| E hene, 11.06.2012, 07:46 PM |
Përkëdhelje
e panevojshme diplomatike
Nga Dorian Koçi
Ndërsa
partitë politike në Tiranë janë të përfshira në procesin e vështirë dhe të sikletshëm
të zgjedhjes së presidentit, në pjesën më veriore të kombit shqiptar në Merdarë,
pikës kufitare që ndan Republikën e Kosovës me Serbinë, u shënuan incidentet e
radhës midis strukturave paramilitare rajonale serbe dhe forcave të KFOR-it. Incidentet,
të cilat tërhoqën menjëherë vëmendjen maksimale të BE-së, për shkak se midis
forcave të KFOR-it pati dy të plagosur, filluan për shkak se KFOR-i, në mbështetje
dhe të marrëveshjeve të arritura në bisedimet dypalëshe Prishtinë-Beograd për lëvizjen
e lirë të njerëzve dhe mallrave, tentoi të hiqte barrikadat serbe, që në mënyrë
të paligjshme që nga vera e shkuar vazhdojnë të qëndrojnë aty jo si simbole të qëndresës
së tyre, por si simbole të “mureve të reja të Berlinit” që kërkojnë të ngrihen
në Ballkan. Ngjarjet të cilat priten që të jenë dhe sfida e parë diplomatike për
Presidentin e porsazgjedhur të Serbisë Nikolic nuk u kaluan pa u vënë re dhe në
Tiranë. Për herë të parë, Ministria jonë e Punëve të Jashtme, duke braktisur çfarëdolloj
gjuhe ekuivoku dhe jo të qartë deklaroi se mbështet vendosmërinë e Qeverisë së Republikës
së Kosovës për ushtrimin e sovranitetit të saj, vendosjen e rendit e ligjit për
të siguruar lirinë e lëvizjes në të gjithë territorin, në bashkëpunim të ngushtë
me KFOR-in dhe EULEX-in. Por kërkesa e qeverisë shqiptare nuk u ndal këtu. Deklarata
e qeverisë shqiptare kërkon nxjerrjen para drejtësisë të autorëve të dhunës, si
dhe çmontimin e strukturave paralele e kriminale serbe të sigurisë për të vendosur
rendin dhe ligjin edhe në këtë pjesë të vendit. Kjo deklaratë është për t’u përshëndetur,
sepse në dallim nga herët e tjera ku tonet e Shqipërisë kanë qenë shumë të buta,
kësaj radhe qeveria shqiptare, duke përfaqësuar dhe një opinion të gjerë bashkëkombësish
dhe qytetarësh shqiptarë, i ka dhënë përgjigjen e merituar rebusit të marrëdhënieve
serbo-shqiptare. Këto marrëdhënie, në fakt, kanë kohë që po provohen në Kosovë dhe
sidomos në vullnetin e Serbisë për të pranuar një realitet që tashmë e njeh
pjesa më e madhe e shteteve të Bashkimit Europian, SHBA dhe një sërë shtetesh të
tjera të kontinenteve të ndryshme. Pavarësia e Kosovës nuk është tashmë një akt
i njëanshëm dhe i njohur përciptas, por një realitet i qëndrueshëm dhe faktor për
t’u marrë në konsideratë. Në këtë kuptim, deklarata e Presidentit të porsazgjedhur
serb Nikolic, se nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe me koston e
mospranimit në Bashkimin Europian, përveçse është një konservatorizëm i
papranueshëm për rajonin, influencon për keq dhe në strukturat paramilitare
serbe, që po e mbajnë peng territorin e Kosovës Veriore qysh prej ndërhyrjes së
NATO-s në vitin 1999. Mirëpo kësaj fryme konstruktive që u përpoq të përcillte
deklarata e qeverisë shqiptare, e cila për hir të së vërtetës tregon hapur
problematikën që shqetëson jo vetëm atë, por dhe gjithë komunitetin ndërkombëtar,
nuk iu përgjigj deklarata e vakët që lëshoi Bashkimi Europian nëpërmjet
sekretares së Baroneshës Ashton. Zëdhënësja e saj, Maja Kocijancic, deklaroi as
më shumë e as më pak se BE ishte shumë e shqetësuar për situatën aktuale në Veri
të Kosovës dhe se ftonte palët të tregoheshin të përmbajtura dhe të bashkëpunonin
me strukturat ndërkombëtare në Kosovë. Me pak fjalë, i gjithë ai tension me
plagosjen e dy ushtarëve të KFOR-it dhe moslejimin e heqjes së barrikadave të jashtëligjshme
u reduktua në një “shqetësim” dhe “thirrje për bashkëpunim”. Ky qëndrim kaq i
butë i politikës zyrtare të BE ka lënë një shije të hidhur në gjithë hapësirat
mbarëshqiptare. Duke mos dashur as mos uruar fatin e dy demonstruesve shqiptarë
të rënë në përleshjet e dy viteve më parë në Prishtinë, ku demonstrata e lëvizjes
“Vetëvendosja” u shtyp me dhunë nga forcat e EULEX-it, duket sikur ndërkombëtarët
kanë përqafuar qëndrime me dy lloj standardesh të ndryshme për sa i përket qëndrimeve
të tyre në Kosovë. Kjo lloj politike, sigurisht që është dhe kundër vetë standardeve
të diplomatëve europianë që deri më tani janë munduar që shpeshherë të identifikojnë
viktimat me xhelatët në qëndrimet e tyre në Kosovë, duke harruar se kështu
inkurajojnë “skifterët” e konfliktit të hapur mes strukturave paralele dhe paramilitare
serbe. Shqiptarët kësaj radhe janë nga ana e të lënduarve sërish, pasi sipas të
gjitha të drejtave ndërkombëtare të njohura dhe nga qeveritë e vendeve të këtyre
diplomatëve kanë të drejtën e Zotit të vendosin rendin dhe qetësinë brenda
shtetit të tyre dhe të mos mbahen peng e orekseve të një minorance etnike, që nuk
dëshiron të njohë as ligj dhe as rregull ndërkombëtar. Përkëdhelja dhe marrja
me të mirë se kinse kështu do të qetësohen ujërat dhe pasionet nacionaliste kanë
rezultuar fatale në Ballkan. Ato janë marrë gjithnjë si për dobësi dhe më shumë
kanë zhytur rajonin në kriza etnike të panevojshme. Qeveria shqiptare dhe ajo e
Kosovës duhet të ndërmarrin një ofensivë të re diplomatike në botë, jo vetëm
duke synuar njohjet diplomatike të Republikës së Kosovës por çmontimin e
strukturave paralele dhe denoncimin e lojës së pistë që po luan Serbia në rajon.
Bashkimi Europian dhe bota tjetër e qytetëruar ka disa principe bazë, ku mes
tyre spikatin e drejta për të qeverisur territoret si shtet sovran dhe
komunikimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mallrave dhe nëse Serbia dëshiron
të jetë pjesë e kësaj bote duhet t’i fillojë t’i respektojë një për një, ashtu
si bëjnë të gjitha shtetet e kësaj hapësire.