Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Ilmi Veliu: Zajazi në kryengritjen antiosmane të vitit 1912

| E diele, 28.10.2012, 03:44 PM |


ZAJAZI NË KRYENGRITJEN ANTIOSMANE TË VITIT 1912

Nga Dr. sc. Ilmi VELIU

Nga burimet arhivale të zbuluara deri me tash, qofshin shqiptare apo serbe, gjejmë informata të mjaftueshme për ekzistimin e një komiteti shqiptar në qytetin e afabetit – Manastir, që në vitin 1911, i cili komitet kryesisht merrej me organizimin e çetave, dhe kryengritjes së përgjithëshme antiosmane.në vitet 1911-1912(1).

Ashtu sikurse kryengritja e përgjithshme shqiptare e vitit 1912, që qe inspiruar, organizuar dhe udhëhequr nga luftëtarë të vendit, të ndihmuar edhe nga njerëz të ditur e të arsimuar; edhe në kazanë e Kërçovës kemi pasur asi personalitetesh, të pushkës e të pendës, siç kanë qenë Ali Jonuz Drogomishti, Haki Efendi Zajazi, Kalosh e Lazam Dani, Mulla Nashyt Zajazi, Ali Dedja e Xhema i Zylit nga Llagjet; Nuhi Xhemë Pashaliu, Islam Garana, Baftir Shitova, Halil Braçani, etj.

Gazeta e kohës “Shkupi” na jep të dhëna për këto ngjarje dhe  si figurë qendrore në organizim dhe udhëheqje të kryengritjes së vitit 1912 në kazanë e Kërçovës e veçon Ali Nuzin. Një udhëheqës tjetër, por  i krahut politik përmendet edhe Haki Efendiu, për të cilin Xhezo Abazi (106 vjet) e Mulla Ali Shehu thanë se ka qenë nga mëhalla Nelaj e Zajazit dhe për shkak të aktiviteteve kombëtare është therur në xhaminë e Zajazit më 1913 nga komitët bullgarë.

Lez Beshku ( 95 vjet ) tregonte se ai kishte qenë i shkolluar në Stamboll, pastaj bashkë me Mulla Nashyt Zajazin, kohë të gjatë kishin qëndruar edhe në Bukuresht, në kuadër të “Shoqatës Kërçovare” ku anëtarë të saj kanë qenë edhe Rexhep Novosella, Jusuf Tuhini, Mefmedali Haranjelli, Sefedin Kërçova, Emin Qallukja e Isen Can Muharemi nga Zajazi, Rexhep Fasku i  Greshnicës, etj.

Ndërkaq, në pranverë të vitit 1912, qendër e veprimtarisë politike organizative të lëvizjes kryengritëse revolucionare të kazasë së Kërçovës ishte Zajazi, potencon profesori Halim Purekllku, i cili është specialist i kësaj periudhe, dhe vazhdimisht ka shkruar e botuar shkrime të shumta që neve tash na shërbejnë si pikë orientimi në shkrimet e mëtutjeshme.

Në Zajaz, thotë ai, qe ngritur një komision (Komitet-shtab) i kryengritjes, sepse këtu njëherazi ishte edhe vendtakimi i çetave shqiptare, ku merrnin instruksione dhe detyra politike konkrete për koordinimin e veprimin e tyre revolucionar(2).

Një shkak tjetër që favorizonte shpërthimin e kryengritjes shqiptare kundër osmanëve më 1912 ishte edhe kriza parlamentare i pushtetit osmanë, e cila shpërtheu pas shpërndarjes së parlamentit më 18 janar 1912. Kjo krizë parlamentare ngriti tensionin në marrëdhëniet mes partive politike osmane: Komiteti Bashkim Përparim (Ittidat ve teraki) apo komiteti xhonturk i partisë “Liri e marrëveshje” (Hurrijet ve itilaaf). Pastaj veprimi i partive propaganduese bullgaro-serbe nëpërmes të çetave të armatosura, kontribuonin në acarimin e situatës politike edhe në kazanë e Kërçovës.

Me 11 shkurt 1912 kishte shpërthyer një bombe në konakun qeveritar në Kërçovë me ç’rast mbetën të plagosur 5 persona nga të cilët 2 ishin nëpunës osmanë. Autori i këtij akti ishte një bullgar që punonte për sigurimin sekret rus, i cili u arrestua. Sipas konsullit austrohungarez  Halla, ky akt terrorist në Kërçovë ishte i treti që kishte ndodhur në Vilajetin e Manastirit që mund të ishte i motivuar nga interesi bullgarë për prishjet e zgjedhjeve parlamentare.

Në kazanë e Kërçovës, pas përgatitjeve të para për kryengritje, u kalua në riorganizim të çetave eksistuese apo edhe në krijimin e çetave të reja, të cilat në pranverë të vitit 1912 u riaktivizuan me Ali Nuzin dhe Ali Deden si komandantë të tyre. Nga fundi i marsit të këtij viti, ata vepronin, siç do të vërejmë edhe në vazhdim dhe veprimi i tyre mori intensitet, duke filluar nga fundi i marsit e deri në dekadën e parë të muajit maj 1912.

Ndërkaq, deri në maj 1912 numri i çetave të armatosura kryengritëse të Zajazit dukshëm qe shtuar e zgjeruar, edhe  Lëvizja Revolucionare kundër pushtetit osman në këtë kaza poashtu qe përforcuar. Sipas të dhënave të konsullit serb dhe atij austrohungarez në Manastir, në pranverë të vitit 1912 në trevën e Kërçovës vepronin rreth 10 çeta kryengritëse shqiptare të njohura si çetat kaçake. Çetat drejtoheshin nga prijësit e tyre dhe mesatarisht numëronin nga 10 deri 20 persona, por kishte edhe të tilla që numëronin më shumë pjesëtarë,  15-30. Pra të gjitha çetat së bashku numëronin një efektivë të rregullt në njerëz prej më shumë se 100 vetash. Po sipas të dhënave konsullore prijësit e këtyre çetave ishin: Ramiz Sefer Zajazi (i biri i Sefer Zajazit ) nga Zajazi, me 15 veta. Ali Dedja nga Sateska (Llagje) me 20 veta, Hasan Brahoja me Bilallin nga fshati Kollarë, Ilaz Berikova, Ali Ollomani nga Tuhini, Islam Garana e Shaqir Letniku nga Garana, Ali Jonuz Drogomishti nga Drogomishti i Vogël me 13 veta, Abdul Xhaka nga Tajmishti (thotë dokumenti) me 13 veta, (Jam i sigurt se në dokument emri Abdul Xhaka është i shkruar gabimisht dhe është fjala për Adil Xhaka ose Dila i Met Xhakës, nga Xhakallarët e Zajazit, sepse në Tajmisht asnjëherë nuk ka pasur shqiptarë) Shukri Pervanja i Kollares. Baftir Shitova e Nuhi Xhemë Pashaliu; Osman Gjini e Halil Braçani. Çetat kishin jatakë dhe ithtarë në çdo fshat shqiptarë të kësaj treve. Jatakët dhe ithtarët në rast nevoje u bashkoheshin çetave dhe kështu numri i pjesëtarëve të çetave mund të rritej dukshëm.       Sipas burimeve diplomatike, këtyre çetave si korrier u shërbenin barinjtë e shumtë që gjendeshin me delet e tyre nëpër male. Nga kjo shihet se Lëvizja kryengritëse në kazanë e Kërçovës qe shtrirë në të gjithë vendbanimet shqiptare si dhe në radhët e të gjitha shtresave sociale.

Kryengritja shqiptare, nëpërmjet çetave, në kazanë e Kërçovës qe intensifikuar gjatë muajit maj të vitit 1912. Sipas konsullit austr. Halla, gjatë gjithë muajit maj 1912, gjendja në kazanë e Kërçovës ishte acaruar shumë dhe kishte arritur kulmin.

Nga Malësia e Gjakovës, në fillim të muajit maj, nga ana e një grupi udhëheqësish të kryengritjes u lëshua kushtrim për bashkimin e forcave kryengritëse nën drejtimin e një qendre të vendosjes politike dhe si duket ky kushtrim më së shumti jehoi në Zajaz e  Kërçovën.

Me qëllim të bashkimit dhe të vendosjes së një bashkërendimi të Lëvizjes Shqiptare të kazasë së Kërçovës, me atë të trevave të sipërme të Shqipërisë, në luftën kundër osmanëve, Haki Efendiu, si përfaqësues i Kërçovës në maj të vitit 1912 shkon në mision  siç theksohet në dokumente “për punë kombëtare” në trevat e sipërme të Shqipërisë dhe qëndroi edhe në Gostivar, Tetovë, Shkup., Kumanovë e Prizren. Nga ky mision Haki Efendiu qe kthyer në Kërçovë nga fundi i majit i të njëjtit vit. Në këtë kuadër edhe konsulli Halla në Manastir njofton se një grup shqiptarësh nga Zajazi, fshat në kazanë e Kërçovës, kishin qëndruar në Kosovë në maj të 1912, me qëllim që  edhe treva e Kërçovës ti bashkohej kryengritjes së Shqipërisë së Veriut. Për hetimet e kësaj çështjeje dhe për vërtetimin e këtyre lajmeve, nga ana e autoriteteve osmane qe ngarkuar Mustafa Pasha, komandanti i divizionit të Manastirit.

Për mungesë të të dhënave nuk jemi në gjendje për momentin të vlerësojmë, se a bëhet fjalë për të njëjtin delegacion nga Kërçova në krye me Haki Efendi Zajazin apo për dy delegacione të veçanta që kanë udhëtuar në kohë të ndryshme drejt Shkupit-Kumanovës e Kosovës për të marrë pjesë në Kuvendin e Junikut.

E rëndësishme është ajo se vendimi që u mor në Kuvendin e Junikut (21-25) maj 1912 apo besa e lidhur për kryengritje të gjithë Shqipërisë hasi në jehonë pozitive edhe në Zajaz të Kërçovës ku rrokën pushkën i madh e i vogël.

(1) - H. Purellku,vepër e cituar, f. 133; F. Mehdiu, Nga Kërçova për Kërçovën vepër e cituar, f.21, thotë se fillimi i shekullit XX, sikurse tërë popullin shqiptar, edhe shqiptarët e Kërçovës i gjeti në këmbë për të mbrojtur lirinë dhe pavarësinë kombëtare nga cilido pushtues qoftë. Në një anë duhej të bënin rezistencë kundër masave që merrte Qeveria Osmane, e cila me anë të kinse reformave që i shpalli Sulltan Abdul Hamiti me 3 dhjetor 1902, dhe në anën tjetër të jenë vigjilentë që të mos bien viktimë e apetitit të organizatave nacionaliste bullgaro-maqedonase që vepronin përmes çetave komite të Lluka Xherov, Naqe Janev, Vanqo Sërbakov etj.;Shih edhe Historia e Popullit Shqiptar,II, botimi i II, Prishtinë, 1969, f. 261.

(2) - shih Mr. Halim Purellku, Lëvizja Kaçake  në M. Perëndimore,1991, Biel Benne Swis, shih edhe  Artilull i shkruar nga i njejti autor, Flaka e Vëllazërimit, 8.11.1991