Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Ashiku i Rrapit vdes i ri
E enjte, 14.06.2012, 06:14 PM
ASHIKU
I RRAPIT
VDES I RI
Nga: KALOSH ÇELIKU
Urrejtja në liri
( Mikut tim, Pano Taçi )
U njohëm rastësisht, në
manifestim poetik
Ti i kishe shkarravitur muret e zandaneve.
E Unë, burgun shtëpiak në IRJ Maqedoni.
Vetëm, për çudi ta pata lakmi
Urrejtjen ti e kishe lënë në
burg.
E Unë e kisha nxjerrë në liri...
(Edhe Ajo nuk ishte xheloze, Shkup, 2004)
E pritnim për çdo vjet plot mall si
gjithmonë në Shkup edhe këtë fundverë me fillimin e Vjeshtës si Lejlekun e
vonuar shtegtar në Takimet Poetike nën Rrap. Realiteti, ai edhe i mbante gjallë
këto takime poetike. Ishte njëri ndër themeluesit e këtyre takimeve
tradicionale të poezisë erotike. Nuk e ndalte Moti i keq: shiu, breshëri e as
bora për të marrë pjesë në këto takime
tradicionale. Rrugën e merrte edhe këmbë si djalë i ri nëpër Qafë Thanë.
Ndonjëherë na paraqiteshte me anë të telefonit se ka mbetur në Strugë. Nuk
kishte asnjë lidhje komunikacioni për të arritur me kohë në Shkup. I merrja
miqtë atje, në telefon dhe u thoja: Pano ka mbetur në Strugë, ku të doni ta gjeni
nëpër qytet të ma sillni në Shkup! Edhe, pas dy orëve e sillnin Ashikun e
Rrapit. Raste kishte edhe kur përfundonte me gjithë miq në polici, në Kërçovë
pse kishte lexuar poezi në Tetovë. Turr ne organizatorët pas politikanëve
shqiptar në pushtet, kur dëgjonim se Pano Taçin përsëri e kanë rrasë në birucë.
I madh e i vogël çoheshim më këmbë për ta përcjellur në Tiranë pa asnjë ferrë
në këmbë. E donin të gjithë, po përçudi edhe ai i donte njerëzit. Punemadhe, që
një soj i tyre e kishin rrasur edhe në burg. I tillë ishte Pano Taçi. Autori i
vargjeve që kërkoi përsëri ta kthenin në burg se atje, „i kishte të gjitha“:
bukë, shtëpi, lekë, gra... E, në liri nuk kishte asgjë, as edhe bukë për
darkë. Vargjet, kohën e fundit më nuk e
dëgjonin poetin, ngrenin krye: „Do shkoj të shtrihem të bëj gjumë/ O soi im i
morrit, u lodha shumë,/ më shumë se ç'duhet./ Duke gicilisur tokën plakë:/ kam
cimbisur helm e jo gjak”.
Zemrën na e bënte mal, kur e shihnim në mesin
tonë për çdo vjet me poezitë e „egra“. Kurrë, nuk na ka shkur mendja se këtë
vit me gjithë ato vite plot vuajte mbi shpinë nuk do ta kemi në mesin tonë nën
Rrap. Përkundër, problemeve që më rrinë natë e ditë mbi kokë, këtë vit mendoja
të shkoj ta marr vet deri në Tiranë. Çfarë parandjenje dhe fati të tmerrshëm
kemi ne poetët e nemur nga pushteti?! Lumë ne që u besojmë poezive e jo partive
politike! Kryetarve teknefes të partive politike e Shtetit. Përpara duhet të
vdesim si poetë, që të vijnë të na sjellin lule, qajnë mbi varr. Iku paprtimas,
edhe atë në këtë Njëqindvjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, kur prisnim këtë
vit ta përcjellim Natën me poezi e këngë deri në agim me Ashikun e Rrapit.
Fatkeqësisht, kësaj radhe nuk e deshi Zoti. Rrapi më kot do ta pres shtegtarin
e plagosur t’i paraqitet nga rruga me telefon se ka mbetur në Strugë. Jo, ai
kësaj radhe ka gjetur tjetër shtëpi, atje nuk ka telefon. Gjatë kohë Rrapi do
të mbajë zi për poetin. Mikun që e deshi aq shumë dimër e verë. Shkaku se, Pano
Taçi vetë kishte në shpirt „dimër jashta, dimër brenda“.
E
përcollëm dikur së bashku me poezi e këngë edhe Luftën e fundit (2001) nën
Rrap. Krah për krahu me shokë lexuam poezi para tytave të tankeve. Frikës që na
ndiqte pas si hije... Zonjën Vdekje, kur në çdo hap na vënte pusi pas ferre...
Erdhi koha, më në fund t’i kthehemi jetës... Manifestimeve kulturore... Lirisht
të marrim frymë përmes poezive anembanë Atdheut. Tekefundit, t’i heqim qafe
kufijt politik. Armët e kishin bërë të veten me shekuj, mjaftë kishin folur
nëpër vite. Tashti, duhet të heshtnin mbyllin gojën. Radhën e ka pena... Kur
flet arma, heshtë pena... E kur flet pena, hesht arma...
Manifestimi kulturor, Netët Poetike të
verës: TAKIME NËN RRAP, atë vit kishte edhe karakter festiv, për herë të parë u
mbajtë në Zonën e lirë... Edhe vitet tjerë e kishin bërë të veten nën Rrap me
vargje e këngë deri në agim. Kurrë, Shkupit deri në atë ditë nuk i kishin
ardhur aq shumë miq poetë, një autobus me targa TR nga të gjitha trojet etnike
shqiptare. Artisti Xhevat Limani lexoi në mënyrë shekspiriane Asdrenin: „Nuk‘
duamë gjë tjetër, nukë/ vetëm ca armë edhe ca bukë!“ Vargu shqip atë natë
nën Rrap krisi në mes të Shkupit. Poezitë e para për UÇK – në u lexuan deri në
agim. E përcollëm Natën.
E shih kësaj radhe, në këtë
Njëqindvjetor të Pavrsësisë së Shqipërisë për të pesëmbëdhjetën herë me radhë
pritej përsëri të tuboheshim si zogjtë shtegtar nga të gjitha trojet etnike
shqiptare. Patjetër, edhe do të tubohemi me gjithë poezi në Motin e Madh 2012.
Një minutë heshtje do të mbajmë për ty, o Pani Plak si dëshmorë i poezisë...
Edhe për Miken tjetër të Rrapit, Hida Halimin... Lavdi... Revista letrare STILI
97 këtë Njëqindvjetor do të mbaj me krenari në ballinë në dy numrat e këtij
viti (2012) portretet e dy miqve të Rrapit.
Luftën dikur e përcollëm me poezi e këngë nën Rrap... Zonën e lirë... Sot si për çdo vjet Hida Halimi dhe ti o Pano Taçi, përsëri do të jeni në mesin tonë, që edhe këtë Manifestim Kulturor Tradicional Ndërkombëtar TAKIME NËN RRAP ta hapni me poezinë - himn:
NA BASHKOI RRAPI
........................................
Ejani o dashamirë
Mblidhuni, t’ia bëjmë
fora.
Ne siç jemi zemërdlirë
s’kanë se ç’na bëjnë ca morra.
Le të buçasë këngë e
Rapit
më e bukur për çdo mot.
Cmirëziu me trutë e
krapit
të na ndaj e ka më kot.
Shpirt i tij i zi me
damga
e me zemrën përplot
driza.
Rrjetën thur si
marimanga
të na kapë me ç’na çmon miza.
Por ne insekte nuk
jemi,
jemi zogj të Rrapit të
lartë
blerimin nën buzë e
kemi
siç kemi këngën të
zjarrtë...
.............................................
Tri ditë e tri netë do të lexojmë poezi
nën Rrap... Këngë... Valle deri në agim... Dolli do të ngrejmë në Zonën lirë
për shpirtin tënd të shenjtë që fluturoi në Baba Tomor. Malin e Perëndive.
Tyrben ku pihet vera, shkruhet poezi... Dhe, bëhet dashuri...
Zonja Vdekje kësaj radhe nuk do të na
vij e papritur në këtë manifestim kulturor nën Rrap. Edhe pse, edhe asaj moti i
kemi dërguar një ftesë. E presim ta përshëndes Dasmën e Motit Madh 2012 me një
poezi, ku ti o Pano Taçi kësaj radhe do ta fitosh titullin e përjetshëm: ASHIKU
I RRAPIT... Çmim letrar që do të ndahet për çdo vjet nën Rrap...
Pano Taçi në mesin e miqve në MKTN: TAKIME NËN RRAP, në Shkup (2011).