Mendime
Dorian Koçi: Një komb, një festë
E diele, 25.11.2012, 05:41 PM
Një komb,
një festë
Nga Dorian Koçi
“Një
komb, një kombëtare” është një devizë që dëgjohet gjithandej nëpër stadiumet
shqiptare sa herë që luan kombëtarja shqiptare nga tifozët e shumtë shqiptarë
të ardhur aty, nga të gjitha trojet etnike. Shumë analistë nga mediet fqinje e
kanë gjetur këtë devizë si shoviniste por në fakt në të s’ka aspak një ndjejnë
të tillë, por më tepër shpreh dëshirat e ndryllura të shqiptarëve në rajon nën
pothuajse një shekull represion dhe mohimi të së drejtave të tyre kombëtare. Si e tillë , ajo ka si filozofi bazë
bashkimin e shqiptarëve kudo që janë pa fyer ndokënd e aq më tepër pa kërcënuar
njeri, por duke zbatuar në vetvete një mentalitet evropian si është pikë së
pari integrimi mes vedi dhe më vonë me popullsitë e tjera në rajon. Në këtë 100
vjetor të pavarësisë në fakt gjithandej nëpër trojet shqiptare po diskutohet
shumë për bashkim kombëtar, për figura të rëndësishme historike që kanë
kontribuar për të realizuar ëndrrën e shqiptarëve apo për strategjitë që duhet
të ndjekin popullsitë shqiptare në rajon për tu intreguar më mirë mes tyre.
Gjithçka tingëllon shumë mirë dhe krijon premisa të mira për të pasur një frymë
bashkëpunimi mes gjithë shqiptarëve por papritur vjen politika zyrtare e
Shqipërisë politike apo “dheut amë” si quhet në diasporë dhe krijon një tension
të panevojshëm mes shqiptarëve.
Arsyeja
si zakonisht është tepër banale,një arsye që gjejnë gjen gjithmonë klasa jonë
politike për të krijuar fortunë në një gotë uji. Axhenda e festimeve të 100
vjetorit të pavarësisë duhet të ishte një axhendë bashkimi dhe jo të bëhej
shkas për një konlikt të ri mes të majtës dhe të djathtës në Shqipëri. Si e
tillë ajo duhej të përfaqësonte të gjithë vullnetin politik dhe dashamirës të
të dy palëve për t’i dhuruar vendit , një festim dinjitoz dhe jo një panair
kotësish ku secila palë të shesë patrotizmin e vet. Shqiptarët nuk kanë nevojë
në shekullin e XXI të dëgjojnë të njëjtat avaze si shumë dekada më parë ku
klasa e tyre politike nuk gjente një të mesme të artë për tu bashkuar por
punonte me mëndje të vet secili “për
Shqipëri” dhe atdheu zhytej në anarki dhe ngecje në vend. Sot ne jemi një vend
anëtar i NATOS, vend kandidat për Bashkimin Evropian, organizma që si pjesë
kryesore të kulturës së tyre politike kanë dialogun dhe konsesusin ndaj nëse klasa
jonë politike ka përgjegjësinë e duhur për ta quajtur veten si një klasë
drejtuese e këtyre përmasave, duhet të gjejë sa më shpejt një marrëveshje për
të mos lejuar këtë turp kombëtar, të festimit të festës më të madhe të
shqiptarëve me dy axhenda të veçanta dhe në dy qytete të ndryshëm.
Në datën
5 nëntor të vitit të largët 1912, plaku i urtë Ismail Qemali pas takimit me
Koloninë shqiptare të Bukureshtit nisi rrugëtimin e tij drejt Vienës për të
marrë garancitë politike , e më vonë drejt Triestes për të lundruar drejt
Shqipërisë ku do të realizonte aksionin më të shkëlqyer diplomatik të jetës së
vet, pavarësinë e Shqipërisë. Rrugëtimi i tij drejt Vlorës, vendit ku do të
mblidhej Kuvendi Kombëtar për të shpallur pavarësinë e vendit do të shoqërohej
nga ngritja e flamujve në të gjithë qytetet kryesore të vendit si një flakë
olimpike që paralajmëronte lirinë. Në Durrës, në Tiranë, Elbasan e Lushnjë kudo
që shkonte e kalonte karvani i pavarësisë dhe vendi kërcënohej nga pushtimi i
fqinjëve ballkanikë, shqiptarët nxitonin të shprehnin vullnetin e tyre politik
pa pyetur shumë për protagonizëm politik apo pa u pushtuar nga ndjenja për të
qenë nga pak Skënderbe brenda tyre. Si rezultat edhe pse e copëtuar , Shqipëria
nuk humbi në detin e hordhive të vendeve fqinjë por u bë shtet më vete duke
krijuar premisat që të shërbente si një vend i shenjtë për gjithë shqiptarët në
rajon. Mësimi nga kjo e vërtetë politike duhet të mbizotërojë në dialogun e
sotëm mes partive dhe udhëheqësve politikë kur deklarohen dhe vendosin të
veprojnë për të festuar 100 vjetorin dhe jo një mentalitet përçarës i pa shoq
në Ballkan. Etërit e pavarësisë shqiptare të gjithë ata burra të urtë që
nënshkruan aktin e pavarësisë atje lart ku janë, në parajsë si e besojmë të
gjithë që janë, me siguri janë duke vështruar poshtë duke pyetur se çfarë
pasardhës kanë lënë pas: ëngjëj apo djaj? Le ti bëjmë të ndihen mirë qoftë dhe
njëherë në festën e tyre dhe në festën e tyre duke qenë të bashkuar në festime
si dikur në Kuvendin e madh Kombëtar më 28 nëntor 1912.