Mendime
Elga Mitre: Si durojnë akoma shqiptarët
E hene, 14.02.2011, 07:15 PM
Si durojnë akoma shqiptarët
Nga Elga Mitre
Cuditem çdo ditë e më tepër nga reagimet e bashkëkombësve të mi shqiptaret e shumëvuajtur, të persekutuar, të varfër, të shkelur e dhunuar, buzëplasur e të shpërfillur, të cilët ngrejë krye ndaj ca deklaratave a ligjëratave pothuajse të pakuptimta e pak të mundshme a dëmsjellëse.
Çuditem se si një shqiptar me gjak shqiptari e irriton ligjërimi patetik por jo i dhunshëm i një konsulli grek, që ndoshta edhe qeveria e vet e ka harruar se ku e ka dërguar. Çuditem se si një shqiptari, korçari, sarandjoti, gjirokastriti por jo vetëm, i vjen kaq thartë tek dëgjon një deklaratë a ligjërim politik, diplomatik a quajeni si të doni i një zyrtari të huaj që përfaqëson një nga rangjet më të ulëta të një sistemi diplomatik qeveritar (konsull i një konsullate lokale), por nuk e shqetëson aspak ligjërata e paperceptueshme, e pakuptueshme, jashtëzakonisht e dhunshme, e turpshme dhe jashtë çdo etikete të ligjërimit politik, si ajo qe kemi tre jave që dëgjojmë nga goja e kryeministrit të këtij vendi, langonjve të tjerë rreth tij apo edhe replikat shpeshherë të të njëjtit lloj që vijnë nga kampi tjetër dhe dyert e Opozitës së Bashkuar.
Po si mund ta durojë një shqiptar të dëgjojë rishtazi fjalorin më banal që del nga goja e kryeministrit të vet duke e quajtur një përfaqësuese të një institucioni të pavarur, një nga shtyllat e këtij shteti, me etiketimin: hajdute, gënjeshtare, lavire bulevardi, a thua se po sheh e dëgjon një bandit rrugësh të shajë nga nena një tjetër të të njëjtit lloj?
Po si mundesh t’i “shqiptar” të durosh që një “burrë shteti” t’i drejtohet me këtë fjalor një zyrtareje të lartë dhe aq me shumë një femre, që mund të ishte nëna, motra, gruaja jote?
Si mundesh t’i shqiptar që të durosh që modele të tilla të të bëhen buka jote e përditshme e të të zëvendësojmë ushqimin apo informacionin që ke të drejtë të marrësh nga mediat që zgjedh të shohësh e dëgjosh? Si mundesh t’i shqiptar t’i lejosh që fëmijët e tu të rriten me të njëjtën frymë dhune e agresiviteti?
Si mundesh t’i shqiptar të durosh të të hyjë “thika” kaq thellë dhe të lesh fatin tënd në duart e dikujt që as rrugën e vet më nuk e shef, që të përdor e dhunon çdo ditë me blasfeminë e veta dhe kastës që të shtyp, të shtrydh e të përdhos çdo ditë, çdo minutë, çdo sekondë.
Si mundesh ti shqiptar te prekesh në ndjenjën tende kombëtare e të ashtuquajturën atdhe-dashuri nga një “konsull grek” që për ty është askush, por as nuk prekesh, indinjohesh, fyesh dhe nuk ndjehesh pa dinjitet nga retorikat boshe, të dhunshme e të padëgjuara të atyre që të qeverisin e të drejtojnë?
A është ky gjaku i shqiptarit? Po ku e gjen forcën e kurajën ti shqiptar të dalësh e të dëbosh nga shtëpia jote një zyrtar të huaj që në finale ndjek e ushtron detyrat e interesat e vendit të tij, nuk përdor dhune, të paktën ligjëratën e tij e ka brenda etikes gjuhësore e kulturore? A nuk thotë populli: kush gjen shesh bën përshesh?
E në fund të fundit ato që thotë ‘konsulli grek’ në qoftë i tillë mundet fare kollaj t’i injorosh e t’i shumëzosh me zero ato deklarata, se ai qe ka gjak shqiptari dhe është i bindur për gjakun që i rrjedh nder deje nuk ka nevoje t’i kujtoje askush se si duhet ta quaje veten e s’ka nevoje për askënd që t’i testoje gjakun!
Po si ka mundësi qe ti shqiptar nuk ke fuqi e kurajë të ngresh kokën e të thuash fjalën tende të lirë ndaj atij që të lë pa buke, pa pune, pa shkolla, pa spitale, pa drejtësi, pa…..
Edhe sa me duhet të durojnë shqiptarët? Çfarë duhet të ndodhë tjetër në këtë vend që shqiptaret të tregojnë se janë SHQIPTARE! Çfarë duhet të ndodhë që shqiptaret mos ngrenë krye vetëm kur i paguajnë! Të tregojnë se janë zotër të këtij vendi që nuk kanë nevoje për të marrosur, për fashistë a kamikazë që të drejtojnë këtë vend!