Mendime
Jozef Radi: Nji urim i beftë për Rita Orën
E shtune, 01.12.2012, 04:49 PM
Nji urim
i beftë për Rita Orën
Nga Jozef Radi
Emni Rita
Ora, prej kohësh e rreh veshin tim, po siç ndodh random me gjithë ata që kanë
tashma nji reliev të përcaktuem të shijeve dhe ekzigjencave të tyne muzikore, e
shtyjnë pak me arrogancë në shpërfillje ose i lejojnë nji hapsinë aq të vogël
asaj çka ndodh përreth, sa nji ditë mbeten paksa jashtë kohe, bash prej këtyne
mënyrave selektive e shijeve të tyne, fatkeqsisht të paaxhornuara…
E ndërsa
“shetisja” ashtu i përhumbun midis flamurëve të nji feste të madhe ndër
shqiptarë, befas bukuria tallazuese e Kim Kardashian m’u shfaq e plotë, veshun
e gjitha në të kuq me nji shqiponjë që i rrinte gjoksit të saj si nji grafullim
tundues…
Mendova
se asht nji lojë… Po edhe nëse asht lojë fotoshopi – thashë, – i lumtë atij që
e ka mendue! Ndala pak ma gjatë dhe e kundrova at bukuri të veshun me diçka që
m’përkiste edhe mua, e kjo më dha nji afërsi të çuditshme, nji atmosferë
dashnie që merr befas kuptim dhe ti s’e gjen psenë e kësaj që ndodh me ty…
Megjithatë, thashë, po e gërmoj pak psenë e këtij operacioni mediatik dhe gjeta
ndër rreshta se… i vëllai i Kim: Rob Kardashian, ishte afërsisht “i dashtuni” i
Ritës, kangtares së lindun në Kosovë në vitin 1990…
Pra, nji
lidhje ishte… ashtu krejt pa lidhje nuk ishte!!!
Po kush
dreqin na qenka kjo Rita Ora, që paska kaq pushtet në muzikë dhe që unë s’po
ditkam asgja… thashë me vete, dhe ia nisa nji udhëtimi kërkues që më zhyti ndër
botë të panjoftuna rinie… Mbrenda pak çastesh ti e gjen veten mes nji mrekulli
të pabesueshme: takohesh me nji vajzë të ikun nga vendi i saj, dhe ndjen nji
artiste komplete, me përmasa të jashtzakonshme, artiste që pak çaste ma parë
ishte për ty krejt e huej, e largët, askushi…
Hej injorant!
– i thirra vetes – dhe vazhdova zhytjen nëpër at natë magjike, ku nji bionde
sensuale, diçka ma shumë se njizet vjeçe, të afronte gjithçka: mbi të gjitha
nji za plot jetë me nuanca e vibracione grabitëse; energji dhe shlirtësi të
natyrshme, nji timbër edhe pse disi të ngjashëm e të krahasuem me superyjet e
momentit, kishte diçka të vetën, të pangatrrueshme, rrebel; kisha njoftë
kangtaren e nji brezi që jeton në rrugë, në hare, në shkujdesje të plotë dhe
pashë se ajo, me nji lehtësi të pabesueshme, ishte nji prej atyne…
Ishte nji
udhëtim rrëmbyes… mahnitës… që më detyroi me kuptue se kangë mbas kange
përballesha nji personalitet muzike, me nji arrogancë të pabesueshme vokale, që
i kishte thye gjithë portat dhe hendeqet dhe me drejtohesh me forcë: Sonte jam
unë mbretnesha e shijeve të tua… Unë… dhe askush tjetër!!!
Dhe ti
ndjehesh i vogël dhe i madh njiherësh: i vogël pse vizita jonë në kangët e saj
asht në kufijtë e të qenit i 100 milionti; i madh sepse ajo i ka dhanë nji
përmasë të re shpirtit tand, nji përmasë që prej kësaj nate s’mundet kërkush ta
vrasë…
Ishte nji
udhëtim që e kapërceu mesnatën pa u ndje, që më futi atje ku s’e besoja, më
bani të ndjehesha adoleshent, i pamoshë, i papranguem; të ndjehesha njiherësh
planet dhe grimcë… dhe e gjitha kjo prej asaj vajze që kishte kapërcye hendeqet
dhe ngurtsinë e etapave ngutshëm falë nji talenti dhe energjie të pabesueshme…
Ajo ishte nji vajzë kosovare, që pjesën ma të madhe të jetës e ka kalue në
Angli, e që raportet muzikore i kishte me ma të randsishmit e kohës së vet; nji
vajzë që shfaqej ngado skenave si nji prej kangtareve ma të sukseshme të
panoramës muzikore botnore…
Të
Falemnderës Ritë,
zani yt
prej sot, prej kësaj mesnate vjeshte, iu ba pjesë e atij relievi tashma të
konfiguruem qartë, edhe pse me pak vonesë, e ndjeu se zani yt i paska mungue pa
e ditë as ai vetë pse…
Ndërsa
nata e mbyllte ciklin e vet duke u futë te dita e re, pashë se n’at shoqni
magjike e të pabesueshme të kësaj çupuline të skenës dhe spektaklit, ajo kishte
mbushë 22 vite të jetës së saj…
O Zot –
thirra! Rita Ora mbushte at çast 22 vjeçe: e pabesueshme!
Më
takonte ndër të parët me e urue…!
Takoheshim
papritmas në vetminë e nji nate dhe ndjeheshim miq prej kur s’mbahej mend… Edhe
njiqind ditë si kjo Rita!
Çfarë
mund t’i uroja tjetër?! Asgja ma shumë se at pavdeksi që zani i saj tashma e
ka; at mrekulli që ma kishte falë aq papritmas dhe që tash e kisha të pamundun
ta braktisja…
Nji
falenderim ari Rita Ora, për magjinë e kësaj nate, ku krejt rastësisht të
njofta ty, zanin tand, të cilin mjaft prej atyne që sot ndjehen dive të kangës,
ta lakmojnë…
U ndala
për pak dhe mora frymë thellë! Gjithë kët shkrim e kisha shfry nën tingujt e
kangës së saj “Hello, hi, goodbye!”, dhe pa frikë mund të shprehem se mund ta
ndigjoj pa u lodhë për nji kohë të pacaktueme… dhe jo vetëm atë…
Prej
kësaj nate, bjondja e lindun në Kosovë, e që sot jeton skenave të mëdha, Rita
Ora, nji prej mbretneshave të popit botnor, asht edhe mikja ime… Uroj të jetë
edhe mikja e gjithkujt që s’u lodh së lexuemi këto shënime mesnate, nën
shoqninë magjike të Rita Orës!!!