Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Grupi i Profesorëve elbasanas në Shkodër
E merkure, 15.08.2012, 07:28 PM
GRUPI I
PROFESORËVE ELBASANAS NË
Në 45 vjetorin e “Revolucionit Kultural”…
Nga Fritz RADOVANI
Asht shumë
e vështirë me mbetë në kujtesën e brezave të ardhëshme dhe me u besue ajo
tragjedi aq e madhe që ka ngja per 47 vjet në një vend aq të vogel sa asht
Shqipnia! Vetem në një sistem komunist të tipit stalinist oriental mund të mendohet
me gjetë agjenta që janë të lindun me prishë e me shkatrrue gjithshka që asht e
mirë e perparimtare per shtetin e tyne.
Mbas
vitit 1946 në Shkoder kishte mbetë vetem Gjimnazi i Shtetit, në të cilin mbas
vitit 1949 perfshihej edhe shkolla e mesme pedagogjike, ku mund të vazhdonin
shkollen vetem ata nxanës që konsideroheshin të “deklasuar” dhe që nuk
lejoheshin me shkue në shkolla te tjera...
Në vitin 1949
erdhi në Shkoder kryetar i degës së mbrendeshme terroristi Hilmi Seiti, i cili,
porsa shkeli në token e zharitun, i dergon një kerkesë ministrit të ri të mbrendshem,
Mehmet Shehut, me të cilen i kerkon: “Me që në Gjimnazin e Shkodrës vlon
propaganda antikomuniste, na dërgoni sa më parë 100 (njëqint) konviktorë nga Jugu”... (Arkivi i M.M.Tiranë).
Perveç 100 konviktorëve që do t’i sherbenin sigurimit të shtetit, drejtor i
Gjimnazit vjen nga Korça amorali Skender Villa, i cili në vitin 1945 asht kenë hetues
në degen e Korçës, punë që e vazhdon me perkushtim ndaj kolegëve dhe nxanësve të
Gjimnazit te Shkodres. Bashkë me té janë edhe disa mësues të atij qyteti, por
kurrë në modelin e drejtorit katil të porsaardhun...
Në vitin 1952,
kur unë detyrohem me vazhdue shkollen pedagogjike, që ishte nen një kulm me
gjimnazin dhe me një drejtor të perbashkët, vijnë në Shkoder një grup pedagogësh
nga një drejtim tjeter, jo ma nga Korça, po nga Elbasani. As sot nuk dij me
tregue as kush i solli, as pse i sollen këta pedagogë në Shkoder, mbasi koha e
sherbimit të Tyne kje mjaft e gjatë.
Në vitin
e dytë nga ky grup ishte Prof. Roza Bebi, që na mësonte histori dhe gjeografi. Ajo
ishte moshë e re, por një vajzë e nderueme, që respektohej nga të gjithë per
qendrimin e Saj. Një tjeter mësues i këtij grupi në moshë të re, që na mësonte
rusisht në vitin e tretë, ishte Prof. Ndriçim Gjata, i cili ishte edhe
kujdestar i klasës sonë. Djalë serioz, kerkues dhe fjalëpakë...
Hyn një orë
në klasë, ban apelin dhe ngriti një nxanës tek tabela...Ai vetë erdhi nga fundi
i klasës dhe u ulë në banken ku ishe unë vetem mbasi mungonte shoku i bankes atë
ditë... M’u afrue tek veshi dhe më tha këto fjalë: “Kjo është ora e fundit që bëjmë
sëbashku mbasi jam transferuar dhe do iki nga Shkodra. Më vjen shumë keq per
disa nxënës që po shkëputem. Shiko, Radovani, ruaju fort dhe tregou i kujdesëshem,
mbasi drejtori Villa kerkon per të bërë keq!”
U topita
nga fjalët e tij, mbasi kater vjet perpara ky drejtor kishte arrestue vllaun e
madh, që u dënue tetë vjet burg, vllaun tjeter e perjashtoi pergjithmonë nga
shkolla me motivacionin “nuk pajtohet me frymen e shkollës së re”, pra, edhe unë
ishe në pragun e një vendimi të tillë.
Në vitin
e dytë (1953) një tjeter Prof., Abdyl Kajanaku, na mësonte psikologji dhe
landen kryesore, até të pedagogjisë, me të cilen vlersohej dhe aftësia e jonë per
mësues. Ishte ma i moshuemi i grupit të profesorëve të Elbasanit, por me
heshtjen e Tij jepte me kuptue shumë. Në dukje jepte pershtypjen se nuk kishte
shoqni me profesora tjerë, po në të vertetë shihej ma shumë se të tjerët me
personelin shkodran, me të cilët ndonjëherë shihej edhe në Fushen e Qelës.
Në vitin
e tretë dy landet e pedagogjisë (teori dhe praktikë) na i jepte Prof. Gani
Daiu, që njihej si autoritar dhe shumë i aftë. Kur fliste, dallohej në perdorimin
e Gegnishtes së Elbasanit. Në fund të vitit 1955 shkolla Pedagogjike u nda nga
Gjimnazi dhe në maturë na shkueme në një ndertesë perballë ku deri atëherë grumbullohej
drithi. Me né erdhi edhe grupi i profesorëve të Elbasanit, prej të cilit
Drejtor i shkollës Pedagogjike u emnue Prof. Gani Daiu.
Vendi ku
rrotulloheshin karro e qerre me drithë do të kthehej në shesh sportiv e mbrendë
ambjenti duhej transformue nga magazina në shkollë...Per ambjentin e mbrendshem
u ngarkue Prof. Lazer Kakarriqi, dhe per ambjentin e jashtem Prof. Esat Haxhi,
dy profesorë të cilët do të mbesin të paharrueshem per brezat që ata vite ishin
nder bankat e asaj shkollë. Me Prof. Lazrin u ngarkuem me punue një grup
studentash që mbetem miq të perjetshem, Isa Alibali, Ferdinand Paci, Gjildo
Haxhia dhe unë. Mbrenda dy tre muejsh ambjenti u kthye në një shkollë model. Po
e njajta gja u realizue edhe në ambjentin rrethues perjashta.
Landen e
marksizmit na e jepte sekretari i PPSh së shkollës, Prof. Enver Thanasi, i
ardhun nga Vlona. Ishte personi ma i lidhun me komitetin e rinisë së shkollës,
ku sekretar ishte nxanësi i klasës s’ime Bep Jubani. Kishte tre vjet që ishte
antar i komitetit të rinisë së shkollave.
Në muejn
maji, pak javë para mbylljes së vitit shkollor, Prof. Thanasi gjen një moment
dhe organizon një mbledhje bashkë me sekretarin, Bepin, “me më thye mue dhe
Eduard Çiurçisë nga një notë në sjellje, pse u qeshem...në oren e marksizmit...”
Po mos t’ishte kundershtue propozimi nga Luçije Abati, dhe sikur gjithë kolektivi
i klasës mos të mbante krah nga qendrimi i saj, edhe sot nuk do t’ishe me
dokument mature e kushedi ku ishte fundi! As këshilli pedagogjik nuk e pranoi
propozimin e tyne, që si argument kryesor perdornin “biografinë” tonë.
Perfundoi
viti shkollor dhe shumica iken nder fshatra. Bepi me disa “konviktorë” shkuen
me studjue jashta shtetit, në Moskë dhe në vende të tjera socialiste... Vitet
ecnin si gjithnjë!
Me rasen
e 10 vjetorit të maturës, në vitin 1966, unë përgatita një ekspozitë personale,
me rastin e grumbullimit të shoqnisë sonë shkollore në shkollen pedagogjike,
traditë që vazhdohet edhe sot nga ishstudentët e atyne viteve. Fjalen e hapjes
e mbajti Ferdinand Paci.
Një ditë ma
parë, pra me datën 24 Qershor të 1966, tue kalue kah Kafja e Madhe, po shoh një
burrë me kapelë republika të ndalun tek blini përballë hymjes. Kur u afrova afër
shoh se ishte Prof Ganiu, që kishte ardhë nga Tirana për takimin tonë tradicional
dhe po fliste me Bep Jubanin. Kishte plot 6 vjet që ishte trasferue në një shkollë
teknike atje. Prita sa u nda prej Bepit dhe mbasi u përshëndetëm, me kërkesën e
Tij, hyme me pi nga një kafe. Porsa u ulëm më pyeti për Bep Jubanin. I thashë vazhdoj
mos me folë me té që nga mbledhja e fundit të vitit të maturës. Atëherë Prof. Ganiu
hapi një histori të vitit 1956, kur isha maturant. Aso kohe Ai
kishte pasë një të njohun të vetin oficer në degën e mbrendshme të Shkodres,
që e kishte thirrë në degë dhe i kishte kërkue mendim si drejtor shkolle, nëse
mundej të ishte e vërtetë kjo deklaratë e lëshueme nga sekretari i rinisë komuniste
të shkollës, Bep Jubani? – Ky e kishte lexue: “Traktet e hedhura këto ditë në shkollën
Pedagogjike, mendojmë se janë shkrue nga Federik Radovani, mbasi ai ka shkrimin
e bukur dhe të ngjashëm me këte të trakteve. Njëkohësisht dy vëllaznit e tij,
janë përjashtue nga shkolla se nuk janë pajtue me frymën revolucionare të shkollës
sonë. Alfonsi edhe asht burgosë, sepse bante pjesë në grupet antikomuniste
reaksionare...etj. Maji(?) 1956.” Në fund kishte firmue Bep Jubani. Prof. Ganiu
ishte pergjegjë: “Jo, kurrë nuk e ka bërë Fritzi këtë, jo! Unë e njoh mirë dhe
ju garantoj se ai nuk është aq i papjekur. Domëthenja e kësaj deklarate ka
lidhje me një kurdisje të Bepit me prof. Enver Thanasin, dhe ka të bëjë me një keqdashje
të tyre ndaj Fritzit. Bepi ka punuar shumë për të eleminuar këte njëri, ai edhe
tek unë ka tentuar të më bind per gjëra të tilla...Fritzi nuk është i tillë. Ai
është ndër nxënësit më të përgatitur dhe të rregullt të shkollës, për këtë ju
garantoj unë e po qe nëvoja këto fjalë i thëm edhe më lart!”
Ky ishte
Prof. Gani Daiu nga Elbasani perballë një agjenti sigurimi nga Shkodra!..
Ata Mësues nga Elbasani ishin edhe prindët tanë, po edhe dashamirë të pashoq!