Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Veni gishtin ''tradhëtarëve të atdheut''!
E diele, 22.04.2012, 02:15 PM
VENI GISHTIN
“TRADHËTARËVE TË ATDHEUT” !
Në 45 vjetorin e „Revolucionit Kultural“
Pj.II.
Nga Fritz RADOVANI
"Njeriu mund të ketë cilëndo Fé që ka gjetur prej stërgjyshërve dhe që
i pëlqen, por s’mund të zgjedhë një tjetër Kombësi dhe të luftojë të tinë, pa
vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.” Kjo
thanje e Fan S.Nolit më shtyni me kujtue një ditë të veçantë e të trishtueshme
të muejt Prill 1967…Pak ditë mbas “demaskimit” At Gegë Lumaj, At Frano Kirit,
At Gjegj Vatës dhe Don Mark Hasit, që edhe u arrestuen…
Shkodër, 29 Prill 1967, ora 17.00 n? Institutin
Pedagogjik t? Shkodres...
Ditë e
paharrueshme në historine e qytetit të Rozafës së thinjun.
Ashtu ndodhi,
si e kishte parashikue At Pjeter Mëshkalla.
Atë ditë u organizue një mbledhje e organizatës së frontit të lagjës “Tre
Heronjët”, në Institutin Pedagogjik, për “demaskimin” e veprimtarisë fetare të
klerikut At Mëshkalla. Kishte
tri a katër ditë që binte në sy një grup rojesh, që silleshin rreth shtëpisë së
Tij. Mbasdite Ai doli nga shtëpia rreth orës 16.45’, me mbërrijtë në mbledhje
në orën q? i kishin caktue qysh në mëngjez. Dy civilë të Sigurimit e pyesin:
“Në mbledhje je nisur?” dhe Ai i përgjegjet –“Po!”-. Bashkë me disa të tjerë Ai
hyni në Institut, ku përgjithësisht të gjithë ishin me ftesa.
Në sallë nuk
hyhej lirisht, aty zakonisht hynin të zgjedhunit dhe të porositunit, që do të
flisnin dhe duertrokitësit e njohun ndër këto mbledhje. Në fund, kur meshtarëve
ju vinin hekurat për “krimet” e bame, nuk mungonte ndonjë servil që do t’i pështynte klerikët
për veprën e Tyne fisnike, e këta njerëz
të dalluem me gisht në Shkodër, nuk kanë mungue që nga viti 1944.
Hymja
e At Mëshkallës në sallë u
kuptue nga heshtja që ra aty, po edhe nga ata që ishin jashtë në rrugë, mbasi
në altoparlant u dëgjuen fjalët:
“Qetësi, shokë, ...qetësi!”. Foli drejtuesi formal i asaj mbledhje Luigj Shala,
sigurisht, i zgjedhun nga Partia, dhe mbas tij vazhduen diskutantët e
përzgjedhun në të gjithë Shkodrën, me lexue diskutimet e fyemjet e përgatituna
nga mendjet e “ndrituna” të pseudointelektualëve, që punonin me ditë të tana për këto mbledhje. Mbledhja
drejtohej nga një presidium i përbamë nga Luigji, Vat Deda, Arif Gashi dhe
Palok Kraja, që mbajti edhe referatin e hymjes. Filluen mbas tij diskutimet e
zjarrta kundër Zotit, Fesë, klerit dhe në veçansi kundër jezuitëve, mbasi atij
Urdhni i përkiste edhe At Mëshkalla.
Dufin ma të madh kundër jezuitëve e shfreu Jup Kastrati. Ky ishte i
porsazgjedhuni “Kryetar i Komisionit të Përzgjedhjes së Leteraturës Fetare
(Kishtare)”. Ai foli për rolin reaksionar që kanë luejtë jezuitët në Shqipni
tue përfshi këtu krejt klerin katolik, madje edhe ata prej të cilëve kishte
vjedhë e përvetësue edhe librat e artikujt që ka kopjue e botue në emnin e vet.
Ndigjuesit aty e duertrokiten “dr.prof e docentin” e ardhshëm, që me fjalen e
tij u garantonte edhe “shokëve të vet” rrugen për tituj e grada shkencore...
Mbas tij e mori fjalën mjeku Ramiz Hafizi, i cili u mundue me shpjegue disa
“pakjartësi” të Biblës, por At Mëshkalla
i tha: “Shko e lexoi mirë, se nuk janë të shkrueme kërkund tek Bibla këto që
thue ti!..”. Foli edhe “shoqja” Angjelina Uli, së cilës në fund të diskutimit i
shtërngoi dorën dhe e përgëzoi Shefik Osmani, (edhe ky u ba dr.prof.) për
fjalët e “bukra” që shprehu kundër At Mëshkallës.
U
“duartrokitën” dhe diskutimet e Dedë Kullës, Prenda Dodës, Jolanda Batalakut,
Lazër Sekujt, Mandica Jovani etj. Nga salla u dëgjue edhe zani i fort? i Vasil
Kafesë dhe i Xhemal Dinit, që pyeti At Mëshkallën:
“Ti i ke shkrue Kryeministrit për Inkuizicionin, çka ke dashtë me thanë?” - At
Mëshkalla, me qetësinë e Tij, ju
përgjegj: “Shif fjalorin se ka shumë kuptime, ti merr cilin të duesh!”... Asht
kërkue me folë aty edhe mjeku Kolë
Pepa dhe mësuesi Mark Temali, të cilët nuk kanë pranue. Mark Temali, kur asht kërkue me i dorëzue diskutimin
Halit Isufi (atëherë drejtor i Gjimnazit), Ai nuk e ka marrë se: “E kam pasë
mësues Pader Mëshkallën dhe nuk
mund të flas kundër Tij, sepse nuk nderoj figurën e mësuesit me folë në këte
moshë kundër mësuesit tem”. Ndersa mjeku Kolë Pepa u ka thanë: “Nuk e nderon
profesionin e mjekut një fjalë e tillë...”
Për
të dy anadollaku Xhemal Dini, sekretar i Komitetit të Partisë, ka njoftue Degën e Mbrendshme të Shkodres: “Me pasë
në kujdes qendrimin e tyre....”.
Për ké e ka
fjalen Noli kur thotë: "Njeriu
mund të ketë cilëndo Fé..., por s’mund të zgjedhë një tjetër Kombësi dhe të
luftojë të tinë, pa vënë në ballë një vulë të madhe prej “tradhëtari”.”!? – Në sa mbledhja në Institutin Pedagogjik
të Shkodres vazhdonte...
duhej formulue publikisht akuza, mbasi “partia bënte çfarë do Populli!”...
Për me
formulue akuzën ndër këto mbledhje u jepej fjala edhe klerikëve, që nesër me
thanë: “E dëgjuet ju se çfarë tha kundër Pushtetit? Na nuk arrëstojmë njeri pa
fakte!”, dhe kështu u veprue edhe aty me At Pjeter Mëshkallën. Kryetari i dha të drejtën e fjalës.
Ai doli para
auditorit dhe porsa iu afrue podit të konferencierit, tha këto fjalë:
“Ah,
sa mirë që po më jepet rasa me folë një herë para Popullit me altoparlanta!
Unë jam Katolik dhe besoj në Zotin!
Po më vjen mirë, që po flas prej një vendi ku kam mundësi me iu drejtue
Popullit tem, që më ka nderue, me ka respektue, me ka ndigjue fjalën teme dhe,
më ka pritë e përcjellë në shtëpijat e veta, me dashni të madhe. Qellimi em ka
kenë gjithmonë i mirë...me predikue fjalën e Krishtit dhe dashninë ndërmjet të
të gjithë njerëzve, të të gjithë njerëzve pa dallim Feje!... Këte kam folë në
të gjitha shtëpijat ku kam shkue, ndër Katolikë e Muslimanë, mbasi jemi vëllazën
dhe besojmë në një ZOT, jemi të një gjaku, sepse, jemi të gjithë Shqiptarë...
Ka shumë njerzëz që kërkojnë me na shkatrrue, me na përça e nda, me zhdukë
traditën, me prishë besimin, me mohue Krijuesin tonë, me rritë një rini servile
e hipokrite, që nesër nuk do t’ju durojnë ma as ju, do të ju shporrin qafet, e
një ditë ka me ju hangër kryet... Ka këtu në sallë që nuk lanë gja pa shpifë
kundër nesh edhe pse me të gjitha forcat kemi punue për Shqipni... Unë e kuptoj
mirë që ata sot ashtu do të flasin, mbasi ba mos me folë ashtu si ua kanë dhanë
të shkrueme në letër, nesër pushohen nga puna e në darkë nuk kanë shka me u vu
fëmijëve para me hangër, sepse, të gjithë njerëzit janë të lidhun për
kafshatën e gojës... Kjo asht arësyeja për të cilën i kam shkrue
udhëheqësit të Shtetit, kjo më ka detyrue, mbasi Populli Shqiptar asht popull
besimtar dhe nuk asht vullneti i tij me prishë atë që ka ndërtue ai vetë me
ndërgjegjën e tij... Kurrë nuk asht Populli shkatrrues i Kishës e i Xhamisë,
kurrë nuk ka nxjerrë jashtë populli priftin e hoxhën nga katundi...
Ju i përgjithësoni veprimet, ju
flitni për Inkuizicionin e Shek. XV, por ju harroni se shka jeni tue ba në
Shek.XX...Njerëzit i dinë të gjitha, por nuk guxojnë me folë se nuk ka liri
fjale e tashti nuk ka as liri Feje e ndërgjegje....Unë po ju them këtu se
Populli nuk asht dakord me shka jeni tue ba ju, ai ka besue dhe do të vazhdojë
me besue në Zotin edhe pa Kisha e Xhamija... Ky veprim që bani ju sot asht
vetëm turp para Zotit e para Popullit, asht turpi juej para gjithë vendeve të
Europës, mbasi kjo që bani ju sot këtu
bahet në pragun e 500 vjetorit të vdekjës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj
Kastriotit – Skënderbeut, Mbrojtësit të Krishtënimit! Vetëm këte mendoni, shka ka
me thanë Europa për ju! Ajo e njeh Popullin Shqiptar dhe e di se ka 2000 vjet
që Populli ka ndjekë e do ta ruej në zemër Fenë e Krishtit!” (Teksti asht ruejtë nga z. Nikolin Muzhani).
U
ndigjue një za nga salla, ishte i zgjedhuni i turkoshakut Ramiz Alia, “shoku”
Xhemal Dini: “Që sonte populli do të djegin Ungjillin!” – At Mëshkalla ju përgjegj: “Digjeni edhe ju që sonte, se ka dymijë vjet
që thërrasin shokët tuej me djegë Ungjillin e Feja e Krishtit veç sa vjen e
forcohet!..
Shqiptarët
nuk e djegin Ungjillin, këte e them si Shqiptar që jam, mbasi kur kam lindë kam
pasë vetëm një emën, ky ishte emni SHQIPTAR, se linda nga prindë Shqiptarë. Mbasi u pagëzova me emnin Pjetër, më quajtën edhe Katolik, pra, ma parë jam kenë Shqiptar, mandej kam marrë Sakramendet tjera dhe u
bana Ushtar i Krishtit dhe i Papës, Mëkambësit të Krishtit në tokë. Emni i parë që kam marrë në këte tokë dhe e
kam mbajtë me nder, asht kenë emni Shqiptar dhe derisa të vdes do të jem
SHQIPTAR! Unë i përkas Popullin tem,
se ai me njeh mirë dhe e di sa kam ba
unë për té, por ai mos harroni se ju
njeh mirë edhe ju!”... (Theksimet nga FR)
Pa
mbarue fjalen At Mëshkalla, nga vendet e para u çue në kambë xhelati i njohtun
i Sigurimit, antikatoliku i betuem Xhevdet Miloti (që ishte edhe Shef i
Seksionit Katolik në Degën e Mbrendëshme të Shkodrës), e tue u
ngërdheshë, i vuni prangat.
Para
se të hynte At Mëshkalla në
xhips të sigurimit, krimineli e shtyni me shqelm.
Mbas Gjetsemanit
ku klerik?ve i vinin prangat si Krishtit, fillonte përsëri Kalvari, ...Kalvar i
pafund ishte për Klerin Katolik rregjimi komunist! Çohej e rrëzohej, gjakosej,
dërmishej e pështyhej, rrahej e torturohej, varrosej për së gjalli, mbytej e
pushkatohej, tretej nëpër zallishta e shkurre me coftina. Fluturonin në qiellin
e zymtë korba e sorra me copa mishi, zhguni e veladoni në skjep, e askush në
Botë nuk mori një “leckë” me Ua fshi Fëtyrën e pastër këtyne Martirëve kaq të
mëdhaj, të këtij Populli kaq të “vogël”!..
Shikonte
Europa... e bante sehir! Ndokush... edhe zgërdhihej!..
Po sot, çka ngjet në pragun e 100 vjetorit të Pavarsisë kombtare nga Osmanët, që qeveritarët tanë po deklarohen pa pikë turpi haptas “vëllezer gjaku me turqit”, si do t’ ua vinte Fan S. Noli “vulen e madhe në ballë” ?...