Mendime » Radovani
Fritz Radovani: A ''gaboi'' imzot Luigj Bumçi, në vitin 1920!?
E enjte, 22.11.2012, 06:52 PM
A “GABOI” IMZOT
LUIGJ BUMÇI, NË
VITIN 1920 !?..
Në 100 vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI
Kisha me thanë se jo
vetem “gaboi” Ai vetë, po bani me “gabue” edhe Papen…
Edhe pse pjesa ma e madhe e Shqiptarëve, bashkë me
Trojet e veta, kishte mbetë jashtë asaj copë tokë që në vitin 1912 i kishin vue
emnin “Shqipni”, prapseprap nuk munguen të gjitha perpjekjet e Atdhetarëve tanë
per me mujtë me i bashkue edhe ata Troje, që mund të bashkonin, e që fqinjët,
padrejtësisht, kerkonin me i mbajtë me paturpësi nen sundimin e tyne barbar.
Mbas vitit 1912 Shqipnia e Pavarun nga Turqia nuk mërrijti me u shkundë nga
balta e mentalitetit të anadollakëve, që shikonin Atdhetarët tue vrapue në
Vlonë me ngulë shtizen e Flamurit, se në pelhuren e kuqe të Tij ua vriste synin
Shqipja Dykrenare e Gjergj Kastriotit...Një pjesë e mirë nuk vonoi me tregue ftyren e vet të vertetë
pa kalue as viti nga 28 Nandori 1912, edhe pse dukeshin të gëzuem e të qeshun,
ma shumë ishin të piklluem dhe të ngerdheshun nga ajo ngjarje e madhe historike.
Zemra e tyne “e plasun” ishte e vetmja që dinte sa e dhimbëshme ishte ndamja
nga osmanllinjtë ...Kur ata mujten me kuptue se nuk janë n’ anderr, ashtu si i
mbytuni kapet per shkumbë...ua mësyen komshijëve “dashamirës”, që asnjëherë nuk janë kursye me na shtue mundimet e coptimet
kur ua dhanë rasa, kjoftë edhe me na qitë fare, gja që po e vazhdojnë dhe sot!
E pse jo!? – Asnjëherë nuk i munguen as mjetet, as agjentët dhe as tradhëtarët
tanë!
Kur Dedë Gjo’Luli i Hotit i mësoi Lidhjes së
Prizrenit sesi fitohet Liria, e pa kalue viti u mblodhën në Gerçë me i thanë
Europës se “nuk mjaftohemi me kaq!”, ishin malazezët që bash Atë Dedë kerkuen
me e fshi me farë e me fis e që as nuk u kursyen me kerkue varjen në litar të
At Mati Prennushit, që po i rrinte në krah Dedës, dhe nuk po i dhimbsej as jeta
per me mbledhë Atdhetarët Shqiptarë në qelen e vet. Në fillim të muejt Qershor
1911, me datën 10 u nënshkrue Memorandumi i Gerçës, i cili njoftonte haptas
Turgut Pashën, se: “Malësorët janë të vendosun për mos me ulë armët derisa, të
pranohen nga qeveria turke të 12 pikat e këtij Memorandumi...” (Doc. Public
Record Office Foreign Office, – P.R.O.
F.O. 371. 1230. Fq. 450.)
Të gjithë këta Burra që nenshkruene “Memorandumin e
Gerçës”(1911), nuk besoj se i keni lexue ndonjëherë në libra
“historie”...tue fillue nga i Madhi Dedë
Gjo’ Luli i Traboinit të Hotit, Sokol Baci i Grudës, Dedë Nika Bajraktar i
Grudës, Gjeto Marku i Hotit, Dodë Preçi Bajraktar i Kastratit, Tomë Nika i
Shkrelit, Col Dedi i Selcës Kelmendit, Lul Rrapuka i Vuklit të Kelmendit, Llesh
Gjergji, Bajraktar i Nikçit, Mehmet Shpendi, i pari i Djelmnisë së Shalës,
Martin Preka i Shkrelit, Prelë Marku, Bajraktari i Shalës, Avdi Kola Bajraktar
i Gimaj, Nik Mëhilli i Shllakut, Pup Çuni Prekalor, Binak Lulashi i Toplanës,
Bash Bajrami Bajraktar i Nikajve dhe Bec Delia. (Marrë nga Revista L.E.K.A. Shkoder, 1937)
Kur Don Nikollë
Kaçorri u nis per Vlonë, as Mirditen, as Durrësin Ai nuk i la jashtë kufinjëve, se aty ishte
Preng Previzi me shokë, por mori me vete një Luigj Gurakuq mbas të cilit vrapoi
Isa Boletini me 300 Trima me u gjetë ku ishin Burrat e Dheut e “mos t’mi presin
kush në besë!”. Iu sillnin rreth një tavolinës Ata Burra “tue mendue mos të na
zemroheshin osmanllinjtë!..” derisa Luigji nxori patllaken e u tha: “Pa u
ngritë sot Flamuri, asnjë nuk dalim të gjallë nga kjo shtëpi!” Flamuri u ngrit
në Vlonën e Shqipnisë Mosmvarëme me 28 Nandor 1912. E edhe sot ka firma që nuk
di kush me i lexue se nuk kishte as kater vjet që At Gjergj Fishta u kishte
mësue Shqiptarëve me cilat shkronja duhet të shkojmë të Lirë drejtë Qytetnimit
Europjan. ...Pak ma andej Drinit Prifti Don Ndre Mjeda i tregonte “atyne” që
nuk po donin me dijtë se ka Shqipni: “Lirinë e keni ju, na hekra kemi...”
Një tjeter Burrë
germonte gropa me hy Ai vetë i gjallë në dhé, aqsa nuk i dukej as koka kur
kerkonte “monedha Ilire e rrasa të dhênme me shkrojla të vjetra”, me ua mbushë
mendjen dijetarëve të Athinës e të Romës se At Shtjefen Gjeçovi “po ua tregon
edhe ju ku ishte dikur Shqipnia e Ilirëve të vjeter e pak ma andej Dardania e
Tij!” Dikund nder shpella, një tjeter Atdhetar, e ndiente veten ma rahat tue
fjetë me krye të mbështetun nder gurë, se nder jastekë puplash e me faqe të
zezë...Merrte e jepte me disa Freten cigare aty në Gjuhadolin e Shkodres e kur
shtrihej me pushue në shtëpinë e tyne, Ai aty kishte shtratin e vet të
drrasave, që nuk guxonte me fjetë tjeter kush perveç Bajram Beg
Currit...Shkodres së rrethueme nga malazezët iu desht edhe një vit me vuejtë nga
urija dhe vrasjet barbare të armëve që kerkonin dhunimin me gjak të Lirisë! E
kur një qytet ngopej me çorbë kelkazash... mbas gardhiqeve nuk mungonin kusarët
me armët e “faluna”, shkembye me “copa” Trojesh Shqiptare, per me sjellë një
robni të ré në këte vend ku pa kalue viti 1912...nga kaçubat e ferrave
shekullore mbinë farat e këqija të xhonturqëve me do Esad Pasha e Zogolla,
Haxhi Llesha e Qamila, Enver Hoxha e Hoxhë Alia, Mehmet Sheha e një hu pleha...
që per me vjedhë e me sundue tue vra e pré Shqiptarë ishin kenë të vetmit!
Do të flas me
dokumenta të tjerë e jo të shkrueme në organët fetare të Shkodres, për me
tregue të vërtetën që pasqyrojnë ata në lidhje me qendrimin e premë antiturk
dhe antisllav të Klerit Katolik të asaj kohë në të gjitha trevat Shqiptare,
mbasi për fat sot, kjo dokumentohet me qendrimin e zotni Count de Salis, i cili
i tregon zotni Edward Grey, Ministër i Jashtëm britanik, dhe shprehimisht
shkruen: “Cetinë, 28 Janar 1913,... Malësorët kanë vendosë me ndërpre dhe mos
me pasë ma punë me Malin e Zi” (Doc. 4391, fq. 184. P.R.O.F.O. 371, 1758.).
Takimi i Imzot Bumçit në Podgoricë, kur Ai
organizoi krenët e Malësisë nën drejtimin e Dedë Gjo’Lulit me u takue me
ministrin turk, mbetët ndër perlat e historisë së pashkrueme të Veriut,
ku porsa ministri u thotë malësorëve se kam ardhë me urdhën të mbretit me ju
pa, në çast i përgjegjet Deda: “S’na ka pase marrë malli për ty!” E, Imz.
Bumçi, shpjegon sesi ju desht me e përkthye se nuk kishte kah me ia mbajtë...Të
gjitha këto veprime arrijnë me detyrue Austrinë me deklarue në Konferencë të
Ambasadorve, me 7 Janar 1913 për çeshtjen e
madhe të Shkodres, se: “...Banorët e këtij qyteti, si përsa i përket
origjinës etnike, ashtu edhe nga pikëpamja e besimit, nuk kishin asnjë afersi
me Malin e Zi.” ( P.R.O.F.O. 371. 1757 fq.222.)
Në këte moment kritik, ashtu si edhe tjera herë
asht edhe Miss Mary Edith Durham, që me përkushtimin e Saj ndaj Shqipnisë, do
t’i bajë të kjartë qarqeve angleze dhe ndërkombëtare se: “...egzistonte në
qarqet katolike austriake vendosmëni për mos me lejue që Shkodra dhe
hinterlandi i saj, të bahen respektivisht një qytet apo rajon malazez ose
serb.” (po aty 371. 1758, fq. 447. Mr. Nevinson, Podgorica. 26. 02. 1913.
M.E.Durham.).
Në vitin 1919, me vendim të Qeverisë së Durrësit, Imzot
Luigj Bumçi emnohet Kryetar i delegacionit Shqiptar në Konferencën e Paqës në
Paris. Materiali i z.Valentina Duka, paraqitë në librin “Krishtërimi ndër
Shqiptarë” në vitin 2000, më ndihmon me përcaktue me saktësi një nga ata
momente kyqe të historisë ku Imzot Bumçi, me aftësitë e një gjeniut, arrin me
shpëtue nga kthetrat greke Korçën dhe Gjinokastrën, ndonse edhe për këte
pseudohistorianët “heshtin”...
Korça e Gjinokastra
vazhdonin me kenë jashta vizave e disa blloqeve të çimentos të quejtuna “piramida”
kufini... Shkruhen e shkarraviten libra nga “dr. prof. e akademikë” e edhe pse
Imzot Luigj Bumçi ka vdekë në shtrat në vitin 1945...siç thonte At Pjeter
Mëshkalla: “Ti nuk vdiqe po plase!”, edhe pse vdekja e shpetoi nga plumbi
komunist, prapseprap edhe vepra e Tij “nuk duhen zanë me gojë” me që edhe Ky
ishte Klerik Katolik Shqiptar, ndonse Kryqin e mbante nën pallto, por kur e
nxorri mbi pallto më duket se edhe aty “gaboi”...
Imz. Bumçi takohet me
disa përfaqësues shtetësh tue fillue nga Shtetet e Bashkueme të Amerikës,
Anglisë, Austro – Hungarisë, Rusisë, Italisë, Gjermanisë, Francës, Serbisë,
Greqisë dhe sa e sa të tjerë, me të cilët komunikoi direkt pa përkthyes, mbasi
zotnonte disa gjuhë të hueja, dhe arrin me i bindë ata, se çeshtja Shqiptare
nuk asht një problem i thjeshtë vetëm i Ballkanit, por asht problem kryesor për
ruejtjen e paqës në mbarë Europën.
Imzot Bumçi porsa filloi detyrën e Kryetarit të
Delegacionit Shqiptar në Paris, ishte i pari që protestoi tek Presidenti
Willson për krimet që po kryenin serbët mbi popullsinë Shqiptare të Pejës,
Gjakovës, Plavës, Gucisë dhe i dorëzoi Atij listën me emnat e viktimave në
krahinën e Rugovës. Ai ishte i pari politikan Shqiptar që mendoi se trupat
amerkane janë ata që mundën me shpejtue çlirimin e Tokave Shqiptare të Kosovës
nga Serbia, prandej edhe i kërkoi Presidentit Willson hymjen e trupave
amerikane në këte zonë. Imzot Bumçi ishte i pari strateg “profet”, që
parashikoi pikërisht até që do të ngjante në Kosovë gati 80 vjet ma vonë, në
vitin 1999.
Imz. Bumçi, mbasi
vëren një mungesë të madhe sinqeriteti nga delegati italian në Paris Ministër i
Jashtëm i Italisë, me të cilin u takue me datën 26 tetor 1919 për marrveshjen
“Titoni – Venizellos” mes Italisë dhe Greqisë, në dam të tokave Shqiptare, Imz.
Bumçi u takue edhe me delegatin francez dhe amerikan, tue nxjerrë nga këta
bisedime një aksiomë filozofike që mund të shpikej vetëm nga koka e Imz.
Bumçit: Me datën 29 Dhetor 1919 Ai arrinë në Vatikan dhe në ditët e para të Janarit
1920, u takue me Papen Benedikti XV, të cilit i tha: “Tash pra Shejtni,
të gjithë Misat e Dergatës Shqiptare që
janë në Paris e që shumica asht myslimane, më kanë çue këtu përpara Shejtnisë
s’Uej e të gjithë për njëgoje Ju lutën që me fuqinë Tuej morale e me influencën
e madhe që keni në Botën mbarë, të na jepni ndihmën Tuej të vlefshme si kur
dini Ju vetë, që na të pështojmë dy provincat Shqiptare, Korça e Gjinokastra,
të cilat janë në rrezik prej akordit Titoni – Venizellos.” (V. Duka. Po
aty, Fq. 300)
Papa i shpjegoi Imz. Bumçit se Vatikani nuk kishte
marrdhanje të mira me Francën dhe Italinë, por do të takohej urgjentisht me
ambasadorët anglez dhe amerikan në Vatikan, të cilëve Ai do t’u kërkonte me
qendrue në përkrahje të Popullit Shqiptar...dhe, e mbajti premtimin!
Me 17 Dhetor 1920, me
rastin e pranimit të Shqipnisë në Lidhje të Kombëve, ambasadori i Indisë, tha:
“Kur në Botë zhvillohen ende lufta ndërfetare, në Shqipni myslimanët, katolikët
e ortodoksët jetojnë në harmoni dhe asht fakt i shkelqyeshëm për një vend me
shumicën dërmuese të popullsisë myslimane, me pasë këtu Përfaqësues një të
krishtenë, madje dhe një Prift.”
Ndërsa Luigj Gurakuqi
jep formulën e bazës së bashpunimit ndërmjet elementave fetar të ndryshem, të
cilët duhet të kenë si bazë Njësinë e Atdheut. Vetëm atëherë kur
Shqiptarët ditën me ruejtë të pastër dhe të fortë cilësinë e tyne të parë, që i
dallonte edhe në Ballkan: Tolerancën Fetare, vetëm atëherë, kishte Unitet
Kombëtar!
Jeta e përditëshme e
Imzot Bumçit asht historia e përshkueme prej Tij në çdo çast që ka kalue në të
gjitha fitorët dhe humbjet e Populli Shqiptar. Ai ishte një dijetar i madh i
psikologjisë sonë, por edhe një depërtues i thellë në mbrendinë e shpirtit
t’anmiqëve të Kombit tonë.
Ai njihte Mikun, por
dinte edhe sesi me u ruejtë nga anmiku shekullor. Ja porosia e Tij:
“Pikë së pari duhet
pra të kemi bashkim të plotë, urtësi të madhe, durim e nderim për njenitjetrin.
Duhet të shuejmë hidhënimet e mënitë që na ndajnë, të respektojmë mendimet e
shokëve tonë e të mos ftohim e të ashpërsojmë mardhanjet në mes të Shqiptarëve
prej çdo krahinash e prej çdo Fenash që të jenë. Për të mirën e Atdheut, duhet
sot që ma i madhi të bahet ma i vogël përpara të tjerve.
Udha politike tjetër
që duhet të mbajmë asht kjo: Të mundohemi të përfitojmë nga interesat e
kundërshtarve të njenit e të tjetrit e të përpiqemi të fitojmë besimin e miqve
e nderimin e anmiqve.” (po
aty, fq. 301.)
***
Qendrimi që po mbahet ndaj Këtyne Atdhetarëve Shqiptarë prej gati 70 vjetësh dhe prap sot në prag të këtij 100 vjetori të Pavarsisë sonë kombëtare, nga të gjithë qeveritarët tanë, pseudoprofesorë e doktorë historianë, deri tek akademikët e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipnisë, që me “heshtjen” apo perçmimin ndaj veprave të Tyne të mëdha per Liri, Pavarsi dhe Shqipni Europjane, vetem pse Këta ishin Shqiptarë Katolikë, besoj lexues të nderuem, se ua bajnë kjartë edhe Ju, se cila asht arsyeja që më shtynë me thanë se: “Gaboi, e gaboi randë” Imzot Luigj Bumçi, gabuen Don Nikollë Kaçorri, At Gjergj Fishta, At Mati Prennushi e Gjelosh Luli, dhe ma shumë se të gjithë Këta Burra, Luigj Gurakuqi, ndonse Ky e pagoi me jeten e vet, po edhe me themelin e Shtëpisë së Tij, ku gjithmonë rreth atij oxhaku mendoi e punoi per Shqipninë e Pavarun dhe të Perparueme Europjane, nen Flamurin e të Madhit Gjergj Kastrioti!