E premte, 02.05.2025, 12:38 AM (GMT+1)

Mendime

Skënder Zogaj: BE i kërkon Kosovës vizion e jo fjalë

E enjte, 14.06.2012, 06:31 PM


BE-JA  I KËRKON KOSOVËS VIZION E JO FJALË

Shkruan: Skënder Zogaj

Qëndrimi ndërkombëtar për gjendjen në veriun e Kosovës vazhdon të oscilojë e të ndryshojë, prej një kërkese në tjetrën dhe kjo po i vërteton vlerësimet e para dy vjetëve të “gojëkëqijve” që kundërshtonin rreptë mbajtjen e papërcaktuar paraprake të bisedimeve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, të bindur se bisedimet e tilla ishin të dëmshme, ishin kthim prapa, dhe  zhvlerësuese të pavarësisë së proklamuar shtetërore të Kosovës, që ishte mirëpritur në arenën ndërkombëtare. Ky vlerësim doli i saktë sepse, bisedimet e ashtuquajtura teknike që u nisën për “cingla e mingla”, nxorën prapa bishtin e sorrës së larme, që e preku çështjen e statusit të Kosovës, duke impulsuar rebelimin e popullatës serbe në veriun e Mitrovicës për kundërshtimin e institucioneve të Kosovës dhe krijimin e strukturave të tyre të egra të Serbisë. Bashkësia ndërkombëtare, e cila në fillim që kishte premtuar se nuk do të toleronte cenime të rendit dhe ligjit, dalëngadalë  filloi t’iu adaptohet rrethanave dhe të pajtohet me rebelizmin serb. Po themi kështu sepse, pas një varg orvatjesh të pasuksesshme të EULEX-it dhe KFOR-it për ta stabilizuar gjendjen, u zbut edhe qëndrimi i kancelarive politiko-diplomatike ndërkombëtare, të cilat në vend se gomarit po i mëshonin samarit. Ndryshe nuk gjen ka si të shpjegohet kërkesa drejtuar Kosovës: “Vizion për veriun, jo fjalë”!

Kjo kërkesë është mjaft rrëqethëse për institucionet e Kosovës, të cilat, dorën në zemër, nuk e kanë pritur një kthesë të tillë pas përkëdheljeve dhe lavdërimeve pa fund të ndërkombëtarëve për gatishmëri dhe pranim me zemërgjerësi të bisedimeve. Prandaj kur udhëheqja shtetërore e Kosovës po priste që ndërkombëtarët të ndërmarrin masa të rrepta për ta ndëshku Serbinë, ndodhi krejtësisht ndryshe, gishti i fajit iu kthy Kosovës! Me shumë se udhëheqja shtetërore e Kosovës, shenja të forta shqetësimit  manifestoi shoqëria civile, edhe pse në fakt, nuk kishte pse të shqetësohej, nëse donte të ishte koshiente për veprimet paraprake të Qeverisë së Kosovës, që kishte pranuar të hynte në bisedime me Serbinë krejtësisht e papërgatitur, pa asnjë fije koncepti paraprak rreth bisedimeve, si e pse, për çka e deri ku, me kënd dhe për çfarë do të bisedohej?

Si peshku në ujin e turbull të moçalit, Qeveria Thaçi qe ra  në grep, kur pranoi “bisedimet teknik” me Beogradin, paqenë e vetëdijshme se, nuk ka (nuk mund të ketë kurrë) bisedime teknike, kur është fjala për probleme ndërshtetërore, qoftë edhe kur ato flasin për mizat e kalit, sepse, bisedimet ndërmjet dy shtetesh janë gjithnjë e gjithmonë politike dhe vetëm politike. Nuk ka “bisedime teknike” por mund të ketë “veprime teknike” të cilat vijnë në shprehje pas arritjes së marrëveshjeve politike dhe kanë të bëjnë me realizimin e vendimeve që dalin  nga procesi negociator. Mirëpo, këto gjëra kaq të thjeshta Qeveria e Kosovës me gjasë  nuk i dinte, ose nuk dëshironte ti dinte, kur me kryeneçësi të egër e anashkaloi edhe krye institucionin e vendit - Kuvendin e Kosovës, dhe pelën e verbër për kalërim nëpër luadhin e shkretë ia besoi Edita Tahirit, e cila gjatë procesit të bisedimeve lansonte  deklarime ngazëllyese, për suksesin e plotë të palës kosovare në bisedime, ndërkohë që, në fakt, “bisedimet teknike” e pollën Fusnotën me të cilën u vu në pranga Pavarësia e Kosovës! Në vend të përmirësimit të gjendjes, bisedimet e keqësuan dhe thelluan krizën në veriun e Mitrovicës, ku strukturat mafioze serbe u pozicionuan si është më së miri dhe morën farcërisht kontrollimin e plotë qeverisës, duke shkrepur edhe plumba dhe shuar  jetë njerëzish të pafajshëm.

Pra, bisedimet serbo-shqiptare ishin dështim i plotë. Asgjë nuk lëvizi kah e mbara për Kosovën, ndërsa Serbia përfitoi në kohë për ta mbajtur të nderzur konfliktin në veriun e vendit. Të gjithë e shohin por askush nuk dëshiron që ta thotë haptas ate që dihet se ka  ndodhur atje dhe kush duhet të përegjigjet për dështimet?! Të gjithë të angazhuar atje janë të pakënaqur. Këtë pakënaqësi e shpreh edhe BE-ja,e cila pasi ka ndjekur me vëmendje të gjithë zhvillimet dhe efektet e procesit negociator, normalisht që është e interesuar për  veprime të reja, prandaj së fundmi nga Kosova kërkon “vizion për veriun, e jo fjalë”!

2.

BE-ja kërkon vizion për veriun,ndërsa këto ditë klasa politike dhe shtetërore e Kosovës, ka hall përmbylljen e procesit të mbikëqyrjes ndërkombëtare, pra, daljen nga mbikëqyrja ndërkombëtare, që dmth, realizimin e  vetëqeverisjes së plotë. Synimi është absolutisht me vend, mirëpo nëse mendohet se ky synim mund të kurorëzohet lehtë, pa vizion përkatës dhe pa strategji të mirëfilltë, atëherë do të kemi humbjen e  re të radhës, me pasoja të paparashikueshme afatgjate. Po themi kështu, sepse: Qeveria e Kosovës, prapë, sikurse edhe herëve të tjera, u nis me fjalë të mëdha. Kryeministri Thaçi, me gojën vesh me vesh, para se te filloje me veprimet konkrete, doli me konstatimin se - përmbyllja e mbikëqyrjes po arrihet me sukses të plotë, detyrat po kryhen mirë dhe  do të përmbushen deri në fund të vitit. Kështu tha kryeministri Thaçi zv/kryeministri dhe ministri i Drejtësisë Hajredin Kuqi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, por e vërteta është pak më ndryshe, sepse detyrat më të rëndësishme as që kanë filluar të kryhen! Por edhe sikur të kishin filluar, disa prej tyre, siç janë: sundimi i ligjit; luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit; menaxhimi i integruar i kufirit; ri-integrimi dhe riatdhesimi; azili; integrimi veriut te Mitrovicës e të tjera, nuk janë detyra që mund të kryhen për disa muaj, bile as për disa vjet nuk ka gjasa të realizohen, Ministresh e integrimeve, Vlora Çitaku e pranon “Kosova nuk mund tash për tash t’i plotësojë të gjitha kushtet për marrëveshjen e stabilizim asocimit për shkak se vendi ka ekonomi të dobët dhe ka ende problem në luftimin e dukurive negative, krimit të organizuar dhe korrupsionit” që janë të instaluara në nivelet më të larta të strukturave shtetërore, prandaj institucionet kompetente do të jenë fort të penguara për ta krye me sukses punën e tyre.



(Vota: 5 . Mesatare: 3.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx