Mendime
Dorian Koçi: Horizontet e një miqësie
E enjte, 15.11.2012, 08:05 PM
Horizontet
e një miqësie
Nga Dorian Koçi
Fqinjët
nuk mund t’i zgjedhësh, por miqtë mund t’i zgjedhësh. Kjo është një fjalë e
urtë që nënkupton bashkëjetesën e detyruar që duhet të jetojnë popujt dhe
kombet në rajon, por dhe për miqësitë e tyre që nuk është e thënë domosdoshmërisht
t’i gjejë afër por edhe larg. Shqiptarët u është dashur në të shkuarën të
jetojnë me fqinj problematikë, të cilët i kanë shkaktuar shumë probleme në
ekzistencën e tyre si komb, duke filluar që nga copëzim territoresh, vrasje
masive, gjenocid e deri në përvetësim të së shkuarës historike e materiale.
Krijimi i një situate më të favorshme për rajonin pas përfundimit të Luftës së
Ftohtë dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të Bashkimit Europian me planet e tij
afatgjatë të zgjerimit dhe ndihmës ekonomike për çdo shtet është e vërtetë që i
ka ulur shumë tensionet e së shkuarës dhe nëpërmjet insistimit për
bashkëpunimin rajonal i ka sjellë kombet dhe popujt më afër njeri-tjetrit, por
sërish në horizont herë pas here duken retë e mbushura gjithë mëri të
konflikteve të shkuara ballkanike. Në këtë kontekst, të gjithë shtetet
ballkanike ashtu si ka qenë një traditë e hershme dhe e mirëformuar tashmë
kërkojnë që nëpërmjet diplomacisë së tyre aktive të sigurojnë miqësi të forta
tradicionale, që do të mund t’i mbështesin në mbijetesën dhe zhvillimin e tyre
si komb në një territor si Ballkani, ku ndoshta parimi darvinist i mbijetesës
të më të fortit është zhvilluar më tepër se në çdo rajon tjetër të Europës.
Në
shekullin që shkoi, shqiptarët nuk patën fatin që të kishin si ndihmë
mbështetjen e një fuqie të madhe, ose dhe kur në horizont u shfaq një
perspektivë e tillë, e shpërdoruan në këmbim të plotësimit të orekseve të tyre
të imponuara ideologjike duke iu nënshtruar miqësive që iu dukën se ishin të
mëdha, por përfunduan shumë shpejt në konflikt të hapur. Kjo ishte dhe një nga
arsyet që Shqipëria kur u krijua si shtet, u trajtua si një plaçkë tregu nga
Fuqitë e Mëdha të kohës, mentalitet që për fat të keq mbizotëroi në të dy
Konferencat e Paqes, 1920 dhe 1946. E vetmja ndihmë pa paragjykim dhe pa ndonjë
interes të drejtpërdrejtë për të përfituar në kurriz të shqiptarëve qoftë nga
ana territoriale apo dhe ajo ekonomike ishte ndihma e Shteteve të Bashkuara të
Amerikës në vitin 1919, ku insistimi i Presidentit amerikan Willson për të
respektuar parimin e vetëvendosjes së popujve u bë kamerdarja e shpëtimit për
kombin shqiptar që po rrezikohej të mbytej në detin gjithë stuhi të
pretendimeve territoriale të fqinjëve të vet të mbështetur nga Fuqitë e Mëdha
të kohës. Mirëpo fillimin e kësaj miqësie kaq premtuese midis Shqipërisë dhe
Shteteve të Bashkuara të Amerikës do ta ndërpriste në mënyrë absurde pala
shqiptare, që në shtetin komunist që do instalohej në Shqipëri pas Luftës së
Dytë Botërore do të gjente djallin në shtetin amerikan dhe do të mundohej që të
gjente miqësi të largëta dhe aspak tradicionale. E megjithatë, sërish SHBA
qëndruan pranë Shqipërisë me mosinkurajimin e planeve për copëtimin e saj dhe
me inkurajimin e diasporës shqiptare atje për të mbajtur gjallë frymën e
shqiptarizmit. “Kemi qenë pranë jush në njëqind vjet që shkuan dhe do të jemi
sërish pas njëqind vjetësh”, është fjalia më kryesore që deklaroi zonja Clinton
nga Tirana, duke shprehur angazhimet diplomatike të shtetit të vet, që pas
rënies së komunizmit dhe instalimit të demokracisë në Shqipëri ka qenë shteti
që ka kontribuar më shumë në mbarëvajtjen e Shqipërisë politike, por dhe të
fitimit të të drejtave politike të të gjithë shqiptarëve në rajon, ku mes
gjithë të akteve mbështetje në arenën diplomatike botërore spikat Lufta e
Kosovës dhe themelimi i Kosovës së pavarur.
Pas
deklaratës së ish-presidentit Bush në Tiranë në qershor të vitit 2008 për
pavarësinë e Kosovës dhe për insistimin dhe mbështetjen amerikane që Shqipëria
të ishte vend anëtar i NATO-s me të drejta të plota, deklarata e z. Clinton
është deklarata e dytë e fuqishme amerikane për mbarëvajtjen e Shqipërisë.
Implikimet diplomatike të deklaratave të z. Bush tashmë i kemi parë, pasi
Kosova ka fituar pavarësinë dhe po ecën me hapa të shpejtë drejt konsolidimit
si shtet dhe Shqipëria është pranuar në NATO me të drejta të plota dhe po luan
një rol të rëndësishëm për politikat rajonale, tashmë na duhet të presim për
implikimet diplomatike pozitive të deklaratave të zonjës Clinton, të cilat besoj
se nuk do të vonojnë të shfaqen. Por për të vajtur deri aty, zonja Clinton me
të drejtë ka lënë disa detyra shtëpie që klasa jonë politike duhet t’i bëjë për
të mos mbetur në klasë. Në horizont janë zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2013
dhe ne nuk duhet të zhgënjejmë më miqtë e partnerët tanë strategjikë. Sigurisht
në këtë rrugëtim të porsafilluar që mund ta quajmë dhe një fillim të ri, duhet
të jemi sa më seriozë dhe sa më pak me korrupsion. Koha po punon për
shqiptarët, po ne a do të fillojmë të punojmë më shumë për veten?