E shtune, 05.10.2024, 01:29 PM (GMT+1)

Mendime » Radovani

Fritz Radovani: Atë ditë, me 11 mars 1948

E merkure, 14.03.2012, 09:05 PM


“ATË DITË, ME 11 MARS 1948…”

RRËFEN MJEKU LIGJOR Dr. PAPAVRAMI…

 

Në 64 vjetorin e pushkatimit…

 

Nga Fritz RADOVANI

 

Mbas 14 – 15 muej hetuesie në burgun e Kishës, siç quhej mbas 17 nandorit 1946, burgu i Kuvendit të Fretënve të Shkodres, në Gjuhadol, ku sigurimi shtetit komunist, ashtu si në shumë shtete të Lindjes Europjane, organizoi edhe në Shqipni futjen e armëve e municioneve në Kishat Katolike, dhe me daten 11 Mars 1948, në oren 05 të mengjezit, në Zallin e Kirit, mbas Vorrezave të Rrëmajit, bashkë me Prelatët e Klerit Katolik Shqiptar, pushkatoi edhe 12 Atdhetarë të akuzuem për organizimin e Lëvizjes së Postribës, me dt. 9 shtator 1946. Nuk do të hyj në montimet, shpifjet, hetimet, fallsifikimet, organizimin dhe shperthimin e asaj Lëvizje të «deshtueme» pa fillue...dhe aq shumë të «diskutueme», mbasi qellimi i shkrimit tim asht krejt tjeter në këte 64 vjetor të vrasjes së sa vetëve, që s’kanë pasë fare as dijeni se mund të shperthejnë një revoltë antikomuniste ato ditë.

Të rreshtuem në një stom të një grope në aren e Zef Sylës, mbas «fjalës së fundit», që i dergohej tiranit anadollak Enver Hoxha, dhe që nuk figuron fare në dosjet e Arkivit Ministrisë së Mbrendshme, brigada e pushkatimit rrëzoi përdhé Trupat e pafajshem të Këtyne Klerikëve Katolikë dhe qytetarëve të Martirizuem të Shkodres:

Imzot Frano Gjini, Rregjent i Delegacionit Apostolik të Vatikanit në Shqipni, At Mati Prennushi, Provinçial i Françeskanëve të Shqipnisë, At Çiprian Nika, Rektor i Fretenve të Shkodres, Imzot Nikoll Deda, Abdullah Kazazi, Cin Serreqi, Dulo Kali, Caf Dragusha, Zef Kol Prela, Guljelm Suma, Ing. Fahri Rusi, Murat Hysen Haxhija, Bilbil Hajmi, Pjetër Prendush Pali, Gaspër Simon Gaspri, Xhelal Hardolli.

Askush që nuk e ka provue hetuesinë e sigurimit të shtetit komunist nuk di kurrë me marrë me mend se çka bahej mbi trupin e njeriut nga bishat e sigurimit. Një nder të paktit që ka mbijetue nga ajo kohë e mnershme asht kenë z.Ragip Meta, dhandrri i Bajram Currit, një Burrë fisnik, i matun dhe trim, që per disa ditë ka kenë në një dhomë i dënuem me vdekje me 25 vetë nga Ata Heroj që u pushkatuen për Lëvizjen e Postribës. Ai tregonte: Kur hapej dera, çoheshim në kambë, ashtu si ishim të lidhun, dhe donim me shkue të parët, me kenë e mujtun të gjithë me u pushkatue. Na vinte keq kur nuk na merrnin, kaq na ishte mërzitë jeta prej torturave, urisë, etjes dhe pagjumësisë...”

Farmacisti Elez Troshani, thonte: “Lum ata që kanë kenë në një dhomë me Imzot Gjinin e At Mati Prennushin, ndër ata dy muej para se me u ekzekutue, as s’ e kuptonin ku po i çojnë, në piknik a me u pushkatue. Biseda e humori i tyne të largonte frikën e vdekjes ...mënyra si e shpjegonin ata, e bante të riun e plakun mos me u tutë nga plumbi.”

Motër Gjyzepina Radovani, infermjere në spitalin e vjeter të burgut, tregonte si kishte mjekue me duert e saja disa nga këta Martirë. Ajo fliste me dhimbje të madhe për At Çiprian Nikën dhe At Donat Kurtin, të parit i kishin thye kambën dhe nuk i ngjitej se kishte fillue kalbëzimi, ndërsa At Donatit, me që e dinin se asht i sëmurë me stomak, i epnin ushqime që i ngacmonin dhimbjet. Dr. Federik Shiroka i bante injeksione qetsuese, po mbas pak ditësh e merrnin pa u shërue, ashtu si Imz. Gjinin, që tue e marrë me shkalc plehu, policët i kishin thanë: “Doktor, mos harxho ilaçe kot, se për t’a pushkatuar kemi!”, - Ai u ishte përgjegjë: “Unë jam mjek, sa të jenë të gjallë dhe në duert e mija, unë do të baj detyren time, ndër duert tueja, dini ju shka bani!”.

Zonja Viktore Kuka, tregonte sesi i ndjeri Dulo Kali i kishte kërkue pak ujë me pi Dulaç Lekiqit, dhe ky i thotë Elez Mesit me i sjellë një safë me ujë. Elezi ia sjell e Duli e pin atë ujë. Mbas pak minutash i shkreti Dulo rropatej në birucë nga tmeri, se uji ishte kenë i krypun...Elezi tallej në korridor “lype ujë, ta sollëm, po bërtite po të japim edhe hû .”

I ndjeri Caf Dragusha, që asht pushkatue me këtë grup, i tregonte bashkëvuejtësit ndër ato ditë mjerimi kur ishin në një qeli, se një natë i kishin shkue tek biruca e tij katër oficera të naltë, si dukej nga Tirana, njeni nga veshja dukej jugosllav. E kishin pyetë me kambngulje; - janë ba ose jo mbledhjet për të cilat bahet fjalë në proçes të Imz. Nikoll Dedës, në shtëpinë e Cin Serreqit dhe të Pjetër Dedës?- Cafi u ishte përgjigjë: - A janë ba, a nuk janë ba mbledhjet unë nuk e dij, por, derisa më keni përzi edhe mue e thoni se ke kenë edhe ti e, mbasi unë nuk kam kenë aty, edhe mbledhjet nuk duhët të jenë ba! Përfundonte bisedën tue thanë: “Ah, këta komunistët, janë derbedera! Nuk i njeh kush...”

Prof. Adem Bazhdari, tregonte: “Nuk e harroj kurrë Imzot Gjinin të varun në një pemë, po e torturonin. Erdhi Zoi Themeli dhe Pjerin Kçira, Imzoti u lypi pak ujë. Pjerini mori një tas dhe ia mbushi me urinën e vet aty mbas një blini dhe ia dha...I shkreti e piu shka i dhanë ata mizorë. E zgjidhën, ai ra për tokë, nuk ecte, e sollën me dy policë në dhomë dhe mbas pak minutash erdhën e na morën të dyve, sa mërrijtëm në krye të shkallës së gurit ndër fretën, Pjerini holli poshtë At Matinë... mendueme se e mbytën por, jo, ishte gjallë i gjakosun ftyrët, - E shihni? - Na pyeti Zoi, - kështu do ta pësoni dhe juve, mos flisni po deshët!... Kur na çuan në dhomë Imz. Gjini tha: ”Për hatër të Zotit!....” dhe fshani ... Krahët, kambët dhe shpinën i kishte me plagë të qelbëzueme, ia mjekonin vetëm me krypë dhe ja lynin me pezhgëve të nxehtë, stjetullat i kishte gjithmonë të hapuna tue kullue qelb nga vezët e zieme dhe të ngrohta që i venin gjithnjë kur e torturonin.”

Bashkvuejtësi Loro Vata tregonte se, në “Burgun e Kishës së Fretënve”, ka pasë njerëz që prej ditës së arrestimit e deri mbas një viti që janë pushkatue, ose dënue e nisë ndër burgje e kampe shfarosje nuk janë la me ujë asnjëherë... se, ma, vendi i ushkurit të mbathjeve apo ndër vendët e tegelave ishin të bamë zi prej morrave...”

Dr. Papavrami, shpjegonte se, “atë ditë më 11 mars, rreth orës 04.30 të mëngjezit kur po i lidhnin në Zallin e Kirit për me i pushkatuar, në mes të At Matisë dhe At Çiprianit kanë lidhë ingj. Fahri Rusin, 28 vjeç djalë. At Matia, i thotë Fahriut: “Fahri, je më i riu, qëndro si burrat dhe mos i turpëro të Parët e familjës sate!” - Fahriu i përgjegjet: “Nuk besoj se kush nga fisi em ka pasë këtë fat, me dhanë jetën mjedis dy shejtënve, për çfarë me u tremb?” Burrërisht u ngjitën tek stomi i një gropës 4X2 ml. e hapur mbas Pendës së Kirit, drejt me çinarin e dytë, vërtikalisht me Pendën, në drejtim Lindje-Perëndim,” shpjegonte, doktori, i thirrun si mjek ligjor në pushkatimin e këtyne 16 vetëve. “Mbasi i lidhën edhe brryl në brryl me vargoj me drynjë aty maje atij stomi, i kërkuan “fjalën e fundit”. Nuk më harrohet kurrë, edhe pse kanë kaluar 50 vjet, qëndrimi burrëror i klerikëve katholikë. Atyre nuk iu trembej syri nga vdekja, sëpse mbi jetën e këtueshme kishte triumfuar Ideali i lartë i fitorës së Parajsës me vuajtjet e tyre që nuk mund të tregohën, madje, ato vuajtje nuk krahasohen as me Kalvarin. Shtinë me armë mbi ato gjokse burrash që dukeshin si lisa... Ranë andej stomit ...kur u afrova për të vërtetuar vdekjën nuk mujta t’i vizitoj asnjërin, kishin rënë në gropë dhe ishin mbuluar nga gjaku i tyre. Nuk dukëj se jetonte ndonjëri ... asnjë lëvizje në atë pellg gjaku. Mbas gjysëm ore i mbuluan me dhé ...Atëherë, nuk dija të kuptoj si falët gjykatësi dhe toga e pushkatimit kur jé i pafajshëm ...

Shqipëria, Krishti dhe Papa ishin Ideali i Tyre!...”



(Vota: 12 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora