E premte, 02.05.2025, 10:06 AM (GMT+1)

Mendime

Dorian Koçi: Përkëdhelje e panevojshme diplomatike

E hene, 11.06.2012, 07:46 PM


Përkëdhelje e panevojshme diplomatike

Nga Dorian Koçi

Ndërsa partitë politike në Tiranë janë të përfshira në procesin e vështirë dhe të sikletshëm të zgjedhjes së presidentit, në pjesën më veriore të kombit shqiptar në Merdarë, pikës kufitare që ndan Republikën e Kosovës me Serbinë, u shënuan incidentet e radhës midis strukturave paramilitare rajonale serbe dhe forcave të KFOR-it. Incidentet, të cilat tërhoqën menjëherë vëmendjen maksimale të BE-së, për shkak se midis forcave të KFOR-it pati dy të plagosur, filluan për shkak se KFOR-i, në mbështetje dhe të marrëveshjeve të arritura në bisedimet dypalëshe Prishtinë-Beograd për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, tentoi të hiqte barrikadat serbe, që në mënyrë të paligjshme që nga vera e shkuar vazhdojnë të qëndrojnë aty jo si simbole të qëndresës së tyre, por si simbole të “mureve të reja të Berlinit” që kërkojnë të ngrihen në Ballkan. Ngjarjet të cilat priten që të jenë dhe sfida e parë diplomatike për Presidentin e porsazgjedhur të Serbisë Nikolic nuk u kaluan pa u vënë re dhe në Tiranë. Për herë të parë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme, duke braktisur çfarëdolloj gjuhe ekuivoku dhe jo të qartë deklaroi se mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë me KFOR-in dhe EULEX-in. Por kërkesa e qeverisë shqiptare nuk u ndal këtu. Deklarata e qeverisë shqiptare kërkon nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të dhunës, si dhe çmontimin e strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë për të vendosur rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit. Kjo deklaratë është për t’u përshëndetur, sepse në dallim nga herët e tjera ku tonet e Shqipërisë kanë qenë shumë të buta, kësaj radhe qeveria shqiptare, duke përfaqësuar dhe një opinion të gjerë bashkëkombësish dhe qytetarësh shqiptarë, i ka dhënë përgjigjen e merituar rebusit të marrëdhënieve serbo-shqiptare. Këto marrëdhënie, në fakt, kanë kohë që po provohen në Kosovë dhe sidomos në vullnetin e Serbisë për të pranuar një realitet që tashmë e njeh pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Europian, SHBA dhe një sërë shtetesh të tjera të kontinenteve të ndryshme. Pavarësia e Kosovës nuk është tashmë një akt i njëanshëm dhe i njohur përciptas, por një realitet i qëndrueshëm dhe faktor për t’u marrë në konsideratë. Në këtë kuptim, deklarata e Presidentit të porsazgjedhur serb Nikolic, se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe me koston e mospranimit në Bashkimin Europian, përveçse është një konservatorizëm i papranueshëm për rajonin, influencon për keq dhe në strukturat paramilitare serbe, që po e mbajnë peng territorin e Kosovës Veriore qysh prej ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999. Mirëpo kësaj fryme konstruktive që u përpoq të përcillte deklarata e qeverisë shqiptare, e cila për hir të së vërtetës tregon hapur problematikën që shqetëson jo vetëm atë, por dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar, nuk iu përgjigj deklarata e vakët që lëshoi Bashkimi Europian nëpërmjet sekretares së Baroneshës Ashton. Zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic, deklaroi as më shumë e as më pak se BE ishte shumë e shqetësuar për situatën aktuale në Veri të Kosovës dhe se ftonte palët të tregoheshin të përmbajtura dhe të bashkëpunonin me strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Me pak fjalë, i gjithë ai tension me plagosjen e dy ushtarëve të KFOR-it dhe moslejimin e heqjes së barrikadave të jashtëligjshme u reduktua në një “shqetësim” dhe “thirrje për bashkëpunim”. Ky qëndrim kaq i butë i politikës zyrtare të BE ka lënë një shije të hidhur në gjithë hapësirat mbarëshqiptare. Duke mos dashur as mos uruar fatin e dy demonstruesve shqiptarë të rënë në përleshjet e dy viteve më parë në Prishtinë, ku demonstrata e lëvizjes “Vetëvendosja” u shtyp me dhunë nga forcat e EULEX-it, duket sikur ndërkombëtarët kanë përqafuar qëndrime me dy lloj standardesh të ndryshme për sa i përket qëndrimeve të tyre në Kosovë. Kjo lloj politike, sigurisht që është dhe kundër vetë standardeve të diplomatëve europianë që deri më tani janë munduar që shpeshherë të identifikojnë viktimat me xhelatët në qëndrimet e tyre në Kosovë, duke harruar se kështu inkurajojnë “skifterët” e konfliktit të hapur mes strukturave paralele dhe paramilitare serbe. Shqiptarët kësaj radhe janë nga ana e të lënduarve sërish, pasi sipas të gjitha të drejtave ndërkombëtare të njohura dhe nga qeveritë e vendeve të këtyre diplomatëve kanë të drejtën e Zotit të vendosin rendin dhe qetësinë brenda shtetit të tyre dhe të mos mbahen peng e orekseve të një minorance etnike, që nuk dëshiron të njohë as ligj dhe as rregull ndërkombëtar. Përkëdhelja dhe marrja me të mirë se kinse kështu do të qetësohen ujërat dhe pasionet nacionaliste kanë rezultuar fatale në Ballkan. Ato janë marrë gjithnjë si për dobësi dhe më shumë kanë zhytur rajonin në kriza etnike të panevojshme. Qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës duhet të ndërmarrin një ofensivë të re diplomatike në botë, jo vetëm duke synuar njohjet diplomatike të Republikës së Kosovës por çmontimin e strukturave paralele dhe denoncimin e lojës së pistë që po luan Serbia në rajon. Bashkimi Europian dhe bota tjetër e qytetëruar ka disa principe bazë, ku mes tyre spikatin e drejta për të qeverisur territoret si shtet sovran dhe komunikimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave dhe nëse Serbia dëshiron të jetë pjesë e kësaj bote duhet t’i fillojë t’i respektojë një për një, ashtu si bëjnë të gjitha shtetet e kësaj hapësire.



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx