Mendime
Vangjush Saro: Çfarë duhej të ndodhte dhe çfarë po ndodh në 100-vjetorin e Pavarësisë
E premte, 23.11.2012, 07:05 PM
Çfarë
duhej të ndodhte dhe çfarë po ndodh në 100-vjetorin e Pavarësisë
(Përndryshe: “Skenari” tjetër për 100-vjetorin)
Nga Vangjush Saro
Pjesa më
e qytetëruar e shqiptarëve, kudo që ata janë, në Tiranë, në Vlorë, në Kamëz, në
Dhërmi, në Burrel, në Itali e Greqi, në Britani e Gjermani, në SHBA e Kanada,
kanë kuptuar se diçka nuk shkon në festimet e jubileut të 100-vjetorit të
Pavarësisë e të shtetit shqiptar. Duhet thënë se ka shumë demagogji e bujë, ka
një dëshirë të hapur për të përfituar politikisht, ka edhe prirje revanshi. Në
vend të këtyre prirjeve, mund të kishte më shumë bisedim, paqe, zbutje
konfliktesh (të vjetra e të reja), mirëkuptim për gjërat kryesore që kanë të
bëjnë me jetën e kombit, me të djeshmen dhe të sotmen e tij, por sidomos me të
ardhmen. Pra, 100-vjetori duhej të ishte trajtuar si një rast kur shqiptarët
nderojnë të parët e tyre, nderojnë dëshmorët e çdo kohe, shikojnë çfarë i
bashkon këtej e tutje në një botë sa të afërt, aq edhe të largët e të vështirë.
Ky duhej të ishte “skenari” i këtij jubileu, që realisht është shndërruar në
një sebep për të pozuar forcën e njërës apo tjetrës palë, për të trajtuar
ideologjikisht problemet e vjetra dhe gjithaq konfliktet e reja.
Kam
shkruar në mediat e nderuara “Telegraf” dhe “Zemra Shqiptare” për revanshizëm;
dhe ai po ndodh. Së paku, në disa fusha. Bie fjala, i heqim këtij sheshi apo
kësaj rruge emrin e Iksit dhe i vëmë emrin e Ypsilonit(!) Shumëkush lëndohet,
të tjerë nuk kuptojnë ç’po ndodh. Se edhe nëse disa gjëra duhen vënë në vend,
kjo s’mund të bëhet përmes një tjetër lufte klasash. Pastaj ngrihet dikush dhe
thotë se kjo rrugë tani mban emrin e nipit të atij që ka urdhëruar pushkatime
në Shqipëri në vitet e pushtimit nazist. Përse ngatërrohemi kështu ne
shqiptarët? Ç’lidhje ka kujtimi i të nderuarit Ibrahim Rugova, një nga burrat e
drejtë e të mençur që ka nxjerrë ky komb, me konfliktet mes shqiptarëve në
vitet e Luftës së Dytë Botërore? Ka mendje që i sajojnë me shumë dhelpëri e
djallëzi “rastësi” të tilla, kurse shumë paqartësi e konflikte (të djeshme e të
sotme) mund t’i kalojmë duke qenë tolerantë e mirëkuptues për rrethana e qasje
që duhen vështruar me njerëzi, me qytetari.
Unë jam
shprehur në disa raste për njëlloj sjelljeje të hapur e pozitive nga ana e
politikanit Pandeli Majko. Po ashtu, nuk bëj pjesë ndër ata që mund të kenë
simpati për Lulzim Bashën, por duhet ta vlerësoj faktin që më 17 nëntor, ai
ishte në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut; e sidomos që u shpreh: “Ata që bien
për atdheun nuk vdesin kurrë. Shpresoj që në këtë 100 vjetor, të shërbejë si
një burim për bashkim dhe jo përçarje. Detyra jonë është të mos përsërisim
gabimet e të shkuarës, por të bashkohemi të gjithë për t’i dhënë vendit atë që
meriton.” Megjithatë, në këtë temë, një pjesë e protagonistëve janë krejt
“out”. Më është dukur fare pa vend sidomos, një deklaratë ideologjike dhe e
mbushur plot urrejtje e njëfarë Alimadhi (apo hall i madh?) që është, më duket,
kryetari i njërës prej partive të Ballit Kombëtar (mbase janë bashkuar, nuk jam
i sigurt). Zotëria në fjalë, i pyetur për 17 nëntorin, në përgjithësi për
nëntorët, tha pak a shumë se nuk i bëhej vonë, se këto nuk janë data të
çlirimit të Shqipërisë, por të pushtimit prej komunistëve(!)
Dy gjëra
mund t’i thuhen këtij gjuhëgjati: E para, në emër të kujt flet ai,
ç’përfaqëson, sa deputetë ka në Kuvendin e Shqipërisë tani dhe prej 22 vitesh?
Asnjë. Nuk ka asnjë. Mbase ka pasur dikur ndonjë të falur nga PD-ja. Ani.
Kështu është kur parti tradicionale, të përfaqësuara dikur nga emra të ndritur
të kulturës dhe politikës shqiptare, bien në duar mëtonjësish të rëndomtë e
individësh mediokër. E dyta, pas vitit 1945, gjithë Evropa Lindore u “pushtua”
nga komunistët, paçka se ndër ta, reflekse të njëlloj lufte civile pati më pak;
megjithatë, mos duhet ta mohojnë të gjithë pjesëmarrjen në Luftën e Dytë
Botërore dhe fitoren mbi nazi-fashizmin? Për fat të mirë, popuj e qytetarë të
tjerë nuk kanë nëpër këmbë Alimëdhenj (apo hallmëdhenj?).
Gjithsesi,
e keqja më e madhe është se dirigjimin e gjithë kësaj tollovie, e bëjnë
Kryeministri Sali Berisha dhe klani përqark tij; edhe në prag të këtij jubileu,
ata vazhdojnë të sillen në mënyrën më te keqe të mundshme. Nuk bie më poshtë
edhe opozita, që vetëm e kthjellët nuk është; dhe gishtin në plagë nuk e vë
asnjëherë. Palët janë duke bërë gabime të rënda, teksa përpiqen t’i përçajnë
shqiptarët. Kjo na kujton thënien e hershme të publicistes britanike Meri
Uorthi Montegu, e cila në fillimet e shekullit XVIII do të shprehej:
“Shqiptarët nuk janë stërvitur për diskutime.”
Sidoqoftë,
Kryeministri i Shqipërisë dhe klani përqark tij, këto kohë shumë dritëshkurtër,
janë krijuesit e revansheve e të “rastësive” që provokojnë konflikt. Ata duket
mendojnë se mund të fitojnë kredi politike duke prodhuar dasi e sherre, duke
rihapur e inkurajuar konflikte të vjetra. Veçmas Kryeministri Sali Berisha,
duhej të kishte ardhur me tjetër skenar në këtë 100 vjetor...Me sa duket, nuk
mundet ndryshe, nuk di. Kështu, është trajtuar tashmë me vështrime nga më të
kundërtat çështja e rivarimit të eshtrave të Ahmet Zogut. Nuk ka asgjë për t’u
acaruar pse vijnë të pushojnë në Shqipëri, përkundrazi; por dita e rivarimit të
tij, mund të ishte cilado, 17 nëntori jo; qoftë edhe në aspektin më teknik, atë
të organizimit të dy gjërave të ndryshme. Nuk po themi “të kundërta”; (koha
shëron çdolloj konflikti, sado i ashpër të ketë qenë ai; ekstremistët le të
ulërasin gjithsaherë, dikur shqiptarët do të kuptojnë se “Rozafa” nuk duhet
shembur pambarimisht).
Në këtë
reze, kjo bisedë duhet bërë edhe me një sërë politikanë e intelektualë nga
Kosova, që gjithashtu po ndjekin ritmet arrogante të debateve ideologjike në
Shqipëri. Një pjesë e tyre, nxituan të flasin me mllef për Ahmet Zogun; punë e
tyre, por nuk ka pse bëjnë presion mbi qytetarët e tjerë dhe mbi të rinjtë në
Shqipëri e në Kosovë; historia duhet të përcillet në mënyrë realiste dhe pa
interpretime të huazuara në skuta gjithfarë. Nëse nuk janë në dijeni të situatave
të vështira dhe të aksioneve gllabëruese të fqinjëve të pangopur të Shqipërisë
në dy-tre dhjetëvjeçarët e parë të shekullit XX, nëse mendojnë se shqiptarët e
patën të shtruar rrugën për ta bashkuar kombin dhe s’donin, kjo është një
çështje tjetër. Por mendoj se gabohen. Dhe disa deklarata të nxituara, nuk
bëjnë tjetër përveçse i hedhin zjarrit benzinë.
Kam
menduar gjithnjë se politikanët dhe intelektualët kosovarë janë mirëfilli edhe
më të qetë e më të përmbajtur se ata në Shqipëri; por duket se kemi të bëjmë po
me atë brumë. Në po këtë temë, në disa intervista të shkrimtarit e studjuesit
Rexhep Qose, për polemikat e të cilit kam shkruar edhe njëherë tjetër, teprohet
me disa paravoli sikur praktika e komunizmit në Shqipëri ka qenë më e butë(!)
në mos pothuaj njësoj si në Jugosllavi e vende të tjera të Evropës Lindore(!)
Mendoj se gabohet. Është një e vërtetë e pranuar tashmë nga të gjithë se
Shqipëria ndoqi ekstremin. Ca më pak, për represionin ndaj popullit dhe për
krimet që kanë ndodhur në ato vende, nuk mund të bëhen krahasime, sepse askush,
përveç Shqipërisë, nuk ndoqi atëherë rrugën e Revolucionit Kulturor të Kinës së
Mao Ce Dunit. Më mirë ta mbyllim atë kapitull, se për nder, (përkundrejt ca
hekurishteve e ndihmave të tjera keq e keq), gjithsesi ka qenë më i turpshmi.
Më në
fund, mendoj, ka ardhur koha të qetësohemi, të heqim dora nga lufta
partizan-ballist, të shikojmë vlerat e përbashkëta dhe arritjet e përbashkëta,
përndryshe e gjithë rruga e bërë në këto 22 vjet pluralizëm, mund të na flakë
në ndonjë dhiare pa dalje. E kam shkruar edhe më parë, nuk ka asnjë rast tjetër
sadopak të ngjashëm në rajon, kur një vend të merret kaq shumë me ideologji, me
politikë dhe sajesa të tjera tymuese, duke harruar pamjet më të rëndësishme të
jetës. Diskutimet e sajuara, që shpeshherë prodhohen si pjesë e axhendave të
drejtuesve partiakë, lënë në hije problematika të rëndësishme, si (pa)siguria e
qytetarëve, papunësia, korrupsioni, më në fund edhe ngecja sa i takon statusit
të vendit kandidat për në BE. Në një plan më të gjerë, lënë në hije vetë
çështjen shqiptare. Madje, në të kundërt, nxisin edhe më tej tensione të kota e
mediokre.
Po tërheq
vëmendjen e lexuesit edhe në një fakt tjetër që shumëkush e anashkalon. Në të
gjitha gazetat, revistat dhe portalet në internet, ka një hapësirë në të cilën
lexues të ndryshëm japin mendimet e tyre për ngjarje e individë. Shpesh, këto
komente janë të përgjakshme, të turpshme, të marrësh kujen; kaq pa takt, kaq me
urrejtje, kaq të papërmbajtur dialogojnë e replikojnë shkruesit e shumtë, saqë
thua me vete: “Mos vallë, këta jemi ne? Nëse këta jemi, ta qepim gojën dhe t’i
nënshtrohemi fatit...” Por nuk mendoj se jemi këta...Mëtonjës interesash të
dukshme e të padukshme duan të ketë gjithnjë një konflikt në Shqipëri e ndër
shqiptarët; duan të ketë disa konflikte, përgjakje, përndjekje, sofistikime
episodesh (që ndoshta mund të silleshin pa ekses).
Të gjitha
këto ndodhin për shkak se rregullat i prishin vetë politikanët dhe shtetarët e
ngatërruar me gjithfarëlloj interesash e biznesesh anonime. Thelbi i reformave
dhe i demokracisë në tërësi, është marrja përsipër dhe përmbushja e
përgjegjësive apo në një vështrim të fundit,
shpjegimi i tyre. Kjo gjë e thjeshtë, shumë prej politikanëve dhe shtetarëve
të këtij vendi, iu hyn nga njëri vesh dhe iu del nga tjetri. Kështu, rrugëtimi
i shqiptarëve prej 100 vjetësh, tash prej 22 vjetësh, për fat të keq, mbetet i
pasigurt, konfliktual.
Ta
përmbledhim argumentin. Pjesa më e qytetëruar e shqiptarëve nuk duan që edhe më
tej jeta e tyre, për më keq, e fëmijëve të tyre, të rrjedhë kërcënueshëm midis
përleshjeve politike pothuaj të pashmangshme dhe kërkimit (zhgënjyes) për ditë
më të mira. Gjergj Fishta thoshte: “Shpagimi më i ëmbël është të bësh mirë
kundër të keqes që të është bërë.” Pra, jo për të zbatuar Biblën, por për të
qenë së paku njëherë largpamës, ata që kanë në dorë sadopak të shmangin
urrejtjet, le ta bëjnë këtë. Mirëpo disa prej tyre nuk denjojnë. Mbetet që kjo
të arrihet vetëm duke i shkelur me këmbë ideologjitë, për të mbajtur në duar
busullën e zhvillimit ekonomik e shoqëror sipas parimeve të ekonomisë së tregut
dhe demokracisë. S’ka se si ndryshe, edhe duke i lënë pas njerëzit e mbrujtur
vetëm me ideologji dhe urrejtje, për të sjellë në drejtim personalitete që dinë
të thonë: “Mirëdita! Si je? A je lodh? Çfarë të bëjmë për të lartuar këtë komb
e këta qytetarë?”
Dhe tani,
meqë kam bindjen se të tjerë njerëz të penës e të mendjes kanë lënë mjaft
përvojë e mësime, sa për të mos u kufizuar vetëm në argumentet tona, si përherë
po citoj (sado i largët të duket) njërin prej tyre, Fjodor Dostojevskin, që
përmes një prej personazheve të tij, thotë: “Le të jemi në radhë të parë dhe
mbi të gjitha zemërmirë, pastaj të ndershëm, të mos harrojmë kurrë
njëri-tjetrin.”
Duhej
thënë vetëm “No coment!”, për ta përmbyllur me urimin e thjeshtë: “Gëzuar
100-vjetorin e Pavarësisë dhe të shtetit shqiptar!” dhe vargun naiv të Naim
Frashërit: “Ditë më të mira paskëtaj vijnë...”