Kulturë
Cikël poetik nga Vaso Papaj
E shtune, 26.02.2011, 08:37 PM
Vaso Papaj
Addio Italia!
(Gjithë atyre që Zoti i ndihmoi të kthehen nga emigrimi)
Tund e shkund ullinj’ me mijëra,
gjersa borë në flokë dallova.
Larg shtëpisë, vetmoi rinia,
vite shumë u përmallova.
Ca pulëbardha ledhatare,
ç’ma larguan krejt mërzinë.
Dy tri grappa, ca cigare,
para sysh’ ma prunë shtëpinë.
Zot, së fundi m’ erdhi dita
t’kthehem prap nën qiellin tim,
ku e ëmbël ësht’ dhe kripa,
ta mbështes dhe un’ çatinë.
Në qiell hëna mori zjarr,
urat dalëngadal’ po ngrihen.
Britmat zvargen në hambar,
një nga një litarët bien
Deti ngjante si lëndinë,
rreze hëne ar qendisur.
Një tarantel’ përmbi bankinë,
syt’ mbi lotë mi ka gremisur.
Duket vallja më rrëmbeu,
duket kënga më pushtoj:
“Addio Italia !” më shpërtheu,
i thirra dallgës: Merrmë moj!
Më vjen pranë një tingëllimë,
si mbërritëm atë natë.
Dridhej hëna mbi bankinë
dhe ne kërkonim tjetër fat…
Krejt i uritur, siç kisha ikur,
Shpirt plagosur, po ja që ngjau:
Një tarantelë në dritë të fikur,
fsheht’ një dorë mbi mua shkau…
Një drithërimë atëher’ m’u zgjua,
në përkëdhelje mendja humb.
E ju bëj bè, si ajo grua,
nuk kisha parë jo, tjetërkund.
Larg prej saj po iki sonte
e pyes veten: ç’i kish ndodhur,
që tek unë do të kërkonte:
Të hirtat sy si det i lodhur!?...
Ç’ përkëdhel trageti dallgët
E drit’ e hënës ret’ i shpoi
Addio, Addio, vend i largët
Asnjëherë s’do të harroj…
Sonte…
Sonte…
Askujt nuk i flas
dhe askënd nuk dëgjoj.
Sonte…
Si i çmëndur mesnatës,
vij kot edhe shkoj.
Sonte
Kokë ulur, lënduar,
në gjurmët e tua
zvarrisem
e më ngjan,
sikur ty të kam pranë
e degdisem.
Sonte…
Ku ndodhesh, s’më thua?
Ku shkon dhe ç’far bën?
Sonte…
Mos më lër, kam frikë.
Vetminë largoma,
jam në rrezik.
Sonte…
Mendja ime më shpie
në rrugë të pafundta,
si hije.
E jam sonte,
si mbi një kamion të vjedhur,
ngarkesën kam hedhur,
një kërmill i mbledhur.
E dua Rodonin
Ecim dor’ më dorë
Jemi bërë me fletë
Djathtas mal me borë
Majtas vetëm det
Në majë të rrëpirës
Shtëpia me vreshta,
duket si këpurdhë
sa nis të hyj’ vjeshta.
Ka si mure kodrat,
pllaka - leshterikun,
si dritare detin,
perde - ren’ e kripur.
Ç’shtëpi e çuditshme!
Me tavan ullirin
Për gardh rrjeta peshku
Kopësht - lule blirin.
Mbrëmja vjen pangutur,
s’pipëtin as heshtja,
sikur kemi mbetur
puthur që nga vjeshta.
Na merr flladi i detit
Fluturojmë në shtigje
Puthjet përshëndesin
Pishat nëpër brigje.
Këngë peshkatarësh,
si nëpër legjenda.
Zogjt me vrull te peshqit
Peshqit nëpër rrjeta.
E shikojmë nga maja
Hundën detit futur.
Me dallgët e bardha,
përkëdhelje humbur.
I ngre duart lart
Përqafon gjith’qiellin
E fut brenda dhomës
Peshqit edhe diellin
Që kur të kam njohur,
këtëvend edua.;
Po ti lumturohesh
se më shum’ do mua…
Petro Markos
E di që im atë të kishte shok fëmijërie,
por unë asnjëherë bashkë nuk iu pashë
Kisha lindur në kufirin e dy kohrave,
kur shoqëri e miqësi i kishte një klasë.
Nuk e di nëse e kujtoje ndonjëherë,
por babai librat e tua në tryezë i mbante.
I njihja mirë dhuntit’ dhe dobësit’ e tua
Në mëhall’ të poshtme, veç gardhi u ndante…
Shokun e tim eti vështir’ mos ta përmend.
Ja, që jam pran tij, nuk rri pa shkruar dot.
Ca fjal’ kisha dashur në një pllak’ t’i gdhend
Që shpirti im për të, do t’donte shumë t’i thotë:
Mbi brigjet e Jonit, ca dallgë lozonjare,
vërshojnë pa pushim shkumbë-bardhë.
Metafora ime ësht’ atje, s’ lodhet fare.
Me poet si ty, toka ime kurrë s’mardhë.
Thuam përse?...
Thuam përse larg teje çdo gjë ngjan shëmtuar?!
Thuam përse përqafimi yt aq shumë ka munguar?!
Thuam përse ti më vjen rrotull përher’ në mëndje?!
Thuam përse veten time s’ duroj në këtë gjëndje?!
Thuam përse të gjitha më bëjnë që ty të kujtojë?!
Përse kjo ditë e bukur më duket e pagojë?!
Thuam përse ti më vjen rrotull përher’ në mëndje
dhe vetes time shpesh s’i kushtoj vëmëndje?!
Thuam përse, tek zgjohem nga miti,
si të tuat sy, kërkoj të shikoj.
Kisha parajsën, dikush ma grabiti,
ndaj të kërkoj, të kërkoj e prap’ të kërkoj…
Kthim në identitet
Ti, që kërkon kthim në identitet,
përdori gurët e përrenjve të Helmsit,
për të shtruar “Rrugën Tregtare”.
Ndryshe, do të ktheheshim prapa mijra vjet,
kur vëllai vriste vëllan’,
vetëm për pesë pare.
Ti, që kërkon kthim në identitet,
mbilli kodrat me pisha kundër rrëshqitjes.
Ndryshe, do të ktheheshim prapa mijra vjet,
kur vëllai luftonte me vëllan’,
vetëm për ca rrënjë barishtesh.
Ti, që kërkon kthim në identitet,
prishi pesë shtëpi si furriqe,
për të ndriçuar amfiteatrin antik.
Ndryshe, do të ktheheshim prapa qindra vjet,
kur banorët u sulën të gjithë,
për të ngujuar historinë në furik.
Ti, që kërkon kthim në identitet,
rregullo më parë shpirtin tënd të rënuar.
Ndryshe, kthe vështrimin
njëqind vjet,
kur s’kishte pikë frike
dhe dyqanet në “Rrugën Tregtare”
ruheshin me karrike.