Shtesë » Lajme
Komunikatë nga Bashkimi Demokratik Shqiptar
E hene, 30.05.2011, 09:21 AM
K O M U N I K A T Ë
Dje në shkollën fillore “Përparimi” në fshatin Reçicë e Madhe, Bashkimi Demokratik Shqiptar mbajti tubim parazgjedhor me banorët e këtij fshati.
Kandidatët e mundshëm për deputet Bardhyl Mahmuti, Myqereme Rusi, Daut Rexhepi , Lirije Xhaferi dhe Memet Zejnullahu shpalosën para të pranishmëve pjesë të platformës për Antidiskriminim.
Këtë tubim parazgjedhor e hapi profesoresha universitare Myqereme Rusi duke rikujtuar rastin e dëshmorit Abdylselam Eminit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, për projektin e vetëm shqiptar i cili u realizua me ndihmën e popullit.
Është paradoks në shekullin e 21 të flitet për diskriminim, e veçmas diskriminim ekonomik i cili është gjenerator i gjithë formave tjera të diskriminimit.
Shqiptarët janë jashtë çdo projekti, ndihme për bujqësi, blegtori dhe në rastet kur u akordohet ndonjë ndihmë ajo është e përmasave tallëse.
Gjatë procesit të denacionalizimit pronarët shqiptarë u diskriminuan skajshmërisht dhe nuk arritën të marrin as 1 % të vlerës së pronave të nacionalizuara.
Këto forma të plaçkitjes përbëjnë një krim ekonomik në kundërshtim me parimet e Kartës së OKB-së dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian. Si të tilla ato janë të dënueshme dhe vepra penale që nuk mund të vjetërsohen.
Kandidatët e mundshëm për deputet Bardhyl Mahmuti, Myqereme Rusi, Daut Rexhepi , Lirije Xhaferi dhe Memet Zejnullahu i siguruan të pranishmit se me marrjen e mandatit më 5 qershor, proceset do të ndryshojnë rrënjësisht.
Bashkimi Demokratik Shqiptar me kandidatët e mundshëm për deputet, njerëz të dëshmuar në rrafshin kombëtar, moral dhe intelektual do të angazhohet maksimalisht që një herë e përgjithmonë ti thuhet stop , papunësisë, varfërisë dhe të gjitha formave të diskriminimit ndaj shqiptarëve.
Tetovë, 27 Maj 2011
Bashkimi Demokratik Shqiptar