E diele, 28.04.2024, 07:46 AM (GMT+1)

Mendime

Artur Zheji: Dielli i fikur…

E shtune, 23.06.2012, 10:48 AM


Dielli i fikur…

Nga Artur Zheji

Dielli është një mrekulli e zjarrtë që ushqen çdo çast jetën dhe të përditshmen tonë, këtu mbi planetin Tokë. Është verbues, i nxehtë, i zjarrtë. Është materia kozmogonike që mban ngrohtë Gjallësinë dhe krejt zinxhiri i jetës, zë fill nga kjo Fillesë energjie. Teorikisht e pashtershme.

Në këtë mrekulli që fal jetë dhe shpresa prej miliona vitesh, në disa kënde të realitetit shqiptar, nuk ka Diell. Ose më saktë, Diell ka, por Dielli është i fikur. Këto kënde shqiptare janë të mbiquajtura: territoret zymtake ku mbizotëron Gjakmarrja, kjo Zanë e Zezë, e vdekur e pakallur.

Gjakmarrja është një traditë shumë e lashtë. Jo vetëm shqiptare. Thelbi i filozofisë historike të lindjes së Gjakmarrjes, është i koncentruar në emërtesën Gjak-Marrje. Thelbi është Gjaku. Jeta. ‘Gjaku nuk hupë kurrë!’, nuk humbet pra kurrë, thuhet në Veri. Gjaku, në këto ndjesi të vjetra sa koha, është diçka e njëjtë me shpirtin. Gjaku është shpirt dhe ka shpirt në këto zakone të lashta. Gjaku pra, ka kështu një jetë të vetën përtej vdekjes. Ka pra një identitet të pashlyeshëm ndër breza. Marrja e parë e jetës, ose vrasja e parë, ka ndodhur simbas Shkrimeve të Shenjta, që në brezin e dytë të jetës përmbi Tokë. Atëherë kur djemtë e Adamit, Kaini dhe Abeli u zunë. Xhelozia e shtyu Kainin të vriste vëllain e tij Abelin dhe për këtë, Kaini, e së bashku me të fillesa e Njerëzimit, u përzu nga Kopshti i Edenit, drejt një rropatjeje të vështirë ekzistenciale. Të përjetshme dhe të vdekshme.

Ne, simbas Shkrimeve të Shenjta të Dhjatës së Vjetër pra, i bie të jemi pasardhës të Kainit, vëllavrasësit, të mallkuarit dhe të degdisurit të përjetshëm. Kësisoj, Vrasja e Parë e Njerëzimit u ndëshkua nga Zoti jo me vdekje, por me mërgim të përjetshëm nga Parajsa Tokësore që mishëronin Kopshtet e Edenit, ndërtuar nga vetë Perëndia për gëzimin e krijesave të tij tokësore.

Shqiptarët vendosën në lashtësi një Kod të rreptë në mbrojtje të Jetës.Kushvret, vritet! Ky Kod, është parakristian dhe mbështetet te vlera e pashkatërrueshme universale e Gjakut. Gjaku si një njësi kozmogonike, si një tullë themeltare e Universit pra, endet në kohëra dhe kërkon Gjak tjetër, Gjakun që rrjedh ndër dejet e familjarëve të vrasësit, për t’u shpëlarë. Për t’u paqësuar përmes shpagimit. Kësisoj, sistemi i jetës vendoset në ekuilibër dhe jeta vazhdon, ashtu si jeta, me dritëhijet e saj.

Në Kanunin e Lekës, Lekë Dukagjinit, ka rregulla të forta dhe të saktësuara në maksimum për mënyrën se si ‘merret Gjaku’. Fëmijët, gratë dhe pleqtë e thyer në moshë, përjashtohen rreptësisht nga Kanuni. Gjaku i tyre nuk i vlen qëllimit. Kanuni ishte një Legjislacion Fisnor (tribal), që kishte një prirje pozitive historike. Kanuni ishte një lidhje, një pengesë dhe një shtrëngesë. Një ndëshkim kolektiv i Pleqësisë së Krahinës, që u vinte fre vrasjeve dhe sidomos Mosndëshkueshmërisë së vrastarëve.

Kanuni i vuri një Peshë dhe një Peshore Ligjore vrasjeve, konstituoi ndëshkimin e parashikuar rast pas rasti. Vendosi Ligjësinë rregullatore, ndërmjet më të Fortëve vrasës dhe më të Dobtëve viktima. Vendosi Ligjin e Maleve. Kur viktima nuk kishte mundësi të merrte Gjakun, ishte fshati dhe Pleqësia, që simbas rregullave, simbas Kanunit pra, i dilte zot të drejtës së Gjakut dhe zbatonte atë që sot, në legjislacionin modern, e quajmë ‘dënimin me vdekje të fajtorit’.

Nëse dikush shkelte Kanunin dhe vriste çmendurisht gra apo fëmijë për Gjak, atëherë ndëshkohej me farë e me fis nga i gjithë fshati, Komuniteti dhe shpesh pjesa e mbetur e pasardhësve, përzihej nga Krahina si e mallkuar dhe si e damkosur.

Sot në disa Zona Shqiptare me Diell të Fikur, në mënyrë kafshërore dhe ndyracake, Gjakmarrja vepron dhe vret akoma pleq e fëmijë e gra. Ndërkohë dhe në jetën e saj paralele, Shoqëria Shqiptare, hesht e mpirë dhe e pafuqishme.

Një vajzë 17-vjeçare u vra disa ditë më parë së bashku me gjyshin. Kundër Kanunit dhe në emër të Kanunit. Sot, dhjetëra fëmijë janë të ngujuar dhe vriten në prita si mëshqerra, nga disa individë me mallkim në tru. Disa individë që flasin për Kanunin, por nuk njohin Kanunin dhe sigurisht mbi të gjitha nuk njohin Shtetin dhe frikën e Shtetit, shkrehin vdekje dhe fikin jetë.

Por edhe Shteti nuk i njeh ata. Shteti i sotshëm shqiptar, në një formë ose tjetër, i ka braktisur de facto këta të sëmurë dhe ç’është më e keqja, ka braktisur edhe viktimat e tyre të shumta. Vajza e djem të bukur si Yje, që këputen si meteorë, nga disa plumba absurdë, që flakërojnë nga ca pushkë absurde, ndër ca duar të sëmura psiqikisht dhe me errësirë të zymtë në tru.

Ky realitet i përbindshëm, konsumohet në periferi. Në periferi gjeografike dhe në periferi të vëmendjes së përgjithshme. Viktimat ngrenë hera-herës krye në ndonjë reportazh Tv, por më së shumti në kornizat e zeza, të kronikave të zeza. Me sy dhe vështrim të hutuar, të pashpresë por sërish jo krejtësisht shpresëhumbur, në pritje të Diçkaje që nuk vjen, të një vështrimi dhe të një vëmendjeje që vonon pafundësisht.

Ka një Teori së cilës unë i besoj. Kjo Teori thotë se Pjesa dhe e Tëra, janë në një marrëdhënie të vazhdueshme komunikative dhe ndërvarësie. E Tëra, nuk mund të jetë e ‘shëndetshme’, në qoftë se një Pjesë, apo qoftë edhe një Pjesëz,  është e ‘sëmurë’.

Ashtu si në organizmin njerëzor, që është vetëm një qelizë e organizmit të së Tërës, nëse një pjesë sëmuret apo lëngon nga diçka, dhimbja dhe mbi të gjitha çrregullimi, krijon pasoja dhe efekte anësore, në të gjithë pjesën tjetër. Por jo vetëm, moskurimi i të keqes së Pjesës, krijon herët a vonë një rezonancë negative dhe priret të sëmurë të gjithë sistemin, krejt organizmin. Pra Pjesa, sëmur dhe kalb, herët a vonë të Tërën.

Rrjedhimisht, pavarësisht se një vajzë 17 vjeçe vritet në mënyrë të qëllimshme dhe kriminale, në emër të deformimit të një Kanuni, që Kanun s’mund të jetë në kohërat që jetojmë, nëse një fidan 17- vjeçar sharrohet nga një vrasje e paramenduar, diku në ‘Askund’, në një periferi me emër lehtësisht të harrueshëm, pasojat shpërndahen dhe rrezatojnë kudo.

Jeta kërcënohet kudo, sepse ky antistandard, në lidhje me çmimin dhe përçmimin e ulët të jetës në Shqipëri, rrezaton kudo, në spitale, në aksidente, në shoferë vrasës, në standarde të dyshimta rrugësh, në ndjeshmërinë e përgjithshme kombëtare për Vlerën e Jetës. Jeta e Njerëzve, Jeta e Pyjeve, Jeta e Ujërave, Jeta e Tokës dhe Jeta e Nëntokës.

A nuk është pak a shumë kështu në Shqipëri, në të gjitha dimensionet? A nuk ndjehet e kërcënuar gjallësia, nga mosvëmendja dhe shkujdesja fatale kulturore që kemi ndaj Jetës, ndaj unicitetit të saj? Ndaj papërsëritshmërisë së saj?

Vrasja e Maries 17-vjeçare ca pak ditë më parë, prish ekuilibrin e brishtë të së Tërës. Prish ekuilibrin e një shoqërie normale shqiptare. Dhe një shoqëri normale shqiptare duhet të reagojë. Që organizmi të kurohet. Me shpresë shërimin.

Një ditë. Me shpresë, në një ditë jo të largët. Por kurimi duhet të fillojë sa më parë.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora