Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Rozafa një vit pa Don Simon Jubanin
E merkure, 11.07.2012, 04:30 PM
ROZAFA NJË VIT PA DON SIMON JUBANIN…
Nga Fritz RADOVANI
Me daten 12
Korrik 2011…mora lajmin e vdekjes së Heroit të Demokracisë së vitit 1990,
Trimit të
pathyeshem me veladon, Martirit të Burgut të Burrelit, Shkodranit që i tha
diktaturës komuniste “E duem Shqipninë si gjithë Europa!”…Atë ditë, me 11
Nandor 1990, në Vorrezat e Rrëmajit, në oren 11.00, i rrethuem nga 30.000
bashkqytetarët e fshatarët e rrethinave, pa dallim Feje, Katolikë e Muslimanë,
të gjithë me lot perfaqe, t’ etshem per Liri e Demokraci.
Don Simon
Jubani asht modeli i persosun i Formules “Atdhé e Fé”!
Jeta e
Tij asht sakrificë, vuejtje, vorfni, torturë, burgosje, perndjekje, uri, etje,
e mbi të gjitha këto: Dashni e Nderim i Pakufishem per Atdhé e Fé.
Prangat e
hekurtat e komunizmit gjakatarë për Don Simonin janë “vargojt’ e artë” prej të cilëve
Ai mujti me shpetue nga ndryshku i zi i burgjeve të diktaturës terroriste enveriane.
“Biruca e
Don Simonit” në Burgun e mnershem të Burrelit ishte strofulla e një Shqipes që kishte
mbijetue nga Kështjellat Rozafat, Krujë, Berat, e pse jo të Gjinokastres së vjeter...
prangue per vdekje, i lidhun kambë e dorë, pa ujë, pa bukë, i çveshun, pa shtrojë e mbulojë, pa dritë...n’ errsinen
e akullt e të pashpresë, që nuk iu nda Shqiptarëve të nderuem per 47 vjet nga
ateizmi dhe fanatikët anadollakë, që i vriste Drita e Fesë. Besimtarët Shqiptarë
Katolikë, Muslimanë dhe Ortodoksë, ishin anmiqtë ma të frikshem per tradhëtarët
komunistë dhe robnuesit e huej të të gjitha kohëve!
Besimi në
Idealin e Naltë të Lirisë së Atdheut të vet asht provë e një predhe dermuese
per të gjithë internacionalistët proletarë e bolshevikë, asht shkatrrimi i
perandorive pushtuese e skllavnuese që nuk na e u ndanë nder këto shekuj
robnije të pafund, jo vetem në “copëzen” Nanë Shqipni, po as në Dardani, Hot,
Grudë, Maqedoni, Çamëri e deri perballë Korfuzit plak, ku shkrryhen “tregtarët
e Flamujve”, siç i ka cilsue të vjetrit dhe të “rijtë” Atdhetari Ernest Koliqi...
Maja e
kompanjelit të Katedrales së Shkodres, ashtu si verboj malazezët në 1913... ashtu
vazhdonte me kenë heshtë në gjokset e shovenistëve sllavë të viteve 1941 e 1944...
Ai ishte per ta një “ferrë në sy”, që asnjëherë nuk do t’i hiqet qafet persa të
vazhdojë me vlue nder Trojet Tona Gjaku i Shejtë dhe i Paster i Dedë Gjo’ Lulit
dhe i Trimave të Maleve tona kreshnike!
Per Don
Simonin veladoni i zi ishte mburoja e të Madhit Gjergj Kastrioti, që as heshtë,
as top e as mortajë turku, sllavi, greku, italiani apo edhe i ardhun nga
shkretinat e Siberisë, nuk mujten me depertue per me shporue Zemren e
Shqiptarit të Betueme n’ Elterin Shejt, ku nder duert e Tij të Shugurueme, miqtë,
shokët e dashamirët bashkvuejtës gjenin Besen dhe Forcen e qendresës Burrnore!
Fjala e
Don Simonit ishte këshillë, mësim, rrëfim e pse jo, Shpresa e së ardhmes!
Gjaku i
mija Martirëve i derdhun rrëkajë në Zallin e Kirit vazhdonte me qarkullue mu në
një Zemer që ishte rritë e Burrnue pranë atyne gurëve si biluri..., dikur në një
shtëpi të vorfen në Ballabanen e vjeter...E që pa Ju tutë syni këtij Burri
mbasardhës do të vazhdonte rrugen e Tyne plot salvime e sakrifica per qellimin
e naltë të Atdhedashunisë, që qarkullonte bashkë me Gjakun e Atyne Herojve në damarët
e Don Simon Jubanit.
Vepra e
heroike e Don Simonit tashma asht e njohun në gjithë Boten, e cila, sa Ai kje
gjallë, nuk ka kursye as dafinat e as medaljet e dekoratat për gjoksin e paster
të Heroit Don Simon Jubani. Ai asht i pari Shqiptar mbas vitit 1989 që asht
thirrë në audiencë nga Toka e robnueme Shqiptare, nga vetë Papa Gjon Pali II në
Vatikan, në Romë.
Në vitin 1991
Universiteti i San Franciscos në Kaliforni i akordoi Don Simonit diplomen "Doctor
honoris causa" në shkenca humane me motivacionin: "Protagonist i një Epokës
së Re në Shqipni". Shteti i Michiganit e nderoi me diplomën e posaçme me
motivacion "Nismëtar i Lirisë së fjalës dhe i shtypit katolik në Shqipni”,
që e ka zanafillen e vet në fletushken e 20 dhetorit 1990, në prag të Festës së
Krishtlindjes; përshpejtues i të gjitha veprimtarive, qi u hapën Shqiptarëve
dyert e Përendimit; ndertues i urave ndërmjet Tiranës dhe Europës...dhe Botës
mbarë!
Dom Simon
Jubani, me 11 Nandor 1990 Ju u ringjallët, po na ringjallët edhe né.
Don Simon
Jubani, jam i sigurtë se
Ju jeni
një Gur’i daltuem me kulturen Europjane në Muret e Rozafës së Ilirëve...
Shkodra
sot edhe pa Don Simonin asht e do t’ jetë Shkodra e Don Simon Jubanit!..
E do të vazhdojë me kenë per shekuj të shekujve...