E diele, 28.04.2024, 08:46 PM (GMT+1)

Mendime

Xhylije Ibrahimi: Marrëdhëniet Shqipëri-ShBA

E shtune, 01.12.2012, 11:32 PM


Marrëdhëniet Shqipëri-ShBA në 100-vjetorin e pavarësisë

Lidhja e Prizrenit shërbeu si pikënisje e interesimit amerikan për Shqipërinë

Lidhja Shqiptare e Prizrenit i kaloi kufijtë e Evropës dhe të Oqeanit Atlantik dhe u reflektua edhe në shoqërinë amerikane. Gazeta më e madhe për nga tirazhi “The New York Times”, që botohej në New-York, gati për çdo numër të saj informonte për ngjarjet e Lidhjes së Prizrenit.

Shkruan: Xhylije IBRAHIMI

Rishikimi i marrëdhënieve Shqipëri-ShBA, në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, në dritën e dokumenteve arkivore, ka një rëndësi të madhe për historinë dhe diplomacinë shqiptare, sepse qëndrimi i SHBA-ve ishte vendimtar për ekzistencën e shtetit. Ngjarjet kryesoret që zgjuan interesimin amerikan për çështjen shqiptare, ishin Lidhja Shqiptare e Prizrenit (1878-1881) dhe Mërgata Shqiptare në Amerikë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit i kaloi kufijtë e Evropës dhe të Oqeanit Atlantik dhe u reflektua gjithashtu në shoqërinë amerikane. Gazeta më e madhe për nga tirazhi “The New York Times”, që botohej në New-York, gati për çdo numër të saj informonte lexuesit e vet për ngjarjet që zhvilloheshin në viset e banuara nga shqiptarët, si dhe për rezistencën e shqiptarëve. Me këto informacione, të dhëna nga kjo gazetë, mërgata shqiptare e kishte më lehtë të afirmonte çështjen shqiptare në SHBA. Lidhjet e para në mes Amerikës dhe popullit shqiptar vihen me arritjen  e mërgimtarëve shqiptarë në Amerikë. Me ardhjen e njerëzve të arsimuar në mesin e mërgatës shqiptare në SHBA, mërgata fillon të organizohet dhe po ashtu të organizojë edhe veprimtari patriotike. Mërgimtarët, të vetëdijshëm se krahas punës për kafshatën e gojës dhe mbajtjen e familjeve të tyre, duhej të punonin edhe për çështjen kombëtare, filluan të organizohen dhe formojnë shoqëritë kulturo-arsimore e patriotike. Kështu në vitin 1906 u formua shoqëria “Malli i Mëmëdheut”, nga shqiptarët në Bufallo. Një vit më vonë, shqiptarët e Bostonit formojnë shoqërinë “Besa-besë”, pastaj “Lidhja” e shoqëri të tjera. Këtyre organizatave që tubonin mërgimtarë të arsimuar, të ardhur nga Shqipëria, një vend i vogël, i  vuajtur, i copëtuar, vend me shumë armiq përreth saj, u ra për hise që të informojnë opinionin amerikan se çfarë po ndodhte përtej oqeanit, atje në Shqipërinë e largët e të mjerë. Dhe për këtë qëllim, Petro Nini Luarasi, Sotir Peci dhe Theofan Stilian Noli, në vitin 1906 vendosin të nxjerrin gazetën shqipe “Kombi”. Drejtori i saj, Sotir Peci, në numrin e parë të botuar 9 qershor 1906, në faqen e parë botonte programin e këtij “organi të interesave shqiptare që ka për detyrë të parë të mësoj dhe të botoj lajmet mbi lëvizjet jo vetëm në Shqipëri dhe të atyre vendeve për të cilat kemi interesa, por edhe gjendjen e atdhetarëve të këtushëm, do të jetë me pak fjalë lidhje e Amerikës me Shqipërinë”. Më vonë, në vitin 1910, në Amerikë vendoset edhe intelektuali Faik Konica, që së bashku me Fan Nolin, Kristo Dakon dhe atdhetarë të tjerë, në vitin 1912, prej 13 shoqërive patriotike formojnë Federatën Pan-shqiptare “Vatra”, me seli në Boston. Gazeta “Dielli “ u bë organi zyrtar i federatës “Vatra”. Kjo federatë luan një rol të rëndësishëm në informimin e qytetarëve amerikanë rreth zhvillimeve në Shqipëri, rreth vuajtjeve të popullit shqiptar, spastrimeve etnike të viseve të banuara nga shqiptarët dhe jo vetëm, por edhe të copëtimit të trojeve shqiptare. Pos shkrimeve,  mërgimtarët shqiptarë organizuan edhe mitingje të ndryshme në qytete të ndryshme të Amerikës. Mitingu i parë pan-shqiptar u mbajt më 13 maj 1910 në Boston, për të kundërshtuar masakrat turke kundër popullit shqiptar. Më pas, në prill 1913 u mbajt mitingu për të “mbrojtur tërësinë tokësore të Shqipërisë”, nga i cili miting i dërgohet rezolutë udhëheqësit të Konferencës së Ambasadorëve, Edward Grey, ku theksohej se “30,000 shqiptarë u përfaqësuan në mitingun e madh të mbajtur në Boston, kundër copëtimit të Shqipërisë midis fqinjëve”. Ky aktivitet i mërgimtarëve shqiptarë kontribuonte në zgjerimin dhe forcimin e marrëdhënieve amerikano-shqiptare. Për njohjen e realitetit shqiptar në SHBA, pos emigrantëve, kanë kontribuar edhe përfaqësuesit diplomatikë amerikanë të vendosur në shtetet fqinje të Shqipërisë, si në Serbi, Bullgari, Itali, të cilët, përmes raporteve të tyre, njoftonin mbi gjendjen e vështirë të popullit shqiptar.

Jo bamirësi, por drejtësi, ishte thirrja e shqiptarëve

Me njohjen e këtyre problemeve dhe jetës së vështirë të popullit shqiptar, personalitete dhe aktivistë amerikanë pranë Fondit për Ndihmë Shqipërisë, si Çarls Krejn, Pil Vili, vendosin që përmes pamfleteve të njohin popullin amerikan me gjendjen në Shqipëri dhe më pastaj të kërkonin ndihma për popullin shqiptar. Pil Vili i cili viziton Shqipërinë në vitin 1914, shkruan se as që mund ta mendonte “se në Shqipëri do të gjendeshin aq shumë vuajtje të tmerrshme njerëzore”. Në një nga informacionet e ambasadorit amerikan në Itali, Nelson Pexh, flitet për dërgimin në Shqipëri të njërit prej anëtarëve të personelit të ambasadës për të vëzhguar situatën dhe gjendjen kritike të refugjatëve shqiptarë, pas gjenocidit të trupave greke. Ambasadori i SHBA-së në Athinë, George Fred Williams në librin e tij “Shqipëria” shkruan se nuk ka rast më të mirë për bamirësi se me vu në vijë vetëqeverimin shqiptar dhe me hap dyert e qytetërimit për ta, të cilët magjia e politikës evropiane i ka mbajtur mbyllur. “Jo bamirësi, por drejtësi” është thirrja e shqiptarëve. Përmbi retë e zeza të imperializmit dhe të militarizmit evropian, rrezet e shkëlqyera të demokracisë amerikane duhet t’i ndriçojnë rrugën njerëzve për një jetë më të mirë dhe për idealin pa fund. Anton Arnu, një gazetar i shquar frëng, theksonte se shqiptarët janë një popull i mirë, por mjerisht pa agjentë shtypi. Si popull i panjohur, ka nevojë për agjentë shtypi që historia e shqiptarëve t’i bëhet e ditur popullit amerikan, në mënyrë që Amerika t’i jap dorën këtij populli për ta ngritur nga mjerimi në një jetë të re e të lirë. Leo Frojndlihu, hebreu që protestoi kundër zhdukjes masive të shqiptarëve nga serbët, në vitet 1912-1913, në rrëfime të dokumentuara, me titull “Golgota shqiptare”, vitin 1913 e quajti “vit i krimeve dhe shfarosjes së shqiptarëve nga serbët”. Libri i tij "Akuza që ulërijnë", është dëshmia e parë për shfarosjen kolektive të një populli evropian para atij Ebraik. Holokausti mbi shqiptarët, ku serbët vranë 500.000 njerëz, vetëm në veriun e Shqipërisë, gjatë vjeshtës së vitit 1912 dhe masakruan 250 mijë shqiptarë. Kopja e vetme e librit të Freundlih "Akuza që ulërijnë", i cili përmban protestën ndaj Evropës që nuk reagoi në mbrojte të shqiptarëve gjatë zhdukjes masive të pjesës më të madhe të këtij populli në Ballkan, është gjetur në bibliotekën e Universitetit të Harvardit në SHBA, në vitin 1982. Në prill të vitit 1914, pas djegieve dhe masakrave të bëra nga forcat greke, ku numëroheshin më shumë se 250 fshatra të shkatërruara dhe mijëra banorë të vrarë, banorët e rrethit të Korçës, Kolonjës, Leskovikut dhe Tepelenës u detyruan të kërkonin shpëtim duke u shpërngulur drejt brendësisë së vendit, në krahinat që ndodheshin nën pushtetin e qeverisë shqiptare. Qeveria e Durrësit nuk pati mundësi t`iu vinte në ndihmë. Në fillim të qershorit të vitit 1915, Fondi për Ndihmë Shqipërisë i dërgon një letër presidentit të SHBA-së, nëpërmjet së cilës e njofton për situatën e vështirë në Shqipëri dhe thekson se Italia e ka bllokuar Shqipërinë, që është shtet i pavarur dhe se gjysmë milioni njerëz po vdesin nga uria, ndërsa 100.000 tashmë kanë vdekur. Fondi për Ndihmë Shqipërisë dërgoi tri anije me ushqim në Shqipëri, ndërsa anija e katërt “Albanija” u pengua nga Italia, ku shumë detaje kanë mbetur të pa sqaruara, por që Nelson Pejxh i sheh shkaqet e këtij incidenti në mosbesimin e italianëve ndaj ndihmës amerikane për Shqipërinë, ndërkohë që as anglezët nuk kishin tentuar t`i heqin pengesat që vunë italianët, sepse ata nuk dëshironin që SHBA të përzihet në kombinacionet e tyre në Shqipëri. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore e gjeti Shqipërinë jo vetëm të ndarë në katër zona të veçanta pushtimi, por edhe të dëmtuar rëndë ekonomikisht. Përfundimi i luftës shtoi përpara fitimtarëve vendosjen e paqes kurse përpara shqiptarëve - problemin e rifitimit të pavarësisë e të mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë. Pas Luftës së Parë Botërore, me pjesëmarrjen e SHBA-ve dhe të Japonisë në Konferencën e Paqes, pasi që edhe ato ishin pjesëmarrëse të luftës, vendosja rreth marrëveshjeve do të kalonte nga kontinenti i vjetër, edhe në kontinentin e ri. Dhe kjo do të thoshte se tashmë çdo ri-rregullim i ardhshëm varej nga interesat dhe pikëpamjet e shtetit amerikan për Detin Mesdhe. Presidenti i SHBA-së Uillson (Woodrow Wilson), i cili në fjalimin tij, ku kërkonte shpalljen e Luftës, kishte deklaruar se ”Është diçka e frikshme të çosh këtë popull të madh paqësor në luftë... Por e drejta është më e çmuar se paqja dhe ne do të luftojmë për çështjet që i kemi ruajtur gjithmonë si më të dashurat në zemrat tona, për demokracinë, për të drejtën e atyre që i nënshtrohen pushtetit, që t’u dëgjohet zëri në qeveritë e tyre, për të drejtat dhe liritë e kombeve të vogla, për një pushtet universal të së drejtës, nëpërmjet një bashkimi të tillë të popujve të lirë, që do t’u sillte paqen dhe sigurinë gjithë vendeve dhe do ta bënte më në fund vetë botën të lirë”. Me përfundimin e luftës rreth çështjes shqiptare në Konferencën e Paqes në Paris (1919) Uillson angazhohet në dy drejtime: rreth kufijve jugor të Shqipërisë, po ashtu rreth okupimit të Vlorës dhe mandatit italian mbi Shqipërinë. Më vitin 1922, Departamenti i Shtetit të SHBA-ve e njeh de jure qeverinë e Shqipërisë, duke emëruar Maksvell Bllejkun përfaqësues të parë diplomatik, i cili nënshkroi marrëveshjen e parë diplomatike me qeverinë shqiptare. Në Tiranë u hap Konsullata e Përgjithshme e SHBA-ve. Pos marrëveshjes për lidhjen e marrëdhënieve diplomatike midis SHBA-ve dhe Shqipërisë, korrik 1922,  fillon edhe lidhja e marrëveshjeve ekonomike.

(Autorja vijon studimet Master në Kolegjin Victory në Prishtinë, drejtimi Diplomaci dhe Marrëdhnie Ndërkombëtare)



(Vota: 197 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora