Mendime
Ymer Halimi: Në emër të demokracisë e atdhedashurisë
E merkure, 14.11.2012, 08:33 PM
NË EMËR
TË DEMOKRACISË, TË LIGJIT E TË ATDHEDASHURISË
Nga Ymer Halimi
Sot, në
skenën politike kosovare ka forma të veprimeve politike nga më të ndryshmet, që
bëhen nga parti e individë, në emër të demokracisë, të ligjit e të
atdhedashurisë, e që janë veprime jodemokratike, joligjore,
e kundër interesit të shtetit.
Janë veprime, për keqardhje, si tek rasti i përpjekjes për “përvetësimin” e
luftës së shenjtë të UÇK-ës nga individë, gupe e parti dhe qëndrimi i ynë
kolektiv karshi saj, kur ajo tashmë qe sa
vite është në garë tribunash, kush i pari e kush është më meritor i saj, si dhe
format ad’hoc e me diskrecion të qasjes për ca agjenda të mirëfillta të
shtetit.
Në këtë
kontekst, zgjedhja e Kryetarit të shtetit dhe zgjedhjet për të dy nivelet, për
Kuvend të Kosovës dhe zgjedhjet lokale, janë abuzimi më banal që goditën demokracinë si edhe naiviteti i
besueshmërisë së tepruar te të tjerët, për disa çështje të rëndësishme
shtetërore, si rivendosja e EULEX-it tek gjyqësia, kinse prokurorë e gjykatës
vendorë ndjehen të frikësuar, e ky shantazhon politikisht individë te caktuar!?
Këto, e
pompoziteti i “fitores” për “Ikje” të mbikëqyrjes së pavarësisë dhe fjalori i
sovranitetit, si koncepte për shtetin, janë
skajshëm ndesh njëra me tjetrën që shmangin suksesin tonë politik. Nga
ana tjetër, ngritja në nivel propagande demokracinë, nga pozitë e opozitë, ku
është vënë në rrafsh pa përmbajtje, thua se demokracinë duhet ta bëjmë për
Evropën e jo që është domosdoshmëri e ekzistencë se shtetit dhe lirisë tonë.
Mostransparenca e kontratave për investime kapitale, privatizimi i pronës së
shtetit e tjetërsimi i saj, shpenzimi i buxhetit të shtetit, për ca segmente
thua se arka e shtetit është personale, janë për keqardhje. Zhgënjyese është
edhe kur shteti pret të mbushë arkën nga
remitancat, se zhvillimi ekonomik është i papërfillshëm, e aq më i thellë është
zhgënjimi kur ligji që garanton lirinë qytetare mbetet në sirtar e kështu shumëkujt
i vidhet lira, nga individë e grupe te
caktuara.
Shih
shëndetësinë publike e private, arsimin publik e privat, administratën e gjyqësinë, universitetin dhe
akademinë.
Thjesht,
ajo që është kërkesë e çdo kohe, reformimi si nevojë imediate, assesi nuk po
arrihet të bëhet në mënyrën e duhur, as
nga trysnia e brendshme, as nga trysnia e jashtme. Nuk po bëhet dot, as në
nivel partishë e as në nivel qeverisjeje të shtetit, e as në nivel
institucionesh, as në nivel akademie se, tash për tash, koncepti i
përgjegjësisë para ligjit po edhe morales janë të pazbatueshme. Ndoshta moralja
mund të mos pranohet si vlerë me të cilën mund të manipulojnë intelektualë dhe
politikanë, nga pikëpamja filozofike, por këto dy kategori e kanë degraduar
funksionin e institucioneve, në të shumtën, duke nxjerë përfitim e vetanake nga
e përbashkëta. Akademikët, shumica, sot janë nën strehë të çatisë së politikës,
pa pasur begraundin e akademikut, sepse aty i rekrutoi politika abuzive e djeshmja dhe e sotme, dhe
ata janë pjesa më inerte e kombit tonë. Këto te cekura nuk janë ndjenje përceptimit,
por shihen si në shuplakë dore e në rreze te diellit.
Kemi filluar të mos ngushëllohemi
me shpresën gënjyese
Shih një
ilustrim nga UP-ja. Në ditën e fundit të punës para skadimit të mandatit, 28
shtator, e premte pasdite, Senati i UP-së
e kishte të ndaluar marrjen e vendimeve. Megjithatë, Senati për materiale të caktuara, të shpejtuara në
proces, merr vendime për të mbështetur
individë e grupe abuzive. Së paku në FM kjo shihet tepër kjartë. Senati merrë
edhe vendim arbitrar për ndërrimin e emrit të UP-së. Dhe, në një çast rasti,
një senatori i UP-së, edhe anëtar akademisë, sqaroi thjesht: “Muja (Rektori) na
ka thënë”. Atëherë, cili është personaliteti i akademikut, i udhëheqësve të
njësive akademike në UP, senatorëve, kur
tjetërsohen më një falë gojë në: “Muja,
e grupe abuzive”, duke e mohuar të drejtën meritoreve, duke dëmtuar
institucionin.
Mjerisht,
përkundër investimeve kolosale në arsim, në të gjitha nivelet, funksionalizimi
dhe grafiku i zënies së dijes dhe vlerësimi
janë në pikën më të ulet në të cilën kemi kaluar ndonjëherë në gjithë
shtrirjen e ekzistencës së arsimimit tonë?! Gjërave nuk mjafton për t’u dhënë
vetëm formë, por të domosdoshmen, përmbajtjen.
Prandaj,
në periudhë kohe kur ashpërsitë politike janë të shfaqura, e kur abuzantët
“lakmohen” për guximin e veprimeve që i bëjnë me shkeljen e çdo norme e ligji,
atëherë qëndrimi i paanësisë intelektuale,
karshi gjendjes, së paku në hapësirën ku punojnë, është delikt serioz.
Megjithatë, politika këto po i vë si të arrira, “në
rrafshin e të mundshmes”, duke krahasuar të pakrahasuarën, robërinë me
lirinë, e jo të sotmen më të mundshmen,
duke mohuar dialektikën e zhvillimit të proceseve në kontekst kohë; duke servuar
mendimin se fillimi ishte zeroja, çka edhe nuk është. Të gjitha këto, sot, po
konsumohen, por megjithatë ka filluar të shfaqet keqardhja që po shqiptohet
kudo: “si është e mundur kjo...!”, “si
po ndodhin këto...!” “kush jemi ne ore...”. Kemi filluar të mos ngushëllohemi
me shpresën gënjyese, e po shihet
energjia latente e zhgënjimit, “keqardhja” e dënimit për dobësitë tona.
Shpallja e heronjëve virtual
Po u
analizua në mënyrën e duhur, me gjakftohtësi, kjo gjendje gjeneroi se krijimi i shtetit sot po shihet si produkt i negociatave e jo i luftës, se me
lehtësi u pranua që pranë heroit, qe me gjak lau tokën e Kosovës, të shpallen
edhe heronj virtualë me motive partiake politike, pranë varrit të dëshmorit e
ke një varr “dëshmori” virtual që u pagëzua në ditët e pasluftës, pranë një
ushtari që ishte me armë në dorë e sakrifikoi çdo gjë në shërbim të atdheut e
ke te regjistruar ushtarin që luftën e pa nga ekranet televizive. Dhe këtu zë
filli zbehja e identitetit tonë politik, përzierja e koncepteve për
funksionalizimin e shtetit, se politikanë u bënë shumë mercenarë të pushtetit
të djeshëm, po edhe të dikujt tjetër sot. Janë në udhëheqje edhe individë që kanë probleme me identitetin
e vet intelektual, moral e profesional, duke i zënë frymën idesë e energjisë
progresive, dhe rrjedhojë e kësaj, skena
politike kosovare ka një përçudnim, se individë të influencës politike janë
realiteti më mosbesues dhe kreatorë të
zhgënjimit.
Kasta
udhëheqëse e çdo niveli të pushtetit dhe institucionesh, atdhedashurinë e
marrin si një episod në jetën e tyre, si karizëm e në pushtetnë erdhen në emër
të saj, duke u stërkequr në luksin e fituar në emer të lirisë. Shqetësuese
është se opozitë është zhveshur nga idetë dhe ekiuvalentohet me pushtetin për
të vetmin kusht: pushtetin nën ombrellën e cilit do koncept politik, po edhe të
kundërshtarit.
Ashpërsia e pushtetit përballë
masave dëshmon amoralitetin e brendisë së pushtetit
Megjithatë,
është një copë opozite militante, që e shfaq idenë e vet me militantizëm si
formë, e me shprhje banale, edhe pse shpreh saktësi politike, shihet si
anakronike e kohës. Por, edhe kundërshtimin e idesë së saj si opozitë, në emër
të mbrojtës së institucioneve, me forcën e njësisë speciale policore, me
thellësinë e urrejtjes ideologjike, ku shihej si koka e demostruesit shtypej me
çizme polici, e përdridhej për shkallë invaliditeti, është pasqyrimi më i keq i
Republikës se Kosovës.
Megjithatë,
në një çast tjetër më të mirë, i pari i ekzekutivit u barazua me ndjenjën e
qytetarëve, me një keqardhje. Keqardhje politike. Kryeministri e kuptoi se
ashpërsia e pushtetit përballë masave, gjithherë tregon pasigurinë,
amoralitetin e brendisë së pushtetit dhe sa më e lartë që është ashpërsia
përballë masave aq më i ulët është niveli i lirisë. Opozita militnte në mënyrë
implicite, Kryeministrit i dha mbështetjen e duhur për procese pozitive për të
mbrojtë interesin e shtetit, por jo forma e opozites që ka mentalitet
komunistesh.
Kjo copë
opozite militante, karshi interesit politik të Kosovës, është si “trëndafilat e
bardhë” në Gjermani, apo si studentët francezë, kur me ekzistencialistin, Zhan
Pol Sartër, demonstronin shesheve të Parisit, duke kërkuar një rrugë të sigurt
për zhvillimin e Francës.
Recesioni politik me deficit moral
Thjesht,
ajo që është kërkesë e çdo kohe, reformimi si nevojë imediate e çdo procesi
shoqërorë i takon edhe demokracisë së brisht të Kosovës. A do filloi ky
reformim?! A ka shancë? Ku duhet të filloj?
Këto ditë
ishte “pompozitet mediatik” zgjedhjet. Arsyeshem se aty është çelsi i
demokratizimit të një shteti. Ca parti i bënë zgjedhjet me një formalitet, për
të mbështetur kryetarët e tyre që kanë një copë patriotizmi episodik. Çfare thotë
kjo për demokracinë!? Sipas kësaj, a është fillimi apo fundi i zhgënjimit
politik?!
Sot, bota
është në resecione ekonomike mjaft të rënda e ne jemi brenda saj, por ne jemi
edhe në fazën e një recesioni politik me deficit moral, që mund të jetë në fazë
të një zhgënjimi kolektiv politik?! Ndoshta, përseri do jetojmë më shpresë, për
një dëshirë ende te pa arrirë në dimensionin e saj të vërtetë. Por, të greket e
vjetër shpresa konsiderohej e keqja e të këqijave. E ne mbi kurrizin e shpreses
ishim njerzit më optimist në gjithë globin.
E gjitha
kjo e cekur nuk është ndjenje përceptimi, por realitet ku gjendja e renduar ne
jetën tonë është shkak i keqperdorimit te demokracisë. Kjo shihet, se wshtw ne
rreze dielli. Dhe kemi fillua t’i bëjmë pyetje vetes: pse keshtu?! Por, qe kemi
kuptua se sa e rrezikshme është per një popull demokracia e keqpërdorur. Më nuk
kemi kah e drejtojmë gishtin e akuzes jasht vetes tonë. A është fillimi apo
fundi i një zhgenjim politik!?