 vjetorit të Pavarësissë sonë kombëtare, vlerat e mohuara nga ditëzinjtë. Secili nga ne ka lexuar për jetën e dhimbshme të bashkëkëmbasve jashtë atdheut, për punën dhe përpjekjet për çështjen kombëtare të të gjithë mërgimtarëve. Por kur fati ndonjerin e ka lidhur me jetën e një të huaji apo të huaje, dhe të dy si çift i janë përkushtuar çështjes sonë kombëtare, është një vepër madhore që duhet renditur mes fakteve historike që kanë vendosur fatet e kombit. Të punosh dhe jetosh në kushte të tilla në një regjim diktatorial, është guxim dhe trimëri.

Është shumë rrënqethëse kur sheh të shaktërrohen vlerat humane të një kombi, sa e sa  jetë, familje të mëdha, një shtresë fisnike, (që përbëjnë palcën e kombit), një plejadë intelektualësh me kulturë perëndimore (që ishin ajka e trurit të kombit), vriteshin sa ëndrra dhe shuheshin sa dëshira. Por më shumë nga të gjitha shtresat, vuajtjen e përjetonin gratë apo nënat. Kur shkrova librin, me titull "Mamaja", redaktori i tij, i ndjeri Prof. Odhise Grillo më tha: "Lufta e klasave ishte e pashembullt në Shqipëri. Vilhelme ,më vjen keq, por ti ke lënë shumë dritare!"- Këto fjalë të këtij burri të mençur, mikut të fëmijëve, më detyruan të shkruaja trilogjinë. Librat e mi i pëlqejnë edhe komunistët, sepse unë flas pa dorashka dhe ua përplas në fytyrë shkaktarëve të vuajtjeve që i persekutonin edhe etërit e vet. Po kështu vepron edhe Bubullima e Bukureshtit, sot e kësaj dite. Te gjithë librat e mi kanë mendime filozofike, jo pompoze, por të thjeshta, nga jeta, ndaj janë vlerësuar nga kritikët. Duke lexuar te "Zemra Shqiptare" një portret të Baki Ymerit, kushtuar prindërve të tij, mendova se u përshtaten disa shprehje shumë të bukura të librit tim të mësipërm, si: "Duhej një zemër e madhe, bujare që t'ia plotësonte dëshirën e fundit asaj bashkëshorteje, asaj nëne të zhurritur nga malli..." Vetëm duke i shtuar për rastin në fjalë edhe: "malli ndaj botës shqiptare dhe asaj rumune." - Bëhet fjalë për një grua të veçantë, që jetën e saj e ndau mes dy shteteve.

Ajo lindi , kur  lindi Nënë Tereza (1910) dhe u nda kjo jetë,  kur u shua kjo nënë e shenjtë (1997)

Mamaja e Baki Ymerit,  Aurelia Graur, autorja e thënies me të cilën titullohet edhe shkrimi, lindi më 1910, po atë vit kur lindi Nënë Tereza. Çuditërisht, edhe Aurelia u nda nga jeta në të njëjtin vit kur u shua jeta e Nënë Terezës, më 1997, duke u shuar si një grua e shenjtë. Kurse në veprat e mia, ishin ata, pereskutorët e komunizmit shqiptar, që e çuan atë grua drejt vdekjes. Nëse unë do të citoj disa paragrafe nga libri im, ato i takojnë edhe nënës së Baki Ymerit, Aurelias. Madje jo vetëm heroinës sime dhe Aurelies, por gjithë atyre grave, burrave dhe fëmijëve që përjetuan luftën e egër të klasave në ferrin komunist të Europës lindore. Çfarë ka ndryshe apo të veçantë personazhi im, nga jeta e Aurelias? Asgjë, ndaj lexojeni: "Kur del nga burgu i shoqi, i shkonin për vizitë fshehurazi, natën, njerëzit e afërm dhe e përgëzonin që u kthye gjallë nga ferri, nga "qelivarret" më të ngushta se varret dhe më të ftohta se vdekja ku e kishin varrosur për së gjalli." Dhe ai përgjigjej trishtueshëm: "Erdha, po ç'gjeta vallë?! Një palë saraje të rrënuara, të shndërruara në disa kotece pulash. Gjeta një portë të kyçur, një ekonomi të rrënuar, një djalë të braktisur, që endet rrugëve të përbaltura, një  grua inekzistente që ma rrëmbyen dhe ia dorëzuan vdekjes. Një varfëri të tejskajshme që duket se është bërë zonjë e vendit. E ç'më duhet më jeta?!"

Kjo histori e dhjetëra të tjera kanë ndodhur në vendin tim, në familjen time, tënden e të kujtdo që bisha komuniste i syrgjynosi në biruca hermetike dhe në kampe internimi, apo i vrau duke u mohuar të drejtat më legjitime, jetën, lirinë, arsimimin dhe profesionin... Unë nga thëniet e tyre nxora diçka, duke shtuar vetëm emrin tim, sepse ende nuk më njeh lexuesi i huaj, edhe pse disa kritikë rumunë e kanë vlerësuar shumë lartë librin tim „Mamaja" (Marius Chelaru, Mihai Antonescu, Monica Mureshani), siç kanë vlerësuar edhe dhjetëra vepra të tjera të përkthyera në rumanisht nga bukureshtari i ditëve tona, Baki Ymeri, të cilit iu luta të më dërgonte diçka rreth jetës së babait dhe mamasë së tij, pasi u njoha me historinë e tyre përmes medias Elektronike. Duke venë shenjën e paralelizmit mbi ngjashmërinë e jetës së zhvilluar në librin "Mamaja" apo më gjerë në Trilogjinë "Vështroni Meduzën" me vuajtjet dhe jetën plot sakrifica të çiftit Ajvaz dhe Aurelia Voka, desha të di si reaguan prindërit e saj kur ata të dy u dashuruan, si u bë dasma e tyre? Natyrisht diçka të përafërt. Sa kohë jetuan në Rumani, disa emra vendesh të bukura dhe të rëndësishme, ndonjë emër pallati, rruge, lagjeje. Ose, kur u vendosën ata në Shipkovicë, sa fëmijë lindën, si u ambientua mamaja e tij, një bijë Rumanie me zakonet tona mesjetare. Desha të njoh realitetin e të shkruaj për ta, që të dalë diçka e veçantë për një çift model, që i mbijetoi atij regjimi kobndjellës.

Fisnikëri, bujari, miqësi, besnikëri e atdhetari, tipare atdhetarit të pa epur

Duke lexuar të dhënat mbi prindërit e Baki Ymerit, dua të theksoj se bashkatdhetarët tanë që jetojnë në mërgim kanë një jetë të veçantë. Them se disa prej tyre kanë një origjinë aristokrate, siç është rasti i Ajvaz Vokës dhe Aurelias së tij, apo ai i birit të tyre që bën çmos për ta pasqyruar fisnikërinë shqiptare dhe patriotizmin që i ka karakterizuar shqiptarët e Rumanisë. Në bazë të fakteve të gjalla, ata e kanë përforcuar fuqimisht miqësinë rumuno-shqiptare, që nga viti 1932 kur janë njohur (Ajvazi dhe Aurelia) e deri tani në 100 vjetorin e Pavarësisë (me veprat konkrete publicistike, letrare dhe atdhetare të Baki Ymerit). Është një subjekt i veçantë që më ngazëllen për ta zhvilluar me detaje. Nuk është hera e parë që tentoj të përshkruaj fisnikërinë e njerëzve tanë në Shqipëri dhe matanë kufijve të saj, sepse jeta e tyre më duket si përrallë, ashtu sikurse edhe fèmijërija ime, që deri në moshën 6 vjeçe e kam përjetuar si një përrallë. Pse? Se jam nga Kanina, ku buron fisnikëri, bujari, miqësi, besnikëri, atdhetari.

Ndërsa lexoj kujtimet për prindërit e Baki Ymerit, më bie në sy dhe më mrekullon si mua, edhe Fitimin (bashkëshortin tim), fotografia e prindërve të Baki Ymerit, e vitit 1932. Një tjetër mrekulli e po atij viti, ku vihet re dashuri dhe besnikëri ndaj atdheut të dytë të saj, është qëndisja artistike e Aurelias, ku shkruan “Rroftë Shqipnija ene na nimoftë Perëndija!” Gjithmonë sipas  të dhënave të Bakiut, tezja e tij, Rozalia, motra e Aurelias, ishte bukëtaresha e motrës së mbretëreshës. Në këtë rast njihemi me një fjalë me kuptim shqip, bukëtareshë (kuzhiniere), kurse kuzhinës rumunët i thonë "bukëtërie". Duhet të kemi parasysh që në këtë rast flasim për një kurbetçi.

Ndaj s' duhet të harrojmë se veç të këqijave, kurbeti ka edhe të mirat e veta. Duke nisur me emigrimin para Luftës së Dytë Botërore si në Egjipt, Turqi, Bullgari, Rumani, Çekosllovaki etje; dhe emigracioni pas vitve 90 që i çoi shqiptarët në të katër anët e botës, bëri që jo vetëm të fitojnë materialisht, por duke u pajisur me kulturë perëndimore, ndryshuan mentalitetin mesjetar, mënyrën e jetesës rritën kërkesat ndaj vetes dhe ndaj kombit.Kështu emigracioni e fisnikëroi vendlindjen me vlera të reja kombëtare e familjare, ekonomike dhe kulturore. Them kulturore për ata shqiptarë që janë të vetëdijshëm se pa ngritjen e  nivelit kulturor, nuk mund të bëhet fjalë për mbarëvajtjen e çështjes  kombëtare. "Për ta çuar përpara çështjen kombëtare, që është e ndërlidhur ngushtë me çështjen politike, ekziston nevoja parësore për përkrahjen e projekteve kulturore..." - kjo ishte ideja shprehimore e Ajvaz Vokës, që me gjithë varfërinë e kohës, bënte 20 km. rrugë në këmbë nga Shipkovica në Tetovë e anasjelltas, vetëm për të blerë një gazetë në gjuhën shqipe. Le të shohim se si e portretizonte këtë njeri, motra e gruas së tij, Marieta Vasilesku?

“Motra ime më e madhe, Rozalia, ndërmjet viteve 1930-40, ishte "bukëtareshë" në komunën Dudeshti Çoplea, në konakun Gruef, te motra e mbretëreshës. Më kujtohet edhe kunati im, Ajvazi. Thuajse e shoh edhe tani. E mbaj mend mënyrën si vishej: me një kostum të zi prej një stofe të shtrenjtë e të bukur, këpucë të zeza, nga cilësia më e mirë, kapelë të zezë, kravatë nga më të shtrenjtat dhe çadra karakteristike e kohës. Kështu e përfytyroj kur e kam parë për herë të fundit, në vitin 1941. Edhe motra ime, Aurelia, ishte ndër femrat më të bukura të Bukureshtit: e veshur me elegancë, me bishtalecat palë-palë, me fustan të bardhë dhe me do këpucë princeshe. Ishin një çift i bukur, që edhe të tjerët ua kishin zilinë. Ata janë njohur për herë të parë pranë Lulishtes Mbretërore, në Bulevardin Mërëshesht (1932). Ajvazi kishte një karrocë me ëmbëltore dhe çikërrima të tjera, mbi të cilën figuronin edhe dy gazeta: Universul dhe Shqipëri e Re. Ajo, duke qenë në shoqëri të motrës sime më të madhe, Rozalias, e pyet arnautin e Shipkovicës, sa kushton një krehër? Ai deshi t’ia jepte falas, ndërsa ajo, duke mos e njohur, e refuzoi, u hidhërua dhe vazhdoi rrugën. Ky gjest i saj i krijoi përshtypjen arnautit se është fjala për një femër të ndershme dhe të sinqertë. Dhe shkoi pas saj deri në luginat e Transilvanisë, 600 km në veri të Bukureshtit, në komunën Band të Tërgu Mureshit, një katund me njerëz të qetë, të sinqertë, të ndershëm e të pastër, si për nga veshja, ashtu edhe për nga shpirti.”

Dhe më tej, vazhdon teto Maria: “Dhe ndenji atje një vit të tërë, ngase nëna jonë nuk donte ta  huajëzonte vajzën. Një punëtor i ri, i ndershëm dhe i ndërgjegjshëm, vlen më shumë se krejt ari i botës. Duke pasur një durim karakteristik, në ato pllaja të simbiozës rumuno-gjermano-hungareze, Ajvazi iu rrek punës fushore për kultivimin dhe shitjen e bostanit. Fitoi para dhe e  bindi nënën time t’ia japë vajzën. Bëri një dasmë të madhe dhe e mori motrën time për grua. Por duhej kohë që mamaja jonë, një vejushë fisnike,veshur në të zeza, për humbjen e burrit, plagosur në luftërat për bashkimin e tokave rumune (1916-1918), i cili u nda nga jeta një vit më vonë. Nuk mund t'ia jepte vajzën një të huaji dhe aq më tepër një djali të fesë islame. Asaj, si katolike, mbiemri "Imeri" i ngjallte neveri. Kjo urrejtje ishte kultivuar në opinionin e të huajve, për shkak të sundimit të Perandorisë Osmane për 5 shekuj në Shqipëri. ” Siç e shohim Ajvazi ndërkohë që nxirrte bukën e gojës, kërkonte ta njihte opinionin bukureshtar me problemet shqiptare dhe përmes gazetës “Universul” ku botonte artiokuj kushtuar shqiptarëve dhe Shqipërisë (1941), duke mos u ndarë kurrë nga mërgimtarët tanë.

Jo vetëm kaq, por në lidhje me kërkesën për martesë, Ajvaz Voka ishte njeri i ndershëm dhe besnik sepse në gene kishte gjak shqiptari, të racës pellazgo-ilire, gjak i bekuar i Gjergj Kastriotit dhe jo i Sulltanit apo Haxhi Qamilit. Kjo ndikoi që mamaja së fundmi lëshoi pe për fatin e Aurelias. Në bazë të një Fletëqarkullimit të Përkohshëm (Foglio di via Provvisorio), nr. 43, lëshuar nga Konsullata Italiane e Bukureshtit (25 gusht 1941), kuptojmë se “Ajvaz Ymeri, i lindur në vitin 1905 në Shipkovicë të Shqipërisë, së bashku me zonjën Aurelia Graur (e lindur më 13 korrik 1910 në komunën Band të Tërgu Mureshit), gëzojnë të drejtën e shfrytëzimit të këtij Fletëqarkullimi për udhëtim definitiv me pasaportën nr. 2.402/ 37515, lëshuar nga Legata Jugosllave e Bukureshtit, më 27 korrik 1932.” Nga burimet historike kujtojmë se Shipkovica asokohe i përkiste territorit të Shqipërisë. Si dëshmi janë një numër dokumentesh, çertifikatash bankare, korrespondenca etj. Gjatë qëndrimit në Bukuresht,  ai kishte kontakte me personalitete të njohura letrare, kulturore, shkencore dhe diplomatike. Për çështjen shqiptare jepte donacione të rregullta. Gjithashtu Ajvaz Voka shkruante  artikuj në të përditshmet "Curentul", "Universul" etj. Është gjetur artikulli me temë “Poporul Albanez shi noua ordine europeana” (Populli Shqiptar dhe rendi i ri europian), gazeta "Curentul", maj 1941. Tani vazhdojnë hulumtimet për publicistikën e tij nga i biri apo studiues të tjerë.

Babai i Bakiut ka vajtur në Bukuresht 40 vjet pas botimit të Shqiptarit të Nikolla Naços, më 1928. Ajvazi dhe Aurelia janë njohur në Bukuresht, 20 vjet pas shpalljes së Pavarësisë sonë, më 1932. Shumëkush, apo çdokush prej nesh e din se në hotelin Continental të Bukureshtit, më 5 nëntër 1912 u mbajt mbledhja historike e kolonisë së atjeshme shqiptare, ku u hartua projekti dhe u morën vendimet e para për shpalljen e independencës shqiptare. Në ballë të saj ishin Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi dhe flamurtarë të shumtë të kësaj kolonie kreshnike. 20 vjet më vonë, Ajvaz Voka pat fat ta njohë Asdrenin, Mitrush Kutelin, Lasgush Poradecin, Aleko Vançin... Bukureshti aso kohe konsiderohej si “Parisi i vogël”, me rrugë të bukura e të pastra, me shitore, shëtitore e limuzina luksoze. Njëra nga to, lumuzina e parë amerikane që e solli në këtë vend, ishte ajo e kryetarit të Komunitetit Ortodoks Shqiptar, Nikolla Gjergji Pallamida, me origjinë korçare. Limuzinën e parë amerikane që e solli në Shipkovicë, para 40 vitesh, ishte ajo e djalit më të madh të Ajvaz Vokës, Mavruz Ymeri.

Kalojmë nga tema në temë, pa u shkëputur nga subjekti respektiv. Votën e parë dhe të vetme, proamerikane dhe properëndimore, që e qiti në kutinë e “zezë”, siç e konsideronin komunistët asokohe (1945), ishte vota e Ajvaz Vokës. Të gjithë të tjerët asokohe, kur ishin mbajtur zgjedhjet e para me rastin e hyrjes së partizanëve në Shipkovicë, brenda një nate, nga frika, kaluan nga ballizmi e zogizmi në komunizëm, duke i qitur votat në kutinë e “kuqe”. Aktivist numër një i organizimit të këtij skandali projugosllav, prorus dhe stalinist, në bazë të rrëfimeve të Aurelia Vokës, ishte Xhaferi i Beçës, babai i drejtorit aktual të shkollës së fshatit, Zaim Beqiri, autor i një libri të gjymtë (“Kujtime”), i redaktuar nga një enverist dhe i ngarkuar me gënjeshtra me bisht, siç na shkruan B. Y. në një letër të tij. Dhe s’kemi pse mos t’i besojmë kryeredaktorit të revistave “Shqiptari” dhe “Kosova”, shqiptarit që militon dit/e/natë për afirmimin e kauzës shqiptare në Bukuresht (1971-2012).

Malësori i Sharrit, Ajvaz Ymer  Voka, që jetoi e punoi  për Shqipërinë

Kështu e cilëson Ajvaz Vokën bashkëshortja, Aurelia Graur, e cila pas ardhjes së saj në Shipkovicë (1941), do të pagëzohet, ullnetarisht apo përmes imponimit, me një emër të ri: Ajshe Ymeri, duke lindur katër fëmijë të mrekullueshëm: Mavruzin, Skënderin, Bakiun dhe Safijen. Skënderin e rrëmbyen valët e Shkumbinit të Tetovës në moshën shtatë vjeçare. Ishte i bukur dhe i mençur si një pranverë shqiptare. Një nga dokument konkrete të atdhedashurisë shqiptare të këtij çifti bashkëshortor, është thirrja poetike me vlerë atdhetare: “Rroft Shipnia ene na nimoft Perëndija!”, qëndisur nga Aurelia ditën e kurorëzimit të tyre në komunën Band të Tërgu Mureshit (30 korrik 1932). Thuhet se kjo zonjë e bukur rumune e ka përvetësuar gjuhën shqipe brenda një nate. Për këtë flasin anëtarë të familjes së Hamdi Refikit nga Shipkovica dhe një sërë artikujsh të kohës. Deri sa jetoi, ajo tregonte për 35 shqiptarë të arrestuar në Bukuresht, në vitet ’40, ndër ta edhe Ajvaz Voka: “Ai tregtonte ëmbëlsira dhe jepte për çdo ditë në mbrëmje, nga fitimet e veta nga 20 franga për komunitetin shqiptar. Nuk ishin pak para sokohe. Për të ushtruar profesionin e ëmbëltorit në qendër të Bukureshtit, tregtarët e vegjël ishin të detyruar të jepnin bakshish. Agjenti të cilit i jepte pothuajse për çdo ditë bakshish, e fton një ditë në selinë e Prefekturës. “Eja se të fton shefi!”, i kish thënë malësorit të Sharrit dhe e kishin mbajtur atje derisa i kishin grumbulluar edhe të tjerët. Unë u  nisa pas tij dhe kur arrita, e pashë se autobusin e kishin zbardhuar me parulla: “35 shqiptarë të dënuar për politikë”. I mora treqindmijë leja t’ia çoj, por ai kishte një deng parashë me vete, të cilat m’i dha mua. Mori vetëm ato që i dhashë unë. Pasi i kishin dërguar në do pyje për t’i likuiduar(vrarë), Ajvazi kishte ikur (u arratis) me nja dy kërçovarë të fuqishëm. Kërçovarët mbetën atje, kurse ne u kthyem në Shipkovicë. Merre me mend sa i gëzuar dukej kur u kthye një ditë nga pazari. Ishte takuar me kërçovarët në Tetovë, që ishin kthyer edhe ata pas shtatë vitesh nga Rumania, diku nga viti 1948”. -Ky është rrëfimi i Aurelias.  Nga kunata e tij në Bukuresht (Marieta Vasilesku), morrëm vesh se  “kur e ka braktisur Rumaninë (1941), i ka lënë 50.000 leja donacion për mbarëvajtjen e lëvizjes së këtushme shqiptare”.

Fakte të tjera konkrete të atdhedashurisë shqiptare të Vokallarëve

Familjet Voka dhe Gjura ishin familje të lashta , autoktone shqiptare, të njohura historikisht me dokumente dhe marrëdhënie fisnore gjaku me përtej Drinit të Zi, në perëndim të malit të Sharrit dhe Korabit (shën. i autores, Shih. Enciklopedia "Bjeshkët e Sharrit" gusht 2012). Ndaj gjatë gjithë kohërave kjo familje ishte e para, Vokallarët si quheshin rëndomë, gjendeshin në krye të çdo lëvizjeje apo nisme kombëtare shqiptare. Ndaj burrave të këtij fisi nuk ju ndan përndjekjet, burgosjet dhe torturat e çdo regjimi apo pushtuesi.Në këto kushte lindën dhe u rritën fëmijët e Aurelja dhe Ajvaz Vokës. Fëmijët ishin të vegjël aso kohe, por u edukuan me ndjenja të veçanta atdhedashurie kur dëgjonin kritikat e prindërve ndaj Rusisë dhe flisnin me adhurim për Amerikën apo Perëndimin. E si të mos ndikonin tek formimi i fëmijëve, bisedat e Ajvazit me tetovarë të shquar që kishin përkrahur lëvizjen demokratike kombëtare shqiptare, përmes Lidhjes së Dytë të Prizrenit? Sidomos me Hysen Xhaferin, babanë e Arbën Xhaferit, pastaj me Garip Demën, Vehbi Lushin etj. Bindje të tilla përparimtare kishte edhe Veli Saraçi, me origjinë turke, me banim në Tetovë, si dhe njëfarë Stojani nga Çarshi e Epërme. Shpeshherë, fëmijët e tij, kishin dëgjuar të atin kur u thoshte Hebib Uzahirit dhe Ismëjl Lahit, sa herë vinin për vizitë në orët e vona të pasdarkës që të mos binin në sy: "Populli Shqiptar është i shenjtë. Ai ka nevojë për përkrahjen e Perëndimit dhe Perëndisë."

Prej të atit fëmijët mësuan se, "Demokracia e rrit përgjegjësinë në raport me rritjen e lirisë. " Ata që e kishin fituar lirinë e fjalës dhe lirinë e shpirtit,  dhe nuk udhëhiqeshin nga idetë nacionaliste që janë kundër fqinjve, ishin në gjendje të punonin për fatet e kombit të tyre të drobitur. Ajvazi me miqtë e tij ndiqnin rregullisht dhe i komentonin emisionet e Zërit të Amerikës. Nuk ishte fjala për “vetëqeverisje socialiste”, por për prirjet demokratike të atyre që e admironin Perëndimin, atë kohë, kur klyshët e komunizmit, nga njëra anë bërtisnin në Sokak të Poshtëm “Rrnoft Stalini!” kurse nga ana tjetër, e spiunonin Ajvazin te komandanti i policisë në Veshallë, e më pas i rasnin nëpër burgje. Të moshuarit e mbajnë mend pranverën e vitit 1945 terrorin e ushtruar ndaj shqiptarëve në Monopolin e Tetovës. Pasi hynë partizanët, u organizuan zgjedhjet e dhunshme. “Te shkolla në Puçalen, ku kishin vënë dy kuti votimi: njëra e kuqe (e komunistëve) dhe tjetra e zezë (e demokratëve). I vetmi që e fut “kokën” (kështu quhej vota asokohe), në kutinë e zezë, ishte Ajvaz Voka. Kurse të tjerët, kishin kthyer faqe brenda një nate: nga ballistë, ishin bërë komunistë”.

Kështu e përshkruan mentalitetin e shqiptarit aktiv të diasporës dhe atë të hallexhinjve të fshatit, një dëshmitar okular i asaj kohe, i cili vazhdon: "Dikush mund të preket për këtë, sidomos ata që e kanë mizën nën kësulë, apo bijtë e tyre, por kjo nuk do të thotë se ne kemi qenë më të mirë nga ata. I tillë ishte sistemi: dikush e admironte Stalinin, dikush Enverin, dikush Titon, dikush Amerikën." Sipas rrëfimeve të Aurelias gruas së tij të mrekullueshme, mbështetËses kryesore dhe bashkëpunëtores së palodhur, "në shenjë hakmarrjeje, komunistët si Xhaferi i Beçës (babai i Zaim Beqirit),  jo vetëm që ia hanin hakun por e kishin detyruar t’i çonte kutitë e votimit në qytet, në mesnatë, rrugës së Konecit, kur kish krisur një shi i hatashëm. Për qëndrimet e tij proshqiptare, shtëpia e tij bastisej herë pas here, si nga karabinierët italianë, edhe nga udbashët e koalicionit sllavo-shqiptar.  Ajvazi aq shumë e admironte Perëndimin, disiplinën gjermane për punë, rregullimin e kopshteve e të arave, saqë ndërmerrte një varg aksionesh për t’i bindur autoritetet për mbrojtjen ekologjike të ambientit, për thurjen e arave, për moslëshimin e kafshëve kuturu arave të fshatit, saqë këtë e pagoi edhe me një dajak të kurdisur, si në kohën e kaçakëve, nga ana e do “trimave” të çakërdisur, që e ndryshonin flamurin nga frynte era: herë quheshin ...izallarë, herë ...izoviça, herë ...izovski... "

Ende nuk janë realizuar idetë progresive të shqiptarit të etur për dituri. Duke menduar se ishte Ajvaz Voka ai që që e solli nga Rumania radiolidhjen e parë, libra, revista, dokumente. “Të gjitha këto na i mori policia, me rastin e një bastisjeje, në kohën e luftës. Mbaj mend, por mos e përrmend se cili haxhi e kish spiunuar Ajvazin tim dhe babain tënd! E lidhën me to një deng të madh sa shporeti dhe i thanë burrit tim të shkojë t’i marrë pas një jave, por ai nuk deshi të ketë punë me policinë”,- rrëfente  Aurelia e ndjerë, e cila u shua si një nënë e shenjtë, po atë muaj kur u shua Nënë Tereza e Shkupit dhe Princesha Diana e Anglisë (shtator, 1997). Thonë se kështu ka ngjarë edhe me bibliotekën e Baki Ymerit në Shipkovicë, e cila u humb pa nam e pa nishan, por ai ka krijuar një bibliotekë tjetër në Bukuresht që vlen sa një mbretëri. Biblioteka e sentimenteve letrare, artistike dhe atdhetare.

Malësori shqiptar i Bjeshkëve të Sharrit i etur për kulturë dhe dituri

Ajvaz Voka ka pasur fatin  të njihej e të punonte në Bukuresht me Asdrenin, Ibrahim Temon, Petro Janurën, Gjergj Bubanin dhe shumë personalitete, të cilët ndikuan në formmin e tij atdhedashës. Ky atdhetar i denjë kishte përkrahur shoqëritë shqiptare, duke i ndihmuar materialisht dhe moralisht. Ka sjellë e ka shpërndarë në vendlindje librin dhe shtypin shqiptar që dilte në Bukuresht e në Konstancë, në kohën e Mbretërisë.  Ajvazin rrethanat e edukuan ta donte kulturën dhe librin. Ndaj ishte i etur për dituri. Lexonte shumë, aq sa  librin e merrte  me vete edhe në arat e bujqësisë, ku shfrytëzonte kohën e pushimit. Jo vetëm kaq, por edhe komentonte bukur artikujt dhe ua shpjegonte të tjerëve. Të gjithë grumbulloheshin rreth tij për të dëgjuar se mendimet që kishte ai për të ardhmen e vendit.

Ai me urtësinë e tij, e urrente Stalinin dhe dinte t’u jepte shpresë njerëzve, se "edhe për shqiptarët do të vijnë ditë më të mira. Më rrëfente se si ia bojkotonin aksionet për mbrojtjen e arave. Për t’i larë mëkatet, disa prej tyre na janë bërë tani haxhilerë. Sikur t’i kishin dhënë ato para për mbarëvajtjen e kulturës shqiptare, sevapet e tyre do të ishin më të mëdha”, tregonte Abdylazis Islami dhe shtonte: “Sevap është të shkosh haxhi jo vetëm në Meke, Medinë apo Palestinë, por edhe në Krujë, Prizren, Drenicë e Shipkovicë. Sa herë që shkoja te Guri Dubnikit në punë, më ndalte Ajvaz Voka e bisedonim orë të tëra. Ishte i interesuar për shkrimtarët tanë, që sapo kishin bërë hapat e parë në krijimtari”.

Për jetën dhe veprën e Baki Ymerit, falë Kurtesh Devajës dhe ekipit të tij, TV i Kosovës e xhiroi një film dokumentar që mbetet në memorjen e telespektatorëve tanë, ndërsa për jetën dhe veprën e Ajvaz Vokës ka mjaft vlerësime dhe komente të favorshme. Mes tyre do të përmendja Ali Podrimjen, Filip Përmetarin, Sali Bashotën, Foni Dilon, Kozeta Zylon, Hysen Këqikum, Sabile Bashën, Nexhat Rexhën, Miradije Ramiqin, Jusuf Zenunajn, Vangjush Zikon, Eduard dhe Ylli Dilon, Adem Zaplluzhën  etj, të cilët duke shprehur nderime dhe respekt për patriotin e shquar Ajvaz Voka, si shembull udhërrëfyesi për familjen dhe pasardhësit e tij, ata ndihen krenarë që kanë lindur në tokën shqiptare. Malësorin e Sharrit, deri sa mbylli sytë më 1968,  e mundonte çështja e mosnjohjes së të drejtave të barabarta të shqiptarëve nga ana e sllavëve. Unë pyes: A e ka tretur balta vallë atë patriot të shquar që militonte në Bukuresht dhe prehet në varrezat e Shipkovicës?! Kushedi?! Veçse di të them se e tillë ishte dhe e vazhdon edhe sot traditën e bukur atdhetare, familja Voka dhe pasardhësit e saj

Rexhep Voka kishte ikur nga masakrat serbe kundër shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë më 1913. Nga njëra anë e ndiqnin serbët pse kërkonte Katër Kalemat (bashkimin e katër vilajeteve shqiptare), ndërsa në anën tjetër e ndiqnin turqit pse militonte për reforma fetare ndër shqiptarë. Ç’ishin “katër kalemat” e Rexhep Vokës?- pyet Kadri Voka, që sot është shqiptari i parë i Malësisë së Sharrit që dërgoi ndihmat e para për refugjatët e Kosovës në Bllacë (1999)  Ndërsa i biri i Ajvaz Vokës dhe i Aurelias, duke ecur në gjurmët e familjes së tij, babait, nënës dhe gjithë patriotëve shqiptarë që punuan për Rilindjen Kombëtare, Baki Ymeri, jeton në Bukuresht dhe punon me shpirt atdhetari për historinë, kulturën dhe për njohjen e problemeve madhore shqiptare që akoma nuk po zënë vend.

Ky shkrim u realizua sipas burimeve dokumentare të Zemrës Shqiptare, të disa mediave tjera të atyre viteve dhe letërkëmbimit me të birin e tyre, Baki Ymerin në Bukuresht. Faleminderit Baki, që më krijove mundësinë e njohjes së një shqiptari të mrekullueshëm, i cili jetën e tij  ja kushtoi kombit! Kam nevojë edhe për burime tjera t’ua kushtoj një libër prindërve tu, sepse e meritojnë! Mbi të gjitha vlerësoj Nënën tuaj, zonjën e nderuar Aurelia, që edhe pse ishte e huaj, punoi dhe jetoi si një atdhetare e madhe krahas babait Tuaj! Baki vëllai! Duhet të jeni krenar për dy  prindër të tillë! Me respekt  për gjithë ata që jetuan e punuan për çështjen kombëtare. Më vjen mirë që ky  shkrim përkujtimor u bë në këtë vit jubile të 100 vjetorit  të Pavarësisë sonë kombëtare. Viva Albania! Rroftë Shqipëria!



(Vota: 48 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx