Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Pinoku dhe historia e Shqipnisë...
E premte, 09.03.2012, 09:02 PM
PINOKU DHE HISTORIA E SHQIPNISË…
Në prag të 100 vjetorit të Pavarsisë
Ndër librat ma të dashtun për botën e fëmijëve asht libri “Pinoku”…
Ndoshta bota e tij ishte edhe afër jetës sonë kur filluem me marrë mend!..
Kur e lexova të paren herë, më pelqente me dijtë çka do t’ jetë ba me tè kur asht rritë e ba i madh…Gjithmonë fantazia e fëmijëve fluturon edhe ku nuk i ka shkue mendja as autorit të librit, që me aq mjeshtri na ka lanë një vepër aq të bukur.
Sa e kandshme ishte për fëmijët skica kur “Pinokut” fillon e i rritet hunda!...
Rruga e Gurakuqit ishte ajo që kam rrah çdo ditë me shkue në shkollen “Vasil Shanto” të Gjuhadolit, që ishte e fretënëve para vitit 1945 (dhe mbas 1991). Ajo rrugë kishte disa dyer të mëdha karakteristike dhe në mes një kalldram, që tregonte vjetersinë e atyne shtëpijave, që sejcila kishte një histori në vete. Edhe vetë banorët e saj të vjeter kur i ké takue në atë rrugë, ké mujtë me kuptue dishka të veçantë nga përshndetja e tyne.
Pak hapa mbas shtëpisë së Luigj Gurakuqit, në drejtim të Gjuhadolit, në krahun e djathtë, ishte një derë e naltë dhe e madhe, me hark me një çimento që derdhej në rrugë… që shpesh, kur hapej ajo derë, shihej tue dalë nën harkun e drandofilleve, që vazhdonin deri tek shkalla prej ku ngjitej nalt një burrë i mbajtun, elegant, me kapelë republikë dhe me një pallto me rryp në bel, gjithmonë i kerpitun dhe me këpucë të lustrueme, si verë si dimen me shi. Ai ishte zotni Cuk Simoni…Ishte kenë tregtar i mesëm, por kujtohej nga të moshuemit ndër burrat ma të nderuem, që merrej me tregti në Shkodër, mbasi kur vajzat përgatitnin pajen e tyne per martesë, apo duheshin blé pelhura per raste vdekje, zotni Cuku i jepte mallin me zbritje çmimi dhe me e pague kur të ishte mundsia e blerësit. Një privilegj i madh per familjet që ndodheshin keq nga ana ekonomike, prandej edhe të gjithë e njihnin me emnin “zotni” Cuk Simoni, epitet që ua trashigoi edhe mbasardhësve të vet. Nuk muejta me kalue pa shpjegue këte Burrë të nderuem, që e kam takue gati perditë. Posaçërisht më terhiqte vemendjen diten e dielë, kur delte me zonjen e Tij Terezina dhe shkonin në Kishë. Ma vonë mësova se ky “tregtar” ishte përkthyesi i librit aq të kandshem per mue dhe të gjithë fëmijët e vegjël, “Pinoku”.
Një brez i papërsritshëm intelektualësh shkodranë deri në vitin 1944 kanë ba disa përkthime librash për mosha të ndryshme, kryesisht të reja, por fatkeqsisht koha ka fshi nga “memoria historike” jo vetem ata, po edhe mbledhsit e folklorit, kangëve kreshnike, thesareve të historisë së Gjergj Kastriotit në gojdhana, hartuesit e fjalorëve, perpjekjet atdhetare per arsim që në shekujt XV dhe XVI, doke e zakone të Maleve, të mbledhuna me aq kujdes nga shumë njerëz, që emnat e tyne pothuej as nuk i zen askush me gojë.
Edhe nuk asht me u vue faj!!.. Per cilin duhet shkrue në “Historinë e Shqipnisë”?
Jemi para një fakti që“dr. prof. dhe akademikët” tanë në pragun e 100 vjetorit të Pavarsisë sonë kombtare nga Perandoria Osmane, kanë në dorë “rishikimin e historisë” me porosi të kryeministrave të Shqipnisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Turqisë, praktikisht kush duhet vue në Historinë tonë, Don Nikollë Kaçorri apo Haxhi Qamili?! Ju duket e thjeshtë kjo punë! Pse me u hjekë nga Historia jonë Esad Pashë Toptani!?... Cila nga marrveshjet që ka nenshkrue ai me sllavët e Beogradit nuk u “rinenshkrue” mbas tij nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha?!.. Pse atij ne i themi“tradhëtar”, ndersa Ahmet Zogu, bash i nipi i Esad Pashë tradhëtarit po “rishqyrtohet” me kenë “dikund”, aty afer me një figurë të paperlyeme në “tradhëti” gjithë jeten e vet, Ismail Qemal beg Vlonen. Ndersa, per Enver Hoxhen as nuk bahet fjalë...kush ka ma shumë dekorata e medalje?!
Me ua mbledhë të gjithë dekoratat e politikanëve tanë nuk i bahen kurrë sa Enver Hoxhës, me i ringjallë prap ata nuk munden me kenë ma as me u ba kurrë: Me 1 korrik 1946 “Hero i Popujve të Jugosllavisë”... “Hero Kombëtar”, Titulli “Hero i Popullit”,Titulli “Hero i Punës Socialiste”, Urdhri i Lirisë i Klasit të Parë, Urdhri i Flamurit, Medalja e kujtimit, Urdhri “Ylli Partizan” i klasit I, Urdhri i “Skënderbeut” i Klasit të I, Urdhri i Trimërisë, Urdhri “Ylli i kuq”, Medalja e Trimërisë, Medalja e Çlirimit, Dekoratë nga Partia Komuniste Italiane me Urdhrin “Ylli Garibaldit”, Dekoratë me Urdhrin “Suvorov” Klasi I nga Presidiumi i Sovjetit Suprem të BRSS. etj...”
E ku do t’i mbante“tesphit”, që nuk ja pau kurrë me sy... Muho Asllani?!..
Shumë herë kam mendue “pse nuk i preken tituj e dekorata Enver Hoxhës!?”, po kurrë nuk më ka shkue mendja tek “tesphit”...A sheh pra, duhet shkollë, duhen tituj...
Guxojnë e t’i prekun kush këta “tituj e dekorata”!!...
Pinoku nuk mbet pa shkollë të naltë si unë...Atij ju zgjat hunda...
Ai u ba “dr. prof. akademik...e historian” dhe në se nuk i besoni fjalës seme...
“Shikoni hunden e atyne që kanë shkrue dhe do të rishkruejnë prap e prap ... ‘Historinë e Shqipnisë”!!
Melbourne, Mars 2012.