Speciale
Pjetër Logoreci: Pranvera e Demokracisë
E diele, 26.08.2012, 01:59 PM
Pranvera
e Demokracisë
Në përkujtim të grevës kombëtare të urisë së përndjekunve politik në Tiranë 1991
Nga Pjetër Logoreci
Me deshirën
e mirë të përkujtoj këtë ngjarje jo të zakonte, mbasi po afrohet dita jubilare
e saj SHTATOR 1991, do mundohem të rreshtoj disa kujtime në respekt të kolegëve
që vëndosen të vetëflijohen, për të ba present respektimin e të drejtave
njerzore dhe për të diskretitue ideologjinë vrasëse të komunizmit. Ja kushtoj këtë
shkrim kolegut të paharruem të ndjerit
Pano Taci, i cili ishte pjesmarrës aktiv i kësaj greve, me të cilin pata
shumë biseda e shkëmbime mendimesh që më vlejten ma vonë.
***
Në Shkodër,
verën e vjetit 1991, në ndertesën e
familjes liridashëse e antikomuniste Martini, në katin përdhese gjindeshin
zyrat e porsa hapuna të shoqatës së përndjekunve
politik – dega Shkodër. Menjiherë të binte në sy vorfnia e ambientit, që përvec
do stolave a karrigave të vjetra, në zyrën e „kryetarit“ gjindej nji tryezë e
vjetër mbi të cilën qe vendosë nji makinë shkrimit dhe vula e re e shoqatës të sapokrijume
antikomuniste.
Njërez me
ftyra të vrame e të veshun keq hynin e delnin me ndonji pako ndër duer plot me
rroba të vjetra ndihmash, apo me ndonji dëshmi panaliteti a dokumenta që vërtetonin vitet e vështira të burgut.
Vezullime
shprese e radhë buzëqeshje mund të shihje ndër fëtyrat e rreshkuna prej diellit
e vuejtjeve të burrave që përshkoheshin në derën e vjetër prej drunit sipër të cilës
varej nji tabelë e shkrueme me ngut nga nji dorë amatore: Shoqata e të përndjekunve
politik. Dega Shkodër.
Mbrendë,
zotnijtë Vitor Martini e Ndrekë Pjetri mundoheshin ti shërbenin cdo njërit me
mirsjellje e gadishmëri, mbasi merrnin vesht shkakun e ardhjes së tyne. Nuk më kujtohet
saktësisht dita, por ishte mbledhja e kryesisë së degës. Dhoma ishte plot me
anetarët e kryesisë, të ftuem, njerëz të thjeshtë, simpatizantë e aktivista. Do të diskutohej për hallet e shumta, por
pika kryesore e rendit të ditës ishte thirrja e dergume të gjitha degëve të rretheve
nga komiteti drejtues i shoqates kombëtare në Tiranë e firmosur nga Mandela
shqiptar Osman Kazazi, për pjesëmarrjen në një grevë kombëtare në Tiranë.
Edhe pse
themelet e komunizmit tashma ishin lëkundun e plasaritun, klasa politike e kohës nuk ishte gati të njihte problemet e të shëronte plagët e viktimave të
pafajshme të sistemit të tyne gjaksor. Pra duhej me cdo kusht që kjo shtresë përseri
të vetësakrifikohej në emër të lirisë e të demokracisë, për të arritë me
realizue kërkesat e tyne minimale jetësore.
Bashkarisht u vendos pjesmarrja në grevë. Edhe pse pat dëshira të shumta për pjesmarrje nga gra e burra, u vendos të shkohej me një grup vullnetar prej 17 vetësh që ishin në gjëndje të përballonin vështirësitë. Greva do të zhvillohej në ambientet e sportklub Tiranës në Rrugën e Kavajës në qendër të kryeqytetit.
Në paraditen
e 20 Shtatorit te vjetit 1991 i gjithë grupi udhëtoj drejtë Tiranës dhe ju
bashkue pjesës tjetër të njerzve të ardhun nga të gjithë rrethet e vendit. Emocionet
ishin të papërshkrueshme në takimet në mes të bashkevuejtesve. Kujtime të vështira
e të paharrueshme për ditët e lanuna pas, por që lanë plagë të pashërueshme në fizikun
e psikikën e tyne. Shtërngime duersh, perqafime, kujtime nga ma të ndryshmet,
atmosferë e dhimbëshme por edhe kënaqësi miqësore. Mandej ndarja nga familjarët
dhe mbyllja në sallë.
Të paharrushme
do të më mbesin castet e betimit solemn për ta que grevën deri në fund me cdo
lloj cmimi, edhe me jetë. U zgjodh me shpejtësi një komitet drejtues i grevës,
që do merrej me përkujdesjen shëndetsore të pjesëmarrësve që do kishin nevojë e
për kontaktet me shtypin.
Situata
politike në vend ishte shumë e veshtirë dhe delikate. Qëveria e stabilitetit e
drejtuar nga Ylli Bufi nuk arrinte të kontrollonte situatën ku mbizotënonin
levizjet për demokratizimin e vendit. Greva e mitinget e njimbasnjishme që shprehnin
pakënaqsinë popullore shtoheshin cdo ditë.
Presidenti komunist Ramiz Alia dhe kasta e vjetër që e rrethonte ishin të padishrueshëm
për njerzit. Të gjitha kto sollën një zemërim popullor që lexohej në sytë e cdo
njeriu e që u shpreh me mirënjohje e perkrahje edhe për ne grevistët e urisë të
ngujuem për të drejtat legjitime të mohueme.
90 persona të ardhun nga të gjitha anët e vendit, që ishin shtresa më e vuejtun e kombit, ishin gadi të vetëflijoheshin për të kërkue realizimin e të drejtave të tyne themelore të mohueme nga diktatura. Ish të burgosun e të internum, dikush që përfaqësonte vëllain e pushkatuem, një tjeter babën e vdekur në burg e që nuk i dihej varri, një tjetër familjen..... Ishin rreth 2000 vjet burg në atë sallë sporti, që gjatë ditës, me ecëjaket e grevistave të kujtonte oborrin e burgut famëkeq të Spacit.
Këto njerëz
ishin me mosha të ndryshme, me prejardhje të ndryshme familjare, por të burgosun
nga i njëjti ligj famëkeq, ai i
agjitacionit e propagandës.
5 kërkesat
tona ishin nga ma të thjeshtat dhe krejt
njërzore, për një jetë normale e integracjon: 1. Pafajësia, 2. Cdëmtimi
material në bazë të normave ndërkombëtare, 3. Strehimi, 4. Punësimi mbrendë e
jashtë vëndit, 5. Shkollimi...
Peticioni me këto kërkesa ju drejtue Presidentit të Republikës, Parlamentit dhe Qeverisë. Të shumtë ishin shoqatat, sindikatat, partitë politike, gazetat, që i përkrahën këto kërkesa dhe këte lëvizje. Me kalimin e ditëve lëvizja jonë kaloj kufijtë e atdheut dhe pat reagime edhe nga shtypi ndërkombëtar dhe përfaqësitë e hueja në vend. Cdo ditë shtohej numri i gazetarve perëndimore që kishin deshirë të pasqyronin vuejtjet e mjerimin nga rregjimi komunist dhe dëshirën e madhe per liri e demokraci të popullit shqyptar.
Më kujtohet
një ndodhi e pa zakontë me një grup gazetarësh e kameramanësh gjermanë, të cilët në ditën e 5-të të grevës intervistuen shumë ish
të burgosun e ndigjuen historina nga më absurdet për nga mohimi i të drejtave
njerzore. Gjatë bisedës me njërin nga kolegët, i cili po tregonte për torturat
c´njerzore në qelitë e burgut të Burrelit, njerit prej kameramanëve i ra kamera nga dora dhe i asfiksuem ra
pertokë pa ndjenja.
Aty nga dita e 8-të erdhën të na vizitojnë një grup deputetësh dhe ministrash të qeverisë të stabilitetit, për të dhanë mesazhin që “po përpiqeshin” të analizojnë kërkesat tona, e ndodhi që një ministër, djalë nga familjet komuniste të ish bllokut, u flak dhunshëm nga grevistët jashtë mbi asfalt....
Vetëmohimi
për ta qu grevën deri në arritjen e plotesimit të kërkesave u ba motivi kryesor
i qëndresës të ishburgosurve edhe pse ishin të lodhur nga vuajtjet e
burgut e nga mungesa e ushqimit gjatë grevës. Pat raste që grevistë dergoheshin në spital për
trajtim, por që me këmbëngulje kërkonin të ktheheshin pranë shokëve.
Cdo
mbasdreke qindra qytetarë të Tiranës mblidheshin në oborrin para sallës
sportive në shenjë solidaritetit. Shpesh ndodhte që të hidheshin parulla kundër
qeverisë, kur nga dritaret e palestres Vitor Martini apo Vladimir Xhelo
njoftonin për gjendjen ditore të grevistëve.
Ditët
kalojshin plot me rreziqe të dukshme ne shëndetin e pjesmarrësve, por prej
shtetit vetëm heshje.... Dinosauri komunist Ramiz Alia, në rrokullisje e sipër,
synonte përsëri jetë njërzore e gjak të pafajshëm. Ndonji deputet i opozitës,
jo me prejardhje komuniste e që i njihte rrethanat e jetës se burgut si Pjetër
Arbnori, përpiqej të imponohej te shteti, por pa rezultat.
Osman
Kazazi, shtëpia e të cilit ishte ba bazë qëndrimi e informacionit për të ish të
burgosunit e familjaret e tyne, ishte i angazhuem me kontaktet e bisedimet për
realizimin e kërkesave me politikën. Ishte dita e 11-të. Gjendja shëndetsore
dhe higjenike në sallën e grevës ishte e përkeqsue jashtë cdo kufini njerzor,
kur nji lajm i mirë ngrohu shpirtnat e trazuem të gravistave. Qeveria e
stabilitetit kishte vëndosun të marrë parasysh kërkesat e të përndjekurve. Por
rezultati konkret i lëvizjes sonë ishte rrëzimi më pas i qeverisë neokomuniste
së stabilitetit dhe dalja e dekretit për zgjedhje të reja në shkurt 1992 ku
demokracia fitoj bindshëm.
Pas 10
ditë greve, parlamenti miratoi njëzëri një ligj gjysmak, për të cilin të përndjekunit
kanë edhe sot shumë pakënaqësi dhe ndjehen të pa përfaqësuem.
Shpresoj që greva KOMBETARE E ISH TE PERNDJEKURVE POLITIK, në vazhdën e lëvizjeve antikomuniste, do të zanë vend në mes të ngjarjeve të randësishme që janë të ekspozueme në muzeun kombëtar në seksionin e luftës kundër komunizmit.