Speciale
Albert Ramaj: Lazër Mjeda dhe laramanizmi
E shtune, 23.02.2013, 08:00 AM
LAZËR
MJEDA DHE LARAMANIZMI NË ARGJIPESHKVINË SHKUP-PRIZREN
Nga Albert Ramaj
Me ardhjen e turqëve në Ballkan, çështja fetare ndryshoi
shumë gjëra. Pra, përhapja e fesë së pushtuesëve në vendet ballkanike, e
sidomos tek shqiptarët ishte që mori hov të madh. Ndonjëherë islamizmi pranohej
sipërfaqësisht nga kryefamiljari e më vonë edhe nga meshkujt tjerë të rritur të
familjes (por jo edhe nga femrat - gratë), të cilët para pushtetit osman do të
njifen me emra të rinj musliman për tu paraqitur para pushtuesit si mysliman
për shkaqe tatimore, kurse në qarqet familjare fshehurazi ishin krejtësisht
krishterë sikur të gjithë të krishterët tjerë. Vetëm se haptas nuk shkonin në
kishë apo nuk merrnin sakramente, vetëm se brenda natës meshtari ishte i
detyruar që ti vizitonte, pagëzonte dhe të kryente çdo shërbesë fetare që ata
kërkonin. Pra, jeta e tyre fetare ishte e dyfishtë, paraqiteshin nga frika
haptas se janë mysliman, kurse fshehtas mbanin fenë krishtere. Ky fenomen është
në disa vende i pranishëm, sikur në Shqipëri, paoshtu edhe në Kosovë dhe quhet
laramanizëm apo kriptokrishtenizëm (kriptokatolicizëm)[1].
Në koncilin kombëtar kishtar të 1703 i mbajtur në Mërçi është trajtuar poashtu
edhe kjo temë. Edhe koncili tjetër kishtar shqiptar i 1871 dhe i vitit 1895
trajtonin këto tema. Jantë të njohura edhe enciklikat e Vatikanit lidhur me
këtë fenomen sikur “Inter Omnigenas“ e vitit 1744, dhe “Quod Provinciale
Concilium“ e vitit 1754 të firmosur nga papa Benedikti XIV dhe dekreti
“Decretum que reprobantur nonnullae praxes christianorum occultorum
muhamethanum sectam simultantium“ i 19.02. 1774 i nënshrkuar nga prefekti
Kongregatës Propaganda Fide Msgr Castelli preferohet. Kjo gati më së shumti ka
të bëjë me territorin e sotëm të Kosovës dhe të Maqedonisë këto enciklika dhe dekreti
i lartpërmendur, apo më mirë të themi për laramanët e kësaj ane. Një ndër
studiuesit e thukët të historisë shqiptare është diplomati dhe konsulli
austriak, Johann Georg von HAHN qëe kishte shkruar për këtë fenomen dhe jepë të
dhëna në librat e tija lidhur me këtë fenomen në “Albanesische Studien“, “Reise
von Belgrad nach Salonik“ dhe „Reise durch die Gebiete von Drin und Wardar”.[2]
Në Letnicë ruhen librat e pagëzimev kriktokatolikëve apo
laramanëve që quhen: Liber baptizatorum occultorum I. (1906-1915) dhe II.
(1920-1936) dhe në Stubëll „Matricularum baptizatorum Cryptocatholicorum
Ecclesiarum Beatae Mariae Virginis Crnagorensis in Letnica Atque Sancti Joseph,
Sponsi Beatae Mariae Virg. in Stubla Stubalae” Librat kanë të bëjnë me
pagëzimin e kriptokrishterëve nga zona e Karadakut sidonos në vitet qysh krej
1893 deri në kohën e luftës së II botërore. Në këto libra gjëjmë të pagëzuar
shumë persona kur Lazër Mjeda ishte argjipeshkëv në Kosovë[3].
Dhe Lovro Miha?evi? shkruan për „laramanët“ kështu:
"Kur prifti katolik e përshkon famullinë për t'i bekuar shtëpitë, duhet patjetër të kthehet edhe nëpër shtëpitë e myslimanëve, që ti spërkas (bekoj) edhe ato, e ata i japin lëmoshë sikur edhe katolikët; do të ndiheshin të ofenduar, nëse ai nuk e bën."[4]
Në kohën e Lazër Mjedës në Prizren shkrimtari bullgar P.
Cilev[5].
kishte vizituar më 1911 shumë vende në argjipeshkvinë Shkup-Prizren dhe përmend
raste interesa shumë interesante lidhur me laramanët dhe festimin e festave dhe
mënyrën e praktikimit të fesë katolike fshehurazi në këto troje. Shumë
informata kishte marrë edhe nga bashkpuntori i Lazër Mjedës dom Luka Filiq. Në
kohën e Lazër Mjedës kishte shumë fshatra laramane, që sot nuk janë të
islamizuar, sikur ato në zonën e Karadakut të Shkupit dhe përreth Ferizajit.
Poashtu kishte edhe në Pushnik laraman. Në rrethin e Pejës kishte në këto vende
laraman, në Belaj, Lumbardhë e Rashiq. Afër Ferizajit kishte familje laramane
sikur Talinovci, Jerliu, Muhovci, Koshare. Këto vend i kisthe vizituar deri von
prifti i Ferizajit. Është interesant se këto vende i kishte vizituar laramanët
priftrinjët katolik, por nuk ishte hetuar fare se është priftë nga rrethi,
sepse ai ishte veshur sikur fshatar i thjesht dhe kishte qantën në krah, ku
kishte një armë për gjueti dhe disa pëllumab të mbytur në krah, kështu që në
qantë kishte të gjitha përgatitjet e veta për meshë dhe ceremoni të tjera
fetare dhe shkonte e thonte meshën në këto vende. Këtë e bënte edhe
bashkëkohësi i Lazër Mjedës don Bartollome Fantela i njohur sikur Don Bata.
Në kohën kur Lazër Mjeda ishte argjipeshkëv në Prizren,
poashtu edhe Atë Gjergj Fishta sipas dëshmisë së tij, kishte pashur ndërmend të
shkruan një vepër letrare lidhur me Martirët e Zonës së Karadakut të Shkupit që
më parë kishin jetuar si laraman të fshehtë dhe ishin deklaruar si të
krishterë. Atë Gjergj Fishta shkruan më 11 mars 1911 kështu:„…Edhe unë e kam një dorëshkrim në gjuhën
frengjishte mbi persekutimet e familjeve katolike nga Stublla në Karadak. Me të
vërtetë ky dorëshkrim është tejët interesant: duke e lexuar kam qarë me lot për
faqe për ata MARTIRË TË SHKRETË, të cilët me një përulje aq të madhe të
krishtere dhe duke iu nënshtruar vullnesës së Zotit i kanë bartur mizoritë e
padegjuara të bëra nga ana e persekutuesëve barbare. Nga kjo histori mund të
shkruhet nje vepër me karakter të rendit të parë letrar; sepse do të ishte
tejet karakterstike dhe patetike, e po ashtu edhe indikative për aktualitetin e
saj….
…Edhe unë e
ushqej idenë që nga kjo histori ta bëj një vepër letrare, por Zoti e di se kur
do të mudn të merrem me këtë çëshjte.“ shkruan At Gjergj Fishta[6]
Është edhe intersant të cekët një gjë se sikur në shumë
vende krishtere poashtu edhe nëargjipeshkvinë Shkup-Prizren ishin kalitur me
dekada edhe bile me shekuj lutje - uratë që ishin në formë të poezisë apo edhe
gati se këndoheshin si lloj këngë, pra me një melodi të caktuar e të njëjtë
deri në fund të uratës. Të njohura janë disa nga këto troje, psh. “kujto mirë,
o njeri shkretë (Qëllimi i njeriut)”, “Un` prej Zotit jam i kështenë” “Dhetë
urdhnimet e Tënzot” (forma e zgjëruar e dhjetë urdhërimeve etj. Këto gjëra i ka
përmbledhur Dom Gaspër Gjini në librin “Shujta Shpirtnore”[7].
Është e njohur edhe „N`Cernagore kem nji Nanë“ apo siç quhej edhe “Kanga e
popullit“[8]
e ka shumë të tjera që publikoi për të parën herë poeti Dom Ndue Bytyqi, por
kjo këngë këndohet me shekuj në popullatën e Karadakut, si tek të krishterët,
poashtu edhe tek muslimanët. Ka mendime se uratën “Un`p prej Zotiti jam i
kështenë” e ka shkruar Lazër Mjeda. Më uratë, lutje të ndryshme e këngë të
ndryshme në formë poezie në argjipeshkvinë Shkup-Prizren është marrë Dom Ndue
Bytyqi dhe mendoj personalisht se më shumë do të ishte natyra e dom Ndue
Bytyçit sesa e Lazër Mjedës. Nuk do të diskutoj për “autorësinë” e kësaj urate,
sepse këtë punë duhet të bëjnë ekspertët e kësaj lamie, por këtu është me
rëndësi se kjo uratë ëshë shumë e njohur në Kosovë bile edhe deri gjeratat e
vonshme e kanë ditur përmendësh këtë uratë dhe ka disa që ende e dijnë. Dihet
se këto uratë quhen edhe “lutje të moçme” e siç shprehet edhe dom Gapsër Gjini
“që populli i ka ruejtë e i përdorë.. dhe përdorën me andje dhe trashëgohen
breznive të reja” [9]
Strofa e parë e uratës “un` p prej Zotit jam i kështenë” ka të bëjë shumë me
fenomenin e laramanizmit apo kriptokrishtenizmit në argjipeshkvinë
Shkup-Prizren, fenomen që shekuj më radhe ishte prezent në këto troja. Në këtë
uratë është një lloj forme e besojmës më të thjeshtë, por në mënyrë të themi
ashtu popullore por për në këtë rastë është shumë me rëndësi strofa e parë dhe
e dytë:
“Un` prej
Zotit jam i kështenë
E kështu due
gjithmonë me kenë;
Qysh m`at
ditë qi m`anë pagëzue
N`këtë fe
shejte jam i shkrue.
E n`ket fe un
due me rrnue,
Kam me dekë e
s`kam me lshue,
Pse e dij
mirë se s`ka shelbim
Për ata qi
s`janë kështenim.”
Kjo duhet të ketë me laramanizmin edhe bile me islamizmin
e popullit shqitpar, pasi që në këto troje ksihte shumë laraman, kljo uratë
mund të kishte buruar qyshë atëherë. Pra fjalët “E n`ket fe un due me rrnue,
kam me dekë e s`kam me lshue” mund të kenë të bëjnë vuajtjet e të krishterëve
të këtyre trojeve, edhe ata që dëshironin të mbetnin haptas katolik ishin pra
në gjendje që edhe të vdesin për fenë e vet e nuk do ta lëshonin siç thuhet në
këto fjalë, kurse fjalët: “Pse e dij mirë se s`ka shelbim, për ata qi s`janë
kështenim.” Duhet të kenë të bëjnë me ata që kishin “braktisur” fenë krishtere
dhe ishin islamizuar apo edhe ata që ende nuk janë deklaruar haptas si të
krishterë.
Më dobësimin dhe ramjen e Perandorisë osmane, gjendja e
të krishterëve të fshehët apo kriptokrishterëve (laramanëve) duhet të ishte më
ndryshe, sepse ata tash kishin mundësi që të deklaroheshin të krishterë haptas.
Siç shifet qartë, tash ka të bëjë me një problem tjetër, sepse Serbia nuk
dëshironte që laramanët të deklaroheshin katolik, por nëse dëshirojnë të
deklarohen si të krishterë atëherë kanë një mundësi, të deklaroheshin ortodoks
apo të mbësin „musliman“. Për Këtë raporton edhe gazeta krishtere vjeneze
Reichspost më 27 dhjetor 1912 (botimi i pasditës), duke iu referuar poashtu
Lazër Mjedës, konkret gazetës sllovene „Slovenec“, sepse Mjeda në dhjetor të
vitit 1912 gjindej në Ljubljanë. Në artikullin „Serbien und die Katholiken“
shkruhet se laramanët apo katolikët e fshehur siç shkruhet në atë artikull
ishin deklaruar para serbivë se dëshirojnë haptas të jenë katolikë. Kurse
Serbia u kishte thënë laramanëve se „ose duhet të bëheni ortodoks (shizmatik)
ose të muhamedan, kursesi katolik“. [10]
Poashtu gazeta vjeneze Wiener Sonn- und Montags-Zeitung[11] shkruan për konvertimin e dhunshëm të shqiptarëve në ortodoksi dhe rolin e argjipeshkvit Mjeda për rikthimin e besimtarëve. Në këtë artikull shifet se konfertimi i shqiptarëve ishte me dhunë dhe se Mali i Zi nuk kishte tolerancë fetare ndaj shqiptarëve.
Më 21. 12. 1912 Imzot Lazër Mjeda gjindej në Ljubljanë të
Sllovenisë dhe prej aty i drejtohet të Kongregatës P. Fide Kardinalit Girolamo
Gotti me një letër lidhur me laramanët e ndër të tjera thekson:
“Lartesia Juaj e di se në Kryepeshkopatën time kishte të
krishterë të fshehur (laramane); ata duke perfituar nga ardhja e pushtuesve të
rinj që “krenohen me emrin kristian”, menduan se erdhi koha te shpalleshin
hapur se ç`dëshironin të ishin; dhe të gjithë fshatrat në Mal të Zi të Shkupit,
Janjevës dhe Ferizajt u shpallëm hapur katotikë. Nuk dihet asgjë për ata që
banonin në krahinën e Prizrenit, por ka mundësi që edhe ato të kenë bërë të
njëjtën gjë, pasi ishin lidhur ngushtë me të tjerët. Se ç`numër kishin, s`mund
tjua them tani, por është e sigurt se duhet të jenë disa mijëra. Porse për
serbët, që ndërkohë mburren se kanë ardhur të çlirojnë të krishterët nga
zgjedha muslimane dhe t`i japin liri të gjithëve, ky fakt bie ndesh e t`i
acaron nervat, u thirrë famulltari i Janjevës për t`i treguar se si është bërë
ky kthim. Famullitari u përgjigj se ato kishin qenë gjithnjë katolikë, por nga
fiika e turqëve kishin qëndruar fshehur deri atëherë. Komandanti shtoi: “Nëse
turqit duan të ndrrojnië fe, duhet të bëhen ortodoksë, e jo katolikë, pëndryshe
është më mirë të rrinë turq”. Këto fjalë tregojnë mjaft qartë se ç`kriter
kërkon të ndjekë qeveria e re dhe si shtypjet dhe perndjekja turke të lë të
kuptosh atë të skizmatikëve (serbëve). Ia them këto Lart. Suaj sepse nën
kujdesin Tuaj të lartë dhe mjetet e mundëshme, të përpiqeni për liritë tona.”[12]
Lazër Mjeda kishte arritur në janar të vitit 1913 në
Vjenë. Prej aty i shkruan edhe me letër më 09. 01. 1913 ministrit të punëve të
jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von und zu Ungarschitz lidhur
më gjendjen shqipare dhe në argjipeshkvinë Shkup-Prizren. Ndër të tjera shkruan
Mjeda edhe për laramanët kështu:
Prej shumë kohësh në Kryepeshkopatën time kishte të
krishterë të ashtuquajtur të fshehtë, që fshehurazi ushtronin kristiaen dhe
ishin të pagëzuar, por publikisht, për arsëye frike. Dukeshin muslimanë. Kur
erdhën serbët në këto krahina, disa fshatra të këtyre të fshehurve menduan se
erdhi koha të shfaqen dhe u shpallën hapur katolikë. (Këto fshatra janë
arbërorë e flasin atë gjuhë, jetojnë në Ferizaj e rrethinë, Janjevë e rrethinë
dhe në të gjithë Malin e Zi të Shkupit. Ka edhe të tjerë në krahinat e
Prizrenit dhe të Pejës, por për to nuk di gjë ç`kanë bërë). Kam dëgjuar që
qeveria Serbe thirri delegatin tim Imzot Gllasnovic, dhe kërkoi të dinte si
ishte bërë ky kthim i muhamedanëve. Prifti iu përgjigj se nuk kishte ndodhur asnjë
kthim i muhamedanëve, por vetëm një manifestim i hapur (publik) i katolikëve,
të cilët deri në atë kohë nga frika e „turqëve“ kishin qëndruar të fshehur.
Megjithatë, ky shpjegim nuk e kënaqi komandantin serb, i
cili i tha priftit se, nëse muslimanët duan të ndryshkojnë fe, duhet të bëhen
ortodoksë, por jo katolikë: përndryshe le të qëndrojnë muslimanë. Dhe di nga
vende të tjera që muslimanë që donin të përqafonin krishtërimin, u ndaluan nga
qeveria serbe“. [13]
Më 20 dhjetor 1912 kishte raportuar nga Ljubljana Lazër
Mjeda poashtu Kardinal Gottin lidhur me laramanët në argjipeshkvinë e vet dhe
kishte njoftuar se qeveria serbe nuk i lejon që ata të jetonin haptas si
katolik por ata duhet të mbeteshin muhamedanë ose të kalojnë në ortodoksi.[14]
Më 29 shtator 1913 imzot Mjeda i shkruan kardinalit Gotti
lidhur me laramanët kështu:
“Në të vërtetë këto ditë e para u bë një lëvizje e madhe
sidonos në anët e Cërnagorës (Mali i Zi i Shkupit), ku pothuajse të gjithë të
fshehurit ishin shfaqur tek famullitari i Stubllës dhe i kishin kërkuar një
letër, ku të dëshmojnë se ishin katolikë. Famullitari nuk kishtë kundërshtuar
dhe njëri prej tyre, një farë Jetishi nga Dunavi, ishte shpallur i pari katolik
me të gjithë familjen. Por qeveria, pasi mori njoftimin, kishte dërguar t`i
thonin që, ose të mëhehsin ortodoksë, ose ti priste vdekja. I shkreti ishte
endur si shtegtar nëpër shpella e ferra për disa kohë, por pastaj, duke parë që
familja kontrollohej çdo ditë dhe turbullohej nga serbët, ishte ktyher në
shtëpi, duke u shtriru se ishin dakord me dëshirat e tyre.
Ndërsa një tjetër, megjithësei kërcënuar dhe rrahur, qe
më i patundur dhe vazhdonte të mbetet katolik.
Kështu edge ata të Androcit të Janjevës. Aty, nga
gjashtëmbëdhjetë familje, vetëm pesë dezertuan; të tjerat i rezistuan me kurajo
të gjitha kërcënimeve të qeverisë. Por patën favorin se në krye të komunës së
Janjevevës në atë kohë ishte famullitari lokal dhe këta mund të kishin kurajo
dhe të mbroheshin nga reprezaljet e serbëve. Kështu që deri tani nga ata që
ishin të fshehur kemi vetëm nja shtatëdhjetë vetë që janë shpallur dhe
qëndrojnë hapur katolik. Të tjerët, nga frika, fshihen përsëri dhe kur u bë
regjistrimi, u shkruan muslimanë”.[15]
Është interesant se qeveria serbe në atë kohë nuk lejonte që priftërinjët katolikë të kenë kontakt të drejtpërdrejt me kriptokrishterët apo laramanët në argjipeshkvinë Shkpu-Prizren, duke etiketuar priftërinjët se bënin propagandë austriake, por Mjeda i viziton laramanët në Karadak apo në Malin e Zi të Shkupit dhe u jep kurajo që të deklarohen publikisht si katolik e mos të mbesin të fshehur apo zyrtarisht të deklarohen musliman. Për fat të keq, kishte edhe muslimanë fanatik shqitparë që këta laraman i frigonin se së shpejti do të kthehet Turqia në këto troje.
Lazër Mjeda shkruan për këtë gjë kështu: “Qeveria i
ndaloi priftërinjtë të shkonin tek ata dhe të komunikonin me ta, me pretekstin
se bënin propagandë austriake”.[16]
Pastaj Mjeda vazhdonnë të njëjtin raport:
“Duke qenë në këtë gjendje gjëra, mendova të shkoja në
këto vende e të shikoja se ç`mund të bëhej. E në fakt, në ditën e shtatë të
këtij muaji shkova në Letnicë e dergova të thirrnin njerëzit e njohur të
fshatrave të ndryshëm. Ata erdhën. I pyeta pse donin të ishin katolikë e
ç`mendonin të benin. M`u përgjigjën me një zë se ishin katolikë dhe katolikë
donin të mbetëshin; por te frikësuar nga njëra anë nga kërcënimet dhe ngacmimet
e serbëve, e nga ana tjetër nga mburrjet e muslimanëve, të cilët thonin se së
shpejti qeveria turke do të merrte këto krahina dhe do të hakmerrej egërsisht
nga tradhëtia e tyre, ishin terhequr e s`ishin shfaqur publikisht katolikë, se
prisnin kohë më të mira atje.
Iu përgjigja të mos i dëgjojnë muslimanët, se n uk kishin
asnjë mundësi se mund të merrnin i qeverinë, nga serbët të mos trembeshin
shumë, meqë në atë kohë nuk kishin mundur t`i kryenin të gjitha kërcënimet e
tyre, por po të ndodhte, do të vihesha përbri tyre, për t`i mbrojtur dhe për të
vdekur me to. Fituan besimin ne vetvete e kërkuan se ç`duhej të bënin. U shtova
atyre: Tani unë nuk jua kërkoj të shkoni shpejt tek qeveria për të bërë
rrëfimin tuaj të besimit e të nënshkruaheni katolikë, sepse ka të ngjarë që
tani nuk do të pranini, e nga ana tjetër mund të përbënte rrezik, meqë jemi në
rrethanat e gjendjes së luftës. Për t`u njohur katolikë, unë ju kërkoj juve që
deri në një urdhër t ëri, të shkoni në kishën katolike një nga një, por ditën,
që t`ju shohin të gjithë; që t`i merrni Sakramentete Shenjta, e se lipset ta
thirrni ditën priftin, e jo natën. Kështu, në mënyrë indirekte, mund të ndreqni
regjistrimin musliman të bërë pranë qeverisë. Për të dhënë këto shenja të
rezistencës, ju jap kohë deri ditën e Shën Kollit (6 dhjetor); nderkohjë
lidhuni me të fshehurit (laramanët) e tjerë që njihni dhe kërkoni që edhe ata
të bëjnë të njëjtën gje e të jenë solidarë, nëse qeveria do t`i krijonte ndonjë
shqetësim.
Mbetën të kenaqur nga kjo zgjidhje dhe premtuan të bënin
ç`i thashë.”[17]
Në këtë raport kërkon Mjeda poashtu nga kardinali Gotti
këshilla se si duhet të sillet si ipeshkëv rreth sakramenteve me laramanët në
argjipeshkvinë e vet.
Qeveria beogradase në atë kohë dhe më vonë kishte kërkuar
nga priftërinjët e argjipeshkvisë Shkup-Prizren emrat që janë të pagëzuar dhe
që janë të shënuar në këtë libër, duhet të fshihen dhe kjo punë të mos ndodh
më. Pagëzimi apo deklarimi haptas i kriptokatolikëve si katolik në
argjipeshkvinë Shkup-Prizren shihej me sy të keq nga ana e politikës së
Beogradit, shihej si akt kundërshtetëror dhe kërkohej nga priftërinjët që këto
gjëra mos të ndodhnin apo ata përsona që dëshirojnë të dalin haptas si të
krishterë, të deklarohen ortodoks. Kurse të njëjtën kohë, edhe përfaqësuesit
fetarë të besimit musliman kërkonin nga Beogradi që kjo gjë të mos ndodhë më
dhe e alarmojnë Beogradin për këtë akt “jopatriot”[18] që kleri katolik po pagëazon ata
persona.
Për kohën kur L. Mjeda ishtë argjipeshkëv në Prizren
misionet flutarake të jezuitëve kishin përshkruar edhe detaje për gjendjen e
laramanëve në këtë argjipeshkvi[19].
Një libër në gjuhën kroate mbi veoprimtarinë e Jezuitëve në Kosovë e Maqedoni
prej 1888-1912 është përgaditë nga autori i këtyre rreshtave dhe i është
dorëzuar don Ndue Ballabanit në Zagreb për botim, dhe rreth veprimtarisë së
jezuitëve mes laramanëve në argjipeshkvinë Shkup-Prizren mund të lexohen shumë
detaje në atë dorëshkrim. Sipas letrës së Genovizzi-t dërguar provicës së vet
në Milano më Skoplje, 28. janar 1912 shifet se
autoritete turke kërkonin nga laramanët e argjipeshvisë Shkup-Prizren që së
paku kryefamiljari të shkon haptas në xhami.[20] Në këtë letër
shifet shumë qartë se jeta e laramanëve në këto troje, sidomos në Karadakun e
Shkupit nuk ishte aq e lehtë.
Është intereasnt se në misionin fluturues të Jezuitëve
ishte edhe një misionar nga Stublla e Kosovës që quhej Fratel Zef Antunoviqi[21].
Zef Valentini ka shkruar një shkrim për fratel Zefin dhe cek se ai vjen prej
rrethi laraman.[22]
Dhe ishte me rëndësi që ai iu bashkangjit misioniart Domenico Passi, sepse
njiofte shumë mirë mentalitetin e laramanëve në trojet e argjipeshkvisë
Shkup-Prizren. Fratel ishte bashkangjitur misionarëve jezuit jo vetëm për
tërritor të Kosovës, por edhe të Shqipërisë. Kete e përshkruan shumë mirë edhe
: Cordignano në librat e tij „L`Albania“ Fratel Zefi kishte jetuar kohë të
gjatë në Shkodër, ku më 1936 kishte vdekur.
Në kohën e Lazër Mjedës kishte edhe priftërinjë katolik
që vinin nga vendet laramane, sidomos të Zonës së Karadakut të Shkupit, sikur
fshatrat Lubishte e Zhegër në afërsi të Gjilanit. Ato vende ishin gati
„krejtësisht“ muslimane apo laramane, sikur Viktor Pashku që zyrtarisht quhej
Shahin Ferizi apo siç dihet me emrin Atë Viktor Pashku apo Viktor Paskes nga
Selishta e Gjilanit dhe që më vonë nga qeveria franqeze kishte marrë çmimin
shumë të njohur “Palmes d`officier d`Accademie” për përhapjen e kulturës
françeze. Nga Zhegra kishte edhe një tjetër meshtar që quhej Ahmet Fazlija[23].
Viktor Pashku shkruan për vendlinjen e vet kështu:
“Pasi që myslimanët e fshatit tonë ishin tejet fanatik,
ne s`mund të shpallnim haptas fenë tonë të shenjtë. Para syve të mi ra viktimë
vëllau im kur morën vesh se jemi katolik. Nga frika prej hakmarrjes, si është
adeti tek ne, deshëm të më vrasin edhe mua. Miqët tanë më fshehën dhe më çuan
në Cërnagore, pastaj në Prizren te famullitari Simon Lumezi....
Të gjithë e din se isha detyruar të braktisi Selishtën në
moshën 6 vjeçare për të shpëtuar nga masakri, viktimat e ti cilit ranë ati im i
mjerë, nëna ime dhe sa mija të tjerë shqitparë katolik nga fanatizmi turk.
Fshati ynë e kujton përherë vdekjen e babës dhe të nënës sonë, si dhe të mijëra
shqiptarë të tjerë që i mbytën turqit fanatik vetëm përse janë `Katolik`.”[24]
Për persekutimin e katolikëve në Kosovë e Maqedoni ishin
marrë edhe shumë revista europiane, jo vetëm ato vjeneze, poashtu edhe për
çështjen e laramanëve në këto troje. „Le Missioni Cattoliche“ e Milanos kishte
shkruar që ata dëshironin të deklalroheshin haptas si katolik. Gazeta e cekur
milaneze kishte shkruar një shkrim tejet interesant për gjendjen e Kishës
katolike në Kosovë më 20. VI. 1913 dhe trajton temën se si është e mundur që Serbia
kishte luftuar kundër turqëve, pra muslimanëve, dhe si të krishterë tash
luftojnë kundër krishterëve katolikë shqitpar dhe aktet barabara ndaj
popullatës shqiptare dhe se thuhet se siç duket ky është fillimi. Në këtë
shkrim ndër të tjera shkruhet edhe për laramanët e argjipeshkvisë
Shkup-Prizren. Kur Mbreti serb Peter I. kishte shkuar në Shkup më 24 janar 1913
dhe kishte takuar 50 familje laramane që i kishin deklaruar atina haptas se
dëshirojnë të jenë katolik. Mbreti i zëmëruar u kishte thënë: „Katolikë! Keq e
shumë keq! Ose ortodoks ose muhamedan, e kursesi katolik“. Shkrimin e ngjashëm
e shkruan edhe gazeta katolike e Splitit të Kroacisë „Dan“ më 2 korrik 1913
poashtu shtjellon të njëjtën temë me titull „Mëshohu katolikëve dhe lirisë së
tyre.
Dihet se Serbia sidomos gjatë luftrave ballkanike dhe të
parës botërore kishte problem të madh me klerin katolik dhe besimtarët e tyre,
sidomos për shkak që katolikët shqitparë trajtoheshin gati njëjtë sikur
austro-hungarezët. Kështu që laramanët e këtyre trevave me dashje apo pa dashje
për shkak të politikës ditore ishin të detyruar që edhe më tutje mbesin laraman
e nuk i lente që të deklaroheshin haptas katolikë, pra, ashtu si ata dëshironin
vetëm. Serbia e Mali Zi kishin qëllim tjetër, pra që të konvertonte (me dhunë)
edhe jo ata laraman shqitparë, por edhe katolikë dhe muslimanë shqitparë në
ortodoksizëm. Këtë qëllim tentuan Mali i Zi e Serbia sidomos në vitin 1913,
sidomos në pjesën e Pejës, Gjakovës dhe të Malit e Zi të sotëm.[25] Atë luigj
Paliqi nuk i lentë besimtarët e vet që të konvertoheshin në ortodoksizëm dhe
për këtë arsye u vra nga forcat malazeze më 1913 në Janosh afër Gjakovës. Lazër
Mjeda përballej jo më vetëm me problemin e laramanëve në këto troje, por edhe
të besimtarëve që prej represaljeve, torturave, dhunës e mundimeve të
lloj-llojshme ishin të detyruar se paku që sipërfaqësisht shqitparë edhe të
besimit katolik e musliman të deklaroheshin si ortodoks, sepse nuk mund ti
përballonin gjithë atyre hjekave të mëdha që i bëhej popullit shqitpar. Lazër
Mjeda si bari i mirë viziktonte këto vende dhe u jepto kurajo që mos të bëjnë
një gjë të tillë. Viozita e tij më 27 maj kishte vizituar Gjakovën dhe kishte
biseduar me beismtarët e vet për deklarimin e dhunshëm të tyre[26]. Për
konvertimin e shqitparëve (muslimanë e katolikë) në ortodoksizëm Noel Malcolm
thotë: „this was applied with peculiar vigour by the Montenegrins“.[27] Është shumë e
vërtetë se Lazër Mjeda nuk ishte angazhuar vetëm për katolikët e konvertuar në
territorin e okupuar nga Mali i Zi më 1913, por siç cekët „për të gjithë të
gjitha konvertimet tjera me dhunë“[28], pra edhe për muslimanët dhe laramanët
shqitpar. Më 19. 03 1913 lidhur me këto probleme shukruan Lëzër Mjeda këhstu:
“me shëndet jam mirë; shumë gjera të këqija, te vështira i kam pasur këto dite,
arsyeja kryesore/salvimet e trishtueshme, te hatashme të shpërthyera kundër
katolikëve nën pushtetin malazez. Më se 70 familje fand kanë kalua në skizmë
dhe ekziston rreziku me arsye që edhe të gjitha familjet tjera të veprojnë në
të njëjtën mënyrë, duke mos pasur rrugëdalje. Tri fashtra kanë pasur mundësi
natën të hikin në territorin nën pushtetin serb, duke lënë çka kanë pasë e
tjerët s`kanë pasë mundësi ta kalojnë kufirin...”[29]. Lazër Mjeda përnjëmend bari i mirë për
besimtarët e vet, ai u jepte guxim që mos të lëshonin fenë e vet, i vizitonte
ata rregullugisht në kohët më të vështira. Më 16.III.1913 shkruan: “Tash jam
vetë i nevojshëm për të holla, pasi kam pasur detyrë të kujdesohem për
refugjatët e Gjakovës…..Dje për Rrëshajë jam kthyer nga Gjakova, e nesër prapë
do të kthehem për tri-katër ditë. Pasi çështja e refugjatëve ende nuk u zgjodh,
dhe populli asht në lëvizje tash këtu e tash atje, është e nevojshme kohë pas
kohe t`i vizitoj dhe t`i ngushëlloj, duke u dhënë zemër dhe duke u ndihmuar materialisht,
se kanë humbë çdo gjë dhe janë pa bukë. Kjo është arsyeja pse tani nuk mund të
largohem, se përndryshe tani isha në ato anë.”[30]
Më 1913-14 zhvilloheshin bisedimet mes Vatikanit dhe
Serbisë lidhur më një marrëveshje zyrtare apo konkordatit. Përfaqësuesi zyrtar
(ambasadorit) i Austrohungarisë në Vatikan Alois (Fürst) Schöngurg-Hartenstein
dhe ministri i punëve të jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von
und zu Ungarschitz jo që angazhoheshin për përmirësimin e gjendjes shqiptare dhe
ruajtjen e protektoratit austro-hungarezë, por ishin të vetëdijshëm edhe për
shumë imtësi për popullatën shqitpare, pra edhe për laramanët e këtyre vendeve
dhe nga bisedat e shkrimet që shëndrroheshin mes zyrtarëve austrohu-hungarezë
dhe të kardinalit Merry de Val kërkohej që nga Vatikani të bisedon edhe për
lirinë fetare të laramanëve në Argjipeshkvinë Shkup-Prizren nga ana e Serbisë.
Më 12. mars 1913[31]
lajmron ambasadori i Austro-HUngarisë në Romë Schönburg se kishte biseduar me
Vatikanin lidhur më lirinë fetare të laramanëve në argjipeshkvinë e Kosovës.
Kështu që qysh ne fazën e parë të bisedimeve lidhur me konkordatin kishte
shprehur dëshurirën për të siguruar klirinë fetare të laramanëve. Në qarqet e
Vatikani ishte të brengosur për laramanët. Vjena dhe Roma ishin të njoftuar për
gjendjën e laramanëve pas largimit të Turqisë nga Ballkani, por tash kishin
lindur probleme të reja për ta, pra Serbia. Në këtë letër ceket se për gjendjen
a laramanëve në argjipeshkvinë Shkup-Prizren ishin njoftuar nga raportet e
ndryshme, pra të argjipeshvkit Lazër Mjeda.
Këtë e dëshmon edhe letra e ministrit të punëve të
jashtme Leopold (Graf) Berchtold më 02. VI. 1914 dërguar përfaqësuesit Alois
(Fürst) Schöngurg-Hartenstein. [32]
Dihet se raportet e Mjedës ishin ato që kishin nxitur
këtë bisedë, sidomos nga letra e Mjedës më 09. 01. 1913 dërguar ministrit të
punëve të jashtme austro-hungarez Leopold (Graf) Berchtold von und zu
Ungarschitz ku i spjegon gjendjen e laramanëvë në argjipeshkvinë e vet. Sipas
kësaj shkrese ministri Berchtold për gjendjen e laramanëve në argjipeshkvin
Shkup-Prizren është “formalisht” i kënaqur prej asaj që është biseduar dhe
është shkruar mes kardinalit Merry de Val dhe Alois Schöngurg-Hartenstein, pra
Serbia ishte e obliguar që tu jep të drejtën e lirisë fetare laramanëve në këto
troje.
Gazeta Reichspost e 20 marsit 1913 shkruan poashtu për
aramanëdhe gjendjen të tyre në argjipeshkvisë Shkup-Prizren dhe shkruan se ata
deri më tash nuk kishin mund të deklraroheshin haptas për shka të tyrqëve,
kurse tash e kanë problem prej Serbisë dhe shkruan se qarqet e Beogradit u
kishin ndaluar laramanëve të deklraroheshin haptas si katolik, ose duhet të
bëhen musliman e nëse dëshirojnë të bëhen të krishterë atëherë ortotoks.[33].
Poashtu edhe Leo Freundloich e merrë këtë artikull dhe e riboton në librin etij
“Albaniens Golgotha”[34]
Më 31 Janar 1911[35]
njofton konzullata austriake e Shkupit se kishte pasur një grup nortodoks nga
Maqedonia, më sakt nga Kumanova që kishin shkuar tek argjipeshkvi Lazër Mejda
dhe tek famullitari i Ferizajit Dom Pashk Krasniqi dhe u kishin kërkuar ndihmën
e tyre që ata të kalojnë në katolicizëm. Pra ishte fjala për besimtar ortodoks
maqedon e që dëshironin të kalonin në katolicizëm. Është e njohur komuniteti
greko-katolik me kombësi maqedone në Maqedonin e jugut, pra në Strumicë e
rrethinë, por këta ishin taman ortodoks. Nuk është fjala për komunitetin
katolik të ritit bizantin që jeton edhe sot e kësaj dite në territorin e
Maqedoniës, por është fjala për ortodoks të vërtetë.
Komunitetin greko-katolik në Maqedoninë e sotme ia kishte
besuar Papa Benedikti më 1915 argjipeshkvit të Shkupit L. Mjeda. Argjipeshkvi
Mjeda ishte pra edhe argjipeshkëv i katoliëkve të ritit bizantin në Maqedoni,
që më komb janë maqedonas. Argjipeshkvi Mjeda dëshironte që këtë komunitet të
vizitonte vetëm dhe të shifte taman se si është gjendja e këtyre shpirtrave që
papa ia kishte besuar. Organet e atëhershme bullgare nuk i dhanë Mjedës leje që
të viziton këtë komunitet. Viti 1915 ishte shumë vit i vështirë edhe për
katolikët e ritit bizantin, sepse bullgarët kishin vra e mbytë dhe kishin
shkatrruar gati çdo gjë që ata kishin, shtëpia e pasuri tjera. Pasi që Mjeda
nuk mund të shkonte në këtë zonë, ai organizio që ndihmat tu dërgonte
gjithësesi dhe përmes meshtarit P. Nedeljko, i cili më 20 mars 1916 i shkruan
një letër falenderimi Mjedës për këto ndihma të rëndësishme.[36]
Marre nga shkrimi Lazër Mjeda në argjipeshkvinë
Shkup-Prizren mes 1909-1921 (Sipas arkivit Austriak, emërimi tij, laramanizmi,
largimi nga Prizreni). In: Imzot Lazër Mjeda - Mbrojtës dhe lëvrues i
identitetit shqiptar. Albanisches Institut, St. Gallen 2011, ISBN 978-3-9523077-7-9, fq.
115-133
[1] Mbi këtë fenomen shif më shumë. BARTL Peter, Kryptochristentum und Formen…, paoshtue dhe shqip: Kriptokrishtenizmi dhe format e religjionit…, Albert Ramaj, Burime dhe dëshmi, kriptokrishtenizmi…
[2] Më shumë te Albert Ramaj, Burime e dëshmi, fq. 167-174
[3] Krahaso Albert Ramaj. Burime dhe dëshmi faqe 131-166.
[4] Për këso raste lajmron L. Mihacevic, Durch Albanien. Prag 1913, fq. fq. 34-35
[5] Cilev P., Obikolka iz albanski seliste, poashtu Albert Ramaj, Burime e dëshmi, fq. 148, poashtu Gaspër Gjini fq. 153
[6] Albert Ramaj, Burime dhe dëshmi, fq. 190-193, poashtu shif edhe GJERGJI, Gj: Martirët shqiptarë gjatë viteve 1846-1848, in Drita, 3-4, 1983 fq, 22.
[7] Shujta shpirtnore (përpiloi Gaspër Gjini), Ferizaj-Zagreb 1978, krahaso fq. 205-222
[8] BYTYQI Nue dom, Kanga e popullit. N`nderr t`Zois Zernaghores, in: Elçija e Zemrës së Krishtit, Shkodër, qershor 1894, fq, 6-9.
[9] Shujta shpirtnore, fq. 205.
[10] „Serbien und Katholiken“, in: Reichspots (Nachmitagausgabe) 27. 12. 1912, fq, 1
[11] Wiener Sonn- und Montags-Zeitung, artikulli „Die Anëort Montenegros ist ausständig“ 24 mars 1914, fq 1.
[12] GASHI Gj. Kosova Altari i Arbërisë, II, fq. 35.
[13] Gjergj Gjergji, Kosova II., fq, 39-40
[14] Krah. GjERGJ Gashi, Kosova II., fq 66.
[15] Gjergj Gashi, Kosova II. fq. 66
[16] Gjergj Gashi, Kosova II. fq. 66
[17] GASHI Gj. Kosova Altari i Arbërisë, II, fq. 66-67.
[18] Krah. ZUTIC Nikola: Rimokatolicka misija i klerikalizam na Kosovu, fq. 108
[19] Mbi laramanët në argjipeshkvinë Shkup-Prizren gjatë kohës kur L. Mjeda ishte argjipeshkëv shif edhe raportin e atë Giovanni Battista della Pietra për misionin fluturues të mbajtur në argjipeshkvinë Shkpup-Prizren më 1911 në: Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1912, fq. . 20-31 dhe raportin e Atë Francesco Genovizzi për misionet në këtë argjipeshkvi më 1911 dhe 1912 në Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1913, fq.. 3-20. Këto detaje janë poashtu në librin e përgatitur nga Albert Ramaj (ende pa botuar) që duhet të botohet në gjuhën kroate nga Misioni Katolik Shqiptar në Zagreb.
[20] Shif: Lettere edificanti dei padri della Compagnia di Gesu della Provincia Venta, Serie XXII, Venezia 1913, fq. 3
[21] M bi jetën e Zef Antunoviq shif A. Ramaj, Burime dhe dëshmi, fq. 108-118
[22] Giuseppe Valentini “Il Fratel Zef e la Missione volante” in Notizier agli Amici dei gesuiti lambardo-veneto-emeliani, Milano, 2 (1972), fq. 36-41.
[23] DJURIC F.: Die Geschichte der Krypto-Katholiken fq. 204
[24] Shih. KRONIKU, in: Drita XV, 11-12 (107), 1984, fq. 8-9.
[25] Për këto gjëra shif mnë shumë Zekeria Cana Gjenocidi i Malit te? Zi mbi popullin shqiptar 1912-1913 (Dokumente). Falenderoj Atë Ndue Kajtazin, frat në Gjakovë që ma dërgoj me postë këtë libër në Zvicër.
[26] Zekeria Cana, Gjenocidi i Malit të Zi… fq. 216
[27] Malcolm Kosovo, short story, fq. 254
[28] Cana, Gjenocidi fq. 165
[29] Mark Sopi. Shembulli i Bariut të mirë dhe atdhedashës, arritja e imz. Lazër Mjedës në Prizren, in Drita, viti XIII, nr 3-4 (95) 1982, fq. 8.
[30] Mark Sopi. Shembulli i Bariut të mirë dhe atdhedashës, fq. 8.
[31] ÖStA. PA, XIII, 314 Türkei, XXXIV / 5 A, më 12. shkurt 1913
[32] Shif Östa. PA. XIX, 93, Serbien XVIII/ (Rom – V.) 2480, më 02. VI. 1914
[33] Der Konflikt mit Montenegro, Reichspost 20 mars 1913, fq. 2
[34] Leo Freundlich, Albaniens Golgotha fq. 27
[35] HHSTa XXXVIII PA. 441, Konzullate Üskuüb 1911-1913 të datës 31 janar 1911, fq. 293-294
[36] Shif më shumë Rudolf Grulich, Die unierte Kirche in Maqedonien (1856-1919), fq. 91.