Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Fjalë të arta për jo-dhunën
E shtune, 09.03.2013, 10:00 AM
Fjalë të arta për jo-dhunën
« Paqja, e vetmja luftë që ia vlen të ndërmerret »
Mbledhur:
Zhan-Mari Myler
Përktheu: Fotaq Andrea
Duhet pranuar : në zhurmën shurdhuese që dhuna shkakton çdo ditë në realitetin e sotëm, rrallë na ndodh të dëgjojmë fjalë jo të dhunshme. Ideologjia e dhunës së nevojshme, të ligjshme dhe të denjë sundon shoqëritë tona. Kultura jonë na e shfaq dhunën si virtyt të njeriut të fortë që ka guximin të marrë në sy rreziqet më të mëdha për të luftuar kundër padrejtësisë dhe për të mbrojtur lirinë. Jo-dhuna trajtohet kësisoj si dobësi e njeriut të frikur, të gatshëm për t’iu nënshtruar zgjedhës së shtypësve dhe të prirur paraprakisht për t’u marrë vesh me agresorët.
Në të vërtetë, jo-dhuna gjendet e skalitur në zemër të të gjitha urtësive njerëzore, si forma më e lartë e guximit. Kur të urtët – qoftë Lao Tseu, Buda, Jezusi apo Gandi – na mësojnë jo-dhunën, lypset të tregohemi sa më shumë të vetëdijshëm ndaj dhunës, të ndërgjegjësohemi për çnjerëzinë dhe pakuptimin e saj. Ata na ftojnë të hedhim poshtë çdo përligjje që e bën dhunën një të drejtë të njeriut. Ata na shtyjnë të përfytyrojmë mënyra të tjera për t’u bërë ballë konflikteve, të tregojmë mençuri për të nxjerrë në dukje një forcë tjetër që të luftojë padrejtësinë dhe t’i bëjë qëndresë agresionit.
Të zgjedhësh jo-dhunën do të thotë të mos pranosh që jeta dhe historia jonë t’i nënshtrohen fatalitetit të dhunës, të kërkosh të çelësh një shteg lirie që t’u krijojë njerëzve mundësi për të rënë në ujdi me vetë mirësinë e tyre dhe për të ndërtuar një të ardhme vëllazërore. Të zgjedhësh jo-dhunën do të thotë të pranosh se në vënien ballë për ballë me tjetrin, njeriu nuk ka vetëm dhunën si mundësi të vetme. Vetëm jo-dhuna është ajo që e thyen përfundimisht qarkun e urrejtjeve, shpagimeve dhe hakmarrjeve, që sjell drejtësinë dhe paqen.
Për të mos qenë një largim nga realiteti, jo-dhuna nuk duhet shënuar në regjistër të ëndrrave, por në regjistër të mendimit e të veprimit. Domosdo, edhe vetë ajo është një rrezik, po rreziku që i jep kuptim dhe përsosuri jetës së njeriut. Ajo është vetë rreziku i vetë shpresës.
Zhan-Mari Myler
***
Atëherë, tek po ecnin, ata vunë dorë mbi Jezusin dhe e mbërthyen. Po veç kur njëri prej shokëve të Jezusit çoi vrulltas dorën te shpata, e nxori nga milli, goditi shërbëtorin e të Madhit Prift dhe i këputi veshin. Atëherë, Jezusi i thotë : « Fute brenda shpatën ; kushdo që përdor shpatën, do vdesë nga shpata. »
Jezusi i Nazaretit
***
Mendoj në të vërtetë se në duhet patjetër të zgjedhësh midis dhunës dhe frikës, unë do të këshilloja dhunën…Por mendoj gjithashtu se jo-dhuna qëndron pafundësisht shumë më lart nga dhuna.
Gandi
***
T’i përgjigjesh grushtit me grusht, do të thotë të përhapësh dhunën, ta bësh edhe më të errët një natë tashmë pa yje. Mirëpo errësirat kurrësesi s’mund të shpërndahen vetiu. Është drita ajo që i zhduk. Po ashtu, urrejtja nuk e zhduk urrejtjen. Vetëm dashuria ia arrin. Pikërisht këtu qëndron edhe vetë bukuria e jo-dhunës : e lirshme ndaj çdo pengese, ajo shpërbën reaksionet në zinxhir të së keqes.
Martin Luter
Kingu
***
Dhuna dhe forca asnjëherë nuk ndërtojnë. Dhuna dhe forca asnjëherë nuk e shpërblejnë njeriun. Ato mund të kënaqin veç ata që lumturohen me diçka të përkohshme. Edhe pse kemi në themele tërë qytetërimet tona perëndimore, ne asnjëherë nuk kemi rreshtur duke u kënaqur me diçka të përkohshme. Ndoshta jemi në kohë për të menduar për diçka të përjetshme.
Zhan Zhiono
***
Të godasësh apo të goditesh është një dhe e vetme poshtërsi. Ftohtësi e çelikut është po aq vdekjeprurëse sa doreza dhe maja.
Simon Vej
***
Forca është ajo që cilindo e bën t’i nënshtrohet diçkaje. Kur ushtrohet deri në fund, e bën njeriu një send në kuptimin më të mirëfilltë të fjalës, sepse e kthen në kufomë. Dikush ndodhej aty, dhe një çast më pas, nuk ndodhet më askush.
Simon Vej
***
Për fisnikun,
kurrëfarë arme nuk ka që të jetë e arrirë :
Mjet’ i
mjerimit aspak s’është mjet’ i tij.
Në u
dashtë, e përdor jashtë çdo dëshire,
Tek kërkon
mbi gjithçka qetësi e paqë ;
Sepse, që
kënaqësi të ndjejë, i duhet të vrasë.
Ç’gjë
tjetër vallë do mund të bëjë në botë të tyre ?…
Zi e lotë
për masakër të njerëzisë,
Rit të përmortshëm, ngadhnjimtar për të dalë.
Lao Tseu
***
Njeriu
është bërë për ta dashur, i vetmi realitet që i jep botës qëndrueshmërinë e
saj. Asgjë nuk bëhet, asgjë nuk
Gjenerali Zhak dë la Bolardier
***
Keni dëgjuar të thuhet : Sy
për sy e dhëmbë për dhëmbë. E pra, unë po ju them : mos e shpaguaj të
ligun duke iu përgjigjur me të njëjtën monedhë ; përkundrazi, kur dikush
të godet në faqen e djathtë, ti zgjati të majtën ; kur do të të akuzojë
dhe të të rrëmbejë tunikën, ti mos i kurse as mantelin ; kur do që ti të
rendësh një milje me të, bë atëherë dy milje.
Keni dëgjuar të thuhet : Duaje të afërmin tënd dhe urreje armikun që ke. E pra, unë po ju them : Duajini armiqtë tuaj.
Jezusi i Nazeretit
***
Dhuna, e ndjerë ashpërsisht, duhet të shmanget një herë e përgjithmonë, me qëllim që njeriu të hyjnë në të sotmen.
Erik Veil
***
Kundërshtarëve tanë më të egër, ne u themi : « Aftësisë suaj për të na shkaktuar vuajtje, ne do t’i kundërvëmë aftësinë tonë për ta duruar vuajtjen. Forcës suaj fizike, ne do t’i përgjigjemi me forcën e shpirtit tonë. Bëni me ne ç’të doni, ne do të vazhdojmë t’ju duam. Ne nuk mundemi, me ndërgjegjje të plotë, t’u bindemi ligjeve tuaja të padrejta, sepse mosbashkëpunimi me të keqen është, po aq sa bashkëpunimi me të mirën, një detyrë morale. Na futni, po të doni, edhe në burg, ne përsëri do t’ju duam. Dërgoni në mesnatë tek bashkësitë tona kagularët1 tuaj, për të ushtruar dhunë e për të na lënë gjysmë të vdekur, ne përsëri do t’ju duam. Por të jini të sigurt se ne do t’ju çojmë drejt rraskapitjes nëpërmjet aftësisë sonë për të vuajtur. Një ditë, ne do të fitojmë lirinë, por jo thjesht për veten tonë. Ne do të lëshojmë në zemrat dhe në ndërgjegjet tuaja një thirrje të tillë, sa ju do të bashkoheni me ne rrugës dhe atëherë fitorja jonë do të jetë fitore e dyfishtë. »
Martin Luter
Kingu
***
Orvatem ta nxjerr tërësisht jashtë përdorimit shpatën e tiranit, jo duke e përplasur me një çelik më të mprehtë, por duke thyer padurimin e tij për të më parë t’i bëj qëndresë fizike. Ai do të gjejë tek unë një qëndresë të shpirtit, që i shpëton shtrëngimit të tij. Kjo qëndresë, fillimisht do ta verbojë dhe më pas do ta detyrojë të dorëzohet. Dhe ky dorëzim nuk do ta poshtërojë agresorin, përkundrazi do ta lartësojë atë.
Gandi
***
Jo-dhuna nuk
është mosqëndresë para së keqes, ajo nuk është pafuqishmëri, as mospërfillje.
Ajo nuk është plogështi, as shtrëngesë plogështie. Ajo nuk është nënshtrim para
fatalitetit. Ajo nuk është pranim i padrejtësisë, as lëshim, as përshtatje, as
lajkë ndaj tiranit, as bashkëfajësi e heshtjes me mosveprimin, as qetësi
fodulle, as dezertim para ndeshjes. Ajo, përkundrazi, mbron çështjen e saj me
një durim të paepur, me një qetësi ndjellëse dhe herë-herë sulmon. Kurrë nuk
shmanget, kurrë nuk tërhiqet, kurrë nuk lëshon, kurrë nuk qëllon.
Ajo i përgjigjet çdo goditjeje duke qenë e gatshme për goditje të reja. Ajo i përgjigjet sharjeve me mirësjellje. Ajo i përgjigjet akuzave për paburrëri duke dëshmuar me praninë e vet para rrezikut, si dhe me durimin e vet gjatë vënies në provë. Ajo i përgjigjet gënjeshtrave nëpërmjet rivendosjes së paepur dhe përherë të saktë të së vërtetës. Ajo u përgjigjet dredhave përmes thjeshtësisë dhe çiltërsisë. Ajo u përgjigjet talljeve me një seriozitet të denjë. Çdo force të së keqes, ajo i kundërvë jo një forcë të së njëjtit lloj, por një forcë të një lloji të kundërt, që e plotëson.
Lanzo del
Vasto
***
Është mëse e sigurt se një njeri i vetëm, në dukje i çarmatosur, por që guxon të thotë fuqishëm një fjalë të vërtetë, që e mbështet këtë fjalë me gjithë qenien dhe jetën e vet, dhe që është gati ta paguajë shumë shtrenjtë, ka, edhe pse mund të duket shumë e çuditshme dhe zyrtarisht është i zhveshur nga të drejtat, një pushtet më të madh nga pushteti që kanë mijëra zgjedhës anonimë në kushte të tjera.
Vaslav Havel
***
Ju të gjithë
që në heshtje vuani,
Tek e shihni
a e ndjeni të humbur,
Këtë vend që
veç shitet e blihet
Me çmim të
arit, me çmim të gjakut ;
Mblidhuni në
më të madhin kuvend
Dhe
fuqimisht shapllni,
Me fjalë
të qetë, me fjalë të mirë :
« Zoti
na ka bërë të lirë – do mbetemi të lirë. »
Qëndroni
të qetë e të vendosur,
Si pyll i
dendur e i heshtur
Krahët kryq,
vështrimin krenar
Këto të
pathyeshmet armë.
E atëher’
tiranët në guxofshin,
Le të hedhin
mbi ju kalorësit që kanë,
Le të
godasin, të presin, të therrin,
Ç’të duan
të bëjnë – lërini, pa i ngarë !
Krahët
kryq, syrin pishë,
Pa habi e pa
frikë,
Vështrojini,
tek vrasin e presin
Gjersa tërbim
i tyre të vdesë.
Mbuluar me
turp, do kthehen
Nga vendi që
kanë ardhë ;
Mbi faqe të
tyre skuqur flakë
Gjaku i
përhapur do flasë.
« Ngrehuni
të shumtë e të pathyeshëm,
Si luanë
të rënë në gjumë të thellë ;
Shkundni fort si atë vesë
Që gjumin
tuaj e kish veshë
Zinxhirët e
egër të skllavërisë :
Ju jeni të shumtë, ata janë të paktë ! »
Persy
Bysshe Shelley
***
Si ndodh që gjithë ata njerëz, gjithë ato qytete, gjithë ato kombe durojnë ndonjëherë gjithçka prej një tirani të vetëm, që s’ka fuqi tjetër veç asaj që i japin, që s’ka pushtet tjetër për t’i dëmtuar veç për aq sa duan e durojnë, dhe që asgjë të keqe s’do mund t’u kish bërë po qe se ata s’do kishin dashur më mirë të vuanin prej tij sesa ta kundërshtonin.
Etien de la Boesi
***
Ligje të padrejta ekzistojnë : a do pranojmë t’u bindemi ? … Nëse, nga vetë karakteri i saj, makina qeveritare kërkon të na bëjë mjetin e padrejtësisë kundrejt fqinjit tonë, atëherë unë ju them : shkelni ligjin.
Henri David Toro
***
E kuptoj se, i nxitur nga zemërimi, urrejtja, hakmarrja, nga humbja e vetëdijës së humanizmit të tij, një njeri edhe mund të vrasë, duke mbrojtur një qenie të afërt a duke u mbrojtur ai vetë. E kuptoj po ashtu se ai mund të vrasë edhe për shkak të një frymëzimi patriotik, mobilizues, duke u rrezikuar me vdekje dhe duke marrë pjesë në një vrasje kolektive në luftë e sipër. Por që njerëz, në zotërim të plotë të aftësive të tyre, të mund të pranojnë, me qetësi dhe në mënyrë të matur e të peshuar, nevojën e vrasjes së një qenie njerëzore, dhe të detyrojnë krijesat të kryejnë këtë akt të pështirë për natyrën njerëzore – këtë, unë kurrë s’e kam kuptuar.
Leon Tolstoi
***
Bota është ajo që është, domethënë jo kushedi se çfarë. Që prej ditës së djeshme, këtë cilido e di falë koncertit të zhurmshëm që shpërthyen radiot, gazetat dhe angjesitë e lajmeve lidhur me bombën atomike. Dhe në fakt, na mësojnë, mes një morie komentesh entuziaste, se cilido qytet i përmasave mesatare mund të shuhet krejt nga një bombë në madhësinë e një topi futbolli…
Kemi të drejtë të mendojmë se ka njëfarë paturpësie që arrihet të festohet në këtë mënyrë një zbulim, i cili, mbi të gjitha, vihet në shërbim të tërbimit më të egër shkatërrues që ka treguar njeriu që prej shekujsh. Që në një botë të gllabëruar nga tërë dhimbjet e dhunës, të paaftë për kurrfarë kontrolli, shpërfillëse ndaj drejtësisë dhe lumturisë së thjeshtë të njerëzve, shkenca të arrijë t’i kushtohet vrasjes së organizuar, askujt, pa dyshim, veç për ndonjë idealizm të pacipë, nuk do t’i shkonte ndër mend të çuditej…
Përpara perspektivave të tmerrshme që i çelen njerëzimit, ne shohim edhe më mirë se paqja është e vetmja luftë që ia vlen të ndërmerret. Kjo, nuk është më një lutje, por një urdhër që duhet të ngjitet nga popujt drejt qeverive, urdhri për të zgjedhur përfundimisht midis ferrit dhe arsyes.
Albert Kamy
***
Vrasja është e mundur. Por është e mundur kur nuk e ke parë tjetrin në sy. Pamundësia e vrasjes nuk është reale, ajo është morale… Vështrimi moral mat, në fytyrë, të pafundmen e pakapërcyeshme, ku endet dhe fundoset qëllimi vrasëtar.
Emanuel
Levinas
***
Indiani dhe anglezi
Indianët, në
luftë me anglezët, u zunë këtyre rob një djalë të ri. E lidhën pas një peme dhe
u gatitën për ta vrarë.
Një indian
plak afrohet e u thotë :
- Mos e
vrisni, ma jepni mua më mirë.
Ia dhanë.
Indiani plak e zgjidhi anglezin, e çoi në kasolle të vet, i dha për të ngrënë
dhe i gatiti një shtrojë për të kaluar natën.
Të nesërmen
në agim, indiani urdhëroi anglezin t’i binte pas. Ecën gjatë dhe kur u ndodhën
pranë kampit anglez, indiani i thotë :
- Njerëzit e
tu vranë tim bir, kurse unë po të shpëtoj jetën. Shko bashkohu me shokët dhe
vazhdo të na vrasësh.
Anglezi shqeu
sytë nga çudia :
- Përse po
tallesh me mua ? – i tha. – Unë e di që tanët kanë vrarë tët bir : më
vrit pra dhe ti, ç’pret !
Indiani ia ktheu :
- Në çastin kur do të vunë thikën
në fyt, solla ndër mend tim bir dhe më erdhi keq për ty. Nuk po tallem :
shko te shokët, dhe vazhdo, në ke dëshirë, të na vrasësh.
Dhe indiani e la anglezin të lirë.
Leon Tolstoi
***
I trajtoj me mirësi ata që kanë mirësi ; i trajoj me mirësi, ata që janë pa mirësi. Dhe kështu mirësia fiton.
Lao Tseu
***
Një herë
Buda po rrinte në Srâvastî, në korije të Jetës, në kopshtin e Anâthapindadës.
Asohere, I Nderuari i Botës u thotë murgjëve :
« Në larminë e madhe të qëndrimeve, unë shoh vetëm njërin prej tyre, përmes të cilit, po qe se kultivohet prej kohësh, fitohet lumturi ndër njerëzit, fitohet lumturi lart në qiell dhe ia del mbanë për të shkuar në Nirvâna : të mos vrasësh qenie të gjalla ».
Buda
***
Ja tek po
sjell me zemrën time të Vërtetën dhe Drejtësinë,
Sepse
shkula prej saj tërë të Keqen.
Unë nuk u
kam shkaktuar vuajtje njerëzve.
Unë nuk
kam përdorur dhunë kundër të afërmve të mi.
Unë nuk e
kam zëvëndësuar Drejtësinë me Padrejtësinë.
Unë nuk
kam pasur lidhje me të këqinjtë.
Unë nuk kam
bërë krime.
Unë nuk i kam
bërë të tjerët të punojnë për mua me tepri.
Unë nuk kam
intriguar nga lakmia.
Unë nuk i kam
keqtrajtuar shërbenjësit e mi…
Unë nuk i kam
hequr asnjë vendasi bukën e gojës…
Unë nuk kam
lejuar që një shërbenjës të keqtrajtohet nga i zoti i tij.
Unë nuk e kam
bërë tjetrin të vuajë.
Unë nuk kam
shkaktuar uri.
Unë nuk i kam
bërë të përloten njerëzit përreth meje.
Unë nuk kam
vrarë dhe as kam urdhëruar të vrasin.
Unë nuk kam
shkaktuar sëmundje midis njerëzve…
Unë nuk kam
bërë përpjekje të zgjeroj pronat e mia
Duke përdorur
mjete të paligjshme
Dhe as të
gllabëroj tokat e tjetrit.
Unë nuk kam
bërë hile në kandar dhe as te bishti i tij.
Unë nuk ia
kam rrëmbyer qumështin nga goja një fëmije.
Unë nuk kam
vjedhur bagëti në kullota…
Unë nuk i kam
vënë pendë ujrave për të vaditur tokat e mia.
Unë nuk i kam
hequr pendët e vëna për të vaditur tokat e të tjerëve.
Unë nuk e kam
shuar flakën e një zjarri
Kur ai duhej të rrinte i ndezur.
Libri i të
Vdekurve i Egjiptianëve të Lashtë
***
Pema e Paqes së Madhe
Unë jam
Deganawidahu dhe, tok me kryetarët e Pesë Kombeve,
Po mbjell
Pemën e Paqes së Madhe…
Pema e Paqes
së Madhe lëshoi rrënjë të largëta,
Janë Rrënjët
e Mëdha të Bardha të Paqes…
Nëse ti
dëshiron, ngado që të jesh,
T’u bindesh
ligjeve të Paqes së Madhe,
Mjaft të
ndjekësh këto rrënjë gjer në burim të tyre,
Dhe atëherë
mund të prehesh nën hijen e Paqes së Madhe…
Unë,
Deganwidahu,
Dhe kryetarët
e Pesë Kombeve të Paqes së Madhe,
Do ta
shkulim bredhin më të lartë
Dhe në
gropën e thellë që do krijohet
Do
vërvisim tërë armët e luftës.
Në
thellësi të tokës,
Në zemër
të saj
Tërë armët
e luftës do lëshojmë,
T’i
zhdukim përgjithnjë.
Pastaj
pemën sërish do ta mbjellim
Dhe Paqja e Madhe aher’ do mbretërojë.
Poemë
irokuaze1
***
Tek ai,
moral i të cilit
mbërthehet
pas objektesh
të
ndjenjave me interes
të
përqëndruar, një dashuri
lind për
vetë këto objekte ;
nga
dashuria lind dëshira,
dhe nga
dëshira, zemërimi.
Zemërimi
çon në shthurje ;
nga
shthurja vjen
humbje e
kujtesës,
nga ku
intelekt shkatërrohet krejt ;
me
shkatërrim të intelektit,
njeriu
vdes.
Për atë që
s’është në Jogë1
nuk ka as
intelekt,
as përqëndrim
të mendimit ;
për atë që
është pa përqëndrim,
nuk ka
paqë ; dhe për atë
që është pa paqë, si vallë
mund të ketë
lumturi ?
Kush braktis
gjithë dëshirat
dhe jeton e
vepron i lirë nga çdo ngasje,
kush nuk ka
kurrfarë « uni », kurrfarë « të mijat »
(kush egon e
vet individuale e shuan
në një « Un » të tërë
dhe jeton brenda tij),
ai paqes së madhe do t’ia mbërrijë.
Bhagavad-Gîtâ
***
Zigongu : A ka një fjalë që
mund të udhëheqë veprimin gjatë gjithë jetës ?
Mjeshtri i Madh tha : « Shpirtmirësia », a nuk është vallë fjala e artë ? Atë çka nuk dëshiron që të tjerët të ta bëjnë ty, edhe ti, mos ua bë të tjerëve.
Konfuci
***
Ne, nga brenda buzëqeshim.
Këtë buzëqeshje ne e fshehim
tani.
E paligjshme
buzëqeshja
- siç është
bërë i paligjshëm vetë dielli,
e paligjshme
e vërteta.
Ne
buzëqeshjen tonë e fshehim,
sikurse
fshehim në xhepat tanë
fotografinë e
së dashurës,
sikurse
fshehim vetë idenë e lirisë
në palat e
zemrës sonë.
Të gjithë ne,
këtu poshtë, kemi të njëjtin qiell,
dhe të
njëjtën buzëqeshje.
Nesër,
ndoshta, jetët tona do na i marrin.
Po këtë
buzëqeshje dhe këtë qiell,
kurrë nuk
do mund të na i marrin.
Janis
Ricos
***
Do ndodhë një ditë që popuj të shumtë, me shpatat e tyre do farkëtojnë plugje parmendash dhe me heshtat e tyre, drapinj për korrje. Kombet nuk do ngrenë më shpatat ndaj shoshoqit dhe nuk do përgatiten më për luftë.
Isai