Shtesë » Lajme
Telegram ngushëllimi me rastin e vdekjes së Nekibe Kelmendit
E hene, 20.06.2011, 06:58 PM
TELEGRAM NGUSHËLLIMI ME RASTIN E VDEKJES SË NEKIBE KELMENDIT;
FAMILJES KELMENDI,
KUVENDIT TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS,
KRYESISË SË LDK-së
PRISHTINË
E nderuara familje Kelmendi,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Kosovës,
E nderuara kryesi e LDK-së,
Lajmin e hidhur për vdekjen e zonjës Nekibe Kelmendi, deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ne mërgimtarët në Gjermani e morëm me hidhërim dhe pikëllim të madh. Nekibe Kelmendi ishte ndër figurat më të shquara në luftën tonë për liri dhe pavarësi. Ishte një nënë shqiptare e cila me dinjitet dhe stoicizëm të rrallë i përballoi vrasjes së bashkëshortit Bajramit dhe dy djemve të saj Kushtrimit dhe Kastriotit, duke dëshmuar shpirtin shqiptar të pathyer kurrë. Qendresa dhe sakrifica e saj për lirinë e Kosovës do mbetet shembulli më i ndritshëm në historinë tonë kombëtare.
Po ashtu, zonja Nekibe Kelmendi, me punën dhe angazhimin e saj politik si ministre e drejtësisë, si anëtare e kryesisë së LDK-së dhe bashkëpunëtore e ngushtë e presidentit historik të Kosovës, dr. Ibrahim Rugovës, por edhe si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka hyrë në analet e shtetbërjes së Kosovës si njëra ndër figurat më të veçante me urtësinë dhe përkushtimin ndaj institucioneve shtetërore të Kosovës, para dhe pas luftës sonë çlirimtare.
Në këto çaste të dhimbjes dhe pikëllimit për vdekjen e saj, pranoni ngushëllimet tona më të thella.
Lavdi jetës dhe veprës së Nekibe Kelmendit!
Grupi i bashkëatdhetarëve nga Shtutgarti me rrethinë;
Emrush Çekaj, Rexhep Elezaj, Halil Rrustemaj, Bajram Osmani, Mentor Thaçi, Hafiz Gagica, Mustafë Shabani, Nezir Fejza, Emin Demaj, Qazim Azemi, Fatmir Bajraj, Nail Rexhaj.