Mendime
Remzi Limani: Individualiteti krijues në funksion të identitetit kombëtar
E enjte, 21.06.2012, 08:40 PM
INDIVIDUALITETI
KRIJUES NË FUNKSION TË SHOQËRISË
DHE TË IDENTITETIT KOMBËTAR
Nga Remzi Limani
Historikisht, njeriu gjithmonë luftoi nëpër kohë dhe me
të keqen e kohës së tij, duke u ngritur si feniksi nga hiri i tij, si nevojë
jetike dhe e drejtë e pakontestueshme për të qenë aty ku është sot. Shekuj me
radhë, njeriu përjetoi katrahurat më mizore në luftë kundër katallanit dhe
bajlozit të zi – për ta flakur dhunën fizike dhe atë psikologjike, në mbrojtje
të identitetit individual dhe kombëtar; duke kaluar nëpër sfida ndër më të
ndryshmet drejt ndërtimit të një shoqërie të re demokratike. Prandaj, liria
është produkt i rezistencës mendore dhe asaj fizike kundër padrejtësive të
ushtruara ndaj individit dhe shoqërisë si tërësi. Mohimi i të drejtave
elementare per të qenë pjesëtar i barabart me të tjerët në kuptimin e të
drejtave universale, e bëjnë njeriun të ndihej i pasigurt në hapësirën e tij. Atëherë,
kërkesa për të qenë vetvetja vjen si nevojë e domosdoshme dhe si reaksion i
natyrshëm për një frymëmarrje të lirshme. Ndaj, shteti me të gjithë strukturat
e mëvetësisë, patjetër duhet të projektohet mbi bazat e themeleve të lirisë së
fituar dhe gjithësesi mbi supet e një shoqërie të shëndoshë, e cila nga
bërthama e vet nxjerr mendjen e ndritur dhe i vë në skenë figurat më eminente
kombëtare që kanë emër kuptimi në shumë fusha të shkencës dhe të kulturës duke
i jetësuar idetë për ndërtimin e një shteti me frymë demokratike, në funksion
të mbarë shoqërisë dhe assesi në frymën e individualizmit të tipit egocentrik,
duke vënë interesat vetjake mbi ato shoqërore. Kështu nuk mund të krijohen
bazat e një shteti të mirëfilltë – ku
lidershipi bie ndesh me ligjin, luftën për liri dhe paqen. Kjo qasje e një
logjike individësh të caktuar, me konstrukt të një skeme të thjeshtë mendore
është e pakuptim dhe jashtë mendjes së njeriut të shëndoshë; si një ide
abstrakte e mbështjellë me marrëzi e mëkate…Këto situata të krijuara nga disa
individ të papërgjegjshëm së bashku me një pjesë të lidershipit zyrtar të cilët
flasin në emër të popullit - pa pardon i fikin të gjitha dritat duke e futur
një shoqëri të tërë në terrinën e plotë, drejt baltës së gjallë nga e cila
populli vështirë do t’ia dal të shpëtojnë nga rreziku i mugëtirës së krijuar
nga politikat e dizajnuara nga individët mediokër, të cilëve kombëtarja ju
shërben si maskë për t’i realizuar interesat e tyre personale, për të krijuar
pasuri me shifra marramendëse, që e tejkalojnë imagjinatën e njeriut. Kështu dhe
në këtë mënyrë vie deri të shkatërrimi i shoqërisë civile dhe larg realitetit
të mëvetësisë dhe krijimit të një baze të shëndoshë kapitali me një platformë
të sigurt, mbi të cilën qëndrojnë shtetet e zhvilluara me një ekonomi të
qëndrueshme dhe konkurrente në rajon e më gjërë. Andaj, tipi i disa njerëzve të
pa kriter, pa vështirësi marrin poste të larta në hierarkinë e sistemit
shoqëror, të cilëve u mungon baza themelore, përvoja dhe kualifikimet e duhura
për një qasje serioze në punët profesionale, e mbi të gjitha; atyre u mungon
kultura elementare me të cilën identifikohet njeriu i kohës dhe hapësirës
moderne. Atëherë, kur kemi të bëjmë me një shoqëri me lidership abortar,
patjetër se pësojmë ndërprerjen e zhvillimit të fetusit të një lindje të re, e
cila është me interes të vaçantë për një shoqëri në tranzicion dhe interesave
vitale me karakter kombëtar. Këto dukuri negative janë “produkte” të shfaqjeve
të zjarrta, të dala nga patetika e paparë paraelektorale, të premtimeve
politike për një të nesërme më të mirë. Kështu, njeriu pa dashje, bie në
grackën e premtimeve farse të cilat pastaj kundërmojnë erë të keqe në tërë
hapësirën e tij. Kjo gjendje, të themi patologjike, e cila shmanget nga ecuria
e duhur e një zhvillimi normal dhe të natyrshëm drejt një shoqërie të re
demokratike, len një boshllëk dhe një hapësirë vakumi - ku fillon të shfaqet
frika e arsyeshme e pasigurisë sociale, asaj fizike dhe frika e të tjerëve për
derdhjen e kapitalit të huaj në investime të ndryshme, të cilat do ta
ringjallnin ekonominë e një shteti. Pra, pasiguria e veshur me petkun e frikës,
prodhon shqetësime të shumta për të ardhmën e njeriut indigjen. Si pasojë e
tërë kësaj, demokratizimi i shoqërisë së re - pason një transgresion që bie në
kundërshtim me normat ligjore dhe kërkesat e elektoratit për një shtet
demokratik. Përmbytja e një sistemi shoqëror - pa infrastrukturë të qartë
legjislativi dhe administratë jofunksionale, vie nga keqmenaxhimi dhe depërtimi
i korrupsionit në strukturat më të larta shoqërore. Në këtë kontekst, tërësia e
çështjeve komplekse, e problemeve dhe ngjarjeve negative në fusha të ndryshme
në jetën shoqërore të kohës dhe hapësirës sonë, janë punë të djallit; kur
politikanët merren me biznese ndër më të ndryshmet, kurse biznesmenët merren me
menaxhimin e politikave. Pra, akëcili njeri i kohës sonë - mbjell të keqen e
cila nuk e jep produktin e duhur, përveçse të hidhures nga e cila mbijnë
telashe të reja… Dhe, mbetja në fron, utopia shpërbëtare e klasës politike që i
shihen gjembat në majë të kokës - vazhdon me dinakëri sofistike të mbetet e
paprekur për të favorizuar individualizmin egocentrik dhe të pa denjë, duke
krijuar difekte të pariparueshme në sistmin shoqëror. Në këto rrethana, liria
absolute për njeriun e etur që të jetë pjesëtar i një shoqërie të lirë
demokratike me një infrastrukturë të një shteti modern, mund të mbetët vetëm
një ëndërr për të cilën duhet kohë dhe mund i madh për të arritur atje ku çelin
lulet e botës së qytetëruar… Andaj, duhet ta kuptojmë: se lavdia e rreme, as
paratë e fitura nga djersët e popullit nuk mund ta zëvendësojnë ndjenjen e kënaqësisë
reale për t`i takuar vetvetës dhe për të qenë të lumtur aq sa jemi të palumtur.
Nuk duhet lejuar që gëzimet e mundshme të na shndërrohet në ofshama trishtimi…
Me këto politika ditore, kur vullneti i popullit e në
veçanti vullneti i individit të suksesshëm dhe intelekti i tij krijues plagoset
thellë në shpirtin e tij, atëherë pason mosinteresimi i njeriut për të ardhmën
e tij dhe të shoqërisë - si pasojë e një depresioni social e kulturor. Pra,
shoqëria, e cila nuk gajloset për çështjen e individit krijues dhe nuk shpreh
asnjë inetresim për të arriturat e tij në shumë fusha shoqërore me interes
kombëtar, atëherë vie deri te “ndërtimi” i një shoqërie me vlera të ulëta, ekonomi
të rrënuar dhe pa ndonjë identifikim kulturor. Këtu, sipas Aristotelit, “Nuk duhet të përqëndrojmë vëmendjen vetëm te kënaqësitë e jetës, port te të këqiat e
panumërta për ta gjetur mënyrën si t`i largohemi atyre,, Të paktën brenda
kufijve të së mundshmës. Nëse kjo nuk do të ishte rruga e vërtetë e lumturisë
dhe sentenca e Volterit “Le bonheur n`est
qu`un revê, et la doulueur est rêelle”
(Lumturia s`është veçse një ëndërr, dhimbja është reale), Në këtë
kontekst, për ta kuptuar se në çfarë shkalle është lumturia e mundshme e
individit krijues, patjetër duhet ta kuptojmë shkallën e mirëqenies së tij në
konceptin e bashkësisë së tij shoqërore.
Prandaj, një shoqëri e ngritur
mbi resurset e mirëfillta të burimeve njerëzore, humanizmit dhe të sukseseve
individuale në kuptimin e shëndoshë të të kuptuarit e kreativitetit individual,
patjetër se do të vishet me vlerat dhe epitetin e një shoqërie bashkëkohore, të
avancuar dhe të pranueshme në skenën e vlerave njerëzore gjithandej botës së
qytetëruar.
Resurset njerëzore të një
shoqërie: dituria, humanizmi, ngritja profesionale dhe qasja njerëzore e shoqërisë
ndaj individit krijues dhe më gjërë, konsiderohet rreth i suksesit të plotë. Secili
prej nesh, duhet të identifikohemi si kreatorë të një shoqërie humane, me tërë potencialin
krijues, të të arriturave tona në rrethin e njohurive nga fushat e caktuara
shoqërore, të cilat hynë në funksion të shoqërisë, individit, kombëtares, artit
dhe të kulturës.
Njohuritë poliedrike të
individit, patjetër se janë thesare vlerash me të cilat vishet një shoqëri e
tërë. Andaj, duhet kuptuar: se individualiteti krijues, është fryma e vërtetë e
një shoqërie e dalë nga të arrituarat individuale, si vlara të pakontestueshme,
mbi të cilat vihen themelet e një shoqërie të qëndrueshme dhe funksionale.Vlerësimi
dhe përkrahja institucionale e personalitetit krijues të individit, është investim
i duhur dhe mëse imediat për të ardhmen e një shoqërie të ndritur, ngase
qytetërimet e njerëzimit fokusohen në sytë e botës.
Së këndejmi, vlerat
individuale, duhet kuptuar si baza themeltare, mbi të cilat ngritet dhe
zhvillohet një shoqëri e tërë, e shndërruar në potencial vlerash të mirëfillta
shoqërore, në bazë të të cilave identifilohen shoqëritë e avancuara. Pra,
përkrahja e individit, si ideator dhe kreator kryesor i një shoqërie, është
kuptimi mbi vlerat dhe idetë e çmuara individuale, në funksion të gjithmbarshëm
shoqëror. Pra, qasja e të kuptuarit drejtë, ndaj individit, arsyeshmërisë dhe
sukseseve të tij, na bëjnë të denjë për rrugëtimet e mëtejme drejt horizonteve
të reja në të gjitha fushat e zhvillimore.
Në kuadër të të kuptuarit të
ndërsjellë, individi, asnjëherë nuk guxon të bindet se i di të gjitha dhe se
është i pazëvendësueshëm. Njeriu duhet të vazhdoj frymëmarrjen e tij kreative,
për të arritur deri tek e nesërmja e avancuar. Të hapëron drejt njohurive të
reja në shërbim të shoqërisë dhe të kombit. Andaj, kjo është edhe një arsye pse
Sokrati i lashtësisë përseriste me modesti “Unë
këtë di që s`di asgjë”. Në këtë kuptim, individi duhet të vazhdoj për ta
kuptuar rrjedhen e lumit… Individi duhet të jetë përfaqësues i një shoqërie të
denjë. Po ashtu, edhe shoqëria duhet të bazohet në rrjedhat e mirëfillta kreative,
mbi të cilat formatizohen vlerat e
dëshmuara individuale, nga të cilat ngriten shoqëritë e avancuara demokratike,
të përshtatshme dhe të gatshme për zhvillimet e mëtejme në të gjitha fushat e
jetës.
Në këtë kontekst, shteti duhet të ketë respekt dhe qasje
të veçantë ndaj individualitetit krijuers, duke e vlerësuar personalitetin
individual dhe vlerat e tij krijuese, të cilat rezultojnë suksese të plota në rritjen
e produktivitetit shoqërorë, si rrjedhojë i një mendjefemër, e njeriut të
ndritur dhe të suksesshëm në fushat e caktuara, mbi bazat e të cilave del në
pah shoqëria prej nga vjen individi. Pra, në saje të sukseseve individuale, edhe bota rreth nesh, fillon të mendoj në
bazë të të arriturave tona, ku roli kreativ i njeriut hetohet nga shoqëria, kuptohet
dhe vlerësohet nga institucionet relevante duke i përkrahur idetë progresive,
që në fakt, idetë individuale marrin formën e të ariturave shoqërore, që flasin
me gjuhën e krijimtarisë dhe të të arriturave universale, të cilat vënë në pah
kultrurën dhe vulën e një kombi në skenën ndërkombëtare në shumë fusha të
artit, të kulturës dhe të shkencës. Së këndejmi, populli i cili ia ka dalë ti
vë në skenë figurat e veta dhe vlerat e tyre respektive nga individualiteti i
tyre krijues e shkencor, atëherë, pa dyshim, shoqëria ia ka dalë të flas me
gjuhën kreative universale, të cilën do ta kuptojnë të gjithë, ngase, të gjithë
do ta hulumtojnë prejardhjen e vlerave universale, të cilat pranohen si të
arritura në funksion të mbarë njerëzimit të botës së qytetëruar.
Pra, individualiteti krijues është identiteti i një
shoqërie të qytetëruar dhe letërnjoftim i individit dhe i shoqërisë, për çka na
dëshmojnë gjurmët nga e shkuara në të ardhmën, si forma objektive dhe kusht
themelor i lëvizjes së dukurive, ngjarjeve dhe proceseve të evoluimit të
shoqërisë, me të cilat vishet e sotmja me të djeshmën e njerëzimit nëpër kohë
dhe hapësira të ndryshme, ku individi dhe mendësia e tij krijuese na bën të na
njohin të tjerët si një etnos me një lashtësi identiteti kulturor.
Veprimtaria
politike e një shoqërie në tranzicion, natyrshëm duhet të lidhet me interesat
dhe kërkesat legjitime të elektoratit. Bërja e politikave kombëtare duhet të
funksionojë në interes të të gjithëve, e përshtatshme dhe konkrete në të gjitha
fushat e jetës shoqërore, në përputhje me politikat e qëndrueshme dhe
transparente dhe sa më afër dritës së skenës për t’u parë qartazi edhe nga të
tjerërt. Çasja e politikës së drejtë, e cila e trajton thelbin e momentit
politik në favor të shoqërisë, është vet kërkesa e popullit meritor dhe të
denjë për t`u nderuar dhe për t`u shpërblyer për sakrificat e shumta në luftën
kundër të keqes… Andaj, çdo situatë akute kërkon zgjidhje imediate, duke i
futur në funksion të gjithë ingranazhet për të përçuar lëvizjen e mekanizmave,
për t’i vënë në sistem të gjitha mjetet e mundshme që mbërthehen në një bosht
për ta futur në lëvizje ritmikën harmonike e të rregullt drejt zhvillimit
ekonomik e kulturor – si garancë për një mëvetësi të një shteti të qëndrueshëm
i cili do të ketë abdomen të shëndoshë…Në këtë kontekst, duhet gjetur rrugën
drejt portës së hapur, e cila na shpie drejt një shoqërie të re demokratike, e
cila, me produktin e mendjes kreative do t`i bëj kthesat e duhura drejt një
sistemi të pranueshëm shoqëror.
Atëherë, për ta kuptuar peshën e vlerave individuale,
përgjegjësinë dhe rëndësinë e peshës shoqërore, e cila me vete ngërthen të
ardhmën e gjithë njerëzimit, patjetër, rreth nesh, duhet t`i peshojmë gjërat ashtu
siç duhet, që gjatë rrugëtimit tonë, nëpër kohë dhe hapësirë, të mos ngarkohemi
me peshën e barrës së individit jokreativ, i cili, pa të drejtë merr rolin e
lidershipit, që në fakt, jokreativiteti dhe papërgjegjësia e tij bëhen shkaktarë
kryesorë për barrën e një jete të rendë me një të ardhme latente dhe plot
mugëtirë në horizont.
Individualiteti krijues si model i një shoqërie të
emancipuar, patjetër duhet të jetë masë përcaktuese për ta kuptuar shoqërinë
prej nga vjen individi dhe roli i tij në zhvillimin e një shoqërie
bashkëkohore. Në këtë kontekst, suksesi i individit, në konceptin e bashkësisë
shoqërore dhe më gjërë. duhet të matet me produktet e mendjes së subjektit, si
vlera të pakontestueshme intelektuale dhe procese zhvillimore drejt avancimit
të krijimtarisë njerëzore, për identifikimin e individit dhe shoqërisë drejt
ndërtimt të një shoqërie të qëndrueshme dhe konkurrente në tregun e vlerave dhe
të të arriturave njerëzore në të gjitha fushat e jetës…
Në shoqëritë e avancuara, gjërat e imëta peshojnë më së
shumti, duke patur kujdes që në fillim: se njeriu mund të fillojë me interesat
e tija të imëta, të vjela nga shoqëria, e që në fakt, ato mund të jenë fatale
për individin dhe për shoqërinë, sepse, interesat personale, sado të imëta,
nëse nuk evitohen me kohë dhe nuk sanksionohen nga shoqëria, ato sa vijnë e
shtohen në lakmi të pangopshme deri në përmasat e paimagjinueshme siç është
edhe opinioni i Gëtes. Ai gjithmonë i shqetësuar për lumturinë e të tjerëve,
thotë me gojën e një personazhi në vepren e vet: “Kush dëshiron dhe ruhet nga një e keqe, e di mirë se çfarë kërkon;
kush lakmon diçka më shumë se ajo çka zotëron, i janë errur sytë”. Një frazë e tillë na kujton një shprehje të
bukur franceze: “Le mieux est l`ennemi du
bien” ( më e mira është armike e së mirës). Pra, sistemi shtetëror dhe
ekzekutivi duhet të jetë funksional dhe kujdestar permanent në proseset e
zhvillimit të individit, i cili, në mungesë të kontrollit shoqëror, mund të
devijojë dhe të shndërrohet në rrënues të rendit dhe të sistemit shoqëror, si
pasojë e mosfunksionimit të aparatit shtetëror. Në këtë kuptim, evoluimi i
individit nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme, duhet të zhvillohet si proces i
natyrshëm brenda sistemit të vlerave njerëzore, deri në mëkëmbjen e tij prej
një profesionisti të sistemuar në rrjedhat e duhura shoqërore. Në këtë mënyrë,
zhvillimi i mirëfilltë dhe edukativ i individit, patjetër realizohet dhe
rezulton pozitivisht në kuptimin e gjithmbarshëm shoqëror, duke e veshur petkun
e individit të suksesshëm, ai do të bëhej sinonim i një modeli të mirë dhe
promotor i zhvillimeve progresive drejt një shoqërie të shëndoshë, si produkt i
ndivididit të shndërruar në emër kuptimi, personalitet të çmuar dhe të dashur
për rrethin e tij.
Andaj, duhet kuptuar se personalitetin individual dhe respektin shoqërorë, nuk mund ta fitojmë me pasuritë e pajustifikuara, me kështjellat e ngrehurinat e tjera të ngritura brenda natës. Kjo qasje e gabuar e të kuptuarit individual, njëkohësisht është edhe pasqyrim i një shoqërie, e cila, duarkryq rri e mbështetur mbi kraharorin e individëve të vetadhuruar, të cilët, pa dyshim, janë barra dhe pesha shtypëse për të ardhmen e vetë shoqërisë, e cila, symbyllurazi ecën nëpër buzët e greminës. Pra, ndenja e superioritetit të rremë, na bën të verbër para fakteve dhe të vërtetës, ngase, nga verbëria e lakmisë nuk shohim asgjë para nesh. Në këtë pikëpamje, shoqëria duhet të funksionoj sikur Filarmonia e qytetit, ku çdo muziktarë mban përgjegjësinë për ekzekutimin e pjesës së vet sipas asaj që është e shënuar në partiturën e vendosur para tij.
Shoqëritë e pa profilizuara, të cilat, vazhdojnë rrugëtimin e tyre nëpër rrugët njëkahore, do ta kenë shumë vështirë të rikthehen në pozicionet e shoqërive demokratike, për të marrë drejtimin e duhur drejt avancimeve zhvillimore. Nëse mendojmë, se jemi të denjë, të bëhemi përfaqësues të një shoqërie, si individë dhe ekip i suksesshëm, atëherë, këto role duhet t`i kuptojmë si përgjegjësi të mëdha, morale, materiale dhe intelektuale. Interpretimet i roleve tona individuale, duhet të shkëlqejnë nëpër kohë dhe hapësirë, me qasje adekuate karshi problemeve dhe kërkesave të qytetarëve. Nuk duhet nëpërkëmbur peshën e fjalës dhe premtimeve të dhëna para elektoratit dhe të biem në kundërshtim me vullnetin e popullit dhe rregullat e lojës. Nuk guxojmë të shndërrohemi në farën e zezë, nga e cila mbin vetëm e keqja, ku zë fill skamja dhe urrejtja ndërnjerëzore… Në këtë kuptim, kur fati i një populli përcaktohet nga qasja e gabuar e të kuptuarit dhe e papërgjegjësive individuale, atëherë vërtet kemi hyrë në hapësirën e pa ajër, nga e cila, rendom futen të pa fajshmit, si pasojë e shoqërive të pa organizuara dhe të individidëve me ndjenja superioriteti dhe të papërgjegjshëm… Për këtë, gjithnjë duhet të jemi të vetëdijshëm për peshën e fjalës tonë dhe premtimeve të dhëna para popullit, ngase, ne frymojmë në emër të popullit. Të dalësh para Popullit, do të thotë të dalësh para Zotit. Kur të do Populli, të do edhe Zoti! Andaj, përcaktimet ideologjike të individit, asnjëherë nuk duhet të bëhen shkas për rekapitulime partiake, të cilat, dalin nga retorika e pasqyrave rremashe…Pra, duke u nisur nga e përgjithshmja deri tek e veçanta të të mirave dhe vlerave njerëzore, evoluimit shoqëror në shumë fusha e në veçanti në fushën e kulturës dhe artit, prezantimin dhe materializimin objektiv të të arriturave tona në kuptimin vlerësues si dëshmi të pamohueshme të vjela nëpër gjurmë lashtësie të identitetit tonë nga shumë fusha të artit dhe të kulturës, padyshim na japin kuptimin lucid të së vërtetës, simbolikës, frymës dhe traditës kulturore si rrjedhshmëri e historisë dhe kulturës sonë nëpër kohë dhe hapësira të ndryshme.
Së këndejmi, duhet të kuptojmë: se arti dhe kultura janë
pasqyrime konkrete të cilat na japin imazhin e një mozaiku të plotë dhe pjesën
më thelbësore të një shoqërie
polivalente, të ngjizur dhe të dalë nga trungu i vet. Kjo aksiomë në vetvete
ngërthen të bukurën si element lidhshmërie të pjesës përbërëse e një kulture
dhe qytetërimi i cili hapë rrugë të reja drejt komunikimit ndërnjerëzor
gjithandej botës së qytetëruar. Dhe, nëse e kuptojmë kështu dhe e ndjejmë
peshën dhe rëndësinë e individit kreator, artit dhe të kulturës, atëherë,
individin dhe mendësinë e tij krijuese në funksion të shprehjes kreative dhe
intelektuale, atëherë duhet ta kuptojmë edhe rolin e tij si pjesëtar i
zhvillimeve shoqërore, duke i përceptuar dhe regjistruar rrjedhat e kohës dhe
të shoqërisë nëpër kohë, si vlera identiteti të konceptuara me karakteristika të frymës dalluese, si pasuri
të veçanta të veshura me vlerat e duhura kulturore, të cilat dëshmojnë të
vërtetën si produkt i një mendësie kreativiteti dhe gjuhe jo konvencionale, me
vlera të mirëfillta mbi të cilat ngriten bazat themeltare të civilizimit
njerëzor.
Shpeshherë të arriturat e një njeriu e ndritin një botë të tërë. Dhe, për mrekullitë e shumta të cilat dalin nga mendja e krijuesit, shoqëria e kësaj bote, të cilës i takojmë edhe ne, ka menduar se krijuesitë janë njerëz të veçantë dhe për këtë ata duhet të vishen me petkun e të merituarëve. Së këndejmi, në këtë kuptim, na habit fakti se çka po ngjet me çmimin Nobel dhe me shkrimtarin e letrave shqipe, Ismail Kadare. Ky njeri, tashmë me një reputacion ndërkombëtar në fushën e letërsisë, i përkthyer në mbi dyzet gjuhë të botës, veçmas në gjuhët kryesore që i flet bota e qytetëruar, sikur mbeti peng i politikës së një kohe të mbrapsht… Merreni me mend – tash e dy decenie, ky njeri i cili arriti në panteonin e letërsisë botërore, radhazi propozohet për çmimin Nobel dhe asnjëherë deri më tash, nuk arriti të vishej me petkun e nobelistit. Madje - madje, siç dihet, u propozua edhe nga vetë shteti i Francës, por sipas rregullave të mbrapshta dhe për mua tepër ironike, ai u refuzua me një arsyetim banal, sepse ai po shkruaka shqip dhe se shteti i Francës nuk mund ta nominoj një shkrimtar i cili nuk shkruan në gjuhën e atij shteti nga i cili propozohet. Nuk dua të merrem me spekulime, përderisa nuk më bind fakti dhe e vërteta për një gjë..., mirëpo, është përfolur shumë se vetë shoqëria e individit në fjalë krijoi barrikada të shumta në dëm të tij, përkatësisht në dëm të vetvetes, në dëm të kulturës, të idividualitetit krijues dhe tërë kombit shqiptar. Në adresë të komitetit për ndarjen e çmimit Nobel, u dërguan shumë letra nga individë dhe nga asociacione kulturore shqiptare, duke u munduan që sa më shumë ta minimizojnë personalitetin krijues të Kadaresë, duke e veshur me epitete negative, prej një disidenti politik e deri tek ajo se gjoja na paska qenë edhe oborrtar i një presidenti diktator e pale sa akuza të tjera që mund ta rëndonin emrin e tij. Prandaj, për të gjitha këto që flitet, do t`isha shumë i lumtur sikur këto marrëzira të jenë vetëm thashetheme të shkëputura nga trungu i interesave të qarqeve të caktuara, sepse sulmi ndaj Kadaresë është sulm ndaj botës gjithëshqiptare. Me veprime të tilla e të ngjashme, sikur shoqëria prej nga vjen individi nuk është e vetëdijshme për peshën këtij çmimi të madh që i nevojitet një kombi të vogël, sidomos kur kihet parasysh se ndarja e Nobelit për letërsi, është një çmim tepër i rëndësishëm dhe me peshë të veçantë, jo vetëm për individin, por edhe për vetë kombin të cilit i takon krijuesi. Përmes këtij çmimi, përpos që peshohet kultura dhe letërsia, aty identifikohet edhe një popull i tërë, sepse me rastin eventual të ndarjes së këtij çmimi, do të futeshin në lëvizje të gjitha shtëpitë botuese më prestigjioze botërore në kërkim të letrave shqipe dhe të identitetit kombëtar, për të mësuar edhe më shumë për kombin dhe kulturën prej nga vjen individi. Në saje të kësaj, mu kujtua rrëfimi i artistit, Amfion Redoni dhe nata e humbur në të... Ashtu, i humbur në mbretërinë e qytetit të dritave dhe të pafund, ishte drejtuar kah parkingu i taksive, në mënyrë që ta shpiente ndonjë prej taksistëve në adresën e caktuar të cilën e mbante në grusht të mbyllyr. Atëbotë, pasi iu afrua parkingut të taksive, në brendinë e ndriçuar të një taksie, nga jashtë, nën dritën e retrovizorit, e vërejti shoferin duke lexuar një libër. Pasi u lëshua në sediljen afër shoferit, ai hapi grushtin dhe ia trgoi pusullën ku ishte e shënuar adresa e një drite që ende e ndezur e priste diku matanë lumit Sena. Taksisti e theu cepin e një faqeje të librit, aty ku ishte duke lexuar, e mbylli librin dhe e futi në kasetën e hapur të automobilit. Meqë kaseta ishte e tipit të hapur, kopertina e librit dukej sheshazi dhe, merreni me mend, në epiqendrën e kulturës botërore, asnjëherë të fjetur, emri i autorit të librit që rastësisht e zuri artisti me sy, ishte Ismail Kadare dhe romani i tij – “Prilli i thyer”. Taksisti i këtij qyteti francez, qytetit të parfumeve, me shumë artistë, me shumë aktorë, me shumë teatro e kabare, me shumë galeri dhe me mrekulli të tjera arkitektonike - ani pse nuk e dinte asnjë fjalë të vetme të gjuhës shqipe, në kohën e pauzës, kur nuk qarkullonte me taksinë e tij, ai e lexonte librin e Kadaresë. Prandaj, jo rastësisht, tendenca e poligonit qitës, i cili në vazhdimësi rrjedh nga ujërat e zeza që burojnë nga tokat dhe agjenturat e ndryshme sekrete, të orkestruara nën psikozën e shkencës së urrejtjes, mundohen me mish e me shpirt për t`i zhvlerësuar dhe çmitizuar figurat më eminente të individualitetit krijues dhe kombëtar, të cilët falë gjenialitetit krijues, tashmë së bashku me identitetin e tyre kombëtar, dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në mozaikun kulturor kombëtar dhe ndërkombëtar, për të arritur deri tek e kuptimta dhe për të qenë vetvetja.