Mendime
Besnik Lajqi: Zagari i zi i diplomacisë jugosllave
E diele, 18.11.2012, 03:33 PM
Zagari i
zi i diplomacisë jugosllave
Nga Besnik Lajqi
Më 1988,
unë me disa bashkatdhetarë nga te gjitha trojet shqiptare, vendosëm që ta
organizojmë një demonstrate. Ishte tetor. Mendimi ishte për organizimin e parë
të një demonstrate kundër Jugosllavisë në Kopenhagë. Dhe kështu, pikësëpari
lypëm ndihmë nga Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës me seli ne Zvicër.
Këta u përgjigjën pozitivisht dhe erdhën e na ndihmuan që të shkruajmë afishet
dhe gjithë materialin e duhur. Në mesin e tyre ishte Ibrahim Kelmendi, Gjyle
Krasniqi, Gafur Elshani e disa të tjerë. Këta u vendosën në banesën time. Një
ditë para se të fillonte demonstrate, ne shpërndamë trakte dhe afishe nëpër mure. Pasdite, po të njëjtën
ditë, në derën e shtëpisë sime troket
Halim Kasami nga Tetova. Unë u çudita shumë se si ka mundësi që ky njeri
të trokasë në portën time. Më lejoni t’i them disa fjalë për historinë e këtij
njeriu! Halim Kasami, i regjistruar në Maqedoni si turk, i dërguar nga ambasada
jugosllave në Kopenhagën si mësues i nacionalitetit serb në qytetin Helsingør,
që nga viti 1981.
Ky me
disa shqiptarë të tjerë nga Maqedonia, ishte dora e djathtë e ambasadës
jugosllave në Kopenhagë. Çdo mbledhje që bëhej nga ambasada jugosllave, ky e
përfaqësonte popullin shqiptarë dhe fliste në emër të shqiptarëve ashtu qysh i
konvenonte sistemit te atëhershëm, dhe ishte mik i ngushtë i konsullit
jugosllav Ljubisha, të cilin shpesh e ka pritur me lule në aeroportin e
Kopenhagës, e mos te flasim për dreka e darka. Për shkak të Halimit, njerëzit
s`kanë mundur te shkojnë me vite në vendlindje, se burgoseshin atje duke u
etiketuar si iredentistë, si për shembull axha Kasem nga Shipkovica, i cili u
dënua me burg në Maqedoni,për shkak se nuk duroj gënjeshtrat e Halimit dhe te
konsullatës jugosllave në shoqatën "BESA".
Halimi e
bojkotoj edhe protestën e vitit 1989, ku ne u mblodhëm që të bëjmë ne grevë
urie me qëllim të solidarizimit me minatorët e Trepçës, para ambasadës
jugosllave. Ky i kërcënoi bashkatdhetarët me fjalët se mund të iu marrë
pasaportat dhe, si “hi syve”, u tha se po pregadit një peticion që do t’ia
dërgojë qeverisë jugosllave në emër të bashkatdhetarëve, kurse kjo ishte një
mashtrim dhe gënjeshtër e kulluar. Po i kthehemi vizitës së tij në shtëpinë
time. Ky Halim Kasami troket në derën time dhe më thotë: Më fal që po ju
shqetësoj, por kam dëgjuar se janë disa
shokë aktivistë nga Zvicra dhe Gjermania këtu tek ti! Kam dëshirë që t’i marr
në shtëpinë time dhe t’ua shtroj një drekë. Unë ju tregova këtyre shokëve të mi
që ishin tek unë, se kush ishte ky faqezi, por këta thanë se ne kemi dëshirë te
kemi punë me kësi njerëzish.
Pas disa
minutave përfunduan tek shtëpia e tij. Pasi që u ulëm, ku isha edhe unë
prezent, duke pirë kafe cingëroi telefoni i tij i shtëpisë. Edhe sot më
kujtohet emri i markës dhe ngjyra e telefonit. Ngjyrën e gjelbër e kishte dhe
marka KTS. Ishte telefon me altoparlant që dëgjohej në gjithë dhomën. Në atë
minutë telefonin e mori bashkëshortja e tij, e cila kur u lajmërua, u vërejt se
diçka nuk ishte në rregull. Iu ndërrua çehrja dhe i tha të shoqit: Halim po të
thërret ne telefon konzulli i ambasadës (dmth. ambasadës jugosllave). Unë në
ato momente isha afër telefonit dhe e aktivizova telefonin që të dëgjojmë të
gjithë se çka po flitet. Konsulli jugosllav, i cili fliste në gjuhën serbe,
thotë: Ku je zoti Halim që po të lypi sot tërë ditën? Kam dëgjuar, kam parë
nëpër qytet afishe, madje edhe afër mureve të ambasadës jugosllave, se nesër,
ditë e shtunë, do të ketë protesta e demonstratave të irredentistëve e
separatistëve shqiptarë! Halimi i thotë: Edhe mua më kanë ra në sy, por tash sa
erdha nga puna. Konsulli e pyeti a dinë se kush është duke e organizuar? Ky i
thotë nuk kam informacion tash për tash se kush janë. Konsulli pastaj e pyet: A
mund të këtë dorë këtu ai Rugovci? Faktikisht, fjala ishte për mua, kurse ky ia
kthen: Nuk di! Në ora 16:00, i thotë konsulli: Do të pres ty dhe disa të tjerë
(duke i përmendur me emra), në ambasadën jugosllave, dhe u përshëndetën.
Aty në
dhomë, pas bisedës mbretëroi heshtja. Prezent ishin Ibrahim Kelmendi, Gjyle
Krasniqi, Gafurr Elshani, unë dhe Havzi Sylejmani, miku i Halimit. Pasi që
lëshoi dorezën e telefonit, Halimi pyeti: Kush e lëshoi “zvuçnikun”? Atëherë
Ibrahim Kelmendi i tha: Nuk i thonë “zvuçnik” por altoparlant. Ai me vonë e pyeti
se si i thonë zvuçnikut shqip, se kurrë s’e kishte dëgjuar fjalën altoparlant.
Unë u çova dhe shkova ne shtëpi. Mora aparatin fotografik dhe u fsheha pas
murit të gjallë që ishte para ambasadës jugosllave, për ta pare se kush po
vjen. Në ora 16.05 erdhi një makinë Opel ngjyrë e portokalltë, pronë e Halimit,
ku zbritën 5 persona, kurse unë e shkrepa aparatin dhe i fotografova te gjithë.
Ishte ditë e ftohtë me acar. Ata qëndruan në ambasadë deri ora 18:00, dhe
pastaj kanë dalë. Në mbrëmje shkuam në shoqatën "BESA", që të pimë
diçka, ku erdhi Halimi dhe tha: Isha në ambasadë ku na tërhoqën vërejtjen që
mos të marrim pjesë në protesta. Dhe tha se kishte qëndruar në ambasadë 20
minuta, çka nuk ishte e vërtetë.
Të
nesërmen, ditë e shtunë, filluam protestën në qendër të Kopenhagës, ku erdhën e
na u bashkuan shumë bashkatdhetarë nga të gjitha vendet e Europës. Unë isha i
veshur me tesha kombëtare, ku edhe i prijsha protestës me flamurin kombëtar në
dorë. Shumë bashkatdhetarë me qëndrim në Danimarkë, nuk kishin guxim të
tregonin fytyrën dhe ishin mbështjellur me shalle, dhe ndër ta ishte edhe
Halimi pa maskë. Kur e shifshin, u habiteshim të gjithë për pjesëmarrjen e
njeriut pa maskë, që i frikësonte bashkatdhetarët dhe largoheshin, sepse ia
kishin frikën, por dikur edhe këta që ishin mbuluar, i hoqën maskat dhe
demonstruan pa to. Protesta përfundoi me sukses, duke ia dërguar një notë
proteste ambasadës ruse në Kopenhagë, që të mos e përkrahë urrejtjen serbe ndaj
shqiptarëve. Dërguam fletë proteste edhe ambasadës jugosllave, ku unë me një
vajzë të veshur edhe ajo me tesha kombëtare, i ramë ziles dhe ia dorëzuam
konsullit jugosllav, Lubishes. Ia dhashë
në dorë, në prezencën e një polici danez.
Pas asaj
kohe u ndërprenë kontaktet e shpeshta mes meje dhe anëtarëve të kryesisë së
LPK-së. Pse? Sepse spiuni, bashkëpunëtori jugosllav, e kishte bërë çerdhen në
gjirin e LPK-së, si në shtëpinë e vet. Pas një mbledhje të përgjithshme të
anëtarëve te LPK-së në Danimarkë, pa marrë parasysh kundërshtimet tona, ky,
Halim Kasami, ish mësues i fëmijëve serbë në Danemarkë, dhe bashkëpunëtor i
ngushtë i ambasadës jugosllave, u bë kryetar i LPK-së!!! Prej këtij momenti unë
indërpreva të gjitha aktivitet e mia me LPK-në. Sepse aty u lidh një miqësi e
madhe mes tij dhe anëtarëve të kryesisë së LPK-së, respektivisht Ibrahim
Kelmendit, Xhavit Halitit, Gafurr Elshanit, Xhemajl Durakut etj. Kur filloi
lufta në Kosovë, Halim Kasami ishte një nga kryesorët i cili i mblidhte paratë
e fondit "Vendlindja thërret" dhe më vonë në fondin e luftës të Ushtrisë
Çlirimtare Kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, ku u morën një shumë e madhe
parashë nga ky fond. Pas luftës së shqiptarëve në Maqedoni, ky klysh titist u
emërua ministër, nëse nuk gaboj, i Telekomunikacionit të shtetit maqedon.