Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Sanço Pançot e Ali Mehmetit hipur mbi gomarë
E marte, 24.04.2012, 09:02 PM
SANÇO PANÇOT
E ALI AHMETIT
HIPUR MBI GOMARË
(Në vend të shënimit të Ditës Botërore të Librit).
Nga: KALOSH ÇELIKU
Më ecet
ende këtyre rrugëve të gjata, por pleqëria më troket në derë. Çudi! Nuk mundem
të ndahem aq lehtë nga bërlloku… Konservat… Ndjekjet… Rënjet… Ngritjet… Pasuria…
Varfëria… Bukuria… E shëmtuara… Qenkan do punë të fshehta, që paskan në vete
magnet. O bir, o bir! Sa do të gëzohesha sikur magneti i tyre të mos tërhiqte,
po të shtynte, të shtynte në theqafje. Do t’ua ktheja shpinën njëherë e përgjithmonë,
pa asnjëfarë mëshire gjithë këtyre bajgave politike. S’do e mundoja veten të eci
me sy të mbyllur shtigjeve… Dhiareve… As t’u ngjitem këtyre shkallëve përpjetë,
që të zbresin kaq poshtë, përdhe. Nuk do të lejoja të ec pas Hijes që më ka
lidhur për brirësh për në varr. S’e kisha marrë kaq lehtë këtë vrapim maratonik
për në zero.
- Zoti
Shkrimtar, këmbët po më ecin vetë për në xhami.
- Plak,
mos hip në qerre!
- Jo,
zoti Shkrimtar. I kam këmbët.
- Plak,
ki kujdes mos e gabosh udhën!
- Zoti
Shkrimtar, e di unë udhën edhe natën për në Shtëpi…
Dhe, ju
mund të më shani natë e ditë. Nuk do të m’i kuptoni marrëzirat. Do t’i kuptoni
më vonë. Ose, kurrë. Por, mua s’më bëhet vonë. Nuk jap pesë para. Unë gjithmonë
kam qenë i detyruar ta ngris zërin kundër duarve të përlyera me gjak… Koshave të
bërllokut… Fytyrave të shëmtuara me kokën te partitë politike shqiptare e bythën
te “vëllezërit”… Sanço Pançove të Ali Ahmetit që propagandojnë “kulturë dhe
biznes” shqiptar. Kakademikun (Sanço Panço shqiptar), që në hapjet solemne të “faltoreve”
shenjta të librit flet përgjumshëm para të pranishmëve, i kthehet mikrofonit dy
edhe tre-katër herë me arsye se paska harruar në këtë “ngjarje të madhe
kulturore” në Bit-Pazar t’i përcjell “përshëndetjet e një miku të librit”. Ne të
pranishmit, gojëhapur pa frymë mezi prisnim Kakademikun të na i përcjellë përshëndetjet
e Ali Ahmetit për librin, kur hop papritmas Kakademiku shkrep në mes të Bit-Pazarit
“allti”: “përshëndetjet” e një deputeti të Partisë Socialiste nga Shqipëria. Edhe
atë: tri ditë para Ditës Botërore të Librit. Tekefundit, së paku “dashamirët” e
librit ta prisnin këtë datë historike që e kemi në prag, shënonin siç do t’u
kishte hije shqiptarëve, në Çarshi të Shkupit. Zakonisht i madh e i vogël krah
për krahu mbi kuaj me shalë e gomarë. I kanë harruar datat historike, i kanë ngatërruar
përvjetoret, manifestimet kulturore. I kanë bërë lesh e li kripur me “politikë madhore”.
Dorën në zemër, megjithatë duhet përgëzuar “dashamirët” e librit shqip: falë biznesit
familjar-partiak nuk e kanë lënë në mëshirën e Shoqatave të Botuesve Shqiptar
se, do t’i mbushnin raftet deri në tavan me libra fetar e çaj rusi. Vend të lirë
nuk do të na linin si shqiptarë mes librave të ngrejmë me miq edhe ndonjë gotë raki
rrushi ose verë të kuqe. Dhashtë Zoti, Kakademiku kësaj radhe e ka këmbën e
mbarë, që fare pak besoj në hapin e tij në arsim, kulturë dhe politikë shqiptare.
Shkaku se, siç thotë populli: ku ka shkelur këmba e tij me vite nuk ka mbi bar
as lule në livadh.
E bëj këtë
hap artistik, akuzë parashikuese se, nuk kam frikë. Tokën e kanë munduar dhe e
mundojnë dy lloj njerëzish. Njerëz të leckosur, që punojnë natën, ditën dhe e dënojnë
veten, shpirtin me varfëri dhe njerëz parazitë që nuk punojnë fare, por jetojnë
në shpinën e të parëve me emër e mbiemër - “salep-intelektualë”: kakademikë,
profesorë universitar, autorë tekstesh të dramave të arnuara teknefese nga
rruga, regjisorë, aktorë, gazetarë… Sanço Panço shqiptar: dje, të Menduh Thaçit,
sot të Ali Ahmetit, që nuk u pjellë truri edhe sot e kësaj dite, e kanë mushkë.
Betejat e përgjakshme për liri me mullinjt e erës i bëjnë për Dylqinenë e Tobozës.
Qengjat e pjekur në hell, dhuratat e majme i kërkojnë pa asnjë grimë turpi për “kryerjen”
e ndonjë pune “patriotike kuqezi”. Mos them: shiten edhe për një çorbë, pa pare.
Në fund, e gjithë ajo punë del rrenë. Fragment Abetareje. Sanço Panço me
diploma të blera universitare e tituj shkencor të “vëllezërve”, e përsëris thënien:
dje, të Menduh Thaçit, sot të Ali Ahmetit. Edhe të parët, edhe të fundit janë të
rrezikshëm për shoqërinë. Shtetin Shqiptar edhe në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë.
E unë i kam dashur më shumë njerëzit. Të gjithë ato që i kam parë me sy dhe i
kam dëgjuar me veshë, m’i kanë hëngër mushkëritë, zemrën, zorrët… Mu për këtë më
është dukur e udhës t’ua heq maskat, se e kam dashur më shumë veten, juve si
shqiptarë… S’më ka shkuar kurrë ndërmend se mund të ma këpusin mishin me danë. Mund
të më fusin në kusi me ujë shkul. Mund të ma zhveshin me dorë lëkurën nga trupi.
Mund të më varin në trekëmbësh si “armik i popullit dhe shtetit të përbashkët”.
Ose: si burrë tradhtar i Dylqines së Tobozës. Mu pse nuk më ka shkuar kurrë mendja
për këso dënimesh, unë do t’ia arrij qëllimit dhe ju një ditë për mua do t’i
rrahni duart shuplakë. Ti nuk je i marrë. Ti je vëllai i njeriut. Ti ke ecur
vetëm ditën. Ti nuk i ke përlyer duart me gjak. Ti na i ke zgjidhur sytë të mos
shkojmë vetë te Kasapi. Ti e do Abetaren… Diellin… Hënën… Yjet… Lulet… Fluturat…
Pranverën… Ne të duam ty, o plak me mjekër të bardhë! Ne vijmë pas teje edhe në
varr… Prijna drejtë rrugës së drejtë, vërtetë përmes luleve! Ne u besojmë marrëzirave
që i shkruan nëpër libra…
- O i
marrë, a t’u kujtua më në fund edhe ty të vijsh në xhami? - i bërtiti Hoxhë Efendiu
me Kur’an në dorë.
- Po, o
hoxhë. Erdha ta fal teravinë.
- Vonë është,
o plak! Është vonë, o i marrë! Nuk është për ty xhamia me flamuj gjysëmhëne nëpër
dy e katër minare. E di, moti e propagandon nëpër Bit-Pazar, se: edhe unë do të
vij në xhami t’i lutem Zotit, vetëm atëherë kur nëpër minaret tona do të valojë
flamuri kombëtar shqiptar. Hi-hii-hiii… Plak, për ty është, Xhehnemi.
- Jo, o
hoxhë! Nuk është vonë. Erdha më në fund t’i rrëfehem Allahut.
- Ha-haa-haaa…
Tybeistifka, ti do t’i rrëfehesh Allahut?! Po, ç’do t’i tregosh o i marrë? Marrëzira
të xha Derallës duke shartuar dardha gorrice te “Jasakët e Tikeve”?
- Po, o
hoxhë, marrëzira… Edhe atë: Natën e Madhe…
- Heu, o
i marrë! Allahu sheh dhe dëgjon gjithë çka ndodh në tokë.
- Jo, o
Hoxhë Efendi! Allahu nuk i sheh gjithë këto marrëzira, le të flas plaku në xhami.
- Ndërhynë disa burra me kësulën e bardhë të Bajram Currit në kokë.
- Burra, unë
do t’i bëj vetëm disa pyetje hoxhës?
- Fol,
plak! Fol, jemi në “demokraci”! U dëgjuan
zëra të tjerë në xhami.
- O hoxhë,
unë dua ta dijë kush i mbyt fëmijët në djep? Dhe, pse asaj dore të ndytë më shumë
ia ka ënda fëmijët shqiptar?
- Ku ta
dij unë, o i marrë! Nuk përzihem në punët e Allahut!... Tybeistikfa!...
- E di
ti, o hoxhë! E di. Se, ti u ke bërë hajmali. U ke dhënë barna… Injeksione… Kush
ia la xha Seferit gjilpërën e këputur në dhëmbë?
- Xhemat.
Ky plak është i marrë. Përzieni nga xhamia!
- Jo, o
hoxhë! Ky plak është i mençur. Vazhdo, plak! Vazhdo! - ndërhyri një i ri.
- Kush i
shëron gratë që i kanë burrat në kurbet?
- Xhemat,
ky plak fol me xhindet!
- Jo, me
ty o hoxhë efendi! Tjetër punë është ajo nëse, ti e merr veten për xhinde. Pasi
nuk rrëfehesh vetë si besimtar besnik, po të rrëfej unë para Allahut… Xhematit…
- Plak,
ti qenke i meçur! I mençur! U dëgjuan zëra të tjerë në xhami.
- Burra,
fëmijët i mbyt Hoxhë Efendiu. Ky bënë injeksione ku i dhemb pacientit. Nëse i
dhemb koka, në kokë… Nëse dhëmbi, në dhëmb… Nëse këmba, në këmbë… Nëse syri, në
sy… Thotë, se përnjëherë i bënë tri punë. Një: bën hajmali. Dy: jep barëra. Dhe,
tre: injeksione. E kanë paguar disa “shkencëtarë të njohur vëllezër” të mos
shtohet fara e shqiptarëve. Këta, viteve të fundit e kanë zbuluar shtimin e
shpejtë të numrit të lyrekëve. Sipas mendimit të tyre duhet të pengohet lindja
e tepërt e fëmijëve, se botës i kërcënohet varfëria dhe rreziku nga shqiptarët???!!!...
Hoxhë Efendiu përveç parave të “shkencëtarëve të njohur vëllezër” merr para me
të dyja duart edhe nga populli. Ai i shëron gratë, vajzat, nuset e reja… Hoxhë Efendiu
është edhe Lugati i Koçajve.
- Hoxhë Efendiu,
qenka Lugati i Koçajve?! U habitën burrat dhe filluan një nga një ta lëshojnë xhaminë.
- Çka
pritni ju të rendit të parë që nuk dilni në oborr?
- Ne i
besojmë Allahut! I lutemi, o plak!
- Edhe
juve ju di se çfarë besimtarësh besnik jeni në xhami. Gjithë natën e gjatë vidhni
nëpër Qytet. Natë për natë përpiqeni t’i vrisni intelektualët si qenin në rrush.
I bëni nëntëqindenëntëdhjetenëntë të këqija. Dhe, kur vjen koha e të falmes të gjithë
vini në xhami, uleni në rendin e parë, para këmbëve të hoxhës. Të gjith ju të rendit
të parë i keni duart e përlyera me gjak deri në bërryl…
Kur i
thash të gjitha dhe s’më mbeti më asnjë fjalë në gojë, dola jashtë duke mbyllur
pas vetes derën e xhamisë. Rrugës vetja mu duk e lehtë, gjeth. E hetova se isha
shkarkuar nga një barrë e rëndë mbi shpinë. Disa herë më erdhi fuqia t’u bërtas
varreve, por e përmbajta veten rrëzë Çukës. Unë e kisha pasur në shpinë një samar.
Të gjithë ata që kishin bërë mëkate më kishin hipur në shpinë. Ma kishin vënë frerin
dhe më kishin detyruar të ec nëpër pyllin shkëmbor. Unë me këmbë të përgjakura
kisha ecur natën, ditën. Më ishin marrë mendtë udhës. E kisha parë Hënën me
barrë. Natën më kishin urdhëruar të flej në livadh. Më kishin detyruar të hesht
dhe mos e ngrej gishtin. Më vonë e kuptova se këtë e kishin bërë, jo pse më kishin
dashur shumë, por pse më kishin pasur frikë. Ishin trembur mos ua zbuloj veprat
e shëmtuara me shkop. Ose, të lëshoj në llogari të tyre ndonjë marrëzi nëpër
Qytet. Të ec pas këmbëve që të çojnë në mjerim… Dyshim… Pikëpyetje… Bërllok… T’ua
shoh sytë e skuqur! Më dridhen këmbët. S’kam fuqi të ik përpara këtyre përbindshave…
Qikllopëve me një sy… Grykësve… Zemra më kërcen si top llastiku në krahëror, në
mes eshtrave… Lëkurës… Këta qenë e buça me zgjebe ma rrënqethin trupin. Këmbët
m’i bëjnë të më bredhin valle në tokë pa lodra e cingana. Përmëtepër, edhe pa
dajren e Nuses me pashterkë të kuqe. Duart të më dridhen në xhepa. Flokët m’i çojnë
përpjet - iriq. Ma shtinë frikën. M’i errin sytë. Natë për natë shoh ëndërr
gjarpërinj… Bolla me flokë… Dhelpra… Ujqër… Derra…
Por, para
gjithë këtyre bajgave politike shoh shkëlqimin tim në qiell. Ngrihem përmbi re
si zog shqiponje. Fluturoj… Fluturoj… Fluturoj… Rrugës e shoh qiellin e kaltërt…
Pa mjegulla… Shi… Breshër… Rrufe… Të gjithë këta armiq që e sulmojnë tokën,
njerëzit, kafshët, bimët… Qenkan në qiell! Gjithë të këqijat e të mirat bëheshkan
në mes qiellit e tokës. S’di ç’dorë përzihet në mes të kësaj hapsire. Nga na çojnë
këto këmbë që nuk na dëgjojnë, o burra? Më hidhet vetë ta marrë litarin dhe t’i
lidhë këmbët e mia nye deri në asht. Gojën me shami. Mos bëni më asnjë hap! Mos
e folë asnjë fjalë! Një hap më tej, një fjalë më shumë është rrezik! Rrezik! Ju
nuk dini ku ma çoni kokën. Vrapimi i juaj është vrapim pulamëshehtas në Kasollën
e vjetër me kashtë. Kur dua t’i lidh këmbët, gojën, dikush më tërheq për gjuhe. Më shan… Më rreh… Ec përpara,
o plak! Përpara! Në këmbë! Këmbadoras! Jo, nuk dua. Dua të ec përmbrapa! Ec përpara,
kur të them, o plak i marrë! Urdhëri duhet të kryhet i gjallë ose i vdekur. S’keni
forcë ju të vraponi përmbrapa. Zbrit në tokë! Jo, jo! Kam frikë. Në tokë ma
hedhin litarin në qafë. Më shtinë bajga në xhepa. Më bien me tokmak në kokë. Me
zor ma varin për qafe në xhami hajmalinë e Hoxhë Efendiut. Urdhëri është të zbresësh
në tokë. Në tokë, o plak! Poshtë! Përdhe! Zvarrë!…
Më detyruan
ta tërheq qerren me katër rrota. E detyrimi është më i fortë se ky shkop. Ja,
nuk bëj inat. E dua veten më shumë se juve, o Sanço Panço të Ali Ahmetit! Edhe:
Faji nuk është i Ali Ahmetit, po i Sanço Pançove shqiptar, që i shkojnë përmbrapa
për ndonjë shpërblim pas lufte si dhelpra - dashit mos i bien udhës. Ose, siç thotë
Sala: ku di gjë mësuesja sa liqene i ka Shqipëria. Unë them: ku di gjë Ali
Ahmeti, çka bëjnë në “fushën e betejës” duke u turrur pas posteve partiake rrugës
për në Liri Sanço Pançot e tij hipur mbi gomarë. Prandaj, do të zbres në tokë. Këmbadoras
ta tërheq qerren… Oh, ç’shoh o Zot!... Natën me ferexhenë hedhur krahëve… E kam
frikë Tollosunin… Xhindet… Lugatin e Koçajve… Sanço Pançot e Ali Ahmetit mbi
gomarë…
Ne
qenkeshim të këqinj. Aq të këqinj. Aq të këqinj… Na shpëto, o Zot!...