Mendime
Engjëll I. Berisha: Varret në Perëndim
E hene, 25.06.2012, 05:29 PM
Varret në
Perëndim
Shenja e emrit
Perëndimi
në Kosovë, krejt afër kufirit të përdhunshëm, në fshatin Meje të Gjakovës, është
një lokacion perëndimor brenda dimensionin të gjerë evropian, lokacion
varrezash të dëshmorëve të luftës së fundit. Një shenjë emri në gjeografinë fragmentare
të kulturës së një kombi. Kush bën fjalë si shkenca për kombin, njësiti
identifikues i kombit, njësiti karakterizues i unifikimit karakteristik i
diversitetit brenda një tipari historik të tij? Zanafilla, fillimi i të qenët,
dhe fundi deri në këtë moment kohe, që vazhdon deri nesër dhe niset për në pafundësi.
Në midis të këtyre dy polariteteve kohore, fillimit dhe fundit, del një shenjë e
emrit tim, e përveçme. Flet shqip!
Ata dëshmorë
të persekutuar nga vandalizmi serb, që tash pushojnë në varrezat që janë kuriozitet
botëror, së gjalli kanë jetuar bashkë duke u marrë vesh shqip. Bashkë janë në një
copë toke të vogël edhe të vdekur. Atha si flasin tash? Nuk flasin më. Heshtin.
Dhe çka i bën të përbashkët nëse jo gjuha amnore e të gjithë atyre, gjuha që tashmë
nuk mund ta dëgjosh. I bën bashkë diçka më e madhe edhe se gjuha e tyre. Janë bashkë
aty, me shenja fetare diferente, por që janë shenja që shpjegojnë shqip domethënien
e fatit të tyre që quhet Histori e Perseritur, histori që përsërit vetveten
deri në vijën e fundme të Rubikonit.
Vëri
shenjë vëllait sa të duash, një gjak është që kur ishin gjallë i bënte të jenë po
ata, shqiptarë, fajtorë për nga gjuha e gjaku, fajtorë vetëm pse ishin të tillë.
Ata i kanë vrarë pse kanë qenë barabar hisedarë të historisë, pse u ka takuar
ta trashëgojë fatin e të parëve të tyre. Ata që në këtë vend sollën armë për të
na vrarë me shekuj, po ata i sollën dhe na i ngjitën në ballë edhe shenjat për
të na bërë të diferencueshëm, por që kjo punë nuk pati sukses kurrë/ Jo pse nuk
deshi historia, po pse ata që folën me shenja e jo me gjuhën shqipe, tashmë janë
diku tjetër, në një gjeografi tjetër, të gjallë a të vdekur njësoj, por të ndarë
nga bashkësia, të shkapërderdhur nëpër gjuhët e pakuptueshme të botës larg,
shumë larg!
Në mos
asgjë tjetër, pos kujtimeve për familjarët e dëshmorëve, bashkimi i tyre është një
dëshmi që flet qartë faktin se ata që deshën ta fusnin thikën midis tyre, kurrë
nuk ia dolën. Është një popull në botë, që barabar i ndarë në “numra” njerëzish,
asnjëherë me shekuj, një luftë së paku nuk e bërë midis veti, ashtu si deshën
ata që erdhën një here për të na përçarë, e pastaj [për të na sunduar, sipas
sentencës romake.
Derisa po
i afroja “shifra” e “fakte” nga libri im mbi Mejen, ndaj edhe mbi varrezën
kuriozitete, gjenerali ndërkombëtar nuk po shtirej, po vërtetë nuk po me merrte
vesh, nuk e njihte historinë tonë. Paqartësia rridhte shkaku se, si askund në këtë
rrezullum, ne vendin tim rendi nuk vihet si është zakoni i Zotit, i pari ai, e
pastaj Atdheu? Është një popull që Atdhe e ka Zotin, dhe kur largohet nga
Atdheu, e ndërron edhe Zotin, zgjedh një zot që s’i flet me gjuhën e Nënës. Një
zot ekziston i gjithëfuqishëm për të gjithë, dhe kjo dihet. Besa e idealit,
lutjen me përuljen para Zotit e merr vesh secili që i falet për vendin e vetë,
për varrin që bëhet shtëpi e përbashkët e atyre që vriten nga dora e të pafeve,
atyre që Zotin e kanë vrasës dhe moral e kanë urrejtjen.
Gjenerali nuk është i “ushtrisë së vdekur” si në romanin e njohur, edhe pse është i huaj. Dhe - në mos asgjë tjetër, ai më kupton mirë kur flasë për varret pa emra me eshtrat që nuk vijnë kurrë në atdheun tim. Mbase ne artin tonë triumfalist i sjellim gjeneralët që t’i kërkojnë eshtrat e ushtarëve të huaj që u vranë në atdheun tim, por metafora do duhej përmbysur, ku janë “gjeneralët” që shkruajnë histori, ku janë të dalin e t’i gjejnë eshtrat e këtyre që edhe sot nuk na i kthejnë të vdekur. Nuk më duket, por është e vërtetë se Meja i ka dritaret sy të nënave që presin t’u kthehen të bijtë e bijat, t’i shohin të vdekurit si kthehen këmbë për ta pajtuar dhembjen që nuk pushon nëpër kohëra historie.