Mendime
Agron Tufa: Tjetërsimi i dyfishtë: i njeriut dhe i historisë
E shtune, 12.02.2011, 08:09 PM
Tjetërsimi i dyfishtë: i njeriut dhe i historisë
Nga Agron TUFA
Punët e mia të përditshme më shtrëngojnë që, të paktën, disa herë në ditë, të përshkoj në këmbë a me makinë, rrugën “Myslim Shyri” - ç‘është e vërteta - një nga rrugët më të bukura të Tiranës. E mirësistemuar, me pemë gjethemëdha dhe dyqane luksoze nga të dyja anët, këtë rrugë rinia kryeqytetase shpesh e quan me slang përkëdhelës: “Myslim Shyri - hills”. Dhe natyrisht, nuk kam qenë asnjëherë indiferent për personalitetet simbolike që u japin emrin e tyre rrugëve dhe shesheve tona publike. Por në rastin konkret ky emër nuk më ka zgjuar ndonjë asosacion me vlerë patriotike apo kulturore, ndaj i pata dhënë karar se kjo rrugë mban emrin e ndonjë dëshmori të rënë në luftën e Dytë kundër okupatorit të huaj. Nuk kisha qenë larg hamendjes sime, ndonëse krejt i pasaktë: i ndjeri Shyqiri, vërtet ishte vrarë në luftën e Dytë, por aspak kundër okupatorit të huaj: ai ishtë vrarë në pikun e ashpër të Luftës Civile, jo si çlirimtar, por njëlloj si të gjithë pushtuesit e huaj që kanë tentuar të nënshtrojnë shqiptarët në vendbanimet e tyre. I ndjeri “hero”, siç mësojmë nga Arkivi Qendror i Shtetit (AQSH f.177 D. 32 V.1943), është vrarë në Fushë-Aliaj në një përballje me forcat mbrojtëse të Fushë-Çidhnës, bashkë me 21 partizanë të tjerë. E ç'ndryshim ka vrasja e tij me vrasjen, disa dekada dy dekada e gjysëm para tij, të armatës serbe "Shumadia", në po këto fshatra, duke kryer po të njëjtat krime makabre - vrasje, pushkatime, djegie e terror? Ama paradoksi qëndron se në lartësitë e të sotmes, emri i tij në kujtesën kolektive ka mbijetuar si hero! Dhe në fakt pak kush don t'ia dijë se si ka qenë e vërteta. A është ky një manipulim i historisë? Është pak të thuash! Bashkë me manipulimin e njeriut ka ndodhur brez pas brezi tjetërsimi i historisë, tjetërsimi i dyfishtë - i njeriut tok me historinë.
E vetmja gjë që duhet t'i kërko lexuesit sot, cilido qoftë ai, është që të braktisë verbërinë e thellë në lidhje me çështjet e historiografisë shqiptare, e cila, siç dihet gjerësisht, i është nënshtruar sistematikisht manipulimit ideologjik komunist. Kryevepra e kësaj ideologjie - “njeriu i ri”, një përbindësh tërësisht i indoktrinuar, e ka shumë të vështirë t’i besojë të vërtetat e tjera dhe, në tërësi, “njeriu i ri” nuk mund të kapërdijë të vërteta të tjera jashtë historisë së PPSH-së dhe veprave të Enver Hoxhës. Në këto kushte rruga e ndërgjegjësimit është një mision i pamundshëm; njeriu, nën diktatura staliniste të tipit shqiptar, shndërrohet në skllav për të siguruar thjesht ekzistencën biologjike dhe realiteti që ia garanton këtë mbijetesë shndërrohet në të vetmen instancë, para së cilës qenia e nënshtruar përulet. Njeriu i nënshtruar apo “monstra e re” nuk ia ka takatin asnjë reflektimi, asnjë dyshimi apo procedure mendore, përsa ai e di tashmë, se duhet të reagojë automatikisht sipas realitetit që i serviret zyrtarisht, të ushqejë mendjen me faktet që e shtrëngojnë t’i mësojë në shkollë, të këndojë ato këngë që i vënë në gojë, të reagojë sipas direktivës nga lart dhe, sidomos, të harrojë se çfarë ka ngjarë në të vërtetë. Rezultat i pashmangshëm do të jetë tëhuajësimi defenitiv dhe shplarja masive e trurit të shoqërisë. E kush ia ka ngenë të Vërtetës në këto kushte? Për çfarë të vërtete qenka fjala? Sepse një gjë dihet mirë - e ndërkallur edhe në mençurinë e luftës për egzistencë midis të gjitha qenieve të gjalla: vlen vetëm ajo e vërtetë, e cila nuk çon në zhdukjen dhe shfarosjen e llojit!
Shkrimtari dhe mendimtari bashkëkohor italian, Umberto Eko thotë: “Vetëm e vërteta do të na bëjë njerëz krejtësisht të lirë”. Atëherë, nisur nga ky postulat i Ekos, a mund ta pyesë sot veten çdo shqiptar, në ç‘masë e zotëron të vërtetën dhe, varësisht raportit të tij me të vërtetën, sa është i lirë?
Cilësia dhe progresi i individit tonë varet fort nga këmbëngulja e tij për të vendosur një raport sa më realist me të vertetën - të vërtetën e tij, të shoqërisë ku jeton, të historisë dhe fatit të kombit që i përket, përndryshe do të kemi një individ të sëmurë, larg mendjes së shëndoshë, të lehtë për t’u manipuluar në çdo kohë, nga çdo lloj demagogësh dhe diktatorësh, sikundër e kemi parë të ndodhë me ne jo pak herë përgjatë historisë sonë. Pra, çfarë raportesh ndërtojmë ne me të vërtetat tona? Dhe nëse kemi mbërritur në atë pikë ku nuk na shqetëson më kjo dilemë, atëherë kemi të garantuar një sëmundje të tmerrshme, prognozën universale të së cilës e pati vërejtur qysh në fillim të këtij shekulli shkrimtari austriak Robert Muzil në romanin “Njeriu pa cilësi”. Dhe një njeri pa cilësi (pa veti, pa karakter) përbën shkakun e të gjitha dështimeve, mosrealizimin e vetes dhe shoqërisë; ai është qeliza e prishur e një organizmi shoqëror që do të dekompozojë pa përjashtim gjithë trupin e shëndoshë social.
Ja pra ku jemi ne, shqiptarë të traumatizuar nga diktatura më gjakatare e shekullit, të lirë, por njëkohësisht, të skllavëruar nga trashëgimia e mendimit komunist, të trullosur nga një situatë kaotike vlerash, në të cilën protagonistët e së djeshmes vijojnë të jenë heronj kulturorë, socialë e ideologjikë edhe sot. Shoqëria shqiptare e pati shansin e saj për të pastruar trurin e vet nga zhuli ideologjik, por nuk e bëri. Shoqëria shqiptare e pati rastin për të kërkuar ndjesë të thellë për të gjitha krimet e përbindshme që janë bërë në këtë vend “në emër të popullit, por fatkeqësisht, as këtë nuk e bëri. Shoqëria shqiptare e pati rastin të dënonte kriminelët e saj, të demaskonte spiunët e saj, të falte xhelatët e saj duke i gjykuar ata si përfaqësimin e së keqes dhe turpit shqiptar, por mjerisht, as këtë nuk e bëri. Shoqëria shqiptare vazhdon të mëkojë shpirtrat e njomë të gjeneratave me ushqimin më pervers të dijeve komuniste nëpër shkolla dhe, përsëri, ka njohur dështimin e saj në liri. Shoqëria shqiptare ushqehet dhunshëm me një treg të zi informativ duke stimuluar e edukuar pa ndërprerje një ndjeshmëri dhe sensibilitet kriminal; lexuesit dhe shikuesit të saj i tunden parasysh qindra mijëra faqe gazetash dhe ekranesh me ngjyra me portretet të diktatorëve; gjeneratat e reja mësohen me përralla dedektive për lavdinë e madhe të udhëheqësve komunistë. Por kurrë dhe asnjëherë, në hapësirën e kësaj lirie të fjalës nuk u dëgjuan rrënkimet e thella të plagëve tona; kurrë nuk dëgjuam përpëlitjet e shpirtrave të përvuajtur që treteshin, bjernin rininë dhe energjitë e tyre në zgavrat më të errëta të burgjeve komuniste. Ne na u dha liria e fjalës, por kjo fjalë deri tash po dëshmon për një deformim psikik të njeriut shqiptar: kënaqësinë e viktimës nga torturat dhe përdhunimet e xhelatëve. Sipas tablosë së mediave dalka se truri ynë paska qenë i krimbur vetëmse me kujtime enveriste. Po ku është pra ajo Kujtesa Tjetër? Kush e pengon të rrëfejë? Se në pastë gjë për të dëshmuar homo sapiens-i i shtypur shqiptar, duhet të dëshmonte plagët e veta. Çfarë po bën me ndjenjën e drejtësisë, me ndjenjën e fajësisë, me ndjenjën e lirisë së vet ky popull? Dhe çfarë të ardhmje po projekton kështu njeriu shqiptar?
Rrëzimi i komunizmit e gjeti shoqërinë shqiptare pa ndonjë elitë intelektuale, përsa pjesa më e madhe e inteligjencies së saj qenë bërë njësh me ideologjinë sunduese totalitare. Shërbetorët e regjimit nuk mund të kishin një ndërgjegje qytetare, as mund të ishin të aftë për refleksione të thella, të ishin mësuesit dhe udhëzuesit e drejtë të daljes së shqiptarëve nga qorrsokaku gjysëmshekullor komunist. Inteligjencia shqiptare pas rënies së komunizmit kishte një kod moral të deformuar: kodin e mercenarit. Përveç kësaj ajo u gjet në një bankrot total shpirtëror, mental e profesional. Në këtë mënyrë ajo, sikundër pritej, nuk mund të luante ndonjë rol në shoqëri, përveçse rolin që qe mësuar të luajë gjatë komunizmit: të vazhdonte mercenarizmin e vet, tashmë në një terren dhe situatë tjetër - mercenarizmin politik nëpër partitë tona postkomuniste. Ata sot janë kasta e shkrirë njësh me pushtetin politik, ekonomik, kulturor e arsimor. Çdo zhvillim i ri procesual që vjen pozitivisht nga brenda shoqërisë, do të ndeshet pashmangshem me barrierën e monopoleve të tyre. Problemi mendojmë se është bërë serioz e konfliktual: çdo përpjekje e intelektualëve të rinj që nuk i lidh gjë me trashëgiminë komuniste paralizohet nga hierarkie survejuese që kontrollon të gjitha dyert institucionale. Mirëpo gjeneratat e inteligjencies së re janë antitruptha që i prodhon organizmi social i shoqërisë sonë dhe ata përbëjnë të vetmen forcë informale të dekomunistizimit në realitetin e sotëm, anipse shkalla e ndikimit të tyre sot për sot, siç thashë, është paralizuar. Kësodore nuk habitemi që në shumë sfera të rëndësishme të aktivitetit tonë frymor, shpirtëror e intelektual, ne udhëhiqemi në mos nga komunistët e djeshëm, atëherë nga bijtë e tyre patjetër. Së këndejmi një gjë është e qartë dhe e shprehim me bindje të padiskutueshme: në Shqipërinë postkomuniste ka ndodhur dështimi më i hidhur dhe më tragjik: dështimi i misionit antikomunist. Ky ishte i vetmi mision që duhej të përmbushte shoqëria e lirë dhe demokratike shqiptare, por ky mision u sabotua, u tradhtua, u braktis nga po ajo klasë politikanësh, së cilës shtresat e persekutuara për gjysëm shekulli, familet dhe dyert e mëdha, e djathta konservatore tradicionale shqiptare si dhe gjithë të rinjtë e paindoktrinuar me komunizëm i besuan, e mbështetën (dhe ende vazhdojnë ta mbështesin), ndërkaq që, paradoksalisht, këto shtresa kanë mbetur si më parë gjatë komunizmit, shtresa më inferiore, më e prapambetur, më e privuar nga të drejtat dhe shanset e barabarta e, madje, më e fyera. Me interesat dhe ndjeshmërinë e tyre luhet vetëm në fushata elektorale, por për fatin, të drejtën dhe detyrimet ndaj tyre, zor se çan kush kokën. Situata është në një plan krahasimor formal si e djeshmja: kjo klasë ka qenë dje e persekutuar, është përsëri dhe sot më e lëna pas dore.