Mendime
Visar Zhiti: Përballë përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut
E shtune, 24.11.2012, 09:14 AM
Përballë
përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut
Nga Visar Zhiti
Përkrenarja
dhe shpatat e Skënderbeut vijnë për herë të parë në vendin e të zotit të tyre
legjendar dhe çdo shqiptar ka mundësi t’i kundrojë dhe të meditojë, p.sh., për
epokën kur u deshën ato, për shekujt që i harruan, për kohërat që nuk i
risollën dot, për ruajtësit e tyre, për ditën e sotme që t’i vë përballë, etj,
etj. Natyrisht ato kanë aftësinë të ndikojnë që ti të besosh më shumë në
sakrificat e popullit tënd, në vërtetësinë e tyre tronditëse, në përpjekjet
shekullore për të bërë shtetin tënd, në realitetet, që tashmë i kanë mbuluar
mjegullat. Ato pajime të çmuara dhe unike të Heroit tonë Kombëtar erdhën për
t’i parë gjithkush, pasardhësit e mijëra e mijëra luftëtarëve dhe komandantëve
dhe të rënëve nën urdhrin suprem të zërit të Atdheut. Gjithsesi ato kanë forcën
e emblemave tona superbe: shpata që mbrojti kufijtë e vendit, identitetin,
lirinë dhe përkrenarja sovrane, jo ajo e betejave, tjetra, po aq hijerëndë, që
të jep idenë e qeverisjes.
Që të mos
humbnin si shumëçka në pushtime dhe kryengritje, fati i çoi matanë detit me
eksodet e para të mëdha të shqiptarëve. Patën një udhëtim të çuditshëm me
mistere, me heshtje dhe përkujdesje, deri sa përfunduan në një nga muzeumet më
të bukura të Vjenës. Aventurë europiane, do të thoshim.
Ndërsa
lavdia e të zotit të tyre merrte përmasa edhe më të mëdha, sikur ribënim
vetvetet e dëshiruara. Shtoheshin statujat e Skënderbeut nëpër kryeqytetet e
Evropës, sheshet merrnin Emrin e tij, kaluan dhe kontinentin, shkuan në Amerikë
e Azi e Australi. Dhe bronzi skënderbejan ka domethënie metaforike, më të
vërtetë ndonjëherë se vetë bëmat historike, duke u bërë më i fortë si realitet
i gjithmontë duke mposhtur realitetet e përkohshme. “Impavido difensore della
civiltá Occidentale” – është shkruar në piedestalin e shtatores së Gjergj
Kastriotit - Skënderbeut në Romë në sheshin e gjërë me emrin ‘
Skënderbeu
u fut në përfytyrimin e kohëve dhe të popujve, mbase diku në fillim si rebel e
kryengritës e vetmitar i madh, por dhe si atlet i Krishtit, pastaj si udhëheqës
e burrë shteti, duke qenë dhe kryediplomat, orator i shkëlqyer, vizionar i së
ardhmes, ndër strategët më të mëdhenj në botë, sa sot është konsideruar edhe si
komandanti i parë i supozuar i NATO-s, sepse do të udhëhiqte një koalicion
Perëndimor, një kryqëzatë të atëhershme kundër pushtimit osman, superfuqisë së
vetme të kohës, së cilës iu bë pengesë, mur mbrojtës për Europën, kështjellë e
pamposhtur deri sa qe gjallë.
Prandaj armët e Skënderbeut, përkrenarja e tij, janë dhe pajime të Europës së Bashkuar. Ne jemi ndër luftëtarët e saj të parë, që, për fat të keq, e humbëm Evropën dhe rigjetja e saj, bashkimi i natyrshëm me të, nuk janë vetëm aspiratë dhe përpjekje e jona, por duhet të jetë dhe detyrë e Europës, mirënjohje e saj për sakrificat, si të thuash duhet të jetë dëmshpërblimi që i bëhet Shqipërisë së persekutuar në 5 shekujt e fundit.
Ankthi i të parit
Të shihje
përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut ishte ëndërr e hershme e çdo shqiptari,
ankth, kompleks, “...në Belvedere në Vienë/ sikur pashë vetë Skënderbenë”, - do
të ngazëllehej Naim Frashëri, kur u qëndroi pranë dy shekuj më parë, teksa
shkoi i sëmurë në kryeqytetin e Austrisë. “...kam qejf t’i marr në dorë/ por
muzeu ka rregulla dhe drejtorë.” – përsëriti Dritëro Agolli, edhe ai në Vjenë.
Por Shqipëria ishte e mbyllur, diktaturë, jetonte si në rrethim, qytetarët e
saj nuk dilnin dot dhe ishin më të varfërit në Europë. Në muzeumet tona ishin
kopjet e pajimeve të Skënderbeut, imitacionet, që, teksa i shihnim, na
ngjallnin trishtimin e të pavërtetës dhe na dërrmonte asosacioni që jetonim në
kohën e mashtrimeve të mëdha dhe të dhunshme...
Kur ra
perandoria komuniste dhe Shqipëria po hapej, shqiptarët u dyndën në eksodin e
tyre të dytë të madh, nuk po i iknin ndonjë pushtimi të huaj, por atij të
izolimit, të dhunës dhe varfërisë së skajshme, donin të preknin lirinë, Europën
e kulturës dhe të mirëqenies. M’u dha rasti dhe mua të shkoja për ca ditë në
Vjenë dhe kujtoj endjet e mia delirante si ai që kërkon të vërtetën, kërkoja
përkrenaren dhe shpatën e Skënderbeut. I gjeta në një muze me ndihmën e një
studenti austriak, Günter Gügenberger, që më udhëhiqte me hartë në dorë. Ja,
shikoi, më tha. U ula mbi dysheme pranë përkrenares dhe po shkruaja i përlotur.
Kujdestarët e muzeut, kur më panë ashtu, më lanë pa më thënë gjë. Mbaj mënd një
vogëlushe japoneze, që sapo u fut në pavionin e përkrenareve, klithi e
magjepsur dhe vrapoi duke më kapërcyer mua për tek ajo e Skënderbeut. Mbase e
joshi dhia mitike, prarimet e florinjta. Dhe vërtet përkrenarja e Skënderbeut
ishte më e bukura aty.
Gjithsesi
ato do të shkëlqejnë madhërishëm, me një gëzim të gjallë, të vërteta këtë herë
në vendin e tyre, në kryeqytetin e atdheut të Skënderbeut, jo shumë larg
shtatores së tij, ku ai mbi kalë ka në dorë një shpatë parade, simotrën e asaj
që e sollëm nga larg, nga Europa Qendrore, ku ka mërguar që të dëshmojë luftën
tonë për liri.
Dy
përkrenaret, e bronzta mbi kryet e Heroit në sheshin “Skënderbej” dhe e vërteta
pak më tutje, në Muzeun Kombëtar. Mbase dy dhitë mitike do t’i bëjnë shenja
njëra-tjetrës, në mirëkuptim të plotë, pa xhelozi, të bindura tani që i
shërbejnë kujtesës historike dhe kodit të jetës. Shteti shqiptar mbush 100 vjet
pavarësi, po ai i hodhi themelet me Skënderbeun, 5 shekuj më parë, me zanafillë
shumë më të hershme, me shtetet ilire.
Tani që
në Tiranë janë pranë e pranë dhe Libri ynë i parë, “Meshari” dhe bashkëkohëset
e tij, përkrenarja me shpatën e Heroit Kombëtar, ndjejmë më mirë peshën sublime
të kohëve, thellësinë e tyre prej rrënjësh. Më tej është Maozoleu Mbretëror, i
porsa ringritur...
Na presin vepra të tjera madhore, nga ato që krijojnë kujtesë kolektive, ndërgjegje kombëtare dhe përgjegjësi të lartë. Haleluja!