Mendime
Xheladin Zeneli: Mali i Zi kushtëzon Kosovën
E enjte, 07.06.2012, 05:51 PM
Hapja e Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë, si kusht i realizimit të të drejtave të pakicës malazeze në shtetin e tyre fqinj !
Nga Xheladin Zeneli
Lajmi i
hapjes së Ambasadës së Malit të Zi në Kosovë u mirëprit dhe u përshëndet nga një
pjesë e faktorit politik shqiptar
,megjithate, nëse e analizojmë rrjedhjen
e ngjarjeve që kulminoi me paralajmërimin e hapjes së Ambasadës në Prishtinë,do
të konkludojmë se veprimi i fundit i Qeverisë së Malit të Zi, nuk është thjeshtë
i nxitur nga motivi i përforcimint të marrëdhënieve diplomatike me shtetin e
tyre fqinj, por është veprim me interes dhe prapavijë politike.
Vendimi i mos shkëmbimit të ambasadave do të mbahet
pezull nga ana e Qeverisë malazeze për më shumë se dy vite dhe do të mbahet
pezull pra, deri atëherë kur kjo Qeveri do të marrë siguri nga ana e Prishtinës zyrtare lidhur me zgjidhjen e statusit të pakicës
malazeze në Kosovë dhe do të garantohet realizimit të drejtave të tyre.Kjo
garanci u muar në muajin Mars të këtij viti , atëherë kur ministri i Punëve të Jashtme
të Kosovës , Enver Hoxhaj i dërgoi letër homologut të tij malazez, Milan Roqen,
ku ai njoftohet se "janë krijuar kushtet që komuniteti malazias në Kosovë të
zërë vend së shpejti në Kushtetutën e
Kosovës..."("Koha Javore"- 8 Mars 2012).
Ironia më
e madhe është se po ato të drejta që autoritetet malazeze po kërkojnë për pakicën e tyre në Kosovë,(megjithëse
krahasimi i dy entiteteve është i pavend),
po të njëjtat drejta iu mohohen
shqiptarëve në Mal të Zi si popull autokton në trevat e tyre stërgjyshore të cilët gjithnjë vazhdojnë të kenë statusin e tyre të pazgjidhur.
Pyetjes që
nuk mund t'i shmangemi dot, është se a do të të duhej që në këte rast shteti i
Kosovës dhe Qeveria e saj të ishin ata të cilët do të kushtëzonin shkëmbimin e
abasadave dhe pse jo edhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike me Malin e Zi,
si kusht për avancimin e pozitës dhe zgjidhjen e statusit të shqiptarëve në këte
shtet!? Përkundrazi, Prishtina zyrtare jo vetëm që hesht por pranon kushtëzimet e Podgoricës, dhe dashur ose padashur
ato vihen në pozitën e infirioritetit
dhe servilizmit.Rruga e fqinjësisë së mirë është rrugë dy drejtimesh dhe
relacion i palëve të barabarta.
Ka ardhur
koha që edhe Kosova, ashtu si çdo shtet
tjetër sovran dhe i pavarur të sillet si i tillë dhe të rrijë besnik parimeve të
veta diplomatike dhe politike. Dhe a ka parim më të drejtë dhe legjitim se sa
mbrojtjen e të drejtave kombëtare të vëllezërve të vet, jashtë kufijve shtetëror,
në këte rast, të shqiptarëve në Mal të Zi.
Aktivisti
i njohur amerikan për të drejtat e njeriut,Martin Luther King, pat thënë :
"Askush nuk të hyp dot në kurriz nëse ti nuk përkulesh".