E shtune, 27.04.2024, 03:58 PM (GMT+1)

Mendime

Kastriot Myftaraj: Pasojat e shbalancimi ushtarak në Ballkanin Jugor...

E premte, 18.02.2011, 08:49 PM


Pasojat e shbalancimi ushtarak në Ballkanin Jugor, mes Bullgarisë, Maqedonisë, Shqipërisë, nga njëra anë, dhe Greqisë                                   

 

Nga Kastriot MYFTARAJ

 

Greqia, që pas konfliktit me Turqinë në 1974 për Qipron, pra që në kohën e Luftës së Ftohtë, përdori lobin greko-amerikan që të arrinte të miratonte një ligj në Kongresin amerikan, sipas të cilit qeveria amerikane ishte e shtrënguar që ndihmën ushtarake për Turqinë ta vendoste në korrelacion me atë për Greqinë. Kështu u përcaktua e famshmja 7: 10 ratio, domethënë për çdo dhjetë dollarë në armatime që merrte Turqia, duhet që të merrte shtatë dollarë Greqia. Shkurt, SHBA-të duhet që ta furnizonin Greqinë me 70% të armatimeve që i shkonin Turqisë. Pavarësisht se Turqia dhe Greqia qenë vende aleate si anëtarë të NATO, arsyetonin ligjvënësit amerikanë, konflikti mes tyre për Qipron dhe kufirin detar në Detin Egje, e bënte të domosdoshme për Greqinë, që të kërkonte nga SHBA-të dhe NATO që të siguronte një balancë fuqie ushtarake mes këtyre dy vendeve fqinje.

Synimi i dukshëm formulës 7:10 ishte që të rritej artificialisht furnizimi amerikan me armë për Greqinë, përtej masës që i takonte për nga rëndësia strategjike dhe përmasat territoriale dhe femografike. Natyrisht se Turqia, duke pasur një kufi të drejtpërdrejtë tokësor dhe detar me Bashkimin Sovjetik, si dhe me një vend të Traktatit të Varshavës si Bullgaria, duke pasur sipërfaqe dhe popullsi shumë më të madhe se Greqia, do të merrte disa herë më tepër armatime se Greqia, në kuadrin e NATO. Por Greqisë, më tepër se siguria e përbashkët e NATO i interesonte siguria e saj nacionale, në raport me fqinjin e saj lindor, Turqinë. Qeveritë amerikane e quajtën jopraktik detyrimin e imponuar nga Kongresi, për shkak të rëndësisë relative strategjike të dy vendeve, si dhe për shkak se në Greqi kishte dukshëm më pak baza dhe instalime të tjera ushtarake amerikane se në Greqi. Megjithatë ligji 7:10 mbeti në fuqi dhe disa herë u bë shkak për debate të nxehta në Kongresin amerikan sa i përket buxhetit ushtarak të paraqitur nga qeveria.

Formula “7:10 ratio” është një rast nga manuali se si konvenienca strategjike e një vendi tjetër induktohet në legjislativin amerikan me anë të ekspedientit të lobing-ut parlamentar. Formula “7:10” ratio u përgatit nga planifikatorët ushtarakë grekë në Athinë dhe iu dha ligjvënësve amerikanë me anë të lobistëve greko-amerikanë në Washington. Në fakt, synimi i padukshëm i formulës 7: 10 ishte që të siguronte epërsinë e Greqisë në Egje, se Turqia ishte e detyruar që ta projektonte fuqinë e vet ushtarake edhe në pjesë të tjera, që prej zonave kurde brenda territorit të saj, në kufirin me Sirinë, një vend i militarizuar ky me të cilin Turqia kishte marrëdhënie të tensionuara dhe me të cilin në vitet nëntëdhjetë arriti deri në prag të luftës, si dhe në kufirin me Irakun dhe Iranin, pa përmendur Bashkimin Sovjetik, dhe Bullgarinë që ishte një vend i Traktatit të Varshavës.

Formula “7:10 ratio” është një precedent që duhet të shërbejë si bazë për politikën e vendeve fqinje të Greqisë me këtë të fundit, dhe me SHBA-të dhe NATO-n vis-a-vis Greqisë. Tre fqinjët veriorë të Greqisë, Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria kanë shumë më tepër arsye se Greqia në raport me Turqinë, për t’ u alarmuar nga shbalancimi në fuqi ushtarake mes këtyre tre vendeve së bashku, nga njëra anë, dhe Greqisë në anën tjetër. Të tre fqinjët veriorë të Greqisë kanë konflikte historike dhe bashkëkohore me të. Greqia nuk e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues dhe ka bllokuar anëtarësimin e këtij vendi në NATO. Greqia ka pretendime ndaj pjesës jugore të Shqipërisë, për përmbushjen e të cilave punon aktivisht një mijë mënyra, duke u shndërruar në një gjenerator të destabilitetit në Shqipëri.

Greqia ka një ndjenjë të fortë faji dhe frike ndaj Bullgarisë për shkak të atij që në dokumentet konfidenciale strategjike greke quhet kompleksi bullgar i “Alzasë-Lorenës”. Me “Alzasë-Lorenë” bullgare kuptohet Traka Perëndimore, që sot është pjesa verilindore e territorit të Greqisë, por që deri në fund të Luftës së Parë Botërore ka qenë pjesë e territorit të Bullgarisë dhe që kësaj të fundit iu mor për t’ iu aneksuar Greqisë, me Traktatin e Neuilli sur Seine të vitit 1919, që ishte ekuivalenti i Paktit të Versaille për Bullgarinë. Kjo e la Bullgarinë pa dalje në Detin Egje, duke i shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm gjeostrategjik dhe gjeoekonomik, se që prej atëherë rrugëkalimi detar për Bullgarinë kalon nëpër ngushticat turke. Kjo humbje në historinë bullgare përcaktohet si “katastrofa e dytë nacionale” dhe vazhdon të quhet edhe sot si një padrejtësi e madhe. Shkurt, Greqia e percepton Bullgarinë si kërcënim strategjik permanent, si një vend dobësimi i të cilit do të përmirësonte sigurinë e Greqisë.

Të fqinjët veriorë të Greqisë pra, Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria, i kanë të gjitha arsyet që të jenë të trembura nga shbalancimi shumë i madh ushtarak që ekziston mes të tre atyre nga njëra anë dhe Greqisë në anën tjetër. Rrallë mund të gjesh në ndonjë pikë tjetër të globit një shbalancim kaq i madh ushtarak mes tre vendeve kontigjente të rrezikuara nga i njëjti vend fqinj i tyre, në njërën anë, dhe këtij  vendi të katërt, në anën tjetër. Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria, të cilat janë sot vendet më pak të militarizuara të NATO, kanë si fqinj vendin më të militarizuar në NATO për frymë të popullsisë, që është Greqia. Greqia ka akumuluar një fuqi ushtarake të madhe, jo thjesht për shkak të ndihmave ushtarake që ka marrë në kohën e Luftës së Ftohtë, se tashmë ai armatim është vjetëruar, por më së shumti  duke përdorur në mënyrë abuzive paratë e siguruara nga ndihmat europiane, dhe nga borxhet e marra në fshehtësi dhe që tash, në një mënyrë apo në një tjetër po i paguan Bashkimi Europian. Një krahasim i shpejtë i armatimit që disponon Greqia, nga njëra anë dhe tre fqinjët e saj veriorë, në anën tjetër, i bën të qarta përmasat e shbalancimit mëse alarmues në fuqi ushtarake.

Greqia sot ka një forcë aktive ushtarake prej rreth 170 000 ushtarësh. Fqinjët e Greqisë kanë një forcë ushtarake të përbashkët prej 52 mijë vetash, do të thotë më pak se një e treta e personelit ushtarak grek. Kjo në një kohë kur Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria të marra së bashku, kanë një popullsi 10 % më të madhe se Greqia! Bullgaria do ta pakësojë ushtrinë deri në 26 mijë veta në 2014. Maqedonia ka një personel ushtarak prej 13 000 vetash. Shqipëria, pas heqjes së shërbimit të detyrueshëm ushtarak pritet të arrijë shifrën e personelit profesionist ushtarak prej 13 500 njerëzish në 2013.

Sa u përket forcave ajrore, të cilat janë vendimtare në luftën bashkëkohore, do të ishte pa vend që të bëhej fjalë për një shpërpjestim fuqie, kjo për faktin se, derisa  Bullgaria, Maqedonia dhe Shqipëria praktikisht nuk kanë forcë ajrore, Greqia ka një forcë ajrore të madhe dhe moderne. Greqia sot ka 540 aeroplanë ushtarakë, nga të cilët 300 janë aeroplanë luftarakë modernë. Greqia ka 157 aeroplanë luftarakë amerikanë F-16 C/D, të llojit me të cilët është e pajisur edhe ushtria amerikane. Gjithashtu, Greqia zotëron edhe 45 aeroplanë luftarakë modernë francezë, Dassault Mirage 2000. Pjesa tjetër e flotës ajrore përbëhet nga aeroplanë më të vjetër, por gjithsesi edhe aeroplanët luftarakë grekë Mc Donnell Douglas F-4 dhe A7 Corsair II, nga të cilët Greqia ka 93, janë superiorë në krahasim me fuqinë ajrore që kanë tre fqinjët e saj veriorë. Greqia zotëron gjithashtu edhe 37 helikopterë luftarakë modernë. Fuqia goditëse ajrore bullgare praktikisht përbëhet vetëm nga 16 aeroplanë luftarakë të kohës sovjetike, Mig-29, të cilët janë modernizuar për të përmbushur disi standardet e NATO. Bullgaria kërkon të blerë 8 aeroplanë luftarakë modernë. Maqedonia dhe Shqipëria nuk kanë forcë goditëse ajrore, duke qenë se nuk zotërojnë asnjë aeroplan luftarak, jo më modern, por as të tillë që të jenë disi të vjetër dhe të përmirësuar me teknologji të re.

Greqia sot zotëron një forcë goditëse të blinduar me 1400 tanke moderne, përveç të tjerëve. Gjithashtu Greqia zotëron edhe 1300 automjete të blinduara moderne. Forca e blinduar bullgare, e cila ka një farë vlere përbëhet sot nga 160 tanke T-72 të kohës sovjetike, prodhim i viteve shtatëdhjetë, tashmë të vjetëruar. Greqia zotëron një fuqi artilerike moderne në limit të kufirit prej 1920 armë artilerike mbi 100 mm, të cilin ia vendos Traktati për Armët Konvencionale në Europë i vitit 1990, i cili megjithëse është shfuqizuar nga Rusia në 2007, kjo përsëri e respekton atë. Artileria bullgare është sovjetike e vjetëruar dhe pjesa më e madhe është nxjerrë jashtë përdorimit. Greqia zotëron 820 sisteme raketore moderne tokë-ajër. Greqia zotëron 1250 raketa antitanke të telekomanduara, krejt efikase. Bullgaria zotëron 84 sisteme raketash tokë ajër SAM, ruse, të vjetëruara. Zotërimet maqedone dhe shqiptare të këtyre armëve janë të papërfillshme. Greqia ka 41 anije luftarake mbiujëse të mëdha, moderne, 9 nëndetëse moderne, si dhe 21 aeroplanë luftarakë modernë kundër nëndetëseve. Bullgaria dhe Shqipëria, vende me dalje në det, kanë një forcë detare krejt të papërfillshme në krahasim me atë greke. Ushtria greke zotëron edhe 10 mijë automjete moderne për lëvizjen e trupave, ndërsa tre vendeve fqinje kanë shumë pak automjete moderne të këtij lloji.

Greqia, megjithëse hyri në krizë të thellë financiare që në vitin 2009, që në këtë vit i ngriti shpenzimet ushtarake për vitin 2010, në masën 6.9 %, çka do të thotë se nga 5.81 miliard euro u rritën në 6.24 miliard euro (8.72 miliard USD), ose 3.1% të GDP, çka përbën përqindjen më të lartë ndër vendet e Bashkimit Europian. Buxheti ushtarak i Bullgarisë për vitin 2010 ishte 657 milion USD, ndërsa ai i Maqedonisë ishte 142 milion USD. Buxheti ushtarak fillestar i Shqipërisë për vitin 2010 ishte 254 milion USD, por në mes të vitit u shkurtua me rreth 54 milion USD. Kjo do të thotë se buxheti ushtarak i Greqisë për vitin 2010 ishte tetë herë më i madh se i tre vendeve fqinje. Kur Greqia negocioi me Bashkimin Europian dhe FMN në 2010, për të marrë një paketë ndihme financiare prej 110 miliard euro, për të kapërcyer krizën, një nga kushtet që iu vu ishte shkurtimi i shpenzimeve ushtarake.

Greqia për vitin 2011 i ka ulur shpenzimet ushtarake me 560 milion USD, duke i zbritur në 8.16 miliard USD (6 miliard euro), por ky mbetet përsëri buxheti më i lartë për frymë të popullsisë ndër vendet e Bashkimit Europian. Bullgaria, për vitin 2011 e ka buxhetin ushtarak 720 milion USD. Maqedonia për vitin 2011 e ka buxhetin ushtarak 128 milion USD, çka është shuma më e vogël në dhjetë vitet e fundit e ndarë për shpenzime ushtarake. Shqipëria për vitin 2011 e ka buxhetin ushtarak 220 milion USD. Përsëri, shpenzimet ushtarake të Greqisë mbeten rreth tetë herë më të larta se ato të tre vendeve fqinje veriore të marra së bashku.

Greqia, e cila ka përfituar më së shumti nga NATO, e posaçërisht nga SHBA-të, nuk pranoi që të përmbushë detyrimet për të dërguar trupa ushtarake në Irak dhe Afganistan, ku të tre fqinjët veriorë të Greqisë kanë marrë pjesë me kontigjente të mëdha në krahasim me popullsinë dhe fuqinë e tyre. Në Afganistan, ku është fushëbeteja kryesore e NATO sot, secili nga të tre fqinjët veriorë të Greqisë ka një kontigjent ushtarak më të madh se të Greqisë. Shqipëria, tre herë më e vogël se Greqia si popullsi dhe dukshëm më e varfër, ka në Afganistan një kontigjent dy herë më të madh se Greqia. Bullgaria, e cila ka një popullsi sa dy të tretat e Greqisë, ka një kontigjent ushtarak gjashtë herë më të madh në Afganistan.

Autoritetet shtetërore në Bullgari, Maqedoni, Shqipëri duhet të marrin shembull nga homologët grekë, dhe ta kqyrin si rrezik të madh shpërpjestimin kolosal të fuqisë ushtarake në Ballkanin Jugor mes tyre së bashku nga njëra anë dhe Greqisë në anën tjetër. Greqia është një vend me një delir imperial, prej ku vjen një dinamikë destruktive në marrëdhëniet ndërkombëtare, çka kur bashkohet me një superioritet kolosal ushtarak në raport me fqinjët, bëhet një kombinim tejet destruktiv, me të cilin nuk mund të bashkëjetohet qetësisht. Aq më tepër kur Greqia tashmë nuk e ka më atë funksion gjeopolitik për të cilin e ka armatosur Perëndimi në kohën e Luftës së Ftohtë, pra përdorimin si barrierë ndaj depërtimit sovjetik në Mesdhe. Greqia e sotme është në marrëdhënie shumë të mira me Rusinë. Tashmë potencialin ushtarak të saj, gjigand në krahasim me fqinjët veriorë, Greqia nuk mund ta përdorë përveçse për interesat e saj të ngushta nacionale, do të thotë kundër fqinjëve veriorë. Se Greqia nuk është aq e marrë sa të ndërmarrë aventura ndaj Turqisë. Edhe nëse thuhet se Greqia e ka potencialin e saj ushtarak për t’ u siguruar nga Turqia, kjo nuk është qetësuese për fqinjët veriorë të Greqisë, se kjo e fundit nuk e pranoi një arsyetim të tillë vis-ë-vis Turqisë, dikur, kur insistoi për formulën “7:10 ratio”. Kahdo që ta rrotullosh argumentin, potenciali ushtarak grek është tepër kërcënues për t’ u relativizuar me sofizma.

Të tre vendet fqinje veriore të Greqisë nuk mund të mos pyesin se çfarë funksioni ka në kuadrin e strategjisë së NATO, potenciali ushtarak i Greqisë, gjigand në raport me popullsinë e saj. Të tre vendet fqinje veriore të Greqisë nuk mund të mos pyesin se ç’ kuptim ka që ato të kontribuojnë për sigurinë globale përtej kapaciteteve të tyre, kur Greqia, ky vend i militarizuar, kërcënon sigurinë e tyre. Në këto rrethana, të tre vendet fqinje veriore të Greqisë duhet të kërkojnë që së paku ndërmjet tyre dhe Greqisë NATO të zbatojë formulën “7:10 ratio”, duke i armatosur ato për të përballuar kërcënimin grek. Nëse nuk bëhet kjo gjë, atëherë NATO duhet që të ushtrojë presion shumë serioz ndaj Greqisë që kjo të modifikojë politikën e saj ndaj fqinjëve veriorë. Posaçërisht në Shqipëri, Greqia duhet të tërheqë eshtrat e supozuara të ushtarëve të saj të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, duke marrë fund keqpërdorimin i tyre gjeopolitik, të tërheqë priftërinjtë grekë nga Shqipëria, të ndalojë veprimtarinë diplomatike subversive ndaj Shqipërisë, të llojit të konsullit Iconomu.

Të tre vendet fqinje veriore të Greqisë, kanë dalë nga një e shkuar komuniste, dhe tashmë pas dy dekadash qëkurse janë partnerë të Perëndimit, janë të zhgënjyer që Perëndimi është duke financuar përsëri fqinjin e tyre jugor të pangopur, Greqinë, për ta shpëtuar nga kriza e borxheve, megjithëse ky vend është prej tre dekadash anëtar i Bashkimit Europian, dhe ka marrë ndihma të mëdha. Greqia me ndihmat që ka marrë nga Europa dhe me borxhet gjigande që ka marrë, ka sponsoruar depërtimin ekonomik të saj në tre vendet fqinje veriore, ashtu që sot në Bullgari, p.sh., një e treta e bankave zotërohen nga Greqia. Nëse një pjesë e paketës gjigande financiare që po i shkon tash si ndihmë Greqisë, do t’ u kishte shkuar tre vendeve fqinje veriore të saj, sot ato do të qenë shumë më stabile, të prosperuara dhe të sigurta. Greqia me të gjitha mënyrat ka influencuar që fqinjët veriorë të jenë më pak stabilë, më pak të prosperuar dhe më të pasigurt.

Nëse autoritetet shtetërore në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri nuk kanë vullnetin për të ndërmarrë nisma të tilla, atëherë nuk mbetet veçse që të ndërmerret një aksion qytetar antigrek, i kordinuar në tre vendet fqinje veriore të Greqisë, në Bullgari, Maqedoni dhe Shqipëri, duke i msyrë në të njëjtën ditë interesat greke në të tre këto vende. Kështu do të sensibilizohen NATO, SHBA-të, për të ndërmarrë veprime energjike ndaj Greqisë. Nëse NATO dhe posaçërisht SHBA-të nuk e bëjnë këtë gjë, atëherë shumë shpejt në Ballkanin Jugor mund të fillojë një luftë e intensitetit të ulët kundër interesave greke në tre vendet fqinje veriore të Greqisë, njëkohësisht.

 



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora