E merkure, 01.05.2024, 05:29 PM (GMT+1)

Mendime

Vilhelme Vranari: 100 vjet Pavarësi Kombëtare!

E shtune, 10.11.2012, 08:20 PM


Gëzuar Shqipëri, 100 vjet Pavarësi Kombëtare!

(Ismail Qemali - arkitekt i Independencës sonë)

Nga Vilhelme Vranari Haxhiraj

Të gjithë shqiptarët, në fillim të shekullit XX shpresonin se kishte ardhur koha që pas 5 shekuj robërie, Shqipëria të gëzonte pavarësinë. Pas vdekjes së Skënderbeut, grindjet mes principatave nuk e favorizonin kurrë njohjen e Shqipërisë si komb. Patriotët e Rilindjes Shqiptare dhe Arbëreshe kishin punuar për ta përgatitur opinionin për domosdoshmërinë e shkëputjes nga Turqia. Këtë mision e mori në dorë njereiu që e njihte mirë Turqinë. Ismail Qemalit, si diplomat i pajisur me kulturë të gjerë, njohës i disa gjuhëve, shfrytëzoi rrethanat e kohës: Pozita gjeografike e Shqipërisë si nyje në Mesdhe, shtrirja nga Danubi në Gjirin e Artës, nga Vardari në brigjet e dy deteve, kushtet fiziko-gjeografike (vend malor i alternuar me fusha, ultësira dhe kodra), ndikuan në ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe traditës, jo vetëm si dëshmi e etnisë pellazgo-iliro-arbëre, por faktorë që ndihmuan për Pavarësinë. Në këtë kontekst inkorporohet edhe bashkëjetesa e tri besimeve fetare që ka ruajtur etninë dhe vëllazërimin e shqiptarëve, faktorë që i shfrytëzoi I. Qemali, i cili vuri në plan të parë çështjen kombëtare, që evitoi përçarjet mes shqiptarëve. Vrasja e gjyshit të tij nga sulltani, bëri që ai të ishte shumë i matur në kërkesat ndaj P. Lartë. Për këtë arsye fillimisht kërkoi Autonominë e Shqipërisë.  
           
Si përkthyes i zoti, ai bëri karrierë politike. Qysh në moshë të re emërohet Guvernator i Varnës (Bullgari), ku jo më kot priti Perandorin Franc Jozef. Pas internimit në Azi të Vogël, shkon Kryetar i Komisionit N/kombëtar në Danub. Më vonë emërohet Kryetar i Dhomës së Deputetëve në Parlamentin turk, ku zhvilloi biseda mbi gjendjen aktuale të Perandorisë Osmane dhe zgjedhën e shteteve nën sundimin e saj. Këto takime apo poste titullare, ai shfrytëzoi për çështjen kombëtare. Analiza e tij mbi gjëndjen e Perandorisë në Egjipt, mbi çështjen e Kretës dhe luftën ruso-turke, e pavlerësuar nga sulltani, bëri që Porta e Lartë pësonte disfatë. Porse pasojat ranë mbi shtetet evropiane nën sundimin e Turqisë. Por kjo analizë social-politike e I. Qemalit, ingjante projektot të një arkitekti për të ngritur një ngrehinë të shndërruar në gërmadhë. Pra u bë përvoja parësore e Ismail Qemalit për të synuar drejt shpalljes së Pavarësisë kombëtare.

Posti i Ministrit të Jashtëm, që e dëmtonte çështjen shqiptare, u refuzua nga I. Qemali. Njohja me rrethet përparimtare të Evropës e me personalitetet e shquara politike të kohës, e favorizonin për të bërë prezent problemin kombëtar në opinion botëror. Pas Mit’hat Pashës, Kryetar i Partisë liberale turke u bë I. Qemali. Në një intervistë në Giornale d’Italia) më 23 qershor 1909, Ismail Qemali thekson: Liberalët e Europës Perëndimore ngjajnë me trashëgimtarët e një pasurie të madhe, që shqetësohen për t’u kënaqur me të ardhurat e grumbulluara nga pararendësit e tyre. Nëse në Perëndim liberalizmi është etiketë e një partie për të marrë pushtetin; në Lindje mjafton mendimi liberal që të ngjallen dyshime të cilat sjellin të këqija të mëdha. Kjo analizë i vlente për të nesërmen e afërt të vendit dhe ishte një afirmim diplomatik i tij në botën evropiane.
       Ardhjen e turqve të rinj
ai e quan anarki të rëndë, që vjen nga lart, e cila është më e rrezikshme dhe më e dëmshme se ajo që vjen nga poshtë. Ndërsa komitetin “Bashkim e Përparim” të xhonturqve e quan shtet brenda shtetit, që imponon vullnetin e tij, shtyp liritë e njeriut dhe i kundërvihet kushtetutës. Politika e tyre e detyroi atë të ndërtojë platformën e qeverisjes së Shqipërisë. Kushtetuta nuk është qëllimi, por mjeti për zhvillim dhe përparim.- thekson Ismail Qemali. Ndërkohë Sulltani e emëroi Guvernator në Tripolitani. Ai nuhati rrezikun dhe kërkoi strehim politik në ambasadën angleze, e cila e nisi në Athinë. Menjëherë nisi fushatën diplomatike nëpër oborret e Europës, me ftesën e bërë nga shqiptarët e Australisë që aktualisht ndodheshin (në Athinë). Që arkitekti të ndërtonte ngrehinën e shqiptarëve, i duhej lënda e parë, e cila ishte mbështetja e fuqive të mëdha evropiane. Menjëherë nisi maratonën nëpër oborret e Evropës dhe nuk harroi të publikonte situatën politike të kohës. Udhëtimin e nisi me vende ku çështja shqiptare njihej mirë, si me Romën, Siçilinë e Kalabrinë, ku shfrytëzoi mosmarrëveshjet Austri-Itali për influencën e secilës në Shqipëri.

Ismail Qemali frenoi disi përpjekjet për epërsi ndaj Shqipërisë si: të Austrisë, Greqisë, Italisë e Serbisë. Me shkathtësinë e tij, ai shfrytëzoi situatat  ose më mirë grindjet politike mes shteteve evropiane dhe secilit në veçanti. Më pas shkoi në Gjenevë, Bruksel, ku takoi Faik Konicën për të reklamuar çështjen kombëtare në gazetën e drejtuar prej tij, "Albania". Botimi i gazetës së tij (I. Qemalit) me titull “Shpëtimi i Shqipërisë”, në gjuhë shqipe, greke dhe turke, u përdor për të ringjallur ndjenjën kombëtare te shqiptarët në botë.  Me nuhatje shfrytëzoi vdekjen e mbretëreshës Viktoria të Anglisë dhe shkoi në Londër për ngushëllim, ku u takua me personalitete të politikës botërore. Shkoi në Egjipt, ku kishte shumë shqiptarë. Sulltani, për hesape të vjetra, e dënoi me vdekje në mungesë. Ai shfrytëzoi me mençuri dobësimin e P. Osmane, për shkak të kryengritjeve, sidomos në Ballkan, të cilat ai diti t’i shfrytëzojë me mençuri. Traktati i Shën Stefanit dhe Kongresi i Berlinit 1878, e copëzonin Shqipërinë, gjë që nuk ishte në favor të terrenit që po përgatiste I. Qemali.
Ndaj iu desh të shfytëzo ndarjen e turqve të rinj më 1908. Për Plakun e Vlorës, shpallja e kushtetutës do të ishte faza e parë për Autonomi. *Përvoja diplomatike dhe vizitat nëpër oborret e Europës, bën që ai u mbështet në 2 Fuqi të Mëdha: Austro-Hungari dhe Itali, të cilat për qëllimet e tyre, ishin kundër pushtimit të Shqipërisë nga Greqia dhe Serbia. Bisedimet me qarqet e lëvizjes përparimtare në Athinë, Romë,Vjenë, Paris, Londër, Kajro, Bukuresht dhe me shqiptarët jashtë vendit, bënë të ndryshonte opinioni i Europës për shqiptarët, të cilët i konsideronin pa ideale kombëtare. 
     Hartimi i Memorandumit të Gërçës nga I. Qemali dhe Hasan Prishtina, me 12 kërkesa, sipas të cilave të 4 vilajetet shqiptare të kishin autonomi administrative për çastin, nën vartësinë e Xhonturqëve, pati rëndësi:
Nisën kryengritjet e Malësisë së Madhe me Dedë Gjo Lulin, dhe kryengritjet e përgjithëshme 1909-1911. I. Qemalit si largpamës dhe vazhdues i programit të Rilindasëve, e dinte se rruga e nisur , donte mbështetjen e ndërkombëtarëve, para të cilëve doli me këto kërkesa: 1- Kushtetutë dhe Autonomi administrative për popujt e ndryshëm të P.Osmane; 2- Shqipëria të ketë 2-3 apo 4 vilajete me krahina shqiptare. 3- Hapja e shkollave shqipe dhe shpërndadja e librave në gjuhë amtare në çdo trevë ku flitet shqip. 4- Gjuhë zyrtare të ishte shqipja. 5- Të krijohej policia, postë telegrafa, marrëdhënie diplomatike me Perëndimin dhe fqinjësia e mirë. Kërkesa për autonomi dhe jo Pavarësi, përputhej me kushtet ekonomike, si ide përparimtare për kohën. Ai kërkoi organizimin e shtetit me frymë europiane.Në Nicë të Francës më 19 shkurt 1912 ai doli me idenë e Pavarësisë. Ambasadori italian Tommasso Tittoni njoftoi se në Nicë po mbahet një kongres sekret, me praninë e I. Qemalit. Ai shprehet: Një fis që kërcënohet nga serbët e grekët, është fis i vjetër ilir i shqiptarëve, që ruan e do të ruajë traditën dhe identitetin e lashtë kombëtar.
      Ismail Qemali, më 5 Nëntor 1912 u takua me shqiptarët e Bukureshtit
, ku dolën me një Rezolutë. Por kjo varej nga Fuqitë e Mëdha. Në Vjenë, gjeti mbështetjen e Berchtold dhe ambasadorit Avarna. Më 20/XI/1912 nga Trieste niset për Shqipëri. Ditën që Skënderbeu ngriti flamurinnë Krujë, edhe Ismail Qemali më 28/XI/1912 ngriti flamurin e kuq me shkabën e zezë në Vlorë. Shpallja e Pavarsisë së Shqipërisë u mirëprit nga Italia, Austria dhe Rumania. Kurse Serbia nuk e njohu  aktin madhor që shpalli pavarësinë e Shqipërisë. Stambolli heshti, kurse Greqia dhe Mali i Zi, synonin copëzimin e Shqipërisë. Formimi i Qeverisë së Vlorës me Kryeministër Ismail Qemalin, me anëtarë kabineti nga të gjitha trojet shqiptare dhe me përfaqësues nga tri besimet fetare, ishte akti final i njohjes së Shqipërisë si komb i pavarur. U mbushën 100 vjet dhe vendi ynë përsëri ka mjaft probleme që po ia lemë kohës t'i zgjidhë! Shqiptarë, kudo që jeni, Ju uroj: Gëzuar 100 vjet Pavarësi Kombëtare!



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora