Shtesë » Lajme
Ndërron jetë deputetja Nekibe Kelmendi
E hene, 20.06.2011, 08:03 PM
Nga Bota Sot
Pas një sëmundje të rëndë, në moshën 67-vjeçare ka ndërruar jetë deputetja në Kuvendin e Kosovës, Nekibe Kelmendi.
Ajo ka vdekur të dielën mbrëma, pas orës 21:00. Lajmin e ka konfirmuar sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ismet Beqiri.
Kelmendi ka qenë bashkëthemeluese e LDK-së. Në qeverinë e kaluar të Kosovës, Kelmendi ishte ministre e Drejtësisë, si dhe ka kryer funksione të larta partiake në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).
Nekibe Kelmendi ishte avokatja e parë në historinë e gruas shqiptare në Kosovë.
Në vitin 1999, ditën e parë pas fillimit të bombardimeve, forcat okupuese serbe ia vranë bashkëshortin, avokatin e njohur Bajram Kelmendi dhe dy djemtë e saj, Kushtrim dhe Kastriot Kelmendi.
Ceremonia mortore e varrimit të Nekibe Kelmendit do të zhvillohet sot, në orën 17.00, në varrezat e qytetit të Prishtinës.
__________
Ligjvënësit kujtojnë Nekibe Kelmendin si një politikane me vullnet të hekurt
Me një minutë heshtje ka nisur seanca komemorative për deputeten e ndjerë të Kuvendit të Kosovës, Nekibe Kelmendi, e cila të dielën ka ndërruar jetë në moshën 67 vjeçare pas një sëmundje të gjatë. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në fjalën e tij ka thënë se Nekibe Kelmendi kudo që angazhohej, shquhej për profesionalizëm, qëndrim parimor dhe vullnet të hekurt.
Kreu i legjislativit, Jakup Krasniqi, ka thënë se Kuvendit të Kosovës do t’i mungojë tash e tutje fjala e urtë e deputetes veterane, Nekibe Kelmendi.
Ai tha se deputetja Kelmendi do të kujtohet për kontributin e dhënë në shumë fusha jetosore, si në politikë, drejtësi dhe kontributin e veçantë për të drejtat e njeriut, duke shtuar se përkundër tragjedisë familjare pas luftës ajo vazhdoi kontributin e saj.
“Nekibe Kelmendi jetën e saj e mbylli denjësisht si përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës. Kudo që angazhohej ajo shquhej për profesionalizmin, qëndrimin parimore dhe vullnetin e hekurt. Kuvendi i Kosoëvs i është mirënjohës asaj për gjithë kontributin që i ka lënë trashëgim”, ka thënë Krasniqi.
Kryeparlamentari Krasniqi ka thënë mes tjerash se Nekibe Kelmendi bashkë me bashkëshortin e saj Bajramin, në kohë të vështira për Kosovën, mbrojtën të drejtat individuale dhe kolektive të qytetarëve të Kosovës dhe e bënë të njohur në botë gjendjen e rëndë në vend.
“Paralelisht me punën që bënte për Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, Nekibe Kelmendi nëpërmjet Lidhjes Demokratike të Kosovës si bashkëthemeluese e saj u bë pjesë e lëvizjes paqësore gjithë qytetare kundër pushtimit të Kosovës. Pas çlirimit të Kosovës ajo qysh në administratën e përbashkët me misionin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-un, u vu në shërbim të vendosjes së themeleve të sistemit të drejtësisë sonë moderne dhe të pavarur”, është shprehur Krasniqi.
Ai ka rikujtuar me këtë rast përkushtimin dhe profesionalizmin e Kelmentit si eksperte në Grupin e Unitetit gjatë bisedimeve të Vjenës dhe kontributin si bashkëdrejtuese e Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, Sabri Hamiti në emër të Lidhjes Demokratike të Kosovës ka theksuar se Nekibe Kelmendi, bashkëthemeluese e LDK-së dhe deputete në të gjitha legjislaturat e Kuvendit të Kosovës, i ka përmasat e një personaliteti politik rugovian.
Ai e ka krahasuar Nekibe Kelmendin me ish presidentin Ibrahim Rugova, duke thënë se ajo ishte bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e pandashme e Rugovës.
“Në këtë udhë të vështirë prej dy deceniesh ajo mbeti si bashkëpunëtore dhe bashkudhëtare e palëkundur e Ibrahim Rugovës. Puna për Kosovën, shkuarja e saj dhe mirasi i politikës së saj, e bëjnë kaq të ngjashme me presidentin tonë historik. Nekibe Kelmendi punoi për pajtimet shqiptare si kusht themelor për veprim unik politik. Nekibe Kelmendi, filozofinë e të drejtave të njeriut si filozofi universale punoi për ta bërë vepër në botën shqiptare të Kosovë. Nekibe Kelmendi punoi për të ndërtuar institucione demokratike, si domosdoshmëri e mbrojtjes institucionale të Kosovës dhe barazisë së njerëzve të saj. Ajo u bë avokate mbrojtëse e të drejtave njerëzore, e të drejtave nacionale të shqiptarëve”, ka thënë Hamiti.
Pas seancës komemorative, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, deputetë, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe përfaqësues të tjerë bënë homazhe pranë arkivolit të deputetes së ndjerë Nekibe Kelmendi, i cili ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës dhe u shprehen ngushëllime familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të saj.
Nekibe Kelmendi ishte deputete e Kuvendit në të gjitha legjislaturat, ndërkaq në mandatin e kaluar qeverisës ishte ministre e Drejtësisë. Në vitin 1999, ajo humbi bashkëshortin, avokatin Bajram Kelmendi dhe dy djemtë, Kushtrimin e Kastriotin, të cilët u vranë nga forcat serbe.
__________
Mustafa: Nekibe Kelmendi ishte bashkudhëtare e denjë e LDK-së
Me një mbledhje komemorative në Teatrin Kombëtar në Prishtinë, LDK i ka dhënë lamtumirën e fundit funksionares së saj shumëvjeçare Nekibe Kelmendi, ku ishte e pranishme Predidentja e Republikës Atifete Jahjaga, zv.kryeministri Hajredin Kuçi, zyrtarët më të lartë të LDK-së si dhe shumë aktivistë të saj, diplomatë të huaj, dhe familjarë të familjes Kelmendi. Duke folur në këtë mbledhje përkujtimore, kryetari i LDK-së Isa Mustafa që në fillim tha: "Po ndahemi në këtë jetë nga Nekibe Kelmendi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, veprimtare e devotshme e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ministre dhe avokate, nënë e Kastriotit dhe Kushtrimit, bashkëshorte e Bajram Kelmendit, të cilët, pasi u rrëmbyen në shtëpinë e tyre, u ekzekutuan nga okupatori serb natën në mars të vitit 1999. Ne po e nderojmë sot gruan e fortë të Kosovës, Nekibe Kelmendin, gruan që këtij vendi ia dhuroi fëmijët e dashur të saj, në lulen e rinisë, bashkëshortin e saj, që këtij vendi ia dhuroi dijen dhe përkushtimin e saj, ia fali forcën e saj mbinjerëzore, gruan që tërë jetën u shqua për dinjitet dhe stoicizëm". Mustafa në vijim tha se Lidhja Demokratike e Kosovës humbi njërën prej veprimtareve më të spikatura të saj, e cila punoi me përkushtimin më të madh për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës. Ndërsa theksoi se Kuvendit të Republikës së Kosovës, nga sot do t'i mungojë deputetja Kelmendi, e cila mori përkrahje të madhe me votat e qytetarëve, sepse ata i besuan Nekibes t'ua përfaqësojë interesat e tyre në institucionin më të lartë legjislativ të vendit. Mustafa kujtoi se drejtësia në Kosovë kishte nevojë për Nekibe Kelmendin, ndërsa ajo i qëndroi pranë gjatë tërë jetës. "I qëndroi krah shumë kohë së bashku me bashkëshortin e saj, Bajram Kelmendin; i qëndroi krah edhe kur humbi më të dashurit e saj". Pasi dha një përshkrim të biografisë, Mustafa tha se Nekibe Kelmendi ishte bashkudhëtare e denjë e LDK së, si dhe bashkëthemeluese dhe anëtare e parë e Kryesisë në dhjetor 1989; ishte sekretare e përgjithshme e kësaj partie nga viti 1998 deri më 2003, pastaj edhe nënkryetare e Lidhjes Demokratike të Kosovës deri në zgjedhjet e fundit partiake. "Ecte me kokën lart dhe me dorë të ngritur për fitore. Na përkrahte dhe na kurajonte të gjithë neve të punojmë mirë dhe të fitojmë", kujtoi Mustafa porosinë e saj vitn e kaluar, e cila ndonëse e sëmurë, kishte ofruar përkrahjen e saj profesionale, duke thënë: "Mos më kurseni, jam e gatshme dhe dëshiroj t'ju ndihmoj, dua ta ndihmoj Kryeqytetin tim, Prishtinën". "Ajo na ndihmoi të gjithëve, i ndihmoi Kosovës. Të gjithë ne mburremi me Nekiben", tha kryetari i LDK-së në fund të fjalës së tij. Në këtë mbledhje komemorative me fjalë të zgjedhura ka folur edhe Presidentja Jahjaga, duke thënë se "është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t'u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, Atdheut dhe popullit të saj". Presidentja theksoi se Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike. "Vizioni i saj mbeti Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës". "Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal", tha Presidentja e Republikës, ndërsa kujtoi se Familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së Atdheut. Ajo tha se Kosovës do t'i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t'i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta marrë te zonja Nekibe Kelmendi. Në këtë mbledhje akad. Pajazit Nushi foli për Nekibe Kelmendin si humaniste e madhe dhe luftëtare e të drejtave të njeriut
___________
Jahjaga: Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e vendit
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, deklaroi të hënën në mbledhjen komemorative me rastin e vdekjes së deputetes Nekibe Kelmendi, se kjo e fundit gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut.
”Është moment shumë pikëllues dhe i dhimbshëm mbledhja për t’u përshëndetur për herë të fundit me zonjën Nekibe Kelmendi, e cila i dha aq shumë Kosovës, atdheut dhe popullit të saj. E nderuara zonja Nekibe Kelmendi gjithë jetën e saj u angazhua për të mirën e qytetarëve, për liritë dhe të drejtat e njeriut, për sundim të ligjit, për shtetndërtim dhe për krijim e funksionim të institucioneve demokratike”, tha Jahjaga.
Sipas saj, vizioni i Jahjagës mbeti - Republika e Kosovës shtet demokratik i të gjithë qytetarëve pa dallim, e integruar në strukturat evropiane dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
”Liri, pavarësi, demokraci ishin parimet themelore të zonjës Nekibe Kelmendi dhe të të gjithë lëvizjes gjithëpopullore, për idealet e së cilës zonja Kelmendi u angazhua me gjithë potencialin e saj, duke u shkrirë dalëngadalë për këtë ideal. Puna e zonjës Nekibe Kelmendi zgjoi admirim për përkushtimin e saj, për qasjen tejet profesionale, për qëndrimin dashamirës si dhe për vendosmërinë që të jetë e pakompromis në mbrojtjen e parimeve në të cilat besonte, në barabarësinë e të gjithëve përpara ligjit dhe në përjetësimin e normës së sundimit të ligjit në shoqërinë kosovare. Angazhimi politik ishte përafrues që harmonizonte dallimet por që asnjëherë nuk lëshonte pe në konceptet dhe në parimet që i konsideronte parakusht i ndërtimit të së ardhmes më të mirë për brezat që do të vijnë”, tha ajo.
Jahjaga deklaroi se familja Kelmendi flijoi më të dashurit e saj në altarin e lirisë së atdheut, dhe të gjithë ne mbeteshim të stepur përpara stoicizmit të kësaj nëne, bashkëshorteje dhe motreje, që neve na jepte kurajë t’i kapërcejmë traumat e së kaluarës duke mos pasur fije të urrejtjes në shpirtin e saj të mbushur me plot dashuri dhe humanizëm. ”E ardhmja nuk duhet te jetë peng e së kaluarës dhe e kaluara, sado e rëndë dhe e dhimbshme të jetë, nuk bën të na mbetet pengesë për të ndërtuar shoqërinë e së ardhmes, na thoshte zonja Nekibe kur ne ndonjëherë i shfaqnim dilemat e çastit.
Zonja Nekibe Kelmendi në këtë botë po i lë më të dashurit e saj, familjen, miqtë, shokët, dashamirët, përkrahësit të cilëve ju shërben si shembull i mirë, për të shkuar në botën e amshueshme, për të takuar familjarët më të dashur, për të cilët ndjente mall dhe dhimbje që dinjitetshëm i mbante për vete. Kosovës do t’i mungojë zonja Nekibe Kelmendi dhe plejada e njerëzve që u shkrinë për idealin kombëtar, por Kosovës do t’i jetë udhërrëfyese e përhershme që sa herë të zihet në vështirësi, kurajën dhe besimin ta merr te zonja Nekibe Kelmendi. Zonja Nekibe, ju faleminderit për të gjithë atë që bëtë për ne”, përfundoi fjalimin e saj presidentja Jahjaga.
Ndërkaq telegrame ngushëllimi familjes Kelmendi i kanë shkuar nga të gjitha institucionet e vendit, partitë politike e më gjerë.
__________
Iu dha lamtumira e fundit deputetes Kelmendi
Në varrezat e qytetit të Prishtinës, të hënën pasdite iu dha lamtumira e fundit, veprimtares dhe politikanes Nekibe Kelmendi, me ç’rast u tha se Nekibe Kelmendi ishte një grua e madhe, e cila kontribuoi shumë në shtet formimin e Kosovës.
Me këtë rast, presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se jemi krenarë që patëm në mesin tonë, Nekibe Kelmendin, e cila la një vepër udhërrëfyese për ndërtimin e një shoqërie demokratike, të dinjitetshme dhe prosperuese në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive të njeriut.