Shtesë » Lajme
Bashkimi Demokratik Shqiptar: Mehmet Gegë Tetova
E premte, 27.05.2011, 07:57 PM
“MEHMET GEGË TETOVA”
INICIATIVË PËR RIEMËRTIMIN E GJIMNAZIT TË TETOVËS
Dje në sallën sportive të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë, Bashkimi Demokratik Shqiptar mbajti tubim parazgjedhor me qytetarët e kësaj lagjeje.
Mbajtja e tubimit në këtë ndërtesë edukativo- arsimore në të cilën për 50 vite nuk është bërë asnjë investim, është domethënës për diskriminimin e vazhdueshëm që përjetojnë shqiptarët në të gjitha sferat e jetës politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe arsimore.
Gjimnazi i Tetovës që nxori një plejadë intelektualësh të të gjitha profileve profesionale ka nevojë në të njëjtën masë si dhe të gjitha strukturat edukativo-arsimore në vendbanimet shqiptare që nga Struga e deri në Kumanovë për investime që ti plotësojnë standardet në përputhje me ambiciet e integrimeve euro-atlantike.
Gjimnazi i Tetovës në të cilin 100% të nxënësve janë shqiptar meriton të mbaj emrin e veteranit të arsimit dhe atdhetarit të shquar Mehmet Gegë Tetova .
Kryetari i BDSH Bardhyl Mahmuti u premtoi të pranishmëve se do të ndërmarr të gjitha procedurat legale që gjimnazi i Tetovës të mbaj emrin e këtij heroi të popullit shqiptar. Riemërtimi i këtij institucioni është puna më e vogël që mund të bëhet për të rikujtuar atdhetarin e madh që i kushtoi mbi 5 dekada të jetës së vet për realizimin e të drejtave tona kombëtare dhe arsimore.
Kandidatët e mundshëm për deputet Bardhyl Mahmuti, Myqereme Rusi, Daut Rexhepi dhe Memet Zejnullahu i siguruan të pranishmit se me marrjen e mandatit me 5 qershor proceset do të ndryshojnë rrënjësisht.
Që gjërat të ndryshojnë në interes të popullit dhe të hiqet një herë e përgjithmonë papunësia, varfëria, diskriminimi dhe format e ndryshme të presioneve çdo qytetar shqiptar e ka fatin në dorën e vet dhe me 5 qershor duhet të votoj për Bashkimin Demokratik Shqiptar.
Bashkimi Demokratik Shqiptar me kualitetet që bart me vete si në aspektin profesional ashtu edhe në atë atdhetar është garantë e vetme se mandati i popullit do të shfrytëzohet në interes të popullit.
Profesoresha universitare Myqereme Rusi i siguroi të pranishmit se me votën tuaj ju na bëni borxhli dhe këtë borxh do tua kthejmë me veprat e mira që do të bëjmë në interes të popullit.
Tetovë, 25 Maj 2011
Bashkimi Demokratik Shqiptar