E premte, 02.05.2025, 10:06 AM (GMT+1)

Mendime

Shaban Peraj: Qendrime ekstreme për zgjedhje të presidentit

E marte, 12.06.2012, 07:50 PM


Qendrime ekstreme për zgjedhje të presidentit

Shkruan: Shaban Peraj

Propaganda kushton shumë shtrenjtë. Kjo propagandë e zhvilluar para opinionit shqiptar për zgjedhje të presidentit të Shqipërisë as edhe një ditë të vetme nuk zbriti për tre muaj nga shtypi i ditës e ekranet televizive. Po, aktorët nuk ishin populli i thjeshtë, ishin politikanët ata që bënin Shou me deklarata dallkauke për mënyrën se si duhet të jetë figura e presidentit, nga cilat radhë duhet të vijë, kush duhet ta propozojë, kush duhet të jenë modalitetet, e kështu deri në pafundësi. E krerët e politikës shqiptare e bënë këtë veprim ashtu siç e bënë dhe për habi nga e gjithë ajo që u dëgjua e u tha, doli se na polli lopa.

Kërkuan tu japin zgjidhje problemeve të grumbulluara, po këtë nuk e bënë duke mos pasur shpresë e qendresë për të luftuar e pritur në këtë rrugë vite të tëra. Zjarr e flakë nxorrën nga goja si patriotë të vonuar tashmë, e në anën tjetër harruan se ky popull është gjallë, se i kemi të freskëta veprimet e tyre që nga komunizmi e deri në ditët e sotme, harruan për tentativat e bllokimit të parlamentit, harruan për skenarin e përgatitur të 21 janarit, harruan kurdisjet për t’u ndalur nga një aktivitet politik jo vetëm brënda kufinjve të Atdheut, po edhe karshi ndërkombëtarëve, të cilëve me mossinqeritetin e tyre ua kanë sjellë shpirtin në fyt. Këta të mjerë na shesin politik duke qenë larg nivelit intelektual karshi atyre personaliteteve të dëshmuar tashmë si kandidatë për president, siç ishin z. Zaganjori e z. Hoxha. Harruan se kandidati nga kushdo që të vijë, le të vijë, njeriu duhet të dijë të përfitojë nga konsideratat e dobishme për sistemin e vet, për mendimin e vet, për botën e vet dhe kurrë nuk duhet të nënvleftësojë nga përvoja e njerëzve me përvojë.Eh, ku politika e njësuar me idenë e së drejtës dhe drejtësisë e ku sharlatanizmi i rrugëve!  Këta trusakatë nuk u ofruan shqiptarëve qetësi, por vepruan duke sharë sa njerin aq edhe tjetrin, me çka dëshmuan se nuk janë në shërbim të shqiptarëve. Për ta nuk ka përmirësim. Përmirësimi vjen atëherë kur këta të marrin pushtetin edhepse e dine se janë në shërbim të halldupit.

Zgjedhja e presidentit në Shqipëri iku në histori, iku bashkë me gjithë atë furtunë politike që krijuan aktorët rebel të politikës shqiptare, me çka këtë mesele e përfunduan duke ngritur flamurin e duke u fotografuar krah për krah para kamerave televizive. Shyqyr që përfundoi edhe një telenovelë aspak e këndshme për opinionin mbarëshqiptar, po edhe për ate ndërkombëtar, dhe aktorët politik kësaj radhe nuk e ngritën ndonjë flamur kuqezi për të treguar zemërgjerësi duke e ditur se ky vit është vit jubilar i 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, nuk treguan as edhe më të voglin respekt për ata që u flijuan për komb e për atdhe, përkundrazi ngritën flamuj partiak duke u thënë shqiptarëve se po rrezikohemi për integrime evropiane, ndaj në këto momente nuk patëm ndonjë kandidat konsensual që do të përfaqësonte shqiptarët, nuk gjetëm emër e mbiemër të përshtatshëm në këto momente aq me rëndësi për vendin tonë! Ku ta dimë, ndoshta është kështu. Ndodhin gjëra të tilla, por ama te ne shqiptarët ndodhin çudira nga më të ndryshmet, ndodhin që aktorët rebel të politikës shqiptare të marrin në mbrojtje kushtetutën e ligjet ekzistuese  me deklarata sharlatanësh e pa i respektuar vet ata, ndryshe po të respektohej kushtetuta e ligjet gjërat do të përfundonin ndryshe. Ndryshe sepse këta Flamurin shqiptar e futën nën jakën e setres, kurse ate partiak e ngritën në maje të Dajtit. Lojë dhe vetëm lojë demonstruan me të madhe, ku brenda një nate u dalldisen të përdhosin figura të shquara shqiptare, të shantazhojnë e kërcënojnë kandidatë të dëshmuar tashmë. Për këtë askush nuk u skuq, nuk dha shpjegime pse e gjithë kjo që ndodhi brënda natës u heshtë e nuk u sqarue e vërteta para opiniont mbarëshqiptar, por u luajt me djersën e popullit, me dinjitetin e tij, u nëpërkëmbë tradita e burrëria, u shemben shumë faqe të historisë gjatë këtyre tre muajve sa zgjati kjo sallamadi politike shqiptare, ku shairet u xhveshën lakuriq, ranë në ujë, duke e mbajtur me rrena politikën, me provokime për të ardhur një president nga radhët e saj. Me despotizmin e tyre a me mashtrimin e masave askush nuk ka dalë i fituar.Jemi më se të bindur se kandidatët e dorëhequr së shpejti kanë për të folur, kanë për ta thënë të vërtetën dhe kjo kërkohet prej tyre që ta bëjnë një orë e më parë, popullit duhet thënë e vërteta dhe ajo nuk guxon të mbetet në heshtje. E për sa u përket mesazheve që i dhanë popullit, këtij populli të lodhur e të rraskapitur, mund të thuhet vetëm një: mos u brengosni o hyzmeqarë, dëgjoni fjalët e tyre se ndryshe nuk bini në dinë e iman, pa kuptuar se agëve e begëve u duhen xhepat plot, u duhet jeta me bollëk, ndryshe . . . nuk u ndryshon as politika ditore e tyre, por ata që kanë për t’u pirë gjakun.E çuditshme. E coptuan këtë popull i cili ka ditur dhe ka dhënë provimin nëpër shekuj, por tashmë është e qartë se faji është te ata të “diturit” e popullit që ndërrojnë mendje brënda natës e i kanë hipur mbi shpinë këtij populli pa shpresë se një ditë kanë për t’u ngritur. Nuk do t’i lëmë në rrugë e t’i hanë sorrat këta politikanët tanë se helbete nesër kanë për t’na bi të tjerët dhe kështu rrotullohet historia deri në pafundësi.



(Vota: 6 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx