Mendime
Si do të jetë gazetaria e së nesërmes?
E diele, 24.06.2012, 06:11 AM
SI DO TË JETË GAZETARIA E SË NESËRMES?
Nga 30
maji deri më 1 qershor, gazetarë nga e gjithë bota u përpoqën të përfytyrojnë të
ardhmen e profesionit të tyre, sot kur gazetaria është në ndryshim të jashtëzakonshëm.
Ata u mblodhën në Paris në forumin NEWS WORLD SUMMIT, organizuar nga “Global
Editors Network”. Një nga reporterët e “TV5 Monde” përgatiti këtë reportazh të cilin
po paraqes më poshtë. Po ashtu, unë pata rastin që të njihem me të gjitha
diskutimet që u mbajtën në këtë ngjarje të madhe për gazetarinë botërore në sajë
të marrëdhënieve me “TV5 Monde” si pjesëmarrës i “Blogue Planetaire”.
Po si do të jetë media e së nesërmes. Diskutantët në këtë forum theksuan se interneti dhe media on-line duket se po e sfidojnë median tradicionale. Ata vunë re se edhe profesioni i gazetarit apo formati i artikullit ka ndryshuar. Raporti lexues-gazetar nuk është si më parë dhe një nga sfidat e mëdha të së ardhmes është mobili, domethënë vendi ku do të shfaqet media e së nesërmes do të jetë aparati celular. Ndaj dhe editorët e mëdhenj po nxitojnë që të jenë të pranishëm në katër ekrane-celular, ordinator, tablet dhe televizion. Ndërsa ajo që duket e paarritshme sot, mund të jetë realitet nesër dhe ky do të jetë rrjeti Social-TV. Po le të ndjekim reportazhin e mëposhtëm të koleges Laure Constantinesco
Nga “News
World Summit 2012”, që u mbajt në mjediset e Bashkisë së Parisit.
Ilir Yzeiri
Sa më shumë mjete numerike – smartphone, tableta, ebook – aq më shumë kohë harxhojmë duke lexuar – libra, por edhe revista e gazeta. Kjo është një nga të dhënat e një kërkimi të Institutit McKinsey realizuar në mes të viteve 2008 e 2011, në 180 000 persona në mbarë botën. Kjo e vë në pozitë të vështirë idenë se interneti e varrosi gazetarinë.
VDEKJA E ARTIKULLIT TRADICIONAL…
Web-i
solli më shumë vdekjen e artikullit dhe të reportazhit të ashtuquajtur “tradicional”.
Kjo “ndoshta nuk është një gjë e keqe”, thotë Peter Bayle i “CNN Interantional”.
“Për sa kohë do të kemi gazetarë cilësorë, nuk do të ketë asnjë problem”, vijon
ai.
Jim
Roberts i “New York Times” thotë se gazetarët po jetojnë sot “moshën e artë të artikullit!
Mjetet që ke sot në dispozicion për të treguar një histori janë pa kufi dhe
shumë fleksibël”.
Të njëjtin konstatim bën edhe Edwy Plenek, bashkëthemelues i “Mediapart”, për të cilin numeriku “i ka dhënë artikullit një rini të re, sepse me të ti mund të ruash e të mbrosh traditat më të mira me mjete që nuk ekzistonin në epokën e shtypit prej letre”.
… DHE LINDJA E FORMATEVE TË REJA
Web-i i
jep dorë gazetarisë që të rikrijojë dhe të rizbulojë. Këta dy vjetët e fundit,
formate që për disa ishin të panjohura më parë, tani janë në fazën që po bëhen
klasike.
I pari
mes tyre është live-blog ose live-blogging, ky artikull multimedial në kohë reale.
Në “Agence France Presse” është menduar për këtë format që në vitin 2008, gjatë
fushatës elektorale për presidentin amerikan, sepse “shumë reporterë sillnin
materiale që nuk përdoreshin në fund të ditës”, thotë Juliette Hollier-Larousse,
kryeredaktore e AFP-së.
“Gazetaria
on-line ose live shpërtheu gjatë 12 muajve të fundit me një nisje të ndrojtur në
2009”, shpjegon Kate Fairhust e “Scribblelive”, ndërmarrje që propozon një mjet
të live-blog-ut për mediat. Është e vërtetë që përdoruesit e internetit u gjendën
të tërhequr pas live-it në 2011, sepse ndodhën ngjarje ndërkombëtare të jashtëzakonshme.
Në sitin e “TV5 Monde” ne e përdorim rregullisht këtë format prej më shumë se
një viti.
Meqenëse
audienca matet me kontaktin ose me klikimin, tani shtrohet çështja e monedhëzimit
(pagesës). Një zgjidhje mund të jetë ajo që sjell “GEN Live desk”, formai i
live-it i krijuar prej “Global Editors Network” në partneritet me “Google”, me
pjesëmarrjen edhe të gazetarëve të BBC-së, “The Guardian”, “Le Monde”, të “Voralberger
Nachrichten” dhe “Zeit Online”. Ky mjet është falas dhe burim i hapur (domethënë
kodi, kodi-burim është i arritshëm për të gjithë ata që e zhvillojnë për ta përmirësuar
dhe për ta personalizuar) dhe lejon të futësh aty reklama. Ky mjet do të jetë i
mundshëm në shtator për të gjitha redaksitë.
Një prirje
tjetër është gazetaria e hapur ose “open journalism”. Benoît Raphaël, krijuesi
i “Post” (zëvendësuar sot me “Huffington Post”), i “Plus” dhe i “Lab”, është një
mbrojtës i zjarrtë i tyre. Për të, roli i mediave sot nuk është më që të transmetojnë
informacion te publiku, por tamam-tamam t’i japin atij fjalën dhe ta ndihmojnë që
të dëgjohet edhe ai.
Paul
Lewis, kryeredaktor i “The Guardian”, media pioniere në fushën numerike, vlerëson
se gazetaria e hapur, para së gjithash, do të thotë të rimësosh se “nuk dihen të
gjitha”. Informacioni nuk qarkullon në një drejtim – gazetarë-lexues.
Për
Sharon Moshavi, zv.president i “International Center for Journalists”, më tepër
është fjala për një akt qytetar. Ky bashkëshoqërim ka krijuar media qytetare në
zonat “ku gazetarët nuk shkojnë dot”. P.sh. në Indi popullsitë fshatare tani
kanë akses në informacion: banorët përdorin celularët për të dhënë informacione
që më pas shpërndahen në një radio.
Flitet
shumë edhe për gazetarinë e të dhënave ose data-journalisme ose më shumë akoma
vizualizim i të dhënave. Në këtë rast, principi që vepron është ai që kërkon t’i
bëjë të dhënat bruto-shifrat sidomos – të kuptueshme për të gjithë.
Për Chiqui
Esteban të “lainformacion”, “një grafikë funksionon më mirë se një tekst”. Alastair
Dant i “The Guardian” paraqiti punët më të mira të realizuara në gazetën e tij
si grafika interaktive të shpenzimeve publike britanike, ku internetasi vetë mund
të kryejë shkurtime në buxhet për të shëndoshur financat e vendit të tij! “The
Guardian” punon sot me projektin miso (financuar nga fondacioni “Gates”), një mjet
në formën e burimit të hapur në mënyrë që gjithë bota të mund të zbulojë të dhënat
e njohura (open data) për shpenzimet publike.
Në “News
World Summit”, një juri rinjohu me një shpërblim për herë të parë iniciativat më
të mira të “Data Journalism Awards”. 57 projekte të mediave nga e gjithë bota
ishin në garë. Gjashtë prej tyre u shpërblyen.
Formati
tjetër është “fact-checking”, ose verifikimi i të dhënave. Ose në ç’mënyrë gazetari
shkon te themeli i burimeve, domethënë si e bën ai verifikimin para se ta
publikojë lajmin… Një praktikë që ka lindur në mediat amerikane dhe që ka shkëlqyer
në Francë sidomos gjatë zgjedhjeve presidenciale. Sylvain Lapoix mbrojti aty “Véritomètre”-in,
një mjet i verifikimit të fjalimeve politike gjatë fushatave. Gazetari i OWNI-s
vlerësoi dhe u shprehu mirënjohjen internetasve sidomos atyre që riverifikonin
shifrat dhe të dhënat pas gazetarëve. “Duhet të bëjmë një aleancë me audiencën
tonë”, këshilloi ai.
Një fjalë
e re dhe në modë është fjala kurator. Në këtë rast gazetari nuk duhet të prodhojë,
por të përzgjedhë lajmet e shumta dhe të lidhura me një temë të caktuar. Për
Jim Roberts të “New York Times”, ky është specialiteti i së ardhmes: “Ke përshtypjen
se kuratori është një gazetar i klasit të dytë. Është gabim: kuratorët më të mirë
u japin vlerë zërave që nuk mund të shprehen pa ata-kuratorët”
Më në fund
informacioni sot duhet të paraqitet edhe në plate-formes mobiles. 8 ndër 10
amerikanë konsumojnë informacione nga telefonat e tyre celularë, sipas një studimi
vjetor mbi gjendjen e mediave amerikane të “Pew Project for Excellence in
Journalism”.
Rrjedhojat:
nevoja e ngutshme për zgjidhje të reja; lexim të diferencuar. 11 milionë lajme
të ndryshme ruhen për këtë qëllim çdo ditë me anë të aplikimit të rrugës “Pocket”
(ex Read It later). Duhet gjithashtu që të rroket vëmendja e konsumatorit duke
zhvilluar një strategji për platformën mobile, shpjegon Eric Hazan i Institutit
McKinsey: “Duhet të jemi shumë krijues: abonime, lajme të shkurtra, audiencë e
diferencuar, këto të lejojnë të dalësh nga shtrati i gjerë dhe i turbullt i
autostradës së internetit”.
Mobili është me të vërtetë si thika zvicerane për reporterin, “mjeti më i përdorur prej gazetarëve të terrenit”, thotë Paul Lewis i “Guardian”.
STRATEGJIA E MULTI-EKRANEVE
Të jesh i
pranishëm në katër ekrane – celularë, tableta, ordinatorë dhe televizorë të lidhur
me një stacion apo platformë të caktuar- kjo tashmë është sfida që qëndron në zemër
të të gjitha redaksive. Por është e vështirë që të bësh një të tillë projekt
sepse “5 vjet më parë nuk ekzistonte as aplikimi, as ndonjë terminal që ne të përfitonim
sot”, tha Phil Fearnley i BBC-së.
Në vend që
të ngatërrohet me të ardhmen, BBC-ja ia ka dalë që të gjallërojë të tashmen: media
britanike propozon që për Lojërat Olimpike të kësaj vere të përdorë një dispozitiv
të padëgjuar më parë dhe totalisht “cross-media”: “Do t’i lejojmë gjithkujt të shohë
çfarëdo në cilëndo kohë e në cilindo vend” shprehet i entuziazmuar Phil
Fearnley. Në sitin e kanalit, internetasi do të ketë akses në të gjitha
kompeticionet direkt falë “24 flux straeming” në HD. Ai mund të lundrojë lehtësisht
në sporte të ndryshme dhe në rast se në një ndeshje që ai nuk po e ndjek ndodh
diçka, ai lajmërohet dhe mund ta ndërrojë kanalin.
Televizioni
i lidhur (télévision connectée) është në fillimet e tij. Franca ka aktualisht
potencialin më të madh sipas shifrave të Martha Stone e institutit të studimeve
“World Newsmedia Network”. Bruno Patino, drejtor i strategjive numerike në “France
Télévisions”, përmendi evoluimin e sjelljes së spektatorëve, të cilët tashmë duan
të diskutojnë për një program përmes rrugës së rrjeteve sociale gjatë transmetimit:
“Social TV-ja është një fenomen në shpërthim të plotë”.
Redaksia e “Propublica”,nderuar me çmimin “Pulitzer”
NESËR RIKTHIM DREJT SË ARDHMES
Në fillim
të gazetarisë, investigimi ishte mbreti. Gazetari-investigues i jepte publikut
të tij scoop-e. Një specialitet që më pas nisi t’u kushtonte shtrenjtë redaksive
– një investigim kërkon kohë dhe kjo kushton – tani mund të rilindë në sajë të web-it.
“Grupet
mediatike nuk dëshirojnë që të marrin rrezikun në sy me gazetarinë investigative,
me përjashtim të më të mëdhave”, analizoi në diskutimin e tij Paul Steiger i “Propublica”,
“por kjo nuk do të thotë se investigimi është zhdukur. Vetëm se tani, nëse njerëzit
do të duan të lexojnë një investigim, ata duhet të fusin dorën në xhep”. Është modeli
ekonomik i “Propublic”-ës, një organizëm me qëllime jo të errëta ku publiku
financon punën e gazetarëve. Më pas artikujt shpërndahen falas në mediat
partnere. Ky “newsroom” i një lloji të ri u dha atyre çmimin “Pulitzer” në prill
2011, i pari “Pulitzer” dhënë një siti interneti.
E njëjta
kambanë bie edhe për “Mediapart”-in, “pure player” (mjeshtër në këtë profesion,
në internet, në gazetarinë on-line, term i përdorur në marketingun e web-it) francez,
specializuar në gazetarinë investigative. Bashkëthemeluesi i saj, Edwy Plenel, çmon
se gazetaria sot duhet të përqendrohet në më të vlerësuarën: “Duhet pyetur se
cila e bën diferencën. Informacionet e panjohura që habisin publikun e detyrojnë
atë të lëvizë, të ndryshojë”. Për Plenel, gjithashtu, është lexuesi që duhet të
financojë këto investigime.
Më e çuditshmja, kthimi te letra, u shpall nga Jim Chisolm. Ky konsulent për gupet mediatike betohet për këtë strategji që është kundër rrymës, duke thënë se ueb-i nuk ia del që të monedhëzojë gjithmonë audiencën e tij. Me 3.2 miliardë internetas, letra mbetet zotëruese. Chisolm shkon më tej dhe godet: “50% e rënies së printit vjen për shkak të menaxhimit të keq!”.
GAZETAR, NJË MJESHTËRI NË NDRYSHIM
Më në fund,
më vështirë do të jetë ndoshta të evoluojë profesioni i gazetarit. Nëpër
redaksi, fraktura ka filluar të ndjehet. Si do të zgjidhet? Secili, metodën e
tij.
Në “Washington
Post”, organizohen grupe pune mes të vjetërve të më të vjetërve dhe të rekrutuarve
rishtas që secili t’i japë tjetrit përvojën e tij.
Në redaksi
të tjera janë më të drejtpërdrejtë si p.sh. te zvicerania “Tages Woche”, ku çdo
gazetar është i detyruar që të jetë i pranishëm edhe në “Twitter”. Apo te “Guardian”,
ku redaksitë print dhe web janë shkrirë dhe ku 600 gazetarët punojnë në të dyja
platformat. Por, thotë kryeredaktorja Clare Margetson, “ambienti është bërë më shumë
bashkëpunues, të rinjtë ndihmojnë më të vjetërit në disa fusha e sidomos në ato
fusha që kanë të bëjnë me teknologjinë”.
Gazetari nuk mund të punojë siç ka punuar dikur kur ai e injoronte teknikën që përdornin të tjerët. Gazetari i shekullit XXI duhet të jetë “geek”, që të dialogojë me mjeshtrit e web-it, por të zbulojë dhe të testojë vetveten me teknologjinë e re. Disa parathonë madje se gazetari në një të ardhme të afërt do të duhet të dijë të kodohet…Revolucioni në media sapo ka filluar.
Laure Constantinesco