E shtune, 03.05.2025, 06:09 PM (GMT+1)

Mendime

Jeton Ameti: Kongresi i Manastirit 14-22 Nëntor 1908

E premte, 16.11.2012, 07:22 PM


Kongresi i Manastirit 14-22 Nëntor 1908

Nga Jeton Ameti

Populli shqiptar është autokton në trojet e veta etnike, dhe dallon krejtësisht prej fqinjëve të vet shovinist si në aspektin kulturor, gjuhësor, e atë kombëtar. Orientimi evropian i shqiptarëve nuk mund të profilizohej tërësisht vetëm me lëvizjen ushtarake, politike dhe diplomatike, ai kishte nevojë edhe për gurë themeltarë kulturorë, të cilët nuk mund ti lëvizte më pastaj asnjë rrethanë politike, asnjë koniunkturë dhe asnjë situatë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit 1878, Kongresi i Manastirit 1908, dhe Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë 1912, ishin tri hallka të një zinxhiri të vetëm e të pandashëm dhe mungesa e sëcilës prej tyre nuk do të mund ta sillte Shqipërinë që e kemi sot. Zhvillimi i shpejtë i lëvizjes kulturore, zgjerimi i shkollave dhe i botimeve në gjuhën shqipe, shtruan si nevojë të ngutshme caktimin e një alfabeti të vetëm për shkrimin e shqipes në vend të disa alfabeteve që vazhdonin të përdoreshin. Për të zgjidhur këtë çështje dhe probleme të tjera të Lëvizjes Kombëtare, u vendos të mbahej një kongres i posaçëm. Nismën për thirjen e tij e mori klubi shqiptar i Manastirit dhe më 14 nëntor të vitit 1908 i filloi punimet e veta po në atë qytet Kongresi i Manastirit. Në këtë kongres morën pjesë rreth 50 delegatë nga qytete të ndryshme dhe nga klube e shoqëri patriotike brënda dhe jashtë vendit. Ndërmjet tyre ishin edhe patriotët e intelektualët e shquar Luigj Kurakuqi, Gjergj Fishta, Fehmi Zavalani, Gjergj Qiriazi, Bajo Topulli, Ndre Mjeda, dhe figura të tjera kombëtare. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, i byri Abdyl Frashërit. Kongresi i vazhdoi punimet deri më 22 nëntor të vitit 1908. Vendin kryesor në punimet e tij e zuri çështja e alfabetit. Pas shumë diskutimesh, me gjithë dëshirën dhe synimin për të cilin ishin mbledhur, nuk u arrit të caktohej një alfabet i vetëm, por u miratuan dy alfabete, ai i Stambollit, i përdorur që nga Shoqëria e Stambollit, dhe një alfabet i përbërë vetëm me shkronjat latine që ishin shumë afër atij të Shoqërisë Bashkimi të Shkodrës. Meqenëse ky i fundit ishte më i lehtë për tu mësuar dhe më praktik për të botuar libra shqip edhe në vende të huaja, pa kaluar shumë kohë u bë alfabeti i vetëm i gjuhës shqipe.

Kongresi i Manastirit nuk ishte thjesht një mbledhje shkencore për gjuhën, por një kongres kombëtar. Aty u vendos që për të gjitha klubet shqiptare të caktohej si klub qendror ai i Manastirit. Krahas mbledhjeve të hapura, u organizuan edhe mbledhje të fshehta, në të cilat u diskutua dhe u miratua një program kombëtar prej 18 pikash, që përmbante kërkesa me karakter politik, ekonomik dhe kulturor. Të tilla ishin njohja zyrtarisht e kombësisë shqiptare dhe e gjuhës shqipe, përhapja dhe zhvillimi i arsimit në Shqipëri, po ashtu të krijohej edhe një universitet në Shqipëri.                Kongresi i Manastirit pati disa përfundime pozitive, çka e bëjnë atë një kongres të një rëndësie të veçantë. Kongresi bëri bashkimin e shqiptarëve intelektualë dhe i vuri energjitë e tyre në funksion të krijimit të një alfabeti, të hartimit të platformës politike dhe të punonin për përgatitjen e kuadrove për shkollat shqipe. Ky kongres kombëtar ka, gjithashtu, vlera specifike në fushën e historisë politike shqiptare.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx