Speciale » Andrea
Fotaq Andrea: Prof. Zhak Semlin - Jodhuna, një shpjegim për fëmijët e mi (II)
E marte, 12.03.2013, 08:47 PM
Prof.
Zhak Semlin, politolog francez, jep mësim në Institutin e Studimeve Politike në
Jodhuna,
një shpjegim për fëmijët e mi (II)
Nga Zhak
Semlin
Përktheu Fotaq ANDREA
- Domethënë, jodhuna në këtë rast shkon
paralelisht me ligjin?
-
Patjetër, madje edhe me njëfarë mënyre disiplinimi… Sikur s’qenke dhe aq e
kënaqur që po të flas në këtë mënyrë… Sigurisht, kjo varet se nga çfarë lloj
ligji. Ka ligje të drejta, sikurse ka dhe ligje të padrejta. Kur një ligj është
i padrejtë, si ai që i detyronte zezakët të uleshin në fund autobuzit, atëherë
mund të jetë e ligjshme të mos bindesh. Kjo quhet mosbindje qytetare. Pikërisht
një gjë të tillë organizoi Martin Luter Kingu.
Që një ligj është i mirë a i keq, kjo duhet diskutuar. Por kjo nuk vë në dyshim atë çka është thelbësore: ligji është i domosdoshëm për të ndalur dhunën. Për të jetuar bashkërisht na duhen rregulla e kufizime, si një lloj kodi rrugor që gjithsekush duhet ta respektojë. Kur drejton një veturë, duhet të dish nga do të ecësh, nga e majta apo nga e djathta. Unë nuk di të them nëse rregulli më i mirë është të ecësh nga e djathta sesa nga e majta, por di të them që po të ecin të gjithë sipas dëshirës, atëherë do të shkaktoheshin aksidente të tmerrshme. Ligji është pikërisht ai që i lejon çdonjërit të mbajë largësinë e duhur nga tjetri dhe ta respektojë.
- Ka raste kur të rriturit na kërkojnë të bindemi pa na dhënë shpjegime: duan që ne të veprojmë si të ishim kukulla teatri…
- Ke
shumë të drejtë. Kur një mësues del para nxënësve e thotë: ”Ai që
vendos, jam unë. Mirë a keq, e di unë. Ju duhet të më bindeni. Llafe nuk dua!”,
ka rrezik që atij të mos ia vërë kush veshin. Kështu veprohej në kohën time
nëpër shkolla, pale në kohën e gjyshërve të tu! Po tani, as që bëhet fjalë për
një gjë të tillë. Sot e tutje lipset të vihet në zbatim një formë tjetër
autoriteti që respekton gjithësecilin dhe që krijon mundësi për të dëgjuar me
të vërtetë të tjerët, për të mbajtur parasysh mendimet e tyre dhe për të
treguar vendosmëri në raste të domosdoshme. Një autoritet të padhunshëm, pra!
Në shkollë, kur vetë nxënësit marrin pjesë në përpilimin e rregullave, punët ecin më mirë. Shpesh, rezultati i parë në këtë drejtim është pakësimi i dhunës. Ata janë më të ndjeshëm dhe më të gatshëm për zbatimin e rregullave. Por jo patjetër rregulloret shmangin konfliktet në shkollë. Ato në radhë të parë të mësojnë si t’i mbash nën kontroll konfliktet. Kujdes, këto rregulla janë të vlefshme për të gjithë: nëse u kërkohet nxënësve të jenë në orën e caktuar në shkollë, kjo është po aq e vlefshme edhe për mësuesit… Respektimi duhet të jetë i dyanshëm.
- Është
vërtet me interes kur të jepet mundësia të shprehësh mendimin tënd.
- Kemi të bëjmë në këtë rast me rëndësinë e fjalës. Kjo do të thotë që të krijohen mjedise të nevojshme për diskutime të gjëra, në të cilat të dëgjohet me të vërtetë fjala e nxënësve, dhe sidomos të vlerësohet, si nëpërmjet kujdestarëve të klasave, ashtu edhe nëpërmjet gazetës së shkollës ose debateve mes tyre. Një shembull: Që në shkollën fillore mësuesit kanë krijuar sistemin e “kutisë së letrave” për zgjidhjen e konflikteve në klasë. Çdo nxënës fut në kuti një shënim me emrin e tij për një çështje që ai kërkon të diskutohet në klasë. Çdo javë, nxënësit i lexojnë bashkërisht shënimet që kanë hedhur në kuti dhe përpiqen të gjejnë zgjidhjet e nevojshme për problemet që kanë ngritur. Në një shkollë ku kishte jo pak dhunë, nxënësit krijuan madje edhe një sistem radioje të brendshme, që të qarkullonte fjala e gjithsecilit, çka u pëlqye nga të gjithë.
- Po dialogu, sikur nuk ecën me të rinj tepër të dhunshëm.
- Shumë e
vështirë është. Nuk ua nxjerr dot fjalët nga goja. Ose më mirë të themi, fjalët
e tyre janë si grushtet që lëshojnë; kanë një mënyrë komunikimi duke e acaruar
tjetrin. Ata duan t’i respektosh, por vetë nuk i respektojnë të tjerët. Në
lagjet ku banojnë, banorët shpesh ankohen për ta. Megjithatë, ka raste kur këta
të rinj akuzohen në mënyrë të padrejtë: mjaft të ndodhë një gjë dhe fajin ua
veshin atyre. Po prapë, ka nga ata që kanë një sjellje të papranueshme, për
shembull kur sulmojnë kalimtarët rrugës, rrënojnë banesa ose djegin vetura. Në
mjaft qytete, ekziston, gjithashtu, një dhunë shumë e organizuar: ajo e
grabitjes dhe e drogës.
Një pjesë e mirë e të rriturve kanë frikë nga këta të
rinj, sidomos kur krijojnë banda. Në të vërtetë, në mjaft raste ata bëhen të
dhunshëm kur janë pikërisht në grup. Të trembësh kalimtarët rrugës, është për
ta një mënyrë për të kaluar kohën. Dhuna e tyre bëhet po aq shqetësuese, sa
ç’është dhe e paparashikueshme: mjafton një atmosferë sado pak e tendosur, një fjalë
e thënë kuturu, që gjithçka të ndizet e të marrë flakë.
Ata që veprojnë në këtë mënyrë kanë një vështrim shumë të keq për veten. Shpesh e shohin veten si të pafat dhe fajin e kërkojnë te shoqëria. Në të vërtetë, dhuna e tyre është shprehje e një ndjenje të thellë pafuqishmërie. E konsiderojnë veten pa të ardhme, të padobishëm për askënd. Nuk kanë asgjë, atëherë vjedhin. Ndihen të pazotë, atëherë thyejnë e rrënojnë për të treguar se ekzistojnë edhe ata.
- Po prapë, të tërë këta sikur s’i fut dot në burg! Duhen ndihmuar për të hequr dorë nga rruga e keqe.
- Doemos.
Megjithatë, duhen ndëshkuar fillimisht ata që nuk respektojnë ligjet. Dhe
ndëshkimi të jetë i tillë sipas fajit të bërë. Edhe këtu, e rëndësishme është
që të rriturit të përcaktojnë kufijtë që nuk duhen tejkaluar, duke filluar nga
gjërat e “vogla”. Për shembull: një i ri vjedh në një dyqan. Shumë vetë e
shohin, por nuk thonë gjë. Ky qëndrim pasiv, a nuk është për ta një nxitje për
të bërë diçka më të rëndë herën tjetër?
Ke të
drejtë të më pyesësh: po si atëherë t’u jepet dora për t’i nxjerrë nga rruga që
kanë nisur? Të gjithë, në të vërtetë, janë të interesuar për këtë gjë: vetë
këta të rinj, po se po, por edhe ata që jetojnë përreth tyre, prindërit, të
rriturit, shkolla, lagja ku banojnë. Unë për vete, shoh tri drejtime kryesore
ku duhet punuar, gjithmonë nga këndvështrimi i jodhunës:
Së pari,
duke iu përmbajtur përherë të njëjtit parim: për t’i shkëputur nga dhuna, duhet
të fitojnë besimin te vetja. Janë dikush tjetër dhe jo ata që përdorin dhunë.
Lipset t’i ngarkosh me përgjegjësi, t’u besosh një punë. Kjo gjë me disa prej
tyre mund të ecë; shumë më tepër nga ç’pandehet. Mjaft t’u propozosh veprimtari
që u interesojnë, si sporti ose muzika. Atëherë mund të zbulojnë vlerat e
vetvetes dhe të krijojnë fushën e tyre të interesit, duke iu larguar bandës ku
bënin pjesë.
Së dyti, është e rëndësishme të bisedosh me ta, ndonëse e vështirë në mjaft raste. Jo vetëm me ta, po edhe me policë, roje objektesh në qytete, banorë lagjesh etj. Sepse të gjithë kanë frikë nga të gjithë. Duhet fillimisht të bjerë frika, për të gjetur zgjidhje. Për këtë qëllim përdoren metoda të ndryshme, për shembull ajo e eksperimentuar nga Sharl Rozmani. Kur çdo njeri shpreh gjithçka që ka në zemër, gjithë frikën, madje dhe gjithë urrejtjen e tij, Sharl Rozmani mundohet në këtë rast të organizojë takime të përbashkëta midis të rinjve, policëve, rojeve, nëpunësve të bashkisë etj. Jo thjesht që të mësojnë të njohin njëri-tjetrin, por sidomos për të gjetur zgjidhje konkrete, me qëllim që të vendoset qetësia në lagje e kudo.
- Dhe kjo gjë jep rezultat?
- Ky
formim u lejon të gjithë atyre që hyjnë në kontakt me këta të rinj të vështirë,
të jenë më të efektshëm në punën e tyre. Ata mësojnë si të komunikojnë me ta,
ndërsa policët bëhen në këtë rast më pak agresivë ndaj tyre. Shërbimet që
merren me këta të rinj krijojnë kësisoj metoda të ndryshme pune, më pak
autoritare.
Ka, gjithashtu, edhe një rrugë të tretë: Veprimtaria e vetë të rinjve që janë kundër dhunës: Nëpër qytete, shumë të rinj nuk janë të dhunshëm. Nuk mund të thuhet se tërë lagjet e jashtme të qyteteve janë zona të nxehta, ku vetëm ushtrohet dhunë. Në ato lagje jetohet, dhe mirë madje! Po janë disa gazeta ose emisione televizive që çdo gjë e nxijnë, duke thjeshtuar gjithçka: të rinj të dhunshëm = të rinj imigrantë = lagje të jashtme qytetesh = geto = dhunë. Sot, shumë të rinj nuk e pranojnë një paraqitje të tillë karikaturale. Ata duan që për ta të flitet krejt ndryshe.
- Po ç’mund të bëjnë në këtë rast?
- Të veprojnë së toku, me qëllim që të flitet ndryshe për ta. Kam parasysh për shembull manifestin “Stop dhunës!” që nisi nga të rinj të Val d’Uazës në mars 1999, pas vdekjes së Stefan Kulibalit, i cili u fut mes një zënke të rinjsh për të shuar sherrin. Të rinjtë u mblodhën për të diskutuar manifestin e tyre dhe për të paraqitur propozime konkrete. Kur bëhesh grup për të diskutuar e vepruar, fjala që thua merr një forcë të veçantë dhe ke kësisoj më shumë mundësi që të dëgjohesh. Në këtë mënyrë, krijohet terreni i veprimit të padhunshëm…
- Po shembuj të tjerë, a ka?
- A e
dinë vallë të rinjtë e sotëm të lagjeve të jashtme se moshatarët e tyre më 1983
organizuan një aksion shumë të rëndësishëm kundër dhunës? Bënë një marshim të
gjatë përmes gjithë Francës, nga Marseja në Paris…,
Në dhomën e Tumit në spital u hodh ideja e një “marshimi për barazi dhe kundër racizmit”, me qëllim që të ndalen shprehje të tilla si “të gjithë arabët s’janë veçse shkatërrues e njerëz të skandaleve”. Kristian Delorm, një prift që i njihte nga afër, u bashkuan me ta. U ka folur për Martin Luter Kingun, i çoi të shihnin një film mbi Gandin. Besoj se e di kush është Gandi!
- E kam parë në fotografi; një burrë trupvogël, pa flokë dhe me syze të rrumbullakët. Nuk është shumë i pashëm. Në fotografi, duket tamam si krijuesi i jodhunës.
-
Megjithatë, duhet thënë se edhe para Gandit ka pasur luftra, në të cilat
njerëzit kanë bërë qëndresë pa rendur pas armëve. Po kjo nuk quhej jodhunë!
Pikërisht me Gandin, kjo fjalë shfaqet për të përcaktuar një mënyrë së vepruari
që nuk ka të bëjë aspak me pasivitetin. Madje, Gandi nuk e pëlqente fare
shprehjen “qëndresë pasive”. Ai hartoi një teori të veprimit të padhunshëm
gjatë luftës që ndërmori për pavarësinë e Indisë.
Për Gandin, jodhuna është një filozofi të jetuari. Është jo vetëm një mënyrë veprimi më e moralshme se dhuna, por edhe më e efektshme. Dhuna të largon nga qëllimi i përcaktuar, ndërsa jodhuna i përshtatet qëllimit. Në fund të fundit, qëllimi nuk është veçse fryt i mjeteve të përdorura që këtej dhe ajo frazë e famshme e Gandit: “Qëllimi është te mjeti, sikurse vetë pema është te fara e saj”.
- Po çfarë konkretisht ka bërë ai?
- Në kohën e tij, në vitet 1900, vendi i tij ishte koloni e Anglisë. Disa mijëra anglezë drejtonin treqind milionë indianë. Sikurse të tjerët, edhe Gandi nuk e duronte dot gjendjen e krijuar: donte t’i jepte fund asaj shtypjeje koloniale dhe ta bënte vendin e vet të pavarur. Qëllimi i tij pra ishte të largonte anglezët, por pa i vrarë. Andaj kërkoi dhe krijoi metoda të reja qëndrese.
- Ia nisën me anë marshimesh?
- Ndër të tjera: “marshimi i kripës”, më 1930, është nga më të famshmit. Anglezët kishin vënë një taksë mbi kripën, një nga pasuritë e vendit. Një ditë, Gandi pati një ide gjeniale: të organizonte një marshim drejt detit për të mbledhur kripë. Çdo ditë, marshuesit përshkonin njëzet a tridhjetë kilometra: të tjerë bashkoheshin me ta. Njerëzit diskutonin me pasion. Shumë gazetarë shkruanin për çka po ndodhte… Dhe kur marshimi arriti në buzë të detit, mes një mizërie njerëzish, Gandi bëri diçka të ndaluar prej anglezëve: mblodhi… një grusht me kripë! Ishte kjo një mënyrë për t’i thënë mbarë botës: “Ne duam pavarësinë tonë!” Shumëkush mendoi se do të arrestohej për gjestin që bëri. Po ai në të vërtetë nuk u kërkoi indianëve të rrëmbenin armët. Anglezët s’kishin ç’të bënin, për më tepër që tërë gazetat e botës flisnin për Gandin. Në fillim e futën në burg, pastaj u detyruan ta lirojnë, duke parë se prapa tij kishte miliona indianë, se fjala e tij kishte peshë dhe se më e mira do qe të diskutohej me të për pavarësinë e Indisë.
- Po marshimi i beurëve, për çfarë shërbeu?
- Sa më shumë që ata i afroheshin Parisit, aq më shumë gjenin përkrahje në format më të ndryshme; të rinj të tjerë u bashkuan me ta. Njerëzve u bënte përshtypje guximi i tyre. Shtypi fliste çdo ditë e më shumë. Aq sa, kur mbërritën në Paris, dhjetëra mijëra vetë po i prisnin. Një delegacion i marshuesve u prit nga Presidenti i Republikës Fransua Miterani, i cili përmirësoi ligjin mbi të drejtën e imigrantëve për qëndrim në Francë. Sigurisht, nuk mund të thuash se racizmi me këtë marshim u zhduk por një gjë e tillë hodhi dritë te mjaft njerëz për gjendjen e fëmijëve imigrantë.
- E habitshme çfarë aksioni i fuqishëm pa dhunë! A mund të më tregosh të tjera si ky rast?
- Patjetër, po do na shkojë ca si gjatë. Ka plot raste të tillë… Shumë më tepër nga ç’pandehet.
* * *
- Ç’mendim ke sikur të të shpjegoj disa parime të veprimit të padhunshëm, duke u nisur nga shembuj të ndryshëm të historisë?
- Posi jo, mos do të thuash se ka këtu njëfarë metode?
- Pak
a shumë. Sigurisht, nuk është se janë parime që bëjnë mrekullira. Varet shumë
se sa i shkathët tregohesh për zbatimin e tyre… si dhe nga kundërveprimi i
kundërshtarit tënd.
Parimi i parë: të përcaktosh saktë objektivat që kërkon të arrish.
- Sa më shumë drejtësi!
-
Domosdo: të gjitha ngjarjet historike, për të cilat po flas, janë luftëra për
drejtësi, po edhe për liri dhe, në fund të fundit, për paqen. Këto janë vlerat
e jodhunës… Për t’i fituar, lipsen qëllime konkrete, realiste. Lufta e Martin
Luter Kingut është mjaft mësimdhënëse në këtë drejtim. Të luftosh për të
drejtat e zezakëve në Amerikë, është diçka e përgjithshme. Por që të arrish në
atë që zezakët të mund të ulen kudo në mjetet e transportit të përbashkët, të
hyjnë në çfarëdo restoranti, të çojnë fëmijët e tyre në të njëjtat shkolla me
fëmijët e bardhë: ja, ndër të tjera, objektiva të sakta.
Për të mundësuar një arritje, lipset të krijosh një grup, madje edhe më tej. Ky është parimi i dytë: të luftosh së bashku me të tjerët që të dëgjohesh, të krijosh forcën e numrit. Çështja është se lufta e përbashkët nuk është bërë siç duhet zakon. Në përgjithësi, parapëlqen të qëndrosh i mbyllur në guaskën tënde. Për të luftuar bashkë me të tjerët, duhet ta ndiesh veten disi të detyruar. Vetëm atëherë njerëzit e zakonshëm mund të bëjnë gjëra të jashtëzakonshme. Të bësh qëndresë, nuk është çështje që i takon vetëm njerëzve të mëdhenj. Me veprime shumë të thjeshta, të realizuara nga njerëz të thjeshtë, arrihen gjëra të mëdha. Tërë luftërat e padhunshme, për të cilat po të flas, kanë nisur nga gjëra të vogla. Më tej, njerëzit fitojnë besimin te vetja dhe ndihen më të fortë për t’u bërë përherë e më shumë të guximshëm.
- Por mund të veprosh në grup me mjete të dhunshme. Ka plot raste këtu!
- E saktë, dhe pikërisht këtu gjërat ndërlikohen. Përherë ka pasur njerëz që mendojnë se dhuna është mjeti më i efektshëm. Në kohën e Martin Luter Kingut, jo pak zezakë mendonin një gjë të tillë. Por duhet treguar se veprimi i padhunshëm, gjithashtu, mund të jetë i efektshëm, madje më i efektshëm se dhuna.
- Si bojkotimi i autobusëve.
- Për
shembull. Po mund të jetë edhe diçka tjetër: një marshim apo një veprim tjetër
origjinal. Shpesh, për të treguar forcën që ke, kundërshton diçka që të
kërkohet. Është kjo një mënyrë tjetër për të mos pranuar të jesh viktimë, “për
të mos bashkëpunuar me padrejtësinë” siç thoshte Gandi. Për këtë, duhet gjetur
një mënyrë veprimi në të cilën të marrë pjesë kushdo. T’u propozosh zezakëve të
mos hipin në autobusë, ishte një mendim i mirë, si dhe ai për të vajtur në
restorantet ku “Ndalohej hyrja për zezakët dhe qentë!” Në raste të tjera,
ndërpret punën: bën grevë. Tek ne, është një e drejtë, por ka vende ku greva
pothuaj është e ndaluar. Atëherë, kemi të bëjmë me një akt qëndrese.
Po të përmend me këtë rast një grevë të famshme të padhunshme.
- Cilën?
- Atë çka
ndodhi në Poloni më 1980. Në atë kohë, polakët nuk ishin të lirë. Drejtoheshin
nga komunistët, që vetë qenë nën urdhrat e komunistëve të tjerë që gjendeshin
në Moskë, në Bashkimin Sovjetik. Sa herë që polakët kërkonin lirinë,
pushoheshin nga puna, futeshin në burg ose qëlloheshin.
Mirëpo,
më 1980, punëtorët e Gdanskut, që ndërtonin anije në kantieret e mëdha të këtij
porti mbi Baltik, hidhen në grevë. Përsërisin atë që patën bërë edhe dhjetë
vjet më parë, kur disa prej tyre kishin sulmuar komisariatet e qytetit dhe
policia kishte qëlluar mbi ta: një kasaphanë e vërtetë, që kishte shkaktuar
dhjetëra të vrarë. Këtë herë punëtorët donin të shmangnin dhunën. U mbyllen
brenda kantiereve të tyre dhe vendosën së pari të mos pinë alkool, për të qenë
sa më të qetë. Në atë vend, ku askush s’guxonte të bënte më grevë, ajo që po
ndodhte qe krejt e papritur.
Shumë shpejt shkuan në vend gazetarë nga Franca, Anglia, Shtetet e Bashkuara…Policia ishte kudo, por megjithatë, disa grevistë arritën t’i shpëtojnë kontrollit të saj. Të takoheshe e të flisje me gazetarë të ardhur nga vendet ”kapitaliste” ishte me shumë rrezik për banorët e vendeve komuniste. Punëtorët e Gdanskut e kuptuan se prania e gazetarëve të huaj ishte një fat që nuk duhet ta linin t’u shpëtonte… I pritëm krahëhapur si lajmëtarë të lirisë!
- Përse?
- Sepse në një ndeshje të padhunshme, gazetarët luajnë një rol shumë të rëndësishëm për t’i shpjeguar botës atë çka ndodh. Mediat polake për shembull, nuk flisnin për grevën, ose kur e bënin këtë, flisnin shumë keq. Mirëpo, kur s’ka artikuj në gazeta dhe as figura në televizor, mundësitë për t’ia dalë mbanë janë shumë të pakta. Ja përse grevistët i pritën mediat e Perëndimit me shumë shpresë… Duke qenë se kërkonin të shmangnin dhunën, mundësitë për të pasur para botës një paraqitje të denjë qenë shumë të mëdha ballë për ballë me kundërshtarë që kishin përdorur tashmë ndaj tyre tanket dhe mitralozat.
- Dhe fituan?
- Greva zgjati pesëmbëdhjetë ditë. U duk sikur do ndërhynte ushtria. Por autoritetet ngurronin. Ashtu si për marshimin e Gandit, flitej për këtë grevë në mbarë botën. Atëherë, pushteti polak u detyrua të hyjë në bisedime me punëtorët. Ata arritën të fitojnë atë çka dëshironin para së gjithave: një sindikatë të pavarur, së cilës i dhanë emrin “Solidaritet” (“Solidarnost”). Më pas, udhëheqësit të grevës, Les Valesës iu dha çmimi Nobel i Paqes.
- Interesante si ngjarje!
- Po
vazhdoj të parashtroj parimet e tjera. Parimi i katërt: të përdorësh forcën e
fjalës. Sikur folëm për këtë. Është më se e arsyeshme. Nuk mjafton vetëm të
veprosh, duhet edhe të shpjegosh veprimin tënd. Forcë fjale do të thotë që të
gjithë së bashku të flasin me një zë të vetëm. Sa më shumë shton numrin për të
kërkuar të njëjtën gjë, aq më shumë shtohen mundësitë për të dëgjuar fjalën
tënde. Ndodh pak a shumë si në shkollë, kur një mësues merr një vendim të
padrejtë dhe kur shumë nxënës shkojnë e takojnë për të ngritur zërin.
Të shpjegosh mirë çka je duke bërë, është shumë e dobishme që të tjerët të të kuptojnë dhe të të përkrahin. Për të ngjallur simpatinë e tyre, humori është një armë më vete. E kemi vënë re gjatë luftës së famshme të padhunshme në Francë në vitet shtatëdhjetë.
- Cila?
Ajo u
blegtorëve të Larzakut. Në atë kohë, disa nuk e kuptonin se çka ishin duke bërë
ata. U duk sikur bëhej fjalë për një lëvizje hipish! Mendohej se Larzaku ishte
shkretëtirë! Shumica nuk e dinin se aty bëhej rritja e dhenve që prodhonin
qumështin për djathin e famshëm Rokfort. Disa blegtorë kishin madje ndërmarrje
shumë moderne.
Një ditë
u përhap lajmi se blegtorët do të dëboheshin nga tokat e tyre, në të cilat do
të vendosej një kamp ushtarak. Ata jo se ishin antimilitaristë, por vendimi iu
duk tepër i padrejtë. Vendosën atëherë të luftonin, por duke përdorur jodhunën.
Por si ta bënin të ditur luftën e tyre?
Më 1972, kur askush nuk dinte gjë për ta, u shkrepi në kokë një mendim i lezetshëm.
- Çfarë?
- Morën dhe transportuan fshehtas dhëntë e tyre në Paris për t’i kullotur nën kullën Eifel! Kalimtarët pyesnin: “Ç’është kështu? Nga vini? Ah, qenkeni fshatarë nga Larzaku! Po ku ndodhet Larzaku? Sa të lezetshme delet tuaja… Po përse e bëni këtë gjë?” Atëherë blegtorët shpjegonin arsyet e zemërimit të tyre. Thoshin se mund të bëheshin të njohur edhe duke thyer ose djegur, por kishin vendosur të tregoheshin të padhunshëm. Domosdo, kishin vënë në dijeni edhe ca gazetarë…
- Po mund të kish edhe njerëz që t’i ngacmonin e t’u thoshin: “S’jemi në një mendje me ju” dhe pastaj t’i kërcënonin…
- Po, gjë
që ndodh shpesh në këto raste! Provokimi është një problem i vështirë në luftën
e padhunshme. Ka përherë nga ata që thonë: “Pa shih! Ju qenkeni me një fjalë të
padhunshëm! Do ta shohim!” Dhe nuk ia përtojnë të sulmojnë manifestuesit për
t’i shtyrë në gabim. Që këtej edhe parimi i pestë: të mbetesh i padhunshëm,
pavarësisht nga provokimet që të bëhen. Dhe kjo, nuk është aspak e lehtë! Duhet
të jesh i ndërgjegjshëm se gjatë veprimit të padhunshëm, rreziku nuk mund të
shmanget plotësisht. Kur lufton, kur kërkon që gjërat të lëvizin, duhet edhe të
rrezikosh. Kjo është po aq e vërtetë edhe për jodhunën.
Sjell ndër mend këtu një rast nga “marshimi për barazi”, për të cilin të fola pak më parë, treguar nga Buzidi, njëri prej marshuesve. Kishin mbërritur pranë qytetit të Loriolit, ku përfundonte etapa e asaj dite, kur një kamionçinë u afrua tek ata. Tre njerëzit që ishin brenda saj, ia nisën nga të sharat kundër tyre. Zbritën me shkopinj nëpër duar dhe me sa dukej edhe një pushkë. U krijua në çast një shqetësim i madh në radhët e marshuesve. Buzidi u ul e rrëmbeu një gur, “gati për t’i bërë sallatë”, sikundër u shpreh. Por shoku në krah i foli prerë: “Lëre gurin përdhe!” Buzidit i ra ndër mend zotimi për veprimin e padhunshëm: lëshoi gurin nga dora. “Arrita në këtë mënyrë fitoren më të madhe që mund të arrijë një njeri: fitoren mbi vetveten. Për herë të parë, po kontrolloja veten: nuk po i përgjigjesha urrejtjes me dhunë.” Befas, dikush foli: “Shpejtoni hapat!” Dhe marshuesit kaluan përpara tre njerëzve me fytyrat kërcënuese, por të heshtur.
- Babi, kam edhe një pyetje në kokë që s’po më shqitet: një diktatori si Hitleri, ç’mund t’i bëjë jodhuna?
- Është
një çështje për të cilën kam punuar gjatë: Ç’qëndresë mund t’i bëjnë një
diktatori burra e gra me duart e tyre të zbrazura? Vërtet, ka mjaft raste kur
përfundimi është tragjik, si për shembull në Kinë, kur studentët e Pekinit
manifestuan më 1989 në sheshin Tienanmen për demokracinë dhe kur u qëlluan me
armë nga ushtria. Megjithatë, një qëndresë me duar të zbrazura paraqet shpesh
një problem të vështirë për një diktator. Është si një kokërrizë rëre që zë e
prish funksionimin e makinës së tij sunduese. Është një dukuri me të vërtetë e
mistershme. Unë vetë, jam munduar që së paku të arrij të kuptoj se çfarë ndodh
në këtë mes, ashtu sikurse kërkohet zgjidhja e një enigme në një roman
policesk! Kam marrë në studim shumë shembuj të këtyre “qëndresave me duar të
zbrazëta”, gjatë kohës kur Hitleri dhe nazistët sundonin Europën, më pas kur
sovjetikët u bënë zot të një pjese të Europës, në të cilën përfshihej edhe
Polonia.
Kur jeton
nën një diktaturë, kur terrori është kudo, është pothuaj e pamundur të veprosh.
Të shkosh në manifestim? Ka rrezik të të arrestojnë në vend, pse jo edhe të të
vrasin! Atëherë duhet të shmangesh. Veprimi i padhunshëm nuk kërkon të bëhesh
hero!
Por nën një diktaturë, ekziston, gjithashtu, edhe një solidaritet midis njerëzve: kur persekutohen, njerëzit priren drejt solidaritetit, shtrëngojnë radhët e tyre. Ka njerëz që ju ndihmojnë në fshehtësi. Në kohën e Hitlerit për shembull, njerëzit fshihnin fëmijët hebrenj.
- Kam parë një film për këtë gjë; një ngjarje që kish ndodhur në një fshat të vogël, më duket.
- Në
Shambon-syr-Linjon dhe në zonën përreth. Një klerik, Andre Trokme, që besonte
te jodhuna, organizoi mbrojtjen e fëmijëve hebrenj që të mos internoheshin nga
qeveria e Vishisë. Së bashku me miqtë e tij, ai i shpëtoi jetën rreth 3 000
fëmijëve që rrezikoheshin me vdekje. Por ka edhe plot raste të tilla të
ngjashme në Francë e në Europë. Të gjithë atyre që u kanë shpëtuar jetën
hebrenjve gjatë luftës, Izraeli u ka dhënë Medaljen e Nderit të Kombeve. Në të
është skalitur fraza: “Kush shpëton një jetë, shpëton njerëzimin.”
Përveç këtyre akteve të solidaritetit, ka edhe njerëz të guximshëm që përpiqen të shprehen…
- Po si konkretisht?
- Me anë të penës ose penelit, nëse janë piktorë! Duhet të dish se arti nuk e duron dot burgun. Artistët dhe shkrimtarët janë shpesh nga të parët që e shprehin dëshirën e tyre për liri. Ata i shembin muret e frikës dhe të gënjeshtrës. Ata duan të thonë të vërtetën. Në Bashkimin Sovjetik, shkrimtari rus Aleksandër Solzhenicin ka qenë njëri prej tyre. Edhe gazetarët janë ndër ata që kanë peshë, duke dëshmuar me anë të artikujve ose fotove të tyre, kur marrin guximin për të paraqitur tmerret që ndodhin në vendet e tyre. E mban ndoshta mend atë fjalën e një gazetari algjerian, Tahar Xhaut, që e kemi lexuar një herë bashkë: “Po të flasësh, do vdesësh, po të heshtësh, prapë do vdesësh, atëherë fol dhe vdis”?
- Shumë e bukur.
- Mund të të jap edhe shembuj të tjerë ku shfaqet roli i fjalës: terreni që fiton ca nga ca fjala, sikurse terreni që fiton ca nga ca liria. Dhe një ditë, kjo fjalë kthehet në veprim. Një ditë, disa marrin guximin dhe zbresin në rrugë për të manifestuar.
- Po sikur është shumë e rrezikshme?
- Ashtu është, po ata, prapëseprapë, arrijnë ta tejkalojnë frikën e tyre. Pa dyshim ngaqë janë së bashku: në grup, ti ke më pak frikë. Është një dukuri tepër e veçantë. Të vetëm, ata janë të pafuqishëm dhe rrezikojnë së tepërmi: të shkosh i vetëm përpara një tanku, është plotësisht marrëzi! Por njerëzit sigurisht “shtyhen” nga diçka tjetër. Një shembull: në Gjermaninë naziste, gratë gjermane protestuan në një rrugë të Berlinit, në shkurt 1943, përpara qendrës në të cilën kishin mbyllur brenda burrat dhe djemtë e tyre hebrenj. Domosdo, frikën e kishin se mos arrestoheshin. Por dinin, gjithashtu, se po të largoheshin që andej, kurrë s’kishin për t’i parë me sy njerëzit e tyre të dashur. Pra s’kishn ç’të humbisnin… U ngulën në vend, duke bërtitur pareshtur, derisa ata u liruan.
- Dhe ia dolën mbanë?
- Pas
dhjetë ditësh. Është një ndodhi e jashtëzakonshme, që tregon se edhe nazistët
detyroheshin ndonjëherë t’ua vinin veshin protestave publike!
Një rast
tjetër ngjan pak a shumë me të. Ka ndodhur shumë vite më pas ngjarjes për të
cilën folëm, dhe konkretisht në Argjentinë më 1977. Pushtetin në atë vend e
kishte marrë gjenerali Valeda, i cili kishte vendosur një diktaturë të hekurt
mbi popullin. Kishte shpikur madje edhe një metodë të re: në vend që t’i
burgoste kundërshtarët e tij, i “zhdukte” një nga një…
- Po në ç’mënyrë?
- Policë
ose civilë rrëmbenin kundërshtarët e regjimit, të vërtetë a të dyshuar, dhe që
atëherë familjet e tyre nuk i shihnin më me sy. Të tërë kishin shumë frikë dhe
askush nuk guxonte të merrej me politikë: diktatori pra mund të rrinte i qetë.
Veçse, ndodhi diçka që atij kurrë s’i kishte shkuar mendja: disa gra u treguan
këmbëngulëse; kërkonin patjetër të dinin çfarë ishte bërë me fëmijët e tyre të
zhdukur. Nëpër zyra u thuhej: ”S’dimë gjë, ejani nesër.” Të nesërmen, e
njëjta gjë. Shumë shpejt, vunë re se nuk qenë të pakta, por të shumta ato që kishin
të njëjtin shqetësim. Në vend që të luftonte secila më vete, ato u bashkuan dhe
vendosën të mblidheshin në një nga sheshet kryesore të Buenos Airesit, në
Sheshin e Majit, për t’u thënë të gjithëve se donin patjetër të dinin se
ç’ishte bërë me fëmijët e tyre. Ishte gati marrëzi, sepse po rrezikonin kokën e
tyre.
Por dashuria ishte më e fortë se frika. I quajtën “të çmendurat e Sheshit të Majit”… Javë për javë, “të çmendurat grumbulloheshin në të njëjtin vend. Policët ndërhynin, u thoshin: ”Zonja, grumbullimi është i ndaluar. Lëvizni nga vendi, ndryshe do t’ju arrestojmë. – Shumë mirë – ia kthenin ato. Ja po qarkullojmë.” Dhe bëheshin dy nga dy, viheshin në rresht dhe i binin Sheshit vërdallë… Më pas, disa prej tyre u arrestuan dhe u torturuan. Por aksioni i tyre nuk kish të reshtur. Sot, ky aksion i tyre është një nga simbolet më të fuqishëm të luftës të padhunshme për të drejtat e qenies njerëzore.
- Kur njerëzit luftojnë në këtë mënyrë, a mund të ndihmohen? Argjentina, është shumë larg!
Mund të
ndihmohen fare mirë, qoftë edhe duke i ndjekur nga larg. Si? Bën të njohur
aksionin e tyre në vendin tënd, duke iu dërguar njëkohësisht të holla ose sende
për të cilat ata kanë me të vërtetë nevojë. Njerëzit që bëjnë qëndresë, shpesh
ndihen në minoritet. Që të ndihen të fortë, kanë nevojë për njerëz dhe shoqata
që i mbështesin nëpërmjet veprimit konkret brenda vendeve të tjera. Gratë
argjentinase e kuptuan shpejt një gjë të tillë. Kur nisën të luftojnë, ishin
krejt të vetme dhe kish rrezik të zhdukeshin sikurse kish ndodhur me fëmijët e
tyre. Ato u ndërgjegjësuan se lipsej patjetër të bëheshin të njohura edhe në
vende të tjera. Dërguan mesazhe kudo në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara te të
njohurit e tyre, si dhe morën takim në fshehtësi me gazetarë. Komunikimi dhe mediat
luajnë këtu një rol shumë të madh, pale tani që mund të përdoret edhe
Interneti. Ca nga ca, njerëzit nga jashtë u erdhën në ndihmë.
Sot,
Dalai-Lama, admirues i madh i Gandit, që mishëron qëndresën shpirtërore të
tibetianëve ndaj pushtimit kinez, bën pak a shumë të njëjtën gjë… Gjatë
udhëtimeve të tij përpiqet të bëjë sa më shumë miq nëpër botë, duke shpresuar
se këto mbështetje të shumta do t’i detyrojnë kinezët t’i rinjohin Tibetit një
autonomi të vërtetë.
Mënyrë
tjetër për të ndihmuar njerëzit që janë nëpër burgje për shkak të ideve të
tyre: t’u shkruash e t’u dërgosh letra. Nëse një i burgosur merr një letër nga
dikush që banon në Francë a gjetiu, kjo është me shumë rëndësi për atë vetë…
dhe rojet e tij. Kjo do të thotë se, edhe larg, është dikush që njeh emrin dhe
adresën e tij. Kjo, gjithashtu do të thotë se ka më pak rrezik që ai të
torturohet dhe sidomos të zhduket. “Me këtë penë të thjeshtë, ne ju vëmë në
duar një armë të fuqishme e të efektshme”, deklaron Amnisti Internacionali.
Por mund
të ndihmosh edhe duke shkuar në vend. Sigurisht, është një zotim më i
rëndësishëm dhe ndonjëherë i rrezikshëm. Për të luftuar kundër zhdukjes së
njerëzve, një Shoqatë, e quajtur Brigadat Ndërkombëtare të Paqes, ka organizuar
edhe shoqërimin e njerëzve që kërcënoheshin nga një rrezik i tillë. Është më e
vështirë të arrestosh dikë para syve të një vëzhguesi të huaj, i cili nuk
ndërhyn në konflikt. Nëse do t’i kërkojnë, për shembull, të shoqërojë një
manifestim, ai nuk merr pjesë në manifestim, por rri i mënjanuar, në vend të
dukshëm, me aparatin e tij fotografik.
Sot, shumë organizata joqeveritare (OJQ) përpiqen të kryejnë aksione ndërhyrjeje dhe ndërmjetësimi, me qëllim që njerëzit të rreshtin së ndeshuri midis tyre. Kjo quhet ndërhyrje civile. Mjaft të rinj shprehin interes për të tilla shoqata, duke dashur t’u shërbejnë të tjerëve, por ndoshta edhe të prirur në njëfarë mënyre drejt së papriturës. Ata duhen formuar e përgatitur për misionin e tyre, në kuadrin e një shërbimi të vërtetë civil për paqen. Krahas veprimtarisë së shteteve, ushtarakëve e diplomatëve, OJQ të tilla luajnë një rol mjaft pozitiv. Kemi të bëjmë këtu me një perspektivë të ardhmeje.
- Ka edhe një çështje të fundit që dua të sqaroj: a nuk të duket se, në raste të caktuara, dhuna megjithatë është e nevojshme?
- Më
duket sikur e theksova që veprimi i padhunshëm, prapëseprapë nuk është një
zgjidhje mrekullie. Një thënie e Gandit këtu është mjaft e qartë: ”Nëse
duhet zgjedhur midis frikës dhe dhunës, më mirë ia vlen të zgjedhësh dhunën.”
Dhuna është mjeti i fundit për përdorim. Mund të përligjet për shembull në
rastet kur i shkon në ndihmë popullsive pa mbrojtje, që masakrohen, viktima të
krimeve aq të llahtarshme dhe të organizuara sa quhen “krime ndaj njerëzimit”
apo “gjenocide”. Në këto raste bëhet fjalë për t’i mbrojtur. Megjithatë,
përdorimi i forcës së armatosur është larg së qeni një zgjidhje e sigurt. Si të
ndërhyhet? Me ç’mjete? Për çfarë objektivash të caktuara? A rrezikon të
keqësohet gjendja e viktimave?
Mirëpo,
s’duhet harruar se kjo lloj tragjedie nuk është se shkaktohet sot për nesër.
Gjithmonë ka shenja paraprake të shfaqura gjatë viteve të mëparshme, pak a
shumë si bubullimat që paralajmërojnë shpërthimin e furtunës. Mjaft herë,
parapëlqen të mbyllësh veshët ose të besosh se furtuna do të kalojë. Këtë gjë
bënë europianët në kohën e Hitlerit në vitet 1930. Nuk i mbështetën me të
vërtetë ata që, në Gjermani, bënin përpjekje për t’iu kundërvënë nazistëve ose
që protestonin ndaj persekutimit në rritje të hebrenjve. Më 1938, Franca dhe
Anglia menduan madje se mund të bënin paqe me Hitlerin, duke nënshkruar
marrëveshjet e Munihut. U gënjyen rëndë: një vit më pas, në Evropë shpërtheu
lufta.
Ndodhi disi në këtë mënyrë edhe në fillim të viteve 1990, kur presidenti i Serbisë, Sllobodan Millosheviç u hoqi shqiptarëve të Kosovës të gjitha të drejtat. Këta filluan atëherë një qëndresë të guximshme të paarmatosur me në krye Ibrahim Rugovën. Mirëpo, që të fitonin, duhej të ndihmoheshin nga jashtë, duhej që veprimet e tyre të njiheshin edhe më shumë. Andaj Ibrahim Rugova dha alarmin: “Kujdes, në Kosovë gjendja është acaruar së tepërmi. Na ndihmoni.” Por askush nuk ia vinte me të vërtetë veshin, veç disa intelektualëve, që i bënin jehonë fjalës së tij. Gjatë kësaj kohe, Millosheviçi vazhdonte të bënte krime nga më të llahtarshmet. Shumë raste për të mbështetur luftën paqësore të shqiptarëve të Kosovës nuk u shfrytëzuan. Sa më pak u vihej në ndihmë, aq më shumë shtohej terrori ndaj tyre nga ana e Millosheviçit. Pas vitesh të tëra pa ua vënë veshin, u krijua më në fund bindja se bëhej fjalë për një diktator dhe se nuk mbetej tjetër veçse një “zgjidhje”; t’i shpallej lufta.
* * *
Le të
përfundojmë, megjithatë, me një mesazh shprese: më 1998, gjithë shtetet e botës
të mbledhura në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) i shpallën vitet
2000-2010 “Dhjetëvjeçar i kulturës e i paqes dhe i jodhunës për fëmijët e
botës”. Një grup nobelistësh të paqes hartuan për këtë një manifest të
shpërndarë nga UNESKO-ja. Në të i kërkohet konkretisht gjithsecilit:
Të zotohet për të zbatuar jodhunën aktive, duke hedhur poshtë dhunën në të
gjitha format, fizike, seksuale, psikologjike, ekonomike e shoqërore;
të zotohet për të bërë ndarje të kohës dhe të burimeve të tij materiale,
duke kultivuar bujarinë, me qëllim që t’i jepet fund përjashtimit shoqëror,
padrejtësisë dhe shtypjes politike e ekonomike;
të zotohet për të mbrojtur lirinë e shprehjes dhe larminë kulturore, duke i
dhënë vazhdimisht rëndësi dëgjimit dhe dialogut;
Një program vërtet madhështor që përfshin për herë të parë temën e jodhunës dhe që do të mbetet shenjë e kohërave të ardhshme. Të takon ty, mua, dhe gjithsecilit prej nesh të marrim pjesë në të.
Përktheu nga frëngjishtja
Fotaq Andrea
1. Të rinj maghrebinë, prindërit e të cilëve janë vendosur në Francë (shënim i përkthyesit).