Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Unaza magjike
E enjte, 07.06.2012, 07:05 PM
UNAZA
MAGJIKE
Nga: KALOSH ÇELIKU
Aftësitë e
paparishikuara të Nënës Parti i kemi ditur e njohur që nga koha e „artë“ komuniste.
E rëndësishmja është, vetëm të dojë Nëna Parti dhe si me shkop magjik brenda një
nate shndërrohesh në personalitet i rëndësishëm
politik, kulturor e shoqëror. Moti e kam parë një film artistik, kur personazhi
kryesor vetëm e rrotullonte unazën në gisht dhe brenda disa sekondave kë të donte
e bënte bretkosë. Përsëri e rrotullonte unazën dhe nga bretkosa, kur të donte e
bënte njeri. Mrekullia e Zotit. Edhe Nëna Parti më duket mua se, e ka atë unazë
magjike: „Salep-intelektualin“ e bën profesor Universitar, bariun e bën mjek,
tollumbaxhiun - shkrimtar, hoxhën - analist politik, mjekun - kritik letrar,
hajdutin - politikan. Them, me vete:
Kohën e
fundit, në Njëqindvjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë i madh e i vogël janë në gara
politike e kulturore parazgjedhore se, kush është patriot më i madh se shoku. Nëna
Parti në pushtet me të madhe më tepër bën zhurmë kulturore, sesa aktivitete të arrira
artistike e letrare. Javë për javë i ke nga dy e tri aktivitete kulturore: përurim
të librave, hapje të ekspozitave, koncerte gala e festivale të këngës zbavitëse
e popullore. Edhe shfaqjet teatrore me tekste të arnuara e vënje në skenë „shkelë
e shko“, kemi gati për çdo javë. O Imzot, ku të gjej kohë t‘i përcjell gjithë këto
„manifestime kulturore“ shqiptare?! Falë Zotit dhe partive politike, „shkel e
shko“ në IRJ të Maqedonisë i kemi edhe tri teatro shqiptar që na i themeluan „veteranët
e kulturës“ shqiptare: njërin Partia Komuniste e këta dy të fundit Nëna Parti. Tjetër
punë është ajo se, atë që e themeloi Partia Komuniste në kohën e „vëllazërim-bashkimit“,
tekefundit së paku e kanë trashëgim një gjysëm shtëpie të përbashkët me Teatrin
turk. Teatrot e Nënës Parti edhe sot e kësaj dite janë qiraxhi si cergarët pa
shtëpi. Publiku i tyre i zgjedhur dhe i rregullt dihet, janë politikanët. Gabimisht,
ndonjëherë edhe mua më dërgojnë ndonjë ftesë. Mirë do të ishte të mos më dërgonin
fare, shkaku se: kohën e fundit nuk ma kënaqin, po ma lodhin lapsin.
Ish
ambasadori me profesion mjek, në ditën e sotshme merret edhe me kritikë letrare.
I ka lënë „kërkimet shkencore“ për nesër, të mos them edhe profesionin
humanitar të mjekut. Turret me të katra pas profesionit të politikanit. Përçudi,
brenda një nate u bë „kritik letrar“. Alamet shkrimtarësh sjellë nga Mëmëdheu në
IRJ të Maqedonisë. Mos them, gati të gjithë politikanë të arratisur që merren
edhe me shkrime. Përmëtepër, ai edhe i hap këto përurime të librave me „kritikat“
e tij të përgjumura para kamerave televizive. Trurin „gjenial“ e vë në përdorim,
folë jerm marrëzira në mes të Ditës Madhe. I lumtur në këto momente do të ishte
vetëm ai, që është shurdhmemec. Asgjë të mos shohi me sy, asgjë të mos dëgjoj
me veshë. Doktorziu si „kritik latrar i tabanit kombëtar“, është më i „lumturi“
nga të pranishmit në sallë. Mezi u duartrokitë reçensioneve të këtij „kritiku të
madh letrar“ si mik i moçëm partiak, ish ministër i arsimit, ish ambasador i
OKB -së në Gjenevë, që Nëna Parti kohën e fundit na e propagandon edhe si „kritik
të madh letrar“ mbarëkombëtar. Dorën në zemër, letërsia botërore moti e ka
pasur dhe e ka edhe mjekun shkrimtar, po jo sojin e këtij kalorësi të arratisur
shqiptar. Publikisht e pyes këtë „kritik të madh letrar“, si do ta ndjente
veten kur në sallën e operfimit në spital me thikat në duar mbi pacientin e sëmurë
ta shihte një shkrimtar?!
Botuesi-autor
edhe ai i shkreti përpiqet të thotë për librin e botuar si autor ndonjë fjalë të
„madhe“. Përshëndetjet dhe urimet si zakonisht jehojnë në sallë: I përshëndes
kryetarin e Nënës Parti, ministrat në Qeveri, kryetarin e komunës, ambasadorin
e Shqipërisë dhe Kosovës, rektorin e Universitetit, akademikun e rregullt në sallë
në këto „aktivitete kulturore“... E zgjasin diskutimin e tyre rreth librit - litarë.
E tjerrin në Bit-Pazar si shtëllungë leshi. Përdredhin boshtin si ato plakat e
Katundit në furkë ulur në shkam te pragu i derës. Dhe, frikë të kesh t’ua japësh
në dorë mikrofonin. Edhe, nëse nuk ua jepë, vetë dalin dhe e rrëmbejnë si
dhelpra pulën me kthetra majë peme e shtrijnë nën këmbë t’ia nxjerrin pupëlat. Burrat
e botës nuk e dinë kur është mjaftë. Gjithë kohën bluajnë bosh mes dy gurëve
egjër për miell në mulli.
Doktorziu
në rendin e parë si „kritik letrar i tabanit kombëtar“, do të plasë nga inati: bukën
para syve po ia marrin mjekët, tollumbaxhinjt dhe hoxhallarët. Nëna Parti i ka
bërë lëmsh profesionet. Burri i botës durimin nuk mund ta bëjë zap, reagon me zë
ndaj botuesit-autor mik shtëpie, që mezi iu dha rasti nga partizanët e Nënës
Parti edhe atij më në fund t’i jepet në dorë mikrofoni: „Mjaftë më se nuk do ta
lexojë askush librin!“ Botuesi-autor, e lë leximin e parathënies, po nuk është i
kënaqur me ndërhyrjen e mikut, tashti fillon me spjegimin e „kryeveprës botërore“
me fjalë. Doktorziu, „kritiku letrar i tabanit kombëtar“ do të plasë nga inati.
Falë Zotit, botuesi-autor më në fund e shteri „fjalorin e tij artistik“. Heshti.
Doktorziu bashkë me partizanët partiak plot gëzim u ranë durve shuplakë duke kërcyer
nga karriget.
Tashti,
filluan pyetjet e të pranishmëve. Gazetarët, dihet janë të parët, bëjnë pyetje
të thata patetike pa lidhje kotnasikoti. Fatkeqësisht, edhe përgjigjet i kanë patetike,
të gjata e monotone. Botuesi- autor e ka qëllimin në tjetër vend, shfrytëzojë rastin
të shes ndonjë libër. Deshi - s’deshi pajtohet me fatin. Edhe këtu, si për inat
nuk i eci pazari. Partizanët e Nënës Parti, vështirë e ke t’i mashtrosh në ditën
e sotshme me „flijime artistike“, nuk blejnë e as lexojnë libra. Gjithë jetën
janë mësuar t’u falen librat si zarzavatet e kalbura në Bit-Pazar, që të mos i
lexojnë kurrë, ose t’i hudhin ende pa dalë te dera në kontenierët e bërllokut.
Shembull
ende i freskët: Në Shkup erdhi Kryetari i Partisë Neokomuniste me librin e tij „bestseler“.
Patrioti i Vonuar për inat me dy „kryeveprat“ e tij pas Kumanovës e Preshevës
shkoi deri në Shkodër për të marrë „çertifikatën e shkrimtarit“. Politikani i
Arratisur, pas aktiviteteve dhe posteve politike të ambasadorit, më në fund
mezi vendosi t’i kthehet letërsisë me tre libra erdhi në Shkup. Vetëm, përçudi
sipas veprimeve „artistike“ gati thuaj të gjithë e kishin të vetmin qëllim: shitjen
e librave të tyre si kashtën në grazhd popullit shqiptar. Punemadhe, që burrat
e botës kanë qenë dhe ende janë partizanë partiak: kush kryetar partie, kryetar
bashkie i Tiranës, ish ambasador në
Fatkeqësia:
Mysafirët gati të gjithë i kanë partizanë të Nënës Parti. Fare pak, aty-këtu
ndonjë shkrimtar sa për farë dhe së paku për të pushuar sytë. Shkrimtarët e „papunë“
blejnë libra, po nuk kanë para as për bukë. E, partizanët e Nënës Parti të shëtitur
nëpër poste politike, jo që nuk blejnë libra, po ata edhe nuk lexojnë pa para në
këtë kohë qorre për kulturën shqiptare...