Mendime
Gani Qarri: Dy përvjetorë të shqipëtarve; 134 vjet Lidhje, 100 vjet ndarje
E diele, 17.06.2012, 04:28 PM
Dy përvjetor
të shqipëtarve; 134 vjet Lidhje, 100 vjet ndarje
Nga Gani Qarri
Me rastin
e këtij përvjetori të madh dhe ndër më të rëndësishmit të historisë sonë ,përveç
rikujtimit të datës së formimit të Lidhjes Kombëtare Shqiptare dhe Prizrenit si
vend ku ajo lindi, me pietet duhet të përkujtohen dhe nderohen krijuesit e saj të devotshëm të cilët dhanë çdo gjë nga
vetja për ta shpëtuar popullin shqiptar nga kërcënimet serioze që kishin vënë në
rrezik ekzistencën e tij,edhe pse kombi ynë sivjet plotëson një shekull që kur
mbeti i ndarë në disa shtete.
Heronjtë e
Lidhjes ishin ata,të cilët nuk u ndalën para asnjë sakrifice,vuajtje a sfide
sado e madhe qoftë ajo për atdhe, përkundër ndëshkimeve të rënda, syrgjynosjeve
të gjata ,burgjeve drakonike, helmimeve dhe flijimit të jetës së tyre të shtrenjtë.
Asnjëra nga këto figura të ndritshme kombëtare,nuk kaloi pa persekutimet dhe përjetime
nga më të hidhurat,të cilat mundi ti shpaguante vetëm liria e arritur kombëtare
si vlerë mbi vlerat e cila nuk ka çmim dhe për të ia vlen të flijohet çdo gjë ,
përfshi edhe jetën.
Pas më tepër
se 4 shekujsh robërie,e para Lidhja e Prizrenit organizoi shqiptarët rreth idesë
së madhe të lirisë së tyre dhe çlirimit të atdheut,duke bashkuar forcat më përparimtare
të kohës si dhe intelektualët më të njohur të kombit. Ajo angazhoi ushtarakët më
të zot që kishin trojet tona, ashtu si dikur Besëlidhja e Lezhës në kohën e
lavdishme të Skënderbeut e cila i vuri në veprim të gjitha forcat aktive,duke
krijuar për herë të parë edhe një platformë gjithëkombëtare politike dhe
ushtarake të veprimit,për mbështetjen me forcë të çlirimit dhe bashkimin kombëtar,
pa projektin e të cilës shqiptarët vështirë se para 100 vitesh mund të arrinin
Shqipërinë e lirë, dhe tani Kosovën shtet
Heronjtë e
saj ishin figurat më të ndritura të kombit,të cilët vinin nga të gjitha trevat
ku flitej shqip; si Kosova, Shqipëria, Ilirida, Çamëria, trojet shqiptare nën
mal të zi,Kosova Lindore dhe shqiptarëve në përgjithësitë,të njohur jo vetëm
nga këngët patriotike që atyre u këndoheshin por për veprat e mëdha kombëtare që
ata arritën ti realizonin.
Nga ata
nisi dhe u jetësua çdo e arritur serioze që ka të bëj me mbijetesën dhe
ekzistencën e këtij populli, që nga ringjallja e ndërgjegjes së mjegulluar kombëtare,zhvillimi
arsimor dhe kulturor e deri te lufta për pavarësi dhe krijimit të shtetësisë shqiptare.
Siç është
përsëritur disa herë edhe gjatë historisë së ekzistencës sonë,populli shqiptar
në të gjitha kohët kishte armiq të shumtë të cilët përpiqeshin hapur për
shuarjen e tij, ndaj nuk ishte vetëm robëria pesëshekullore - ajo, e cila
shqiptarët do ti sillte para asimilimit,por ishin edhe aleancat sllavo-ortodokse
ato, të cilat synonin me çdo kusht zhdukjen e përgjithshme të kombit tonë.
Në krye të
këtyre aleancave ,printe gjithmonë Rusia ,e cila herë fshehtas e herë hapur, përmes
marrëveshjeve me fuqitë tjera vendimmarrëse,që nga marrëveshja e fshehur e
vitit 1877 në Budapest, parashihte okupimin e Kosovës nga Serbia,të Çamërisë nga
Greqia dhe viseve veriore të Shqipërisë nga Mali i Zi.
Marrëveshjet
e saj të hershme dhe të vonshme si dhe aleancat sllavo ortodokse të vendeve
hegjemoniste fqinje,jo vetëm se do ti qonin shqiptarët në prag të një shthurje
të rrezikshme territoriale por edhe të shuarjes së tyre kombëtare.
Pas marrëveshjes
së fshehtë të Budapestit,më 24 prill të vitit 1877 do të fillonte lufta Ruso-Turke
e cila do të përfundonte më 31 janar të vitit 1878, kurse rreth një muaji më pas
pra më 3 Mars të atij viti,afër Stambollit do të nënshkruhej marrëveshja e Shën
Stefanit,e cila jo vetëm se nuk do ti përmendëte fare shqiptarët por edhe trojet
e tyre do të ndaheshin sipas shijeve sllave.
P.Sh. Bullgaria,
do të pushtonte Korçën, Pogradecin, Dibrën, Gostivarin, Kërçovën, Tetovën,
Shkupin, Kaçanikun dhe Kumanovën.
Serbia,kishte
okupuar viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës,kurse
Mali i
Zi, Plavën,Gucinë, Hotin, Grudën, Anamalin, Rugovën, Krajën dhe qytetin e bukur
bregdetar të Ulqinit. Ndërsa pjesa tjetër e trojeve tona do të ngelej edhe më tej
nën perandorin turke.
Edhe pse
shqiptarët fuqishëm do ta kundërshtonin pushtimin e tokave të tyre dhe
traktatin e Shën Stefanit,rishqyrtimi i vendimeve të tij do të arrihej vetëm
pas hedhjes poshtë edhe nga Fuqitë e mëdha,e sidomos nga Austro-Hungaria.
Ndaj pas
më tepër se tre muajsh, nga 13 Qershor deri më 13 Korrik të vitit 1878 do të mbahej
Kongresi i Berlinit,në të cilin do të silleshin vendime të reja për vendosjen e
kufijve në Evropë dhe Ballkan,të cilat as kësaj radhe për popullin shqiptar,nuk
ishin aspak fatlume.
Paralajmërimi
i mbajtjes së Kongresit të Berlinit,u bë një shtysë më tepër për shqiptarët që të
bënin një organizim më të mirë kombëtar. Kështu që më 10 Qershor të vitit 1878,para
mëse 134 vitesh,do të mblidheshin rreth 300 delegat nga të gjitha krahinat e
popullit tonë në Prizren ku do të krijonin Lidhjen Kombëtare Shqiptare e cila
edhe pse kishte atributet e një qeveri të mirëfilltë evropiane,përfaqësuesit e
shqiptarëve nuk do të pranoheshin në Kongresin e Berlinit, bile do tu mohohej
edhe fjala në punimet e tij me arsyetimin se nuk ekzistuaka kombi shqiptar dhe
Shqipëria na qenka vetëm një shprehje gjeografike,siç do të shprehej kancelari
i atëhershëm i Gjermanisë Otto Bismarku para delegacionit shqiptar të udhëhequr
nga Abdyl Frashëri.
Ndaj,edhe
në Kongresin e Berlinit u vendos që tokat e tyre tu epeshin shteteve fqinje,si
p.sh;
Serbisë krahinat
shqiptare të Pirotit, Trenit,Vrajës,dhe Nishit.
Malit të Zi:
Tivarin, Podgoricën, Plavën, Gucinë ,Rugovën dhe Kolashinin, kurse,
Greqia
pushtoi trojet shqiptare deri në lumin Kalamas dhe Sele-mavria, që përfshinte
pjesën më të madhe të Çamërisë.
E sjellë para
akteve të kryera,Lidhjes Kombëtare Shqiptare, nuk do ti mbetej rrugëdalje tjetër
përveç organizimit ushtarak, për mbrojtjen me luftë të trojeve shqiptare e cila
shumë herë u tregua e aftë dhe e zonja ti mbronte ato me grykën e pushkës për çka
edhe fuqitë e mëdha do të detyroheshin disa herë të provonin (gjoja) gjetjen e
zgjidhjeve alternative,duke bërë zëvendësimin e një toke me një tokë tjetër,por
gjithmonë shqiptare,për tua falë fqinjëve tanë hegjemonist e grabitqar.
Kështu do
të fillonte mbrojtja e organizuar ushtarake e trojeve tona etnike para 134
vitesh, pas 10 qershorit të vitit 1878 kur do të formohej, Lidhja Kombëtare
Shqiptare një pjesë e projektit kombëtar të së cilës do të realizohej, rreth 34
vite pas krijimit të saj,me datën historike të 28 Nëntorit të vitit 1912, kur
do shpallej pavarësia e Shqipërisë.
Ndaj,ky
vit mund të konsiderohet si viti i parë me fat për shqiptarët ani pse edhe ai
solli vetëm një fat të pjesshëm për shqiptarët, ngase më tepër se gjysma e
kombit dhe trojeve tona etnike pa dëshirën e tyre edhe përkundër luftërave të gjata
që ata zhvilluan për çlirim,prapë do mbeteshin jashtë kufijve të shtetit të sapo
krijuar kombëtar ,për të cilët edhe pas rreth 500 viteve të kaluara nën sundim,
pushtimet e huaja dhe robëria mbi ta në disa pjesë të etnisë sonë tash e 100
vite ajo vazhdon.
Ndaj,
besoj se me të drejtë,populli ynë kritikon mosveprimet e qeverive të Shqipërisë
dhe Kosovës të cilat nuk kanë bërë asnjëherë sa duhet për bashkimin e kombit
dhe trojeve tona etnike të ndara për mëse një shekull. Madje edhe ata individ
apo grupe të cilët përpiqen për bashkim, të dy qeveritë përkujdesen- që përpjekjet
e tyre të shantazhohen dhe mbeten pa mbështetje , në vend se para këtij provimi
të madh edhe ata të ndihmojnë e veprojnë kombëtarishtë dhe gjenden aty ku bëhet bashkimi.
Udhëheqësit
e Lidhjes,ndryshonin shumë nga politik-bërsitë e sotëm shqiptar,ngase ata dhanë
çdo gjë nga vetja e shumë sish edhe jetën e tyre të shtrenjtë për lirinë dhe
bashkimin e kombit,të cilët për
kontributin që dhanë u bënë të njohur si për historinë tonë ashtu edhe për atë ndërkombëtare
edhe pse shumë sish besnikërinë ndaj kombit dhe atdheut,do ti paguanin me jetët
e tyre të shtrenjta.
Shembuj të
tillë ka shumë,por ndoshta do të mjaftonte që kësaj radhe ti kujtojmë disa nga
ta:
Po
fillojmë me, Sefë Kosharen i cili pas plagosjes në luftë kundër hordhive
pushtuese turke do të kapej nga turqit në mes të Slivovës dhe Shtimes ,i cili
edhe para litarit të ngritur për varjen e tij ,më përpara do ta pranonte
vdekjen se sa tradhtinë ndaj idealeve të Lidhjes Kombëtare Shqiptare.
Madje
luftën e Lidhjes për çlirim kombëtar,ai as me çmimin e jetës ,nuk do ta dënonte,
siç kërkonte nga luftëtarët shqiptar, Dervish Pasha,për tua falur atyre jetën.
Ndaj edhe
pse i plagosur rëndë heroi do të varej nga Dervish Pasha në një lis në mes të fshatit,
që të tmerroheshin edhe shqiptarët e tjerë të cilët kërkonin çlirimin e Atdheut
të tyre nga Perandoria turke.
Mic
Sokoli njëri ndër udhëheqësit më luftarak dhe më trima që kishte Lidhja Kombëtare
Shqiptare,do të ngrihej në Legjendë të pavdekshme kombëtare: Ai në shpirtrat
dhe zemrat e patriotëve shqiptar jeton edhe sot, i cili do të binte heroikisht
në dyluftimin trimëror me grykën artilerike të topit turk, që vriste luftëtarët
e tij.
Ali Ibra
njëri nga anëtarët më trima të shtabit udhëheqës të ushtrisë së Lidhjes,në luftimet
kundër forcave pushtuese të perandorisë turke , do të printe në ballë të betejave,
i cili nuk do të ndalonte luftimet mbi "vraç" të zi as kur do të plagosej
rënd ,edhe pse do ti shkonte gjaku për zingji.
Abdyl
Frashëri pas kapjes së tij nga turqit,pranë Elbasanit,do të dënohej dhe
syrgjynosej deri në vdekje në Stamboll,por as ai nuk do ti dënonte veprimet e
Lidhjes Kombëtare Shqiptare ,në këmbim të faljes së dënimit nga sulltani.
Ymer
Prizreni, edhe pas shuarjes së Lidhjes, nuk do të dorëzohej dhe pas një qëndrimi
disa mujor në Malësinë e madhe të Ali Ibrës, Mic Sokolit, Mehmet Shpendit,
Zeqir Halilit etj, i mundur nga mosha,do të strehohej në Ulqin,ku edhe pas
burgosjes së bashkëshortes dhe vajzave të tij të cilat do të dërgoheshin për
vuajtjen e syrgjynosjes në Turqi,nuk do të pranonte kushtet e pushtuesit turk.
Ai madje
nuk do të mashtrohej nga premtimet për falje dhe nuk do joshej as nga ofertat
turke për privilegje dhe pasuri përrallore që i ofroheshin nga Perandoria,të cilave
si hero i dëshmuar kombëtar që ishte dhe mbeti përgjithmonë, do tu përgjigjej
me shumë vendosmëri, se; edhe po të më vej- mbreti në fronin e tij, nuk dua të dëgjoj
më për Turqi.
Kështu që
Kryetari i devotshëm i Qeveris së Lidhjes së Prizrenit,do të qëndronte në Ulqin
deri në vdekjen e tij,e cila edhe pse ai tanimë ishte në një moshë të shtyrë,do
ti vinte nga një atentat me mjete të forta,të kryer nga agjentët Turq e
malazez,mu para derës së shtëpisë ku ai banonte.
Sylejman
Vokshi me gjithë shpërndarjen e Lidhjes nga Perandoria nuk do ti ndalonte
luftimet kundër Turqisë nga kryengritja në kryengritje deri në kapjen e tij me
tradhti,gjatë luftimeve që zhvilloheshin në Gjakovë nga rreth 3 mijë malësor të
udhëhequr nga ai dhe Ali Ibra, të cilët përgatiteshin për të çliruar edhe
Prizrenin.
Pra këta
ishin vetëm disa nga luftëtarët dhe heronjtë e pa harruar të kombit të cilët
betimin e tyre për jetësimin e idealeve të Lidhjes së Prizrenit e cila kishte
organizuar luftën për Liri dhe bashkim kombëtar të të gjitha trojeve etnike
shqiptare, do ta qonin deri në fund duke mos e ndalur betejën për të gjallë të tyre.
Ata do të
mbeten përherë emra të mëdhenj dhe të pavdekshëm , të cilët nuk lejuan kurrë të
luhet me fatin e kombit dhe as pranuan ndonjëherë kompromise në dëm të tij. Qëllimi
i luftës së tyre të shenjt ishte dhe mbeti formimi i një shteti të përbashkët
kombëtar, për të gjithë shqiptarët,i cili do të shtrihej në të gjitha trojet
tyre etnike siç ishin vilajeti i Prizrenit, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.
Në luftimet
e Lidhjes,edhe pse i ri ,do të merrte pjesë edhe heroi Isa Buletini i cili dha
shembullin e një atdhetari të përkryer dhe luftëtari të devotshëm kombëtar,që nga
21 prilli i vitit 1881,si luftëtar 17 vjeçar dhe njëri nga ushtarët më të ri të
Lidhjes së Prizrenit, në betejën heroike të Slivovës, të udhëhequr nga heronjtë
Mic Sokoli, Ali Ibra dhe Sefë Kosharja e Sylejman Vokshi, kundër forcave
pushtuese turke të gjeneralit gjakatar të Perandorisë Osmane, Dervish Pashës.
Ndaj,edhe
pse Lidhja e Prizrenit do të shuhej në vitin 1883, pjesëmarrja e Isa Buletinit
në betejat e saj ishte edhe një Garanci, se lufta për liri edhe pas saj do të vazhdonte,
deri në çlirimin definitiv të trojeve tona nga Perandoria turke.
Ndaj, në momentet
më të vështira, përball problemeve për jetë a vdekje para të cilave ishin vënë shqiptarët
,kur pothuajse askush në Evropë as Botë nuk interesohej për fatin e tyre,Isa
Buletini me bashkëluftëtarët dhe nxënësit e devotshëm të Lidhjes Kombëtare
Shqiptare,do të ngriheshin si feniksi nga hiri i luftërave shkatërrimtare me
perandorin turke,për ta quar luftën idealeve kombëtare të Lidhjes përpara deri
në çlirimin definitiv të atdheut dhe pranimin e shqiptarëve si komb në historinë
më të re të kombeve që krijoheshin në fund shek. XIX dhe fillim shekullin -XX.
Lidhjes
Kombëtare Shqiptare e Prizrenit,lindi si nevojë e kohës për shpëtimin e
kombit,e krijuar me 10 Qershor të vitit 1878,nga figurat më brilante që kishte
vendi dhe trojet tona etnike kudo jetonin shqiptarët.
Ato që ishte
përpjekur ti arrinte Abdyl Frashëri, Ymer Prizreni, Sylejman Vokshi, Mic
Sokoli, Sefë Kosharja, Ali Ibra etj. para rreth 30 vitesh më parë,tani kishte
ardhë radha që me luftën e tyre ti jetësonin Hasan Prishtina,Isa Buletini,
Bajram Curri, Ismail Qemali, Mehmet Deralla, Luigj Gurakuqi,Zeqir Halili,Kadri
Prishtina,Bajram Daklani etj,të cilët ishin po aq patriot sa edhe të parët.
Madje,
edhe Idealet e Lidhjes, këta do ti qonin një hap më tej duke arritur me luftën
e tyre heroike ta çlironin atdheun e shqiptarëve nga robëria turke. Megjithatë lirinë
e arritur me gjak e mund dhe shumë sakrifica,do ta gëzonte vetëm një pjesë e
atdheut dhe pak nga heronjtë e saj,qoftë nga pushtimi i pjesëve më të mëdha të tokave
shqiptare nga shtetet hegjemoniste fqinje,qoftë nga luftërat e brendshme që kishin
shpërthyer për marrjen e pushtetit në Shqipëri, në gjysmë-shtetin atëhershëm
ende të pa konsoliduar shqiptar.
Përkujtimi
i Lidhjes Kombëtare Shqiptare na rikthen edhe një herë në kohën e para 134
vitesh, kujtim që na bën të mendojmë thellë se çfarë ëndrrash të mëdha kishin
shqiptarët atëherë,dhe sa të vendosur ishin ata atëbotë,për realizimin e
idealeve të tyre kombëtare,për një popull të cilit nuk i mungonte vetëm liria
dhe shteti,por edhe mbështetja për to,kur Populli Shqiptar,i kishte të ndaluara
shkollat në gjuhën e tij, të cilit i refuzohej kombësia dhe e drejta për të pasur
shtet, si nga perandoria pushtuese turke,ashtu edhe nga shtetet hegjemoniste
fqinje,duke mos harruar edhe shumicën e fuqive të mëdha të cilat mbanin qëndrim
shumë të ashpër anti-shqiptar.
Ndaj
vetvetiu lind pyetja; Sa idealistë të mëdhenj duhet të kishin qenë ata heronj të
kombit të cilët luftuan me mish e me shpirt për lirin e popullit dhe krijimin e
shtetit të tyre kombëtar,të cilët përkundër sfidave të panumërta dhe
sakrificave të mëdha,një ditë arritën që nga lindja e ëndrrës së tyre për liri
të realizonin edhe idealin kombëtar për pavarësi,heronj që e ardhmja do ti bënte
krenar me kombin dhe atdheun e tyre të çliruar dhe të njohur e pranuar ndërkombëtarishtë të cilin ne sot e gëzojmë,për aq sa ai është..
Dëshira për
urimin e këtij përvjetori historik dhe 100-vjetorin e shtetit shqiptar, edhe
pas 134 vjetësh nga formimi i Lidhjes së Prizrenit dhe 100 vjetëve të kaluara
nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë,edhe sot na mundon nga padrejtësitë të cilat
shqiptarët i përcollën gjatë gjithë historisë së ekzistencës së tyre si komb i
ndarë dhe nën sundimin e disa shteteve të rajonit.
Madje
edhe në Kosovën e shpallur shtet,pjesa veriore e saj edhe 13 vjet pas çlirimit
dhe katër vite pas shpalljes së pavarësisë së saj,mbetet e okupuar nga
strukturat kriminale dhe policore të Serbisë të cilat gjatë këtyre 13 viteve,
asnjëherë nuk pushuan së vepruari në atë pjesë të vendit tonë.
Organet përgjegjëse
të sigurisë vendore dhe asaj ndërkombëtare, dështuan të sigurojnë popullatën
shqiptare në veri të vendit nga e cila jo vetëm se janë përzënë me forcë mbi 10
mijë shqiptar por dëbimet e heshtura të tyre vazhdojnë edhe sot e gjithë kohën
pa ndalë edhe pse të paktën KFOR-i do duhej të garantonte jetën e shqiptarëve të
lënë në mëshirën e fatit.
Atje
bandat kriminale serbe jo vetëm se ende kanë fuqi të krijojnë tensione por ata
për 13 vite me radhë bëjnë ligjin e xhunglës në veri duke terrorizuar shqiptarët
me vrasje, tentim-vrasje, bllokim rrugësh e frikësime nga më të ndryshmet përfshi të gjitha format e mundshme të dhunës
dhe të një lufte të pa penguar speciale,për shpërnguljen e tërësishme të tyre
nga ato pjesë të vendit.
Përveç formave
të cekura të dhunës, klanet kriminale serbe të veriut kanë gjetur edhe bashkëpunëtor
shqiptar nga jugu,me të cilët për vite me radhë kontrabandojnë naftë dhe të gjitha
llojet e mallrave të ndryshme nga Serbia
duke dëmtuar buxhetin e Kosovës për dhjetëra e qindra miliona euro,dhe shkatërruar
ekonomin edhe ashtu të varfër të shqiptarëve, gjatë këtyre viteve.
Kurse
Lidhja Kombëtare Shqiptare ishte ndryshe,ajo arriti ti bashkonte shqiptarët nga
të gjitha trojet tona etnike, artikuloi drejtë dhe fuqishëm kërkesat e tyre për
pavarësi dhe i parapriu krijimit të shtetit të tyre kombëtar,platforma e së cilës u realizua pjesërisht me aktin madhor të shpalljes
së pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor të vitit 1912.
Ndërsa
tani, edhe pse shqiptarët jetojnë në kohë dhe kushte krejt tjera dhe shumë më të
favorshme për bashkim,dhe shpesh na bie të dëgjojmë edhe deklarata të bujshme
nga goja e politik-bërësve të sotëm se kombi ynë është më i fort se kurrë më parë,
mu ata anashkalojnë çështjen kombëtare për të promovuar vetveten dhe forcuar
interesat e tyre personale.
Ndaj
shikuar nga kjo perspektivë, me të drejtë
shumë nga bashkëkombësit tanë brengosen se askush në këtë pjesë të Ballkanit
dhe të Evropës, nuk do ta ketë më të gjatë dhe më të vështir rrugën e bashkimit
kombëtar sesa ne shqiptarët.
Madje,fatkeqësisht
siç tregon përvoja e kohëve që ne jetojmë, nuk janë vetëm udhëheqësit
politik ata që pamundësojnë bashkimin,por
edhe një pjesë e Elitës së intelektualëve tanë nuk e ndihmojnë atë, të cilët jo
interesat madhore dhe afatgjata kombëtare, por interesat e tyre personale dhe përfitimet
vetanake që u ofron momenti i kanë vënë në radhë të parë.
Ndaj
populli shqiptar në të gjitha trojet,një herë e mirë duhet të distancohet nga
njerëz të tillë të cilët për interesat e tyre të ngushta mbjellin ndarje dhe përçarje
ndërshqiptare ,për çdo gjë dhe për gjithçka.
Ka ardhur
koha që më në fund të zgjedhë udhëheqës të cilët kanë për ideal bashkimin e
kombit, si rilindësit tanë dikur. Ata të marrin fatin këtij populli dhe të atdheut
në duart e veta dhe të mos lejojë më që ndasitë ndër-shqiptare dhe copëtimi
arbitrar i trojeve tona, imponuar me forcë nga të huajt, i cili për mëse një shekull
na u shndërrua në dyshek ku ne nuk bëmë gjumë të rehatshëm kurrë nga plagët e
ndarjes, tani të na kthehet në lundër të pa qëndrueshme notimi,mbi ujërat e
rrezikshme dhe të ndotura politike që qarkullojnë edhe sot në Ballkanin ende të
pa rehatuar me plot të papritura për kombin tonë të vogël e të pambrojtur.
Të marrim
shembull nga Rilindësit tanë të cilët në vend të përçarjes krijuan bashkimin,
duke tu kthyer në heronj të pavdekshëm të kombit.
Ata të cilët
si ushqim shpirtëror kishin vetëm ëndrrat hyjnore për liri dhe arma e tyre më e
fuqishme ishte dëshira e madhe për çlirim nga sundimi huaj, rendën natë e dit
pa ndalë, kaluan të gjitha pengesat e panumërta dhe përballuan me sukses
furtunat e njëpasnjëshme deri në realizimin e idealit shumë shekullor të kombit
për pavarësi.
Ndaj,me
rastin e këtij manifestimi kombëtar në Prizren të paktën kësaj radhe do duhej të
bashkoheshin të gjithë shqiptarët, për këtë ngjarje nga më të mëdhatë historike.
Pse edhe në momente të tilla kremteje,krijohet përshtypja se armiqtë e kombit
jo vetëm që për mëse një shekull e më tepër, mbajnë tokat tona të pushtuara por
ata kanë arritur ti edhe ti përçajnë e
njollosin shqiptarët deri në atë masë sa ti paraqesin me nam të keq edhe para
botës,në vend se me rastin e përvjetorëve të tillë,më tepër se kurrë të simbolizohej
bashkimi,solidariteti dhe uniteti ynë gjithëkombëtar....
Liria e
atdheut nuk është e arritur e asnjë personi apo udhëheqësi të vetëm,por vepër e
shumë brezave që luftuan dhe u sakrifikuan për këto ideale të mëdha,të cilat
tani duhet të na frymëzojnë edhe neve për realizimin e pjesës së mbetur të detyrave
tona si popull siç është bashkimi ynë kombëtar ku do të ndjeheshim më të fortë ,do
të frymonin më lirshëm dhe do të shpresonim për një jetë më të mirë dhe njëherë
e për gjithmonë do të garantonim një të ardhme më të sigurt për të gjithë shqiptarët.
Me rastin
e këtyre përvjetorëve kaq të rëndësishëm, për historinë e popullit tonë,dëshirojmë
që pas një shekulli ndarje,ku vitet për ne si komb i coptuar numëroheshin si
para kohës së Krishtit- mbrapsht,ky 100 vjetor të bëhet pikënisje e numërimi të
viteve mbar,duke u kthyer në Fillim të Epokës për bashkim të trojeve dhe Kombit
Shqiptar.
Ndaj në vend të përfundimit të kësaj kumtese,urojmë që Ideali i Lidhjes Kombëtare Shqiptare për bashkim të realizohet sa më parë dhe Shqipëria Etnike si atdhe i përbashkët i të gjithë shqiptarëve të rrojë përjetë!