E shtune, 05.10.2024, 12:35 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Xhaxhai i Aleks Nikës, letër të hapur Prokurores së Përgjithshme

E marte, 28.06.2011, 07:03 PM


Nga Av. Mark Nika

Xhaxhai i Aleks Nikës, një nga 4 viktimat e 21 janarit

 

E nderuar zonja Prokurore e Përgjithshme e Republikës,

 

Pesë muaj kaluan nga dita kur në bulevardin “Dëshmorët e kombit”, para ndërtesës së kryeministrisë, u vranë me armë zjarri katër qytetarë shqiptarë, ndër ta edhe nipi im Aleks Nika. Dhjetëra të tjerë u plagosen.

 

Pesë muaj pa përgjigje nga ana e Prokurorisë dhe Drejtësisë për ekzekutimin barbar, pa paralajmërim dhe pa “gjyq”, të Aleksit dhe shokëve të tij të vdekjes në demonstratën e 21 janarit.

 

Dëshpërimi ynë për humbjen e pakthyeshme të Aleksit dhe për vrasjen e tij pa asnjë faj, rriten përditë nga vonimi i drejtësisë, nga stopimin dhe devijimi i hetimeve, nga përpjekjet kriminale për të fshehur krimin.

 

Tani, çdo ditë që shkon duke sjellë terr në vend të drejtësisë për të vrarët e 21 janarit, është një rivrasje për ta, për të afërmit dhe për gjithë shoqërinë shqiptare.

 

Ne familjarët e Aleksit, sikurse familjarët e të vrarëve të tjerë në atë masakër, kemi pritur nga organi i Prokurorisë zbardhjen e shpejtë të këtij krimi makabër dhe vënien e autorëve në bankën e akuzës, duke filluar me ata që dhanë urdhër për të qëlluar me armë zjarri mbi popullin e duke vazhduar me ata që i ekzekutuan ato urdhra.

 

Ky nuk është një borxh që ju si organ i akuzës ua keni vetën viktimave, familjarëve të tyre, të dashurve të tyre që shteti u veshi rrobën e përhershme të zizë. Ky nuk është një borxh që jua ia keni vetëm bashkëshortes së Aleksit dhe dy vajzave të saj jetime. Megjithëse borxhi ndaj jetimëve, vejushave, vuajtjeve dhe plagëve të jashtëzakonshme që lanë pas vrasjet e 21 janarit del e tepron për të motivuar një hetim të drejtë, të guximshëm, pa asnjë lloj kompromisi.

 

Zbardhja e vrasjeve dhe çuarja e vrasësve para drejtësisë është detyra juaj dhe e institucionit që Ju drejtoni. Është një borxh që ju ia keni Ligjit dhe shoqërisë shqiptare, paqes dhe sigurisë në Shqipëri. Por është një borxh që ju ua keni edhe partnerëve ndërkombëtarë, që ju kanë mbështetur e inkurajuar në përballjen tuaj me ekzekutimet politike të katër demonstruesve paqësore të opozitës.

 

E nderuar zonjë,

 

Unë nuk mund ta di çfarë mendojnë sot këta ndërkombëtarë për fatin e hetimeve për 21 janarin. Unë, xhaxhai i Aleks Nikës, jurist dhe avokat në profesion, në emrin tim dhe gjithë pjesëtarëve të familjes së Aleksit dua t’ju shpreh e t’ju përcjell publikisht zhgënjimin dhe shqetësimin tonë të thellë për zvarritjen dhe xhirimin në vend të këtyre hetimeve. Nëna e Aleksit qan çdo ditë, së bashku me gruan e tij dhe me vajzën e madhe Anjelën. Ato presin me padurim të mësojnë nga drejtësia se kush e vrau djalin, bashkëshortin dhe babanë, pa i pasur kujt borxh, vetëm se ishte në protestë në bulevard. Në të gjithë presim me padurim përgjigje nga drejtësia se kush e organizoi këtë hata dhe ketë gjëmë për familjen tonë.

 

Si jurist dhe si qytetar unë e di se pritja të dëmtuarve dhe hetimet e prokurorisë nuk shkojnë gjithnjë në një hap. Por periudha pesëmujore që nga dita e vrasjes së Aleksit dhe e demonstruesve të tjerë të opozitës ka qenë një kohë më se e mjaftueshme për të zbardhur masakrën, që u filmua nga dhjetëra kamera dhe u pa me sy nga mijëra e mijëra pjesëmarrës në demonstratën e 21 janarit.

 

Për faktin se u krye para kamerave dhe para syve të gjithë shqiptarëve, krimi i 21 janarit lindi i zbardhur. Hetimet, në vend që të afirmonin me shpejtësi veprimin e dorës së ligjit, i kanë dhënë kohë krimit të fshihet, u kanë dhënë kohë kriminelëve të mjegullojnë të vërtetën. Është shumë e rëndë të konstatosh se sot ka me shumë mjegull se transparencë për masakrën.

 

E di gjithë Shqipëria se kryeministri Sali Berisha ka bërë gjithçka për të penguar, devijuar, dështuar e arkivuar zbardhjen e 21 janarit nga ana e Prokurorisë së shtetit. Sali Berisha ka shkelur ligjin dhe çdo normë të etikës njerëzore në sulmet personale që ka adresuar ndaj jush, pa u tharë gjaku i të vrarëve dhe të plagosurve përballë dritares së zyrës së tij.

 

Me këtë qëndrim të pashembullt, kryeministri i Shqipërisë ka treguar qartë se qëndron prapa vrasjeve dhe në anën atyre që derdhën gjakun e njerëzve të pafajshëm atë ditë të kobshme për familjen tonë. Ai ishte dhe mbetet kundërshtari numër një i zbardhjes së masakrës. Sepse është i akuzuari numër një nga mbarë një popull që e ka parë të spërdridhet dhe të sodisë nga xhamat e blinduar të dritares së zyrës së tij vrasjen e qytetarëve nga forcat e komanduara prej tij.

 

Ju si titullare e institucionit të akuzës nuk besoj se jeni befasuar nga sulmet e egra e të paprincipta të këtij kryeministri. Ne, familjarët e Aleksit, ju kemi shprehur solidaritetin tonë të plotë, duke besuar se Ju dhe prokurorët e çështjes jo vetëm nuk do të kompleksoheni e trembeni nga sulmet dhe marifetet e tjera të palës që ka urdhëruar e realizuar vrasjet, por do të ishit më të vendosur edhe për këtë shkak, pra edhe për dorezën që shefat e vrasësve të 21 janarit dhe vetë vrasësit kanë guxuar t’ua hedhin me arrogancë Juve personalisht, institucionit që Ju drejtoni, Ligjit dhe rendit demokratik.

 

Për publikun shqiptar, nuk është e re, zonjë, që kryeministri Sali Berisha nuk e njeh ligjin, nuk e njeh dhe nuk e respekton parimin e shenjtë të barazisë së shtetasve para ligjit, kur kjo nuk i leverdis atij personalisht. U bënë vite që Sali Berisha i bën karshillëk ligjit, qëndron mbi ligjin. Por detyra juaj dhe institucionit tuaj është ta vendosni në pozitat e barazisë para ligjit edhe ketë shtetas, që aktualisht drejton qeverinë e vendit. Ky është shteti i së drejtës.

 

Për fat të keq, zvarritja e hetimeve për 21 janarin na ka krijuar të gjithëve përshtypjen, për të mos thënë më shumë, se hetimet nuk i drejton prokuroria, por pala e akuzuar.

 

Ju dhe bashkëpunëtorët tuaj e keni në dorë të na e hiqni këtë përshtypje me produktin e një hetimi të plotë e të drejtë, që nuk duhet të vonojë më asnjë ditë.

 

Ne sërish po presim drejtësinë, por nuk jemi pasivë në këtë pritje.

 

Tërësia e rrethanave të vrasjes së Aleksit mbështet hipotezën se ai është vrarë me selektim (ishte në mes të grupit) me armë preçizioni. Kjo vrasje sikurse vrasjet dhe plagosjet e tjera, mund të zbulohen, shpjegohen e çmohen drejt vetëm të lidhura me njëra-tjetrën dhe duke hetuar planin operativ të Gardës së Republikës. Në këtë plan duhet të jetë parashikuar patjetër si do të vepronin gardistët në rast se sulmohej kryeministria, kur do të përdorej forca, çfarë rezistencë do të tregohej, me çfarë mjeti do të kryhej. Ligji e ndalon përdorimin e armëve në publik. Nga këto materiale shkresore, do të dalë edhe urdhëruesi i vrasjeve.

 

Ky krim nuk ka karakterin e një krimi ordiner, por është një krim i veshur me disa karakteristika të veçanta, që hetimi duhet t’i evidentojë. Në këtë pikë duhet të sqarohet përfshirja dhe “shkrirja” më forcat e Gardës së Republikës e subjekteve dhe individëve militantë, që nuk njohin norma morale dhe ligjore.

 

Duke mos u treguar e vendosur në hetimin e këtyre çështjeve, prokuroria i ka lëshuar terren qeverisë që nëpërmjet veglave të saj të tentojë mbulimin e krimit duke e paraqitur si “çështje ordinere”, “vrasje të kryer me rikoshet”, pra nga pakujdesia!!

 

Kur qëllohet me armë zjarri në drejtim të turmës, siç është qëlluar nga oborri i kryeministrisë me 21 janar, nuk ka kuptim të flasësh për vrasje me rikoshet, nga pakujdesia apo fati i keq. Fati ka ndihmuar ata që shpëtuan. Ata që u vranë nuk i ka ndëshkuar fati, por urdhrat për të hapur zjarr në lartësinë e njeriut dhe për të vrarë me selektim, duke marrë në shenjë persona të futur në rreth më parë.

 

Përdorimi i armëve të zjarrit kundër popullit është një akt barbar dhe fashistoid që nuk njihet në vendet demokratike. Pas 21 janarit ka vetën një mundësi që Shqipëria të konsiderohet demokraci: të dënojë me rreptësinë e ligjit urdhëruesit dhe ekzekutuesit e vrasjes së katër qytetarëve të pafajshëm.

 

Me zemër të plasur, jemi të detyruar të dëgjojmë e të lexojmë në media lloj-lloj raportesh e legjendash për plumbin që i mori jetën Aleksit! Urojmë të mos jetë legjendë lajmi se përkundrejt “ekspertizave” që kanë bërë “institutet shkencore” në vartësi të Sali Berishës, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar ekspertizë ndërkombëtare për plumbat që u morën jetën Aleksit dhe të tjerëve.

 

Le të ndjekë ekspertiza rrugën e saj, po si është e mundur zonja kryeprokurore që kryeministri Sali Berisha, ministri i Brendshëm, Lulëzim Basha, dhe komandanti i Gardës, Andrea Prendi, nuk janë thirrur të paktën si dëshmitar nga organi i akuzës për t’u pyetur në lidhje me shpjegimet kontradiktore që kanë dhënë në media për ngjarjet e 21 janarit? Berisha dhe Basha shkojnë serbes në të ashtuquajturin komision hetimor parlamentar “Halimi”. Pse nuk thirren nga Prokuroria? Kushtetuta e lejon dhe detyron thirrjen e tyre dëshmitarë.

 

Zhvillimi i hetimeve në kushtet e cenimit të parimit të barazisë së shtetasve para ligjit e ka vënë ulur autoritetin e organit të akuzës dhe ka bërë të mundur që Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm të gëzojnë de fakto statusin e zyrtarëve të prekshëm nga ligji.

 

Zonja Prokurore e Përgjithshme,

 

Më datën 21 janar Aleks Nika iu përgjigj thirrjes së Partisë Socialiste dhe Opozitës së Bashkuar për të protestuar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” së bashku me mijëra shtetas të tjerë, kundër korrupsionit, padrejtësisë, papunësisë dhe varfërisë. Aleksin e çuan në atë demonstratë bindjet e tij të shpallura politike, e drejta kushtetuese e mbledhjes, grumbullimit dhe protestës, si një e drejtë themelore e individit në shoqërinë demokratike. Ai nuk bëri asgjë të paligjshme e të pamoralshme, qëndroi në bulevard paqësisht me shokët e tij dhe aty e gjeti plumbi vdekjeprurës që u nis nga ndërtesa e Kryeministrisë. Tani marrim vesh se kur mbërriti në “Spitalin Ushtarak”, e hodhën në korridor si një “i vdekur kriminel” dhe vetën ndërhyrja e një miku të familjes sonë bëri të mundur që të trajtohej si njeri dhe të rikthehej provizorisht në jetë.

 

Atë natë të kobshme, falë gatishmërisë së disa mjekëve humanë, ne patën mundësi të merrnin shumë të dhëna nga skaneri për vrasjen e tij. Ne i kemi këto të dhëna të patjetërsueshme. Edhe Prokuroria i ka, por po të ketë nevojë, ne jemi të gatshëm t’ia vënë sërish ne dispozicion.

 

Kush dha urdhër për vrasjen e tij?

 

Kush qëlloi mbi të?

 

Provat për të shkuar drejt zbardhjes së kësaj vrasjeje janë të shumta. Rrallë ndodh që vrasjet kriminale të shtetasve të jenë kryer me kaq transparencë nga ana e forcave të armatosura brenda gardhit të kryeministrisë se sa vrasjet e 21 janarit. Dhe po kaq rrallë ka ndodhur që krimi i kryer në dritë të diellit të vijë duke u errësuar gjatë hetimit. Teorikisht dhe praktikisht, kjo ndodh vetëm kur hetimi vihet plotësisht nën thundrën e krimit.

 

Nuk duam të besojmë se gjerat kanë shkuar në ketë pikë në lidhje me vrasjet e 21 janarit. Sado që një mori faktesh dëshmojnë revanshin e krimit ndaj hetimit. Ne, si familje, jemi duke ndjekur më vëmendje gjithçka që po ndodh, po thuhet e po shkruhet për “plumbat e prishur”, për armët që nuk po gjenden, për alibitë e “vrasjeve me rikoshet” e plot marifete e dridhërima të tjera për t’i lenë vrasjet pa autor!!!

 

Ne kërkojnë sërish nga ju zbardhjen e plotë, pa asnjë kompromis, të vrasjes së Aleksit.

 

Ne kërkojmë marrjen prej Jush të një asistence të fuqishme ndërkombëtare për çdo element të masakrës ku ju nuk kemi njerëz, mjetet apo forcë për të konkluduar profesionalisht.

 

E kam deklaruar ditën e funeralit të Aleksit dhe po e përsëris: ne jemi një familje me bindje të majta, aktualisht në opozitë. Kemi besuar e besojmë te pluralizmi dhe Kushtetuta. Prandaj e kërkojmë drejtësinë për Aleksin nga Drejtësia. Por në qoftë se Drejtësia, në qoftë se Ju dhe institucioni Juaj na lini pa përgjigje, domethënë na lini vetëm përballë krimit, në kushte vetëgjyqësie, kjo nuk është zgjidhja jonë, edhe nuk do të lejojmë që gjaku i Aleksit të bëhet ujë.

 

Me respekt

Mark Nika

Avokat, Lezhë

 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora