Speciale
Ilmi Veliu: Zajazi në kryengritjen antiosmane të vitit 1912
E diele, 28.10.2012, 03:44 PM
ZAJAZI NË
KRYENGRITJEN ANTIOSMANE TË VITIT 1912
Nga
burimet arhivale të zbuluara deri me tash, qofshin shqiptare apo serbe, gjejmë
informata të mjaftueshme për ekzistimin e një komiteti shqiptar në qytetin e
afabetit – Manastir, që në vitin 1911, i cili komitet kryesisht merrej me
organizimin e çetave, dhe kryengritjes së përgjithëshme antiosmane.në vitet
1911-1912(1).
Ashtu
sikurse kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, që qe inspiruar,
organizuar dhe udhëhequr nga luftëtarë të vendit, të ndihmuar edhe nga njerëz
të ditur e të arsimuar; edhe në kazanë e Kërçovës kemi pasur asi
personalitetesh, të pushkës e të pendës, siç kanë qenë Ali Jonuz Drogomishti,
Haki Efendi Zajazi, Kalosh e Lazam Dani, Mulla Nashyt Zajazi, Ali Dedja e Xhema
i Zylit nga Llagjet; Nuhi Xhemë Pashaliu, Islam Garana, Baftir Shitova, Halil
Braçani, etj.
Gazeta e
kohës “Shkupi” na jep të dhëna për këto ngjarje dhe si figurë qendrore në organizim dhe udhëheqje
të kryengritjes së vitit 1912 në kazanë e Kërçovës e veçon Ali Nuzin. Një
udhëheqës tjetër, por i krahut politik
përmendet edhe Haki Efendiu, për të cilin Xhezo Abazi (106 vjet) e Mulla Ali
Shehu thanë se ka qenë nga mëhalla Nelaj e Zajazit dhe për shkak të
aktiviteteve kombëtare është therur në xhaminë e Zajazit më 1913 nga komitët
bullgarë.
Lez
Beshku ( 95 vjet ) tregonte se ai kishte qenë i shkolluar në Stamboll, pastaj
bashkë me Mulla Nashyt Zajazin, kohë të gjatë kishin qëndruar edhe në
Bukuresht, në kuadër të “Shoqatës Kërçovare” ku anëtarë të saj kanë qenë edhe
Rexhep Novosella, Jusuf Tuhini, Mefmedali Haranjelli, Sefedin Kërçova, Emin
Qallukja e Isen Can Muharemi nga Zajazi, Rexhep Fasku i Greshnicës, etj.
Ndërkaq,
në pranverë të vitit 1912, qendër e veprimtarisë politike organizative të
lëvizjes kryengritëse revolucionare të kazasë së Kërçovës ishte Zajazi,
potencon profesori Halim Purekllku, i cili është specialist i kësaj periudhe,
dhe vazhdimisht ka shkruar e botuar shkrime të shumta që neve tash na shërbejnë
si pikë orientimi në shkrimet e mëtutjeshme.
Në Zajaz, thotë ai, qe ngritur një komision (Komitet-shtab) i kryengritjes, sepse këtu njëherazi ishte edhe vendtakimi i çetave shqiptare, ku merrnin instruksione dhe detyra politike konkrete për koordinimin e veprimin e tyre revolucionar(2).
Një shkak
tjetër që favorizonte shpërthimin e kryengritjes shqiptare kundër osmanëve më
1912 ishte edhe kriza parlamentare i pushtetit osmanë, e cila shpërtheu pas
shpërndarjes së parlamentit më 18 janar 1912. Kjo krizë parlamentare ngriti
tensionin në marrëdhëniet mes partive politike osmane: Komiteti Bashkim
Përparim (Ittidat ve teraki) apo komiteti xhonturk i partisë “Liri e
marrëveshje” (Hurrijet ve itilaaf). Pastaj veprimi i partive propaganduese
bullgaro-serbe nëpërmes të çetave të armatosura, kontribuonin në acarimin e
situatës politike edhe në kazanë e Kërçovës.
Me 11
shkurt 1912 kishte shpërthyer një bombe në konakun qeveritar në Kërçovë me
ç’rast mbetën të plagosur 5 persona nga të cilët 2 ishin nëpunës osmanë. Autori
i këtij akti ishte një bullgar që punonte për sigurimin sekret rus, i cili u
arrestua. Sipas konsullit austrohungarez
Halla, ky akt terrorist në Kërçovë ishte i treti që kishte ndodhur në
Vilajetin e Manastirit që mund të ishte i motivuar nga interesi bullgarë për
prishjet e zgjedhjeve parlamentare.
Në kazanë
e Kërçovës, pas përgatitjeve të para për kryengritje, u kalua në riorganizim të
çetave eksistuese apo edhe në krijimin e çetave të reja, të cilat në pranverë
të vitit 1912 u riaktivizuan me Ali Nuzin dhe Ali Deden si komandantë të tyre.
Nga fundi i marsit të këtij viti, ata vepronin, siç do të vërejmë edhe në
vazhdim dhe veprimi i tyre mori intensitet, duke filluar nga fundi i marsit e
deri në dekadën e parë të muajit maj 1912.
Ndërkaq,
deri në maj 1912 numri i çetave të armatosura kryengritëse të Zajazit dukshëm
qe shtuar e zgjeruar, edhe Lëvizja
Revolucionare kundër pushtetit osman në këtë kaza poashtu qe përforcuar. Sipas
të dhënave të konsullit serb dhe atij austrohungarez në Manastir, në pranverë
të vitit 1912 në trevën e Kërçovës vepronin rreth 10 çeta kryengritëse
shqiptare të njohura si çetat kaçake. Çetat drejtoheshin nga prijësit e tyre
dhe mesatarisht numëronin nga 10 deri 20 persona, por kishte edhe të tilla që
numëronin më shumë pjesëtarë, 15-30. Pra
të gjitha çetat së bashku numëronin një efektivë të rregullt në njerëz prej më
shumë se 100 vetash.
Kryengritja
shqiptare, nëpërmjet çetave, në kazanë e Kërçovës qe intensifikuar gjatë muajit
maj të vitit 1912. Sipas konsullit austr. Halla, gjatë gjithë muajit maj 1912,
gjendja në kazanë e Kërçovës ishte acaruar shumë dhe kishte arritur kulmin.
Nga
Malësia e Gjakovës, në fillim të muajit maj, nga ana e një grupi udhëheqësish
të kryengritjes u lëshua kushtrim për bashkimin e forcave kryengritëse nën
drejtimin e një qendre të vendosjes politike dhe si duket ky kushtrim më së
shumti jehoi në Zajaz e Kërçovën.
Me qëllim
të bashkimit dhe të vendosjes së një bashkërendimi të Lëvizjes Shqiptare të
kazasë së Kërçovës, me atë të trevave të sipërme të Shqipërisë, në luftën
kundër osmanëve, Haki Efendiu, si përfaqësues i Kërçovës në maj të vitit 1912
shkon në mision siç theksohet në dokumente
“për punë kombëtare” në trevat e sipërme të Shqipërisë dhe qëndroi edhe në
Gostivar, Tetovë, Shkup., Kumanovë e Prizren. Nga ky mision Haki Efendiu qe
kthyer në Kërçovë nga fundi i majit i të njëjtit vit. Në këtë kuadër edhe
konsulli Halla në Manastir njofton se një grup shqiptarësh nga Zajazi, fshat në
kazanë e Kërçovës, kishin qëndruar në Kosovë në maj të 1912, me qëllim që edhe treva e Kërçovës ti bashkohej
kryengritjes së Shqipërisë së Veriut. Për hetimet e kësaj çështjeje dhe për
vërtetimin e këtyre lajmeve, nga ana e autoriteteve osmane qe ngarkuar Mustafa
Pasha, komandanti i divizionit të Manastirit.
Për
mungesë të të dhënave nuk jemi në gjendje për momentin të vlerësojmë, se a
bëhet fjalë për të njëjtin delegacion nga Kërçova në krye me Haki Efendi
Zajazin apo për dy delegacione të veçanta që kanë udhëtuar në kohë të ndryshme
drejt Shkupit-Kumanovës e Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e Junikut.
E rëndësishme është ajo se vendimi që u mor në Kuvendin e Junikut (21-25) maj 1912 apo besa e lidhur për kryengritje të gjithë Shqipërisë hasi në jehonë pozitive edhe në Zajaz të Kërçovës ku rrokën pushkën i madh e i vogël.
(1) - H.
Purellku,vepër e cituar, f. 133; F. Mehdiu, Nga Kërçova për Kërçovën vepër e
cituar, f.21, thotë se fillimi i shekullit XX, sikurse tërë popullin shqiptar,
edhe shqiptarët e Kërçovës i gjeti në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe
pavarësinë kombëtare nga cilido pushtues qoftë. Në një anë duhej të bënin
rezistencë kundër masave që merrte Qeveria Osmane, e cila me anë të kinse
reformave që i shpalli Sulltan Abdul Hamiti me 3 dhjetor 1902, dhe në anën
tjetër të jenë vigjilentë që të mos bien viktimë e apetitit të organizatave
nacionaliste bullgaro-maqedonase që vepronin përmes çetave komite të Lluka
Xherov, Naqe Janev, Vanqo Sërbakov etj.;Shih edhe Historia e Popullit
Shqiptar,II, botimi i II, Prishtinë,
(2) -
shih Mr. Halim Purellku, Lëvizja Kaçake
në M. Perëndimore,1991, Biel Benne Swis, shih edhe Artilull i shkruar nga i njejti autor, Flaka
e Vëllazërimit, 8.11.1991