Mendime
Jeton Ameti: Drejt 28 Nëntorit shekullor
E enjte, 29.11.2012, 07:38 PM
Drejtë 28
Nëntorit shekullorë
Nga Jeton Ameti
Shqiptarët
si popull më i lashtë në Gadishullin Ballkanik, gjithmonë kanë zbatuar
filozofinë e tyre kombëtare. Duke organizuar jetën e tyre për të arritur
ardhmërinë kombëtare, rritjen dhe fuqizimin kulturor, shoqëror dhe ekonomik.
Sot kur shënojmë këtë jubile të rëndësishëm të historisë tonë kombëtare, për
100-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kemi një obligim të
natyrshëm para vetës për të kujtuar me krenari të gjitha ato përpjekje,
kryengritje e luftëra të përgjakshme të popullit tonë, që nga Lidhja Shqiptare
e Prizrenit, Lidhja e Pejës, Kongresi i Manastirit, dhe kryengritjet e
pareshtura të shqiptarëve gjatë viteve 1910-1912, të cilat u kurorëzuan me
sukses të plotë kundër armikut shekullorë. Gjatë
asaj periudhe patriotët shqiptarë gjetën momentin e përshtatshëm të rrethanave
ndërkombëtare që më 28 nëntor të vitit 1912, lufta e pandërprerë për autonomi
të shëndërrohet në pavarësi. Kështu gjaku i derdhur shekuj me radhë i popullit,
që u qëndroi si shkëmb stuhive të pushtimit, burrëria dhe guximi sollën më në
fund frytin e dëshiruar nga diplomati i madh i popullit shqiptar Ismail Qemali
më 28 nëntor të vitit 1912, në Vlorë u ngrit flamuri kombëtar dhe Shqipëria u bë
shtet i pavarur. Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë nuk ishte drejtuar kundër
askujt, as kundër fqinjëve, por ishte për ta pasur një vend të merituar në këtë
pjesë të Siujdhesës Ballkanike, do të thotë në mesin e familjes së popujve
ballkanikë dhe evropianë në përgjithësi. Ngritja e flamurit kombëtar në Vlorë
përfaqësonte fitoren e përbashkët të, të gjitha trojeve etnike shqiptare të
cilët duke marrë pjesë gjallërisht me pushkë e me penë në lëvizjen për çlirim
kombëtar vendosën gurrin e shejntë në themelet e pavarësisë së Shqipërisë
Etnike. Themelimi i shtetit shqiptar bëri të mundur ekzistencën e shqiptarëve
si popull e si komb i barabartë në familjen e popujve evropianë e të botës,
hapi rrugën për zhvillim ekonomik-shoqëror, kulturor e politik për të marrë
pjesë në mënyrë aktive e në mënyrë të ndërgjegjshme në proceset përparimtare
historike e botërore.
Nga ana
tjetër gëzimi ynë si shqiptarë etnikë vjen i përgjysmuar. Për shkak se para një
shekulli, shqiptarët u ndodhën në një situatë vërtet të vështirë. Pas vendimeve
të padrejta në Kongresin e Berlinit të vitit 1878, edhe Konferenca e
Ambasadorëve në Londër më 22 mars dhe 12 gusht të vitit 1913, bëri padrejtësinë
më të madhe në historinë e popullit shqiptar, vendime që lanë gjëmë të gjatë e
lemeritëse kombëtare në Shqipërinë Etnike. Me një fjalë, Shqipëria u krijua,
por mbeti e plagosur rëndë. U krijua në fakt vetëm Shqipëria bregdetare duke
pasur në kufijtë e saj të cunguar politik vetëm vilajetin e Shkodrës, ndërsa
pjesa më e madhe e trojeve etnike shqiptare duke përfshirë vilajetin e Kosovës
me kryeqendër Shkupin, vilajetin e Manastirit dhe atë të Janinës, mbetën jashtë
kufijve politik të shtetit të ri shqiptar. Me gjithë Shpalljen e Pavarësisë së
Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, që është data jonë më e rëndësishme kombëtare me
këtë nuk u mbyll çështja shqiptare, sepse ajo edhe sot pret zgjidhjen e drejtë
edhe pas një shekulli, pasi jemi i vetmi popull në botë që jetojmë të ndarë në
pesë shtete. Në këtë 100 vjetorë të shejntë Shqipëria ende kufizohet, në tërë
gjatësinë tokësore të kufijve, me vetveten, me popullin e vet të një gjaku, të
një gjuhe, dhe të një historie të përbashkët me sakrifica dhe luftëra të
shumta. Prandaj një herë e mirë, është e domosdoshme që me ngulm e mençuri, të
punojmë të bashkuar, të gjithë shqiptarët kudo që jemi, me aleatët tanë të
sotëm e të sinqertë, që kurrë më të mos mbetemi peng i vetëflijimit dhe i
koniunkturave të mbrapshta.