E merkure, 06.11.2024, 03:47 AM (GMT)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Dy fjalë pleqësh nga Hafiz Dalliu

E merkure, 12.09.2012, 06:09 PM


Nga Fritz RADOVANI:

 

“DY  FJALË  PLEQËSH”  NGA  HAFIZ  IBRAHIM  DALLIU…

 

Në 100 vjetorin e Pavarsisë…

 

Hafiz IBRAHIM DALLIU

28 Nandor 1923…

 

Së ndershmës Drejtori të Fletores “Ora e Maleve” Shkoder.

 

Dy fjalë pleqësh, Xhokatarëvet!

 

Sa këshilla të kandëshme na kanë lanë stergjyshat tanë. Sa fjalë të bukra kemi t’atyne pleqve dashamirë, zemërbardhë e shpirtkulluem plot burrni e kuptim. Ato fjalë të mëdha, ata këshilla t’ambla asht një mëkat i madh me i lanë mbasdore, lypset pra kurdoherë me i shkrue, tue iu dhanë shpjegimet e duhuna me shembulla që t’ iu merrët vesht kuptimi i naltë i tyne, që mos të harrohën e të këshillohemi me ata, e, kështu, të përmirësohet morali i përgjithshëm.

Njëkëto janë dy fjalët që duem me iu përmendë vëllazenve të mij, xhokatarëvet:

1. Njeriu gjithë ç’ban ia ban vetiut!

2. Ç’ të bëjsh në det’ e gjenë në krypët!

Me të vërtetë njeriu në qoftë se ban mirë ia sheh hajrin, por në qoftë se vepron keqas ia ka ba vetës, sëpse padyshim shpejtë o ngadalë e gjenë kobën, doemos ç’ të bëjsh në det’ e gjenë në krypët: p. sh. po bëhën pesë vjetë që shpetoi kjo copë Shqipni prej kthetrash të huaja, u shporrën austriakët, serbët e italianët, oh Zot! Shyqyr, u njohtë Shqipnia indipëndente, ngelëm të lirë, vetë ali, vetë kadi! Ku ka ma nimet të madh se me qenë i zoti i vetës e i mallit, i zoti i vendit tonë?

U ngrit një Qeveri parlamentare domethanë me përfaqsuesit tonë, të cilët do të bajshin kanune si mbas zakonëve fetare kombëtare, do të shikonin të ardhunat e të prishunat e Shtetit, do të vezhgonin qeveritarët a veprojnë mbas kanunit apo jo; kur të shihnin se punojnë kundër ligjëve dhe se do të prishnin të hollat e Popullit pavend, m’atë çast do të hiqeshin ata shpirtligj e do të venin të zotët e punës; ashtu do të përparonte arësimi, bujqësia, tregëtia e mjeshtria e vendit, do tu bante Populli i pasun e do të gëzonte një jetë të lumnueshme. Qeveria me Parlament bie ato të mira që u përmendën, prandej gjithë bota e qytetnueme e kanë rrokë këte mënyrë qeverisje e janë tue ba kokrrën e pallës. Po na? Ç’ pamë deri sot? – Ato të mira jo se jo, por pamë edhe njëmijë e një të liga; nuk ka nëvojë ti rreshtoj këtu një nga një se ç’ pamë; u vurrëm, u vramë, u rrahëm, u dogjëm, u burgosëm, u internuem, u shamë, u çnderuem, u banë edhe disa punë që s’i shkruen pena e s’i flet as goja. Përse vallë, në vend që të lulëzojmë, hoqëm e po hjekim të zezën e ullirit?

Kush e ka fajin? T’a pohojmë të drejtën shqiptarisht:

- Fajin e kemi vetë se nuk e bamë mukajet e nuk u kujdesueme në zgjedhjet e përfaqësuesve tonë, shkuem pas hatrit e qejfit të Toptanit e nuk shikuem interesat e Vatanit; njeriu gjithë çka ban ia ban vetiu! Pra, tashti që ka ardhë rasti me zgjedhë përfaqësuesat tjerë për Kuvendin e madh Kombëtar lypset të mbledhim mendët në kokë e të hapim sytë fort, që të zgjedhim burra pune e jo njerëz dhune!

Se ç’ të bëjmë në det, do ta gjejmë në krypët. Vetë e kemi gurin dhe armën në dorë, Zoti na e ka dhanë, Kanuni na e ka vërtetue e askush nuk mundet me na e prekë këte të drejtë, prandej, o burrani, në se domi selametin tonë!”

Nga libri i F.R. “Një Monument nën dhé”...

Hafiz Ibrahim Dalliu në vitin 1946, afër të 70-tave, arrestohet dhe dënohët me 8 vjet burg per “agjitacion e propagandë” gjithmonë me mendimin se mosha e shtyme do të bajnë të veten dhe me siguri, nuk ka me dalë nga ai vend...Ai u dënue mbasi deklaroi burrnisht në hetuesinë e Tiranës: “... Kam dëgjuar ndër stacionet e Amerikës dhe të Londrës lajmet anglisht, mbasi dëshroja që ata të zbarkonin në Shqipëri ...Ne nuk kemi asnjë lidhje me Lindjën as të afërme dhe as të largët. Nga turqit ne kemi marrë vetëm besimin. Për tjera nuk ka çka na duhët Anadolli... Shqipëria është shtet që i përket vetëm Evropës. Me Evropën na lidhë pozita gjeografike, mardhanjet shtetrore, ato kulturore e të gjitha tjerat që vijnë pas, për një jetë më të mirë dhe të begatëshme të popullit tonë ...”(Dosja I. Dalliu, Arkivi Ministrisë së Mbrendshme, Tiranë, 1998).

Po sot, a ka Shqipnia nga këta Burra?!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora