Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Deri kur ''hambaj bronxi''!?
E shtune, 17.11.2012, 05:05 PM
DERI KUR
SHQIPTARËT “HAMBAJ BRONXI”
!?..
Në 100 vjetorin e Pavarsisë…
Nga Fritz RADOVANI
U asht
mbushë mendja top qeveritarëve tanë se Marksi kishte të drejtë kur i mendonte
banorët e Arnautistanit të gjithë hambaj! Jo brè kështu, na me të vertetë që
hambajt i kemi qeveritarë, po kemi edhe intelektualë, që ishin hambaj e sot
janë “prof. dr. e akademikë”…
E kemi
edhe prof. dr. që per pikpamjet e Tyne Europjano Perëndimore, per hir të
Marksit, i kemi ba jo vetem hambaj, por edhe ua kemi nxi jeten edhe sternipave
të Tyne, tue fillue prej ma të Madhit Gjergj Kastrioti e deri tek shirokasit,
nipat e Atij At Anton Harapit apo Atij Lef Nosit, andej ka Elbasani, që kishte
mbushë një shtëpi me libra të kultures Kombtare Perparimtare…
Isha
ndalue tek furra e Dugajëve të Reja tue lexue një njoftim vdekje... Ndigjova
zanin e Dedës, që punonte hamball, dhe ju drejtue Bixhit, i cili po shkonte në
drejtim të spitalit me një arkivol të kuq në shpinë dhe mjaft i krrusun nga
pesha...Bixh, a e bleve até? E gzofsh, se kenka i kuq dhe i bukur!!.. Bixhi
foli dishka, po e qeshuna nuk më la me ndigjue pergjegjen e tij.
Ka kenë
një kohë në Shkoder që qendra e humorit dhe e anekdotave ishte tek Dugajt’ e
Reja ku rrinin hambajt në pritje per me krye ndonjë punë per qytetarët. Aty
ishte Deda, Bixh trimi e ndonjë tjeter, që me humorin e tyne ishin ba të njohun
në gjithë Shkodren.
Deda
ishte ma i ploti nder ta. E sollen hamball në fabriken e mëndafshit, nder
magazina. Një ditë tue dalë me pi një cigare tek lulishta para fabrikës, në
korridor ishte i ulun galuc Deda dhe kishte kapë kryet me grushta. Iu afrova
dhe e pyeta pse po rrinte ashtu. Ai më tregoi se kishte një dhimbje koke të
fortë...Unë, tue qeshë, i thashë: “Dedë, a ti ndrrojmë krenat bashkë?”, Më
shikoi dhe me buzë në gaz më tha: “Koka yte vazhdon me më dhimtë prap dhe as
nuk më rregullon gja, po ku je me pasë me e ndrrue këte që kam me ndonjë kokë
me biografi të mirë e me shpetue nga hamalleku...” Kështu kishte shkue pra puna
e kokave tona me biografi të keqe!” Jo vetem nuk na duheshin gja né kokat tona,
po as hambajve nuk u vlenin asnjë pare!
Aty nga
viti 1990, tue ndigjue radion “Zëri i Amerikës”, po fliste Prof. Arshi Pipa, i
cili po tregonte se demokracia në Shqipni nuk mund të mendohet pa u zhgulë
pergjithmonë nga sheshi qendror i Tiranës shtatorja e diktatorit Enver Hoxha...
As nuk dij me mendue sesi Prof. Pipa po fliste per një dishka që as nuk na
shkonte nder mend, kur neper Shkoder nuk kishte pak ditë që ishin ba arrestime
të disa djelmëve që kishin ba ma shumë revoltë sesa funeral kur kishin vorrue
Djaloshin 17 vjeçar Pllumb Pllumbaj, i vramë në kufi tue dashtë me jetue i
Lirë...
Duhet
thanë e verteta se nga frika dhe vrasjet nder kufinjë na kishte hy tmerri per
palc, aqsa nuk na shkonte në mend se Shqipnia do të ishte e Lirë nga komunizmi
gjakatar, se ma fjala “Demokraci” ishte per né jo anderr, por dishka krejt larg
mendjes sonë! Monumenti i Stalinit qendronte pa u tundë fare në Tiranë, Shkoder
e ku nuk kishte vend Shqipnia që nuk ishin koleksionet e diktatorëve, tue ia
fillue prej Leninit e deri tek do surreten që as nuk i shikonte kush me sy nder
parqet tona. Data e 13 Dhjetorit 1990 solli rrëzimin e bustit diktatorit Enver
Hoxha në Shkoder, perballë pallatit të Prefekturës, ku demostruesit edhe e
urinuen para se ta hidhnin pertokë...edhe Stalini nuk ishte ma në Qytetin
Martir ku dy diktaturat stalinjane e enveriane nderthureshin pothuej në çdo
kulm shtëpije.
Kur në
Tiranë mbas 20 Shkurtit 1991 nuk ishte ma shtatorja prej bronzi e diktatorit,
më dukej e pabesueshme koha që po jetonim. U hoq Lenin, Stalini...Enveri dhe u
ndryshuen edhe emnat nder kombinate e hidrocentrale, por edhe oficerët e
sigurimit ku ishin ma “trimat” e plehat, tue fillue nga Shyqyri Qoku, hoqen
etiketat e dyerëve me emnat e tyne nder apartamente.
Një
popull nuk pritonte me bajtë bustet e shtatoret e bronxit e të betonit deri në
Konispol!
Rinia Shqiptare
nuk e kishte per turp me u quejtë “hambaj bronzi”, veç me hjekë syshë llomin 47
vjeçar që ishte në të gjitha qoshet e skutat e Shqipnisë. Askush nuk kerkonte
të holla per “mundimin” e bajtjes...aq sa gjithë Shqipnia dukej sikur po
vazhdonte “punen vullnetare” si dikur, ditë diele e ditë feste, e naten per shi
e hanë, të gjithë e kishin per nder me u quejtë me këte emen të nderuem që një
shekull ma parë na quejten “klasikët”: “Hambaj bronzi”!
Komunistët
e “betuar” i tradhëtuen parimet e PPSh dhe u kthyen në origjinen e vet...
Instruktorët
e komitetit PPSh së Shkodres, që i kishin vue zjarrin “Fesë” në 1967, filluen
me iu afrue institucioneve fetare...ashtu si udhëheqësi i tyne anadollak Ramiz
Alia, që një ditë u gjet në Arabi mes hoxhallarësh...Gati – gati mos me iu
besue as syve! Miku i tij në Shkoder me emnin “prof. dr” Musa Kraja (sekretar i
komitetit PPSh), tash në Tiranë tek Gazeta “Drita Islame”...vazhdon me titujt
“Rektor i Akademisë të Tiranës”...e na njoftojnë sesi po shuhen tue ua fillue nga
ma të mëdhajt “dijetarë revolucionarë të 1967-tës” të Shqipnisë “demokratike”.
Asht
shumë shpejt me fillue me kerkue me vendosë edhe njëherë “Enver Hoxhen”...
Diskutojnë
e sterdiskutojnë Gjergj Kastriotin...per me dalë tek Esad Pashë Toptani e prej
tij tek Ahmet Zogu...diskutojnë At Gjergj Fishten do llomsihane “dr. prof.” me
Puto e filorus, deri tek disa analfabetë, që i mbante Enver Hoxha nder
universitetet e mejtepeve të Tiranës, vetem se njiheshin per tradhëtarë të
Atdhetarëve Shqiptarë, tue fillue nga ma i “dijtuni i tyne”, që me paturpësi
deklaron se Ahmet Zogu na paska sjellë para Enver Hoxhës “demokracinë dhe
lirinë” nga Beogradi i Pashiqit apo i Titos...pak randsi ka...mjafton që
“monumenti i tyne” duhet prap në Tiranen e Shqipnisë Europjane! Me siguri i
kerkojnë edhe “vëllezërit e gjakut” të tyne!
Këte herë
po kerkojnë me i ba edhe “maozoleum”...që mos të “ndryshken”!
“Hambajt’
e Bronxit” atë punë kanë!..
Hiq
Envera e ven Ahmeta...
Hiq
Ahmeta me kambë të lehta...
Rrnoftë
Shqipnia!..E “mbush” kuleta!!!
100 vjet, veç “tungjatjeta”!