Mendime
Fadil Maloku: Nepotizmi dhe “viktimat e falimentimit” në Kosovë
E diele, 03.06.2012, 03:58 PM
Nepotizmi
dhe “viktimat e falimentimit” në Kosovë
Shkruan: Prof.
Dr. Fadil MALOKU, sociolog
“Njeriu që ka mendjen dhe zemrën e fortë e përdor vetën e tij sipas rastit dhe nuk bëhet skllav i iluzioneve dhe i ndjenjave, gjersa njeriu mendjelehtë e me zemër të dobët jepet pas iluzioneve dhe pas ndjenjave duke mos zotuar vetveten”
- Shoqëria kosovare një “shoqëri periferike” (peripheral society)
Shoqëria kosovare e pasluftës duket se iu ekspozua midis shumë formave të presionit dhe ekzaltimit edhe një fenomeni të ri që në sociologjinë bashkëkohore njihet si fenomen i “periferizimit”. Kur të analizohet në kontekstin zhvillimeve aktuale mendoj që fenomeni i “periferizimit”, nuk duhet të vihet edhe gjithaq në analogji me termin e përdorur nga Imanuel Wallerstein mbi “qendrën dhe periferinë”. Ngaqë, jam i bindur thellë se procesi i “periferizimit” në rastin e Kosovës, në fakt përveç kriterit të raportit “qendrës” me “periferinë” i ka edhe disa specifika të veta të reja që kujtojë se kolegët tanë të rinj në të ardhmen do të duhej t’i identifikonin dhe elaboronin me qartë dhe më thukët. Tash për tash, po më duket që ky koncept u adresohet më shumë raportit të ndryshimeve sociale, e sidomos atyre kulturore, se sa tyreve juridike e politike që janë duke ndodhur pa ndalur në të gjitha poret e jetës në Kosovën e pasluftës. Pra, cilësimi social, ekonomik e kulturor si një kualitet i ri sociologjik kujtojë që mund të shfrytëzohet pa mëdyshje si një parametër i denjë për të shpjeguar e ilustruar fenomenin në fjalë. Them kështu edhe për shkak, se Kosova si gjeografi, mentalitet, kulturë e padyshim edhe si etnopsikologji aktualisht është në fazën e një procesi shoqëror të absorbimit e në të njëjtën kohë edhe të identifikimit me vlerat perëndimore që kushtimisht nënkupton respektimin e kriterit që Wallerstein merr për bazë të kualifikimit të raportit në fjalë. Pra, meqenëse Kosova gjendet në një fazë të atillë emancipimi e padyshim edhe ndikimi nga agjensit e rinj teknologjik e shkencor që përveç ekspansionit të bujshëm premtues ekonomik përmbajnë edhe fenomenin e ikjes apo fluktimit nga ambienti rural në atë urban (shkaku i rrezikut nga skamja, amullia), pra, një procesi tjetër të identifikimit me sistemin e ri vleror perëndimor, atëherë fenomeni i “periferisë” në raport me “qendrën” është e natyrshme të marr dimensione të reja që tani nuk është e thënën të posedojë ekskluzivisht vetëm atributet e raportit global me atë lokal. Raporte, këto që kujtojë se pa hezitim e pasurojnë përveç sfondit edhe vetë procesin e ri që është duke u zhvilluar në kontekst të rrethanave të reja, pra atyre të tranzicionit. Ky”fakt” i ri dirkemian është pikërisht ai elementi apo kriteri i ri që kujtojë se e pasuron konceptin e “periferizmit” dhe përgjithësisht situatat e ngjashme nëpër të cilat jo domosdoshmërish është e thënë kalojnë shoqëritë e tranzicionit, ku Kosova mund të shërbejë si një kampion tipik i ilustrimit dhe do thoshja edhe i përjashtimit.
2. Shifra alarmuese të papunësisë në Kosovë!?
Në një hulumtim të
organizuar nga studentet e masterit në Departamentin e Sociologjisë, del se
papunësia është përzgjedhur të jetë problemi kryesor dhe dominues në jetën e
qytetarëve kosovar. Sipas shumë indikatorëve social, diku mbi 50% të fuqisë
punëtore në Kosovë, vlerësohet të jetë e pa punë. Ajo çka është edhe më
shqetësuese ka të bëjë me faktin se te kontingjentet e reja të rinjve që janë
të gatshëm të hyjnë në tregun e punës kuota e papunësisë është në rritje e
sipër dhe ka arritur 75% -80%-shin e tyre(!?). Kurse në mesin e subkulturës së
grave kjo kuotë arrin mbi 85% të papunë!. Kur kësaj i shtojmë indikatorin
tjetër që tregu i punës në Kosovë për çdo vit shtohet me mbi 35.000 të rinj të
gatshëm për të kërkuar punë, atëherë na del se gjendja është aq alarmuese, sa që
edhe vetë çuditemi se si është e mundur që një papunësi kaq e madhe të mos ketë
reperkusione në institucionet vendimmarrëse të shtetit të Kosovës?
Gjithashtu,
përkundër gjithë kësaj gjendjeje shqetësuese padyshim (?!) në sferën sociale
dhe atë ekonomike, ne si shoqëri e tranzicionit akoma nuk kemi të dhëna të
sakta lidhur me ndikimet apo reflektimet globale që i ushtron kriza e
përgjithshme globale në jetën e përditshme të qytetarëve kosovar. Ky defekt
institucional, kujtojë që mund t’i adresohet edhe problemit të shpërndarjes së
të mirave materiale që në Kosovë nuk është zhvilluar sipas ca standardeve dhe
limiteve që do të mundësonin një satisfaksion jo vetëm moral por para së
gjithash edhe sish social që dosido për mendimin tim do të mundësonte pak a shumë
përveç zbutjes së varfërisë edhe një lloj infuzioni për shtresat e gjëra të
punëtorëve që u larguan nga ish vendet e tyre të punës nga gjigandët siç ishin
Trepça, KEKU , etj.
Kësaj kur t’i shtojmë edhe të dhënat se politika sociale aktuale institucionale me neglizhencën, anashkalimin dhe në fakt injorimin që është duke u bërë disa kategorive dhe familjeve të kërcënuara seriozisht edhe me mbijetesë fizike, atëherë bëhet krejt e qartë se edhe shfrytëzuesit e këtyre ndihmave (lexo: lëmoshave!) ashtu siç dëshmojë një studim i yni ad hoc në një farë mënyre nuk u dedikohen dhe nuk u takojnë gjithherë atyre që vërtetë kanë nevojë për këtë ndihmë që i obligon shteti i Kosovës. Kjo shtresë e margjinalizuar , si asnjë shtresë tjetër shoqërore është skajshmërish e kërcënuar nga “bankroti” i përditshëm social e shoqërorë. Shkaqet dhe arsyet e një gjendjeje të tillë duhet adresuar tek disa faktorë që për mendimin tim mund të jenë të shumtë dhe të llojllojshëm, e që tani në këtë shkrim nuk janë objektiv i yni.
3. Nepotizmi dhe klientizmi politik
Një ndër shkaqet e
gjithë kësaj papunësie padyshim që duhet kërkuar edhe tek një stereotip i yni
shoqërorë mbi dukurinë e nepotizmit dhe klientelizmit politik, që tashmë ka
marrë përmasa kogja alarmuese edhe me faktin se akoma nuk është e qartë
sociologjikisht (jo edhe aq juridikisht) se çka nënkuptohet me termin
dhe përmbajtjen korrupsion, pra ku janë kufijtë e kësaj gangrene sociale. Në
fakt, në kuptimin më të gjerë ekziston
pa dyshim një lloj lidhshmërie midis krimit të organizuar, korrupsionit, dhe
klientizmit politikë i cili në kulturën dhe mentalitetin tonë të përditshëm çka
është shumë interesant(!?) njeriu që arrin të korruptojë një person të
institucioneve shtetërore në rrethet e veta të ngushta klienteliste, shpeshherë
trajtohet si një hero i llojit të vetë?!
Kjo dukuri, kujtojë që nuk duhet përgjithësuar edhe aq shumë, ngase gjykimi i kësi sojit na bënë të mendojmë se të gjithë ata që janë të implikuar në politikë janë potencialisht edhe njerëz të korruptuar. Pa dashtë të bëhem avokat i askujt, kujtojë që në Kosovë ka njerëz dhe politikan të ndershëm të cilët punojnë sipas ligjit. Por, problemi, shfaqet për mendimin tim në momentin kur të njëjtit nuk dëshirojnë të shërbejnë si mostër e mirë, për të luftuar këtë të keqe që e ka kapluar shoqërinë kosovare në periudhën më të vështirë të ekzistimit të vetë si shtet dhe shoqëri e re demokratike. Ky proces i “diferencimit” ta shquaj kështu në shoqërinë kosovare i ndodhur gjatë dekadës së fundit dosido prodhon edhe efektet e tija negative duke sistemuar kështu ngadalë por sigurt një shtresëzim shoqërorë, pra duke prodhuar “viktimat e para të falimentimit” në procesin e tranzicionit që nuk është as i lehtë e as i padhembshëm. Si pasojë i kësaj dukurie ne sot mund të identifikojmë në vija të trasha si shkaqet ashtu edhe pasojat që natyrisht për t’u shpjeguar më detalisht nevojitën grupe të tëra ekspertësh të lëmive të ndryshme, duke filluar nga sociologët, ekonomistët, juristët, etj.
4. “Viktimat e falimentimit” në Kosovë prodhuan shtresa të reja
Pse, “viktimat e falimentimit”? Po, “viktima të falimentimit” ishin dhe mbetën akoma të gjithë ish punëtorët e ish sistemit që me procesin e privatizimit, ose i humbën vendet e tyre të punës ose nuk po mundën t’u akomodohen rrethanave të reja të krijuara me rastin e privatizimit të ndërmarrjeve të tyre. Pas përfundimit të pesë luftërave të ndodhura në Ballkanin Perëndimor, procesi i ndryshimit të superstrukturës dhe bazës ekonomike në rajonin e Ballkanit perëndimor, apo thënë më ndryshe procesi i konvertimit të ish kompanive shtetërore në ato private që ishte një proces kogja i vështirë dhe i përcjellur edhe me afera e skandale nga më të ndryshmet, ishte një çështje që prodhoi një hendek të paparë gjerë në këtë kohë midis klasave dhe shtresave të ndryshme sociale. Ky hendek, në fakt u shoqërua me shumë reperkusione para së gjithash: psikologjike (trauma, strese, pasiguri, etj) sociale (rriti diferencat midis të pasurve dhe të varfërve), ekonomike (ashpërsoi tej mase antagonizmat midis shtresës super të pasur dhe asaj super të varfër) e sidomos kulturore (u “aktivizua” lufta për prestigj sa më të lartë në shoqëri) që ndikuan në jetën dhe kualitetin e qytetarëve të rëndomtë. Një kategori qytetarësh që deri dje kishin një jetë komode në kuptimin që nuk iu ekspozuan asnjëherë rrezikut të falimentimit familjar, zbritën një shkallë më poshtë dhe iu bashkëngjitën shtresës që edhe ashtu para lufte kishte probleme serioze në ndërtimin e kapaciteteve mbijetuese dhe përgjithësisht kualitetin e jetës. Një, kategori apo shtresë tjetër e pakët në numër, por me fuqi marramendëse ndikuese në rrjedhat dhe proceset e mëvonshme (që tashmë e kishte uzurpuar pa merita sociale dhe pa kredibilitet ekonomik statusin dhe privilegjet në fjalë) fillojë t’i konvertojë këto benifite në grabitje të paskrupullta dhe në privilegje të reja duke u futur në sferën e politikës!? Profilizimi i kësi sojit ad hoc, pra pa ndonjë proces seleksionues të konkurrencës që logjikisht prodhon faza e parë e kapitalizmit paramonopolist, bëri që oligarkët e Kosovës të mos përfillin asnjë kriter e as parametër teorikë të akumulimit të kapitalit të parë, ashtu siç ndodhi bie fjala në vendet dhe shtetet e para kapitaliste. Akumulimi i kapitalit, këtu sikurse edhe ne disa vende te Evropës lindore, oligarkët i bëri jo tregu i lirë dhe konkurrenca lokale, por i bëri fuqia politike dhe lufta për pushtet. Kështu njerëzit që deri dje s’kishin si thuhet asgjë para vetes, brenda natës u bënë pasanikët më të mëdhenj në Kosovë. Kësaj kategorie duhet shtuar edhe një shtresës të vogël të ish kolaboracionistëve në ish regjimin serb, të cilët duke pas të gjitha paradispozitat ekonomike, menjëherë pas luftës përmes shtresës së re që tashmë ishte fut në politikë, akordoi nga Serbia miliona miliona mallra në tregun e Kosovës. Dhe një shtresë tjetër, kujtojë akoma në shumicë relative duke mos mundur të akomodohet me rregullat dhe rrethanat e reja të krijuara sociale e sidomos ekonomike të pasluftës, mori rrugën e mërgimit, duke mos zgjedhur as mjetet për t’u shpërngulur. Pikërisht kjo shtresë u bë “viktimë e falimentimit” dhe bankrotit në Kosovë.
5. Punëtorët e KEK-ut dhe të Trepçës “specia më e rrezikuar”!
Pas luftës së
ndodhur në Kosovë, shumica e punëtorëve të gjigandit të njohur të Trepçës të
cilët në kohën e regjimit serb bënë që të mbahen si një ndër katalizatorët
kryesor që katapultuan në botë të vërtetën mbi segregacionin, diskriminimin dhe
padrejtësitë që atëbotë ushtrohej nga estabilishmenti i Serbisë, mbetën pa
përkujdesjen e askujt! Ata në fakt, në vend që të rehabilitohen nga ana e
pushtetit të pasluftës përmes benificioneve sociale, pra në vend që të
respektohen përmes gjuhës së ligjit, u bënë objekt margjinalizimi dhe pothuajse
harrese nga të gjithë! Në fakt ata u bënë një “specie e rrezikuar” që meritonte
një satisfaksion bile juridik në kuptimin e krijimit të parakushteve ligjore
për një mbrojtje shtesë ligjore. Këtij procesi të rrezikimit, pa dyshim sot i
janë ekspozuar edhe punëtorët e KEK-t, të cilët jo më larg se këtyre ditëve i
janë ekspozuar largimit masovik nga ish vendete tyre të punës. Themi kështu
edhe për shkak se kjo kategori apo shtresë sociale për dallim nga shtresat
tjera që u riprodhuan me faktet e reja ekonomike të mëvonshme, ishte një bazë e
mirë sociale për të identifikuar qëllimet dhe nevojat e një shtresëzimi të ri
që po lindte si rezultat i zhvillimeve dhe proceseve të reja të tranzicionit.
Në vend të kësaj ndërmarrjeje nga ana e shtetit të Kosovës, kjo shtresë sociale
jo që s’u shpërblye për meritat e mobilitetit të paraluftës, por u pauperizua
(varfërua) aq skajshmërish sa që edhe si kategori sociale është bërë vërtetë
një “specie” me status tejet të rrezikuar. Kur të analizohet më detajisht kjo
shtresë me këtë shkallë kaq të lartë të rrezikut për vetën e saj, atëherë si shkaqe tjera plotësuese për të
analizuar shkallën e rrezikshmërisë së tyre, kujtojë që duhet gjurmuar edhe tek rreshtimet e tyre
ideologjike të pasluftës. Që në një mënyrë apo tjetrën ishin më tepër të
natyrës së spontanitetit se sa të ndonjë afrie dhe bindjeje të vërtetë me
partitë që u ngutën t’i rekrutonin në radhët e tyre militante. Rreshtimet, apo
në fakt më mirë me thënë rirreshtimet ideologjike të edhe të atyre punëtorëve
të pakët që i kishte Kosova në procesin e kategorizimit social, e ashpërsuan edhe
më tej edhe ashtu konkurrencën jo lojale midis tyre. Kjo bëri që dita më ditës
procesi i selektimit të bëhet gjithnjë më i ashpër dhe më i shprehur në të
gjitha dimensionet e veta.
Së fundi, duke mos i paragjykuar shtresat tjera dhe gjithë procesin e filluar të shtresëzimit dhe ristrukturimit të ndodhur social në shoqërinë kosovare, na del se “viktimat e falimentimit” padyshim që mund të rekrutohen si nga: ish punëtorët e gjigandëve dhe kompanive shtetërore ashtu edhe nga kompanitë e tanishme të privatizuara që akoma nuk kanë arritur të dëshmojnë se mund të bëhen konkurrent serioz në tregun rajonal dhe atë global.
Komentet mund t’i dërgoni në: fadil.maloku1@gmail.com