E merkure, 09.10.2024, 12:07 PM (GMT+1)

Speciale » Andrea

Fotaq Andrea: Për shqiptari - për vëllazëri

E merkure, 06.03.2013, 07:05 PM


PËR SHQIPTARI

PËR VËLLAZËRI

Nga Fotaq Andrea

Nuk do t’i jepnim dhe aq rëndësi shkrimit të mëposhtëm të gazetës së mirënjohur franceze “Le Figaro”, sikur të mos na tërhiqnin vëmendjen dy fakte jo pa rëndësi: së pari, që shkrimi “Njerëz të Shqipërisë” është një kryeartikull pikërisht nën penën e kryeredaktorit të kësaj gazete Lucien Romier dhe së dyti, që është botuar në valë të Luftës së dytë botërore, më 4 dhjetor 1940.

Në vendin e nderuar të kryeartikullit, ky shkrim përballet në krahun tjetër të organit me informacionin “Konflikti italo-grek – sulme greke dhe kundërsulme italiane përreth Përmetit dhe në Veri të Pogradecit”, ku pasojnë dy komunikata zyrtare lidhur me këto sulme, përkatësisht nga ana e qeverisë italiane dhe asaj greke. Është e qartë se ashtu si edhe në Luftën e parë botërore, shesh i betejave shfaqet ndër të tjera zona tragjike e Pogradecit, Përmetit, Korçës, në krahun juglindor të kufirit shqiptar dhe zona e Sarandë-Gjirokastrës në krahun perëndimor të tij, e thënë ndryshe, krejt Shqipëria e Jugut, lakmuar historikisht nga grekët, italianët, etj.

Para se të japim të plotë shkrimin në fjalë, autori Lucien Romier - historian, eseist, gazetar e politikan francez në vitet 1930-1940, i njohur për angazhimin e tij në qeverinë e mareshalit Peten, por që do të vdiste nga një krizë zemre në çastin kur do arrestohej nga Gestapoja për implikim në procesin e Riomit -, duket mjaft “i merakosur” pas kufirit jugor të Shqipërisë, se kujt do t’i përkasë ky truall i saj në mbarim të konfliktit italo-grek.

Ndonëse nuk e kursen dozën e ironisë së hollë kur flet për Aleksandrin e madh dhe Mehmet-Aliun me gjak shqiptari, (dihet se mjaft autorë të huaj të angazhuar pas politikave të caktuara gjithnjë kanë përdorur ironinë për të fshehur paragjykimet e tyre ndaj Shqipërisë e shqiptarëve!), ndonëse “harron” qëllimisht kontributin e gjakut të pastër shqiptar në Historinë evropiane e botërore - që nga Epopeja e lavdishme skënderbejane që shpëtoi Evropën nga hordhitë otomane dhe gjer te stradiotët e famshëm shqiptarë në gardat mbretërore të Papatit, Venedikut, Dukëve e Luigjërve, deri madje te udhëheqësi i Ushtrive të Perandorisë së Shenjtë gjeneralisimi Gjergj Basta Kastrioti -  përsëri, Romier thotë ndoca të vërteta të hidhura historike për ne shqiptarët, që nuk ka pse të rrimë e të nanurisim veten përherë me lavde të së shkuarës sonë heroike, të nderemi “rehat”, sa gjatë gjerë, në shtrat të dafinave të djeshme.

Romier, në fakt, e sheh historikisht ndjenjën kombëtare tek shqiptarët të kufizuar tek/nga klanet kur pohon se: “Në traditën shqiptare, fjala “pavarësi” pati një kohë të gjatë një kuptim më shumë feudal se kombëtar. Bëhej fjalë, vijon ai, kryesisht për autonominë e familjeve kryesore dhe për klientelën [klanin] e tyre, pa iu referuar ngushtësisht e nga afër idesë së kombësisë”. Asgjë të çuditshme nuk ka këtu, tek e pranojmë se kemi qenë dhe jemi gjithnjë të vonuarit e Historisë, viktima të vetvetes. Shkaqet janë pafund dhe duhen parë në thelbin e tyre konkret.

Në të vërtetë, shpesh është luajtur me termat “komb”, “kombësi”, “etni”, “bashkësi gjuhe dhe territori”, “bashkësi ekonomike, kulturore dhe shpirtërore”, që përcaktojnë, të themi, kufijtë etnikë, të cilët, siç dihet, kanë lëvizur e lëvizin në përputhje me zhvillimet historike, dhe janë shfaqur e shfaqen nëpërmjet kufijve të përcaktuar shtetërorë, të djeshëm e të sotëm. Në fund të fundit, e dimë mirë se këta kufij etnikë për ne shqiptarët kanë ardhur historikisht përherë duke u tkurrur e rrudhur, dhe për këtë, gishtin e drejtojmë tek dyndjet, invazionet, padrejtësitë historike, tek politikat e Fuqive të mëdha, tek lakmitë dhe agresiviteti i shteteve fqinje, pra te çekuilibret dhe mëkatet e vetë Historisë, duke e parë kështu veten thjesht viktima të saj, sikur ne të ishim të vetmit dhe të fundit viktima në dynja.

Mirëpo, ky arsyetim, do thoshim, nuk ka si të shpjegojë gjithçka. Ndjenja e vërtetë kombëtare mbarëshqiptare lindi dhe u forcua, siç dihet, vetëm në shekullin XIX me vetë Rilindjen e vonuar shqiptare, pa pleksur e ngatërruar këtu përpjekjet e fuqishme të bëra për mëvetësi feudale, si ato të pashallikut të Ali Tepelenit apo edhe më parë të Bushatllinjëve të Shkodrës, që me vite, do çonin vërtet ujë në mulli të ndjenjës së ardhshme kombëtare, të SHQIPTARISË. Dhe kjo fjalë rilindase me aktualitet të përhershëm, që përcillet e duhet të përcillet brez pas brezi si e Shenjtë dhe e Mbi-Shenjtë, lypset të shkruhet me kapitale dhe me germa të arta, sidomos sot, kur ndjenjat e respektueshme fetare, bindjet individuale dhe vetë institucioni i fesë në katër format e veta në Shqipëri, me një tolerancë dhe harmoni të përkryer historike, nuk mundet kurrsesi të shfaqen në përmasa fanatizmi mbytës, për t’i marrë frymën vetë lirisë e demokracisë, apo t’i paraprijnë Vetëdijes kombëtare, patriotizmit dhe dashurisë për kombin e atdheun shqiptar.

Është e vërtetë që ndjenja e theksuar klanore, e deri diku zonale, synonte dhe kërkonte historikisht shkëputje nga vartësitë shekullore e sulltanore, ose edhe më shumë, mos cenim të njëfarë autonomie tek ndonjë fis i panënshtruar shqiptar, si në rastin e mirditorëve. Por tekefundit, kjo ndjenjë mbeti e cunguar, e kufizuar dhe erdhi e tillë gjer më sot, në vetë realitetin shqiptar, e veshur tashmë me petk modern partitizmi politik, që nuk ka të bëjë aspak me militantizimin klasik partiak, duke shprehur në thelb një patriarkalizëm të vjetër. E stërlashtë, që nga vetë koha e qytet-shteteve të Ilirisë, ajo u trashëgua me krejt origjinalitetin e vet iliro-shqiptar tek shpreh vërtet forcë shpirtërore, por tek mbetet, as më shumë e as më pak, thjesht ndjenjë mbijetese, ardhur si e tillë, mjerisht, pa përpunimin historik e kulturor të duhur.

Është shi kjo ndjenjë e theksuar klanore që shpjegon atë që jo rrallë në Histori, shqiptari, pa njohur kurrë luftë civile brenda kufijve të tij etnikë, nuk ka munguar mjerisht të vrasë shqiptarin, sikurse ndodhi në kohën e luftës për pavarësinë greke ushqyer nga ndjenja fetare të kundërta, pa folur këtu për faktin që shpesh shqiptari e ka parë veten historikisht mish për top, apo viktimë shekullore të dukurisë kanunore të institucionit të gjakmarrjes. Veçse, është për t’u theksuar që po kjo ndjenjë klanore vjen e shfaqet tashmë në formën e vet më sektare, brenda kufijve të ngushtë të interesave të caktuara, duke penguar zhvillimin dhe përparimin e ndjenjës fisnike mbarëkombëtare dhe të përparimit demokratik. Edhe më keq, tek e shpreh qartë Adrian Ndreca në shkrimin e tij “Shteti laik dhe anmiqtë e tij”, botuar në Hylli i Dritës (2, 2006), kur thotë: “Ne shqiptarët jemi të primë me afirmue vetveten dhe jo bashkësinë së cilës i përkasim” Shi kjo shpjegon thelbin e gjithë asaj ligësie, deri në perversitet, që shpesh shqiptari i bën keq e dëm shqiptarit, madje edhe vëllai-vëllait. Boll me egocentrizëm mesjetar e të marrë që në thelb nuk është gjë tjetër veçse ndjenjë e theksuar inferioriteti!

Po japim më poshtë kryeartikullin e gazetës franceze “Le Figaro” të 4 dhjetorit 1940:

Njerëz të Shqipërisë

Nga Lucien Romier

Qyteti i vogël i Koricës [Korçës] që lufta italo-greke e bëri të njohur në botë ndodhet në mes të një fushe të njohur nga shqiptarët për pasurinë që ka. Emri i tij do të thotë “mollë e egër” [goricë]. Qytet-treg shumë i lashtë, thuhet se e ka zanafillën falë pasurisë së një çobani dikur fëmijë rrethinave të atij qyteti, i cili, për shkak rrethanash pak a shumë legjendare, ishte bërë njëshi ndër ushtarakët më të zotë të Mehmetit, ngadhënjyesit të Kostandinopojës. Sepse Shqipëria ka nxjerrë njerëz të tillë që kanë ditur të bëjnë karrierë. Madje dihet që ajo mburret se ka lindur Aleksandrin e Madh dhe ka dhënë personazhe të shquar në historinë e Perëndimit, sikurse në historinë e Lindjes: Francesko Krispi, kryeministri italian i kohës së Aleancës Tripalëshe e kishte prejardhjen, siç thuhet, nga një stërgjysh shqiptar.

Në shërbim të sulltanëve të Kostandinopojës, shqiptarët bënë bujë se ishin po aq trima sa dhe turqit, por më të mençur në politikë, më me iniciativë e më të guximshëm.

Nga fshati i Pojanit, buzë liqenit të Maliqit, jo larg Korçës u nis e mori udhët, në fillim të shekullit të shkuar [shek. XVIII], themeluesi i dinastisë mbisunduese të Egjiptit, i famshmi Mehmet-Aliu. I përkiste një prej atyre familjeve të bejlerëve shqiptarë që rekrutonin mercenarë për llogari të sulltanit kur ky kishte nevojë për të bërë luftë.

Pas tërheqjes së Bonapartit dhe të trupave franceze nga Egjipti, sulltanit iu desh t’u bëjë thirrje trupave shqiptare të bejlerëve të Pojanit për të bërë zap mamlukët, që kërkonin të ushtronin pushtet të pavarur në brigjet e Nilit. Strukur në Kavalla në brigjet e detit Egje, për t’u shpëtuar pasojave të një zënke klanesh, i riu Mehmet-Aliu nxitoi t’u bashkohej, së bashku me kaçakët e tij, trupave të bejlerëve të tjerë të Pojanit për të goditur mamlukët dhe për t’u vendosur në Egjipt. Dhe arriti aq mirë të mposhtë mamlukët, të shmangë bejlerët e tjerë dhe të vendosë forcën apo djallëzinë e tij, sa sulltani e emëroi nën-mbret [vezir] të Egjiptit.

Dihet se Mehmet-Aliu nuk u mjaftua me kaq. Si formoi një ushtri dhe një flotë të fuqishme, nisi luftën kundër vetë të zotit të tij. Më 1831 pushtoi Sirinë, i bëri trupat e sulltan Mahmudit t’ia mbathnin nga sytë këmbët, madje gati sa do hynte dhe në Kostandinopojë sikur të mos kishin ndërhyrë rusët. Fuqive të mëdha iu desh të bombardonin me flotat e tyre Bejrutin dhe Akrën për të shtrënguar ushtrinë egjiptiane të largohej nga Siria. Për rrjedhojë, Mehmet-Aliut iu rinjoh dhe iu garantua nën-mbretëria e tij, gjë që i siguronte faktikisht zotërimin absolut të Egjiptit. Vdiq pas dyzet e tre vjet  mbretërimi më 1849.

Historia e këtij njeriu të çuditshëm është zbukuruar plot legjenda nga shqiptarët me një vetëkënaqësi të tillë që tregon se në personin e tij ata rigjejnë ato tipare për të cilat raca e tyre është nga më krenaret.

Në traditën shqiptare, fjala “pavarësi” pati një kohë të gjatë një kuptim më shumë feudal se kombëtar. Bëhej fjalë kryesisht për autonominë e familjeve kryesore dhe për klientelën [klanin] e tyre, pa iu referuar ngushtësisht e nga afër idesë së kombësisë siç e kuptojmë ne. Dhe pikërisht këtej rrodhën që prej tridhjetë vjetësh mjaft nga vështirësitë në përcaktimin e kufijve zyrtarë midis vetë Shqipërisë të quajtur si të tillë dhe Epirit të Veriut. Më 1913, një komision evropian përbërë nga oficerë dhe funksionarë që përfaqësonin të gjitha Fuqitë e mëdha u përpoq të bënte një hetim të paanshëm drejtpërdrejt në vend. Por pati aq reagime të fuqishme nga ana e popullsive lokale, sa komisionerëve iu desh të tërhiqeshin. Dhe vanë e  gjetën për së largu një zgjidhje që të krishterët e Epirit e sprapsën me guxim dhe askush nuk arriti ta vërë në zbatim.

Parimi i pavarësisë politike të Shqipërisë ishte në fakt rrjedhojë e rivalitetit të vjetër të Italisë me Austrinë për Adriatikun. Bëhej fjalë për secilën nga rivalet të pengonte tjetrën të merrte në dorë çelësat e kanalit të Otrantos. Kanali i Otrantos midis bregut italian dhe gjirit të Valonës në Shqipëri nuk ka veçse 100 kilometra gjerësi: nga ku dhe këmbëngulja e italianëve për t’u vendosur në Valona, por që u shtrënguan të largohen si e panë veten të detyruar nga Fuqitë e tjera dhe nga shqiptarët, por prapë, me synimin që të kthehen sërish. Më në Jug, rrugët e transportit të Epirit dhe të Shqipërisë së jugut, pasi përshkojnë Pindin, përfundojnë në Santi Kuaranta [Sarandë], port i vogël që ndahet nga Korfuzi vetëm nga disa milje detare. Korica, Vanola, Santi-Kuaranta, Korfuzi : e kush nuk do mund të thosh që bombarduesve nuk do t’ua kish qejfi të zotëronin një piktoresk të atillë, aq shumë i zbrazur nga makineritë e luftës?



(Vota: 7 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora